Kulturë
Luan Sharri: Shipkovica shikuar së afërmi
E merkure, 10.11.2010, 10:28 PM
SHIPKOVICA SHIKUAR SË AFËRMI
Nga Luan Sharri
Shkuam qëllimisht të vizitojmë këtë fshat të Malësisë së Sharrit. Por, për çudi, e ndjeva veten si asnjëherë më parë!?
Këtë kohë vjeshte kur grmbullohen gjërat e vjeshtës për përgatitje dimërore, kësaj rradhe ishte më ndryshe! Nuk vëreheshte gjallëri si më parë. Çdo gjë dukeshte e zymtë. Njerëzit dukeshin të lodhur edhe se moti ishte i përshtatshëm për punë. Vallë, çështë kjo!? Umundova të hap bisedë me një kalimtar të rastit. Nuk më shkoi për dore. Vendosa të ulem në njerën nga disa kafenetë e fshatit dhe të pres të takoj ndonjë që e njoh. Nëpër kafene, për çudi kishte pak njerëz. Dikur rastisa në një që e njihja. U përshëndetëm dhe u ulëm për të pirë kafe. Më priti jashtëzakonisht mirë, ashtu si e kanë zakon malësorët e veçanërisht shipkovicasit. Por pas një heshtje në pyetjet që i bëja mu drejtua:
– Gjithmonë Shipkovicën e shikoni për karshi dhe nuk ju intereson fare se si është e duket së afërmi.
Ngela ngushtë dhe i thash se kësaj radhe kam ardhur që të shoh se si është për së afërmi.
Pasi buzëqeshi, më tha se, tani më Shipokovica nuk është as afër asaj të dikurshmes. Gjërat janë zi e më zi. Na ka kapluar varfëria. Shpresat i patëm të mëdha gjatë konfliktit të 2001-shit por kishim gabuar shumë dhe jemi të detyruar të paguajmë për ate që u mashtruam rëndë.
Si mor mik, flet kështu!?
– A mos don të të rrej e të them si nuk është kështu si është?
– Jo. Por të bisedojmë për realitetin.
Pasi u mendua pak më tha se, reliteti edhe se shumë i hidhur i tillë është. Në çdo aspekt kemi mbetur (unë do të thoja se deshi të thotë se na lanë) pas dore. I kërkova të argumentojë këte dhe ai vazhdoi:
– Mirë bre mik – më tha dhe vazhdoi- Në kohën e luftës, nëse mund ta quajmë kështu, i gjithë fshati me njerëz, bagëti, bukë, e me të gjitha u angazhuam për të ndihmuar luftën, e çka fituam? Këtë gjendje të rëndë e të paparë për Shipkovicën.
I thash se i shiqon gjërat shumë me pesimizëm, por ai mu përgjigj se kështu është jo se unë i shoh ashtu.
Fillova të mendohem në vetëvehte. Vallë gjer këtu paska ardhur situata, apo kështu i shef gjërat miku im? Fillova të sjell ndër mend shumë gjëra të rëndësishme që kanë ndodhur në këtë fshat si: stoicizmin e këtij fshati në kohën e monizmit, të kujtoj Rexhep Vokën, Sadudin Gjurën, e shumë të tjerë shipkovicas që ia kanë ngritur emrin këtij fshati, tubimin madhështor të vitit 1990 kur u themelua Bashkësia Kulturore Shqiptare, dhe opinionet e trevave tjera për klëtë ngjarje historike për mbarë shqiptarët, kur u thye miti i heshtjes dhe shqiptarët në Maqedoni filluan të marrin frymë më lirshëm, pastaj në fund kohën e konfliktit të 2001-shit, kur Shtabi i UÇK dhe takimet e ndërkombëtarëve që bëheshin këtu, e tjerta e tjera ...
Miku më hetoi se diç po bluaja në mendjen time dhe ftoi një fshatar që ishte vetmuar në një tavolinë të pijë kafë me ne dhe i tha se ky miku nuk beson se jemi në hall të madh. Pas një bisede, dhe pasi e hulumtoi bisedën tonë , ky zotriu vazhdoi:
– Nuk dij bre mik çka të të them, por duhet ta dijsh se na ka kaplua një situatë e rëndë dhe pa rrugëdalje. Nuk kemi shpresa se do të përmirsohet gjendja. Na ka kapluar fukarallëku. Por më e keqja është se shpirtërisht na kanë shtri për tokë. Më parë kishim, deputet, drejtorë, shumë intelektual tanë që jetojnë në qytet e më gjërë vinin shpesh dhe qanim halle e derte. Tani asgjë nga këto nuk i kemi. Na mungon mënyra e angazhimit e organizimit, këmbimi i bisedave, pse jo edhe komentimi i situatave shoqëroro-politike. A nuk është kjo një gjendje e padurueshme për na? Na nuk jemi mësuar kështu. Intelegjenca e jonë për të cilën ky fshat ka dhënë shum mund që të krijohet, është lënë anësh, ndërsa avancohen njerës që nuk e meritojnë, as me njohuri, as me profesionalizëm e as me aftësi. Or mik, një fjalë e urtë popullore thotë: ,, Ku të kruan dora jote nuk të kruan e huja,,. E interesat tona na kanë mbetur të na i mbrojnë të tjerë. Por nejse dhashtë Zoti e e tejkalojmë këtë situatë por na kushtoi shumë. I muarën në qafë disa njerëz që do të bënin shumë për mbarë shqiptarët e edhe për na. Kjo situatë ska se si të komentohet ndryshe pos se ,,na u dhamë bukën e ata na kthyen kupën,,. Na gjithmonë kemi heq të “zitë e ullirit” e përsëri mbetëm ma keq prej të gjthëve. Nuk dij si të them ndryshe përveç se neve shqiptarëve në Maqedoni do të na hajë dreqi. Politika e jonë është plot e përplot ,,demagogji,, të cilës të parët ne do tia shofim sherrin.
Mbeta si të thuash me ,, gisht në gojë” nuk dija si të hyja në bisedë, ndërsa në kokë më bluanin lloj-lloj mendimesh. Memzi që thashë, i pavetëdijshë se është një situatë kalimtare dhe se gjërat shpejt do të ndryshojnë.
– Dhashtë Zoti të jetë ashtu por ne nuk besojmë më – ma kthyen ata.
As vetë se dij se si u ngrijta dhe erdha në qytet, dhe menjëherë e thira në telefon një mik nga Shipkovica por që herët jeton në Tetovë dhe ia tregova situatën. Ai mu dretua:
– Më herët kur kam shkua në fshat, edhe mua më ka ndodh edhe më keq. Me të vërtetë është ashtu. Skemi se çtë bëjmë. Tani më nuk shkoj se bijë në pozita të palakmueshme. Nuk dua të konfrontohem me politika e me politikanë pasi gjithmonë kam qënduar larg politikës. Kështu ndodh kur jovlerat i mundin vlerat. Kur demagogjia zëvendëson demokracinë. Thënë shkurtë kur e zeza e mbulon të bardhën. -më tha ai dhe vazhdoi.- Kahdo është njëlloj. Pakënaqësia është e theksuar në të gjitha shtresat e popullatës. Të shofim se sa do të shkojë kështu. Por një gjë dihet. Kjo na çon mbrapa.
Thash me veten time ,,ika prej shiut e rrashë në breshër,,. Por assesi nuk mund ta qetësoj veten. Nuk ma kishte marrë mendja se kështu është situata në këtë fshat, pasi gjithmonë e kam njohur dhe kam patur bindje tjetër. Megjthate mësova shumë gjëra, dhe më kaploi një pesimizëm i arsyeshëm dhe u binda për shumë mangësi që e përcjellin politikën tonë në Maqedoni.
Pas shumë hamendjeve a ta dërgoj këtë artikull për botim apo jo, vendosa ta dërgoj ngase ai miku nga Shipkovica me tha se nuk i shikojmë së afërmi.