Kulturë
Dhurata Shehri: Letërsia e Kadaresë, jashtë realizmit socialist
E marte, 09.11.2010, 10:46 PM
Nga Fatmira Nikolli
Letërsia shqiptare dhe realizmi socialist" është titulli i një konference që mbahet të enjten në orën 9:00 në Akademinë e Shkencave. Në fokus të saj do të jetë letërsia e shkruar nga viti 1945 deri në vitin 1990. E organizuar nga departamenti i Letërsisë në fakultetin e Histori - Filologjisë, sipas shefes së këtij departamenti, Dhurata Shehri, konferenca ka si synim të sajin analizimin e kësaj letërsie, parë kjo në prizmin e vlerave e antivlerave. "Kanë kaluar 20 vite dhe tashmë nuk ka arsye që të ketë më mllefe, deri diku të justifikuara për vitet e para. Ajo që do të bëhet, është një studim real që është edhe panoramik por që do të merret edhe me vepra të caktuara". Kështu u shpreh dje në një intervistë për Gazetën, Shehri, duke na shpjeguar qëllimet e konferencës shkencore dhe pikat në të cilat do të fokusohet. Në cilat vepra zuri vend ideologjia e kohës, dhe cili shkrimtar qëndroi larg saj? Çfarë ishte debati tashmë i harruar, ai i vitit 1961 mes novatorëve e konservatorëve? Një konferencë shkencore analizon veprat e 5 dekadave me 29 studiues...
Universiteti i Tiranës do të mbajë nesër një konferencë shkencore për letërsinë e realizmit socialist. Çfarë synon ajo?
Titulli i konferencës është "Letërsia shqiptare dhe realizmi socialist". Këtë e organizon departamenti i Letërsisë në fakultetin e Histori - Filologjisë. Nevoja për ta organizuar atë lindi sepse kanë kaluar gati 20 vite dhe lindi nevoja për të interpretuar një letërsi e cila fillimisht ishte keqinterpretuar. Pra, në kuptimin që ishte realizmi socialist e vetmja metodë që u përdor dhe kjo letërsi ishte keqinterpretuar. Pas viteve 1990, për 20 vite, kjo letërsi në përgjithësi nuk ishte analizuar, por vetëm ishte paragjykuar, pa u parë ndonjëherë në atë që është vlerë e kësaj letërsie dhe antivlerë e kësaj letërsie. Për këtë arsye, menduam se ishte e nevojshme që krijimtaria e 50 viteve, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990, duhej analizuar për të thënë të vërtetat e të pavërtetat, vlerat artistike e ato morale, apo edhe vlera të tjera të kësaj letërsie.
Ju, cilat shihni si vlera apo si antivlera të kësaj letërsie?
Ajo që është vlerë e kësaj letërsie mbetet vlerë dhe flasim këtu për vlerën letrare, e ndërsa ajo që është propagandë është antivlerë. Natyrisht, me një të rënë të lapsit, ne nuk mund të themi se kjo letërsi është e gjitha ideologjike, apo që kjo letërsi është e gjitha anti-ideologjike. Nga kjo pikëpamje, edhe vetë titulli që ne i kemi vënë konferencës "Letërsia shqiptare dhe realizmi socialist", tregon që kjo është një pjesë e letërsisë shqiptare.
A ka emra autorësh apo tituj veprash që do vihen në fokus? Cilët janë?
Patjetër. Bëhet fjalë për analiza të thella, gjatë një panorame të përgjithshme të letërsisë në harkun kohor 1945-1991. Ka pasur momente të vështira që nuk janë interpretuar apo që janë keqinterpretuar. Natyrisht që bëhet fjalë edhe për autorë shumë të rëndësishëm që kanë shkruar në këtë periudhë, autorë të qenësishëm të letërsisë shqiptare, siç është edhe Ismail Kadare. Kadare vërtet ka shkruar në periudhën e realizmit socialist, por në gjykimin tim personal, që do të thuhet edhe gjatë zhvillimit të konferencës, nga autorë që kanë studiuar veprën e Ismail Kadaresë, vlerat e tij mbeten vlera shumë të larta letrare. Realizmi socialist është shumë kalimtar në veprën e tij. Letërsia e tij është një letërsi e madhe që nuk është e realizmit socialist. Për fat të keq, ka raste vërtet të rralla autorësh shqiptarë, që pak janë prekur nga ideologjia e kohës. Pjesa më e madhe e veprave të shkruara gjatë atyre viteve janë përgjithësisht ideologjike.
Përveç Kadaresë, a do të ketë diskutime mbi autorë të tjerë, të debatuar ose të ndaluar?
Askush nga autorët që kanë shkruar në atë periudhë, ose më saktë asnjë nga veprat që janë shkruar në atë kohë, nuk është e përjashtuar nga kjo analizë. Ju do ta shikoni gjatë zhvillimit të konferencës këtë. Janë rreth 29 studiues nga Perëndimi dhe nga Lindja, ashtu si edhe nga Shqipëria e Kosova, që iu përkasin brezave, mentaliteteve e këndvështrimeve të ndryshme. Ata përfaqësojnë mendime të ndryshme në analizimin e teksteve letrare. Kanë kaluar 20 vite dhe tashmë nuk ka arsye që të ketë më mllefe, deri diku të justifikuara për vitet e para. Ajo që do të bëhet, është një studim real që është edhe panoramik por që do të merret edhe me vepra të caktuara. Pra, në fokus janë veprat e jo autorët, duke pasur parasysh që thelbi i kësaj konference është të studiojë letërsinë e një periudhë relativisht të gjatë dhe jo autorët e veçantë të saj.
A ka edhe vepra të tjera që janë "jashtë" realizmit socialist?
Unë iu thashë që ka vepra të ndryshme që do të analizohen nga studiues të veçantë. Unë nuk dua të jap përfundimet e konferencës, sepse ato do të jepen pasi të mbarojë ajo, që do të thotë se do të jenë lexuar të gjitha kumtesat e studiuesve. Janë vepra të veçanta që e kanë më pak të theksuar ose më shumë të theksuar realizmin socialist. Do të analizohen edhe disa autorë që kanë qenë të ndaluar gjatë asaj kohe. Siç do ta vëreni gjatë konferencës, këndvështrimet janë të tilla që trajtojnë vepra e autorë të ndryshëm. Veç kësaj do të ketë edhe trajtim të dukurive të asaj kohe. Një prej tyre është edhe debati tashmë i harruar, ai i vitit 1961 mes novatorëve e konservatorëve, ose gjini të ndryshme si ajo lirike, rrugëtimi i romanit, etj. Këndvështrimet janë të tilla që besoj se do të zbulojnë nëse realizmi socialist është një metodë kryesisht ideologjike apo qe një metodë që përtej saj, ka arritur të prodhojë edhe letërsi të mirë? Për këtë unë nuk mund të jap mendimin tim personal. Kjo konferencë po organizohet që të mos japim mendime personale, por të bazohemi në analiza tekstore, për të zbuluar se ç'është letërsi me vlerë brenda kësaj letërsie.