Kulturë
Janaq Pani: Rrëfehem përse shkruaj...
E hene, 08.11.2010, 07:57 PM
RRËFEHEM PËRSE SHKRUAJ...
Nga Janaq Pani
Rrëfej pse mendjen ve në punë
që nga këndej, të largëtat dhera,
po ndryshe s'ka si shfaqem unë,
të çoj te miqtë disa vlera.
Nuk kam pse mirrem me të tjerët,
si kanë shkruar, çfar' lanë pa thënë,
me poezinë jam njohur herët
e nuk jam shfaqur "një herë në hënë."
Nuk jam i ngeshëm, e prandaj shkruaj,
e ke në dorë ta ndërtosh jetën
ti vetë, o mik, në dhe të huaj
për vitet që mbi shpinë të mbetën.
E Muzës të më vijë s'i lutem,
ajo gjen kohën e vjen e qeshur
në orët, në krevat kur futem,
se dashka të më gjejë të xhveshur,
nga gjithë hallet që dita bie,
(pa halle s'gjen njeri në botë):
"Pa shtro kurrizin si të ka hije
e vargje thurr" - ëmbël më thotë.
Kënaqe veten në rradhë të parë
pastaj për larg nis frymëzimin,
te miqtë e shokët udhën të marrë,
që mbetën larg mbas shtegëtimit.
Për trojet e të parëve, meraku
të rri në shpirt si gur i rëndë,
e t'i arrish nga larg, së paku
mallin e brengën ti e bëj këngë.
Nga fjalët shqip që nxjerr prej goje
përzgjidh atë që ka më vlerë
e vishe nuse e zbukuroje
të thonë "sa bukur!" dhe ca të tjerë.
Dhe e mendimit të jetë ferment
për aq sa vlerat ti i njeh,
në mend mos shko për monument
që i ngre vetes, jo mos u deh.
Se para teje të tjerë e ngritën,
e t'i shikosh të bie kapela,
veç dhe ata ca kohë pritën
s'i futën duart drejt e në thela...
Më thosh dikur një plak i urtë:
"Që ta arrish lavdinë, o bir
të duhen "dyzet furrë bukë"
e nuk arrihet me pahir.
E mos u deh nga ç'thonë të tjerë
se "qiellin me dorë e zure",
të mburrurat nuk kanë vlerë
kur dalin si "qoftet prej furre."
E në se ti, me një rresht qoftë
te kjo ngrehinë një gur e ve,
me gojën plot Atdheu të thotë:
"Bekuar qofsh, aty ku je!"......