Kulturë
Ilir Muharremi: Si të shikohet një film?!
E marte, 09.11.2010, 10:57 PM
Si të shikohet një film?!
Nga Dr. Ilir Muharremi
Filmi është një përjetim i thellë subjektiv, një pikturë lëvizëse, me një protagonist negativ apo pozitiv. Sot, me të drejtë, kultura është ndër problemet më të rëndësishme shoqërore, por asnjërit nuk po i shkon në mëndje se midis shumë shkencave të artit mungon dukshëm estetika kinematografike. Nëpër shumë universitete tona ekzistojnë fakultete për letërsinë dhe artet tjera, por nuk ekziston as edhe një katedër mbi artin e ri kinematografik. Kur them nuk ekziston me këtë nënkuptojmë, krijimin e vlerave të mirëfillta dhe prodhimin e gjeneratave të shëndosha, të cilët me talentin e tij do na shpojnë me këtë art kinematografik. Qysh nga shkollat e mesme, flitej pothuajse për çdo art, për kinematografinë jo. Miliona njerëz studiojnë estetikën e letërsisë e të pikturës pa perspektivën se do t’i zbatojnë ndonjëherë njohuritë e marra apo të lexojnë një libër ose të sodisin ndonjë kuadër. Të gjithë këta shikojnë çdo natë kinema. Me paditurinë e tyre gëlltisin gjithçka që u servilet. Duhet të stërviten, si të shikojnë film, si ta pranojnë tematikën, ritmin, fotografinë, lojën e aktorëve, kulturën krijuese, planet etj. Regjisorët janë mësuar, të shkruajnë vet, të udhëheqin në tërësi këtë art vet, ngase janë të obliguar, sepse konceptet e tyre krijuese, janë të padukshme për regjisorët profesionist. Tekst shkruesi, është i obliguar të futet në malin e regjisë, edhe pse mund të hasë në një mal të rrezikshëm, ai fare nuk frikohet nga kjo, sëpata e tij nuk është shumë e mprehtë. Andaj, nëpër ekranet e kinemave tona, filmat vendorë pak kanë fuqi të futen mbi shpirtin e masave të pranuesve të mesazheve. Filmin nuk duhet vetëm ta shohin, por edhe ta kuptojmë. Por, që ta kuptojmë duhet të pajisemi me disa njohuri të veçanta të cilat do të na japin një farë orientimi edhe një njësi matjeje, në mënyrë që të mos jemi të detyruar t’i dorëzohemi pa kushte. Regjisorët, dhe ne si publik, duhet t’i njohim ligjet dhe mundësitë e artit kinematografik për të qenë në gjendje të kontrollojmë e të disiplinojmë ndikimin shpirtëror që ushtron ky lloj arti pa pararendës në historinë e qytetërimit njerëzor. Skenaristët, duhet të frymëzohen nga temat reale, problematikat e thella shqetësuese, e jo ta kërkojnë absurdin, pa përformuar në realen. Tek ne shumë filma të dështuar janë prodhuar pas luftës, asnjëri nuk ka pasur magji t’i shpojë veshët dhe sytë e shikuesve, ose t’i mashtrojë ata me një temë të imagjinuar, ose reale. Vlen të cekët një film, sepse e meriton të quhet film “Kukumi” i regjisorit Isa Qosja. Aty ka kulturë krijuese, publiku has në shije. Imazhi i jep trajtë zërit, ndërsa heshtja e cila është pothuajse si një mbret i këtij filmi, është me efekt akustik, përbëhet nga efektet dramatike origjinale të këtij filmi zanor. Kam vetëm një vërejtje të vockël rreth tregimit të filmit, kthimin e personazheve sërish në çmendi. Ata nuk mund të lirohen nga problemi psikik, dhe kthimi tregon si një problem të pazgjidhur të tyre. Mungon ndonjë personazh më harmonik, ose më i lumtur, sepse ku është pesimizmi, aty rrënjët i ka edhe optimizmi. Por, sipas të gjithave është i vetmi film Kosovar që bart me plotë vlerë epitetin film. Në anën tjetër filmi “Anatema” i regjisorit Agim Sopit, më shumë është punuar në fotografi sesa në vijë dramaturgjike, konkretisht në skenar dhe në përmbajtje të tij. Skenari nuk është vetëm një mjet ndihmës teknik, nuk është si një skelë që mund të çmontohet sapo shtëpia të jetë ndërtuar, por është një formë letrare e denjë për penën e poetit që mund të botohet edhe si libër me vete. Në fillim regjisori ka qenë edhe autor, dialogët shkruheshin pas montimit dhe i jepeshin spektatorit për t’u lexuar në kuadro të veçanta. Andaj, tash në këtë kohë ekziston skenaristi, dhe regjisori zbulon sekretin e personazheve, nuk i krijon ai, por i mishëron dhe i vë në lëvizje të arsyeshme. E te filmi “Anatema”, personazhet ende duhet të plotësohen që të mos ndeshën me gabimet.