E merkure, 30.04.2025, 10:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gàzulli: Njësia gjuhësore e shqipes në shekullin XVII nëpërmjet veprës së Bardhit

E marte, 09.11.2010, 10:59 PM


NJËSIA GJUHËSORE E SHQIPES NË SHEKULLIN XVII NËPËRMJET VEPRËS SË BARDHIT

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Katër shekuj ma parë Frang Bardhi botonte në Romë Fjalorin Latinisht -Shqip.

            Tue u përpjekë me analizue gjendjen e shqipes në atë shekull (XVII) nëpërmjet kësaj vepre të rrallë, e gjejmë me vend të shohim ma parë mjedisin historik, ekonomik, shoqnor e kulturor ku lindi e jetoi Autori.

            Pushtimi osman i shekullit XV solli rrënimin e gjithanshëm të Shqipnisë. Regjimi shoqnor që iu impunua ishte ma i mbrapambetuni në Europë. Ky ishte rendi feudo-ushtarak turk, që e ktheu Arbëninë disa shekuj mbrapa. Qytete deri atëherë në lulëzim, u braktisën nga banorët vendas dhe u shndrruen në fshatra gërmadhë apo në garnizone ushtarake.

            Por kryengritjet shqiptare nuk pushuen. Fillimi i shekullit XVII asht i mbarsun me ngjarje nga ma të randësishmet për çlirimin kombëtar; që nga Kuvendi i Matit më 1601-1602, te Kryengritja e Malësisë së Madhe e kuvendet ballkanike të viteve 1613-1614.

Një nga shfaqjet e qëndresës ma aktive qè ruejtja e gjuhës, kulturës dhe dokeve me një forcë të pabesueshme përkundrejt zhdukjes fizike të një mase të madhe njerëzish, qytetesh, fshatrash e veprash arti të gjithëfarëllojshme.

Luftnat e papreme banë që Shqipnia, ndonse e pushtueme, të rimerrte sadopak veten dhe aty nga fundi i shekullit XVI e fillimi i shekullit XVII, një pjesë e qyteteve të rimbëkambej, sado që jo me atë lulëzimin e parë.

Letërsia u zhvillue kryesisht në Shqipninë Veriore tue pëdorë një gjuhë deri diku të normalizueme me bazë gegënishtën Veripërendimore.

Ndër to, vepra që analizojmë zë një vend të randësishëm.

Autori i saj, Frang Bardhi, shquhet në mes bashkëkohësve për figurën e tij shumëplanëshe: historian, leksikograf, folklorist, prelat e atdhetar i shquem.

Ai lindi në Nënshat të Sapës më 1606 dhe vdiq po aty 37 vjet ma vonë.

Sapa (Zadrima), e krahasueme me krahinat tjera, kishte ruejtë ende një farë zhvillimi ekonomik e kulturor. E shtrime në mes dy qytetesh të randësishme për kohën, Shkodrës e Lezhës, ajo ishte furnizuesja e tyne kryesore me prodhime bujqësore e blegtorale. Në trevën e saj ngriheshin katër qyteza dikur të lulëzueme. Vetë emnat e qytezave dëshmojnë për lashtësinë e tyne jo vetëm paraturke e parasllave, por me rrajë që në Ilirinë e herëshme.

Dihet se në Sapë (Zadrimë) pushtuesit osmanë nuk mundën të vendosnin kurrë sistemin e timareve, kështuqë ajo, me 500 fermane me radhë, qé shpallë vend “vakëf” dhe paguente një të dhjetën e prodhimit, kundrejt një të tretës që paguenin krahinat tjera (1). Për administrimin e Zadrimës sulltani emënonte çdo 18 muej një xhabi (udhëheqës ushtarak) dhe një kadi (gjykatës). Qendra e tyne administrative ka qenë Krytha, që shtrihej në shpatin përendimor të kodrave të Dajçit. Rrënojat e saj ruheshin deri aty nga mesi i viteve ’50 të shekullit XX.

Themelet e qytezës së Blinishtit janë ende të paprekuna nga kazma e arkeologut. Kësaj here do të mjaftohemi vetëm me dy të dhëna: në vitin 1639 aty ngrihej një gjimnaz (ku ka të ngjamë të ketë ba studimet e mesme edhe Bardhi para se të shkonte për studime në Itali) e ku mësimi jepej shqip (2); së dyti, emni i tij. Prej Majerit te Çabej, të gjithë studiuesit e shqipes fjalën “bli” e bien të burimit ilir: bli+isht, do të thotë “pyll me blij”. Kjo na ban të mendojmë se Blinishti i ka rrajët në prehistori. (3)

Në veri të Sapës ngrihej Danja. Historia dhe roli i saj njihen, por tue u përpjekë me gjurmue prejardhjen e emnit, dua të theksoj lashtësinë e saj.

Dugnum, e shndrrueme ma vonë në Danja e sot Deja, ka të ngjamë të vijë nga Dunum, që në keltisht do të thotë “mal”(4), fjalë kjo e shtresës indoeuropiane. Emëntime të tilla gjenden kryq e tërthor Europës: në Spanjë kemi Verdu e Berdun; në Francë Verdun-i; në Itali ndeshim Verduno; pranë Beogradit gjejmë Singidunum. Në irlandisht fjala “dun” do të thotë “kështjellë”(5). Pra emni i qytezës të shtyn me mendue për rrajët e saj prehistorike.

Qyteza e katërt asht Shati, poshtë të cilit, as 1000 m, shtrihet vendlindja e Bardhit, Nënshati. Kuptohet, fshati e ka marrë emnin nga pozicioni i tij gjeografik: Nën+Shat.  

Gjithë sa shkruen historia, si njësi kishtare, Zadrima sot e kësaj dite quhet “Dioçeza e Sapës”. Qendra e saj, që nga shekulli XIII (1291) ka qenë Shati. Atëherë del pyetja: Përse nuk quhej “Dioçeza e Zadrimës” apo “e Shatit”? Përse Bardhi në relacionet e tij drejtue Vatikanit datimet i shënon, bie fjala, “Sappa, 8 febbraio …” ?

Mendojmë se qyteza në lashtësi do të jetë quejtë Sapë e jo Shat, siç na e sjell Mesjeta. Këtë emën duhet ta ketë pasë edhe gjithë krahina, siç del edhe te Negri, “pian de Sappa”; e Sapë asht një fjalë e burimit të padyshimtë ilir (6).

Bamë këte parashtresë relativisht të gjatë me vu në dukje se Bardhi nuk lindi në një truell djerr, por përkundrazi, me një zhvillim të lashtë e të përfillshëm për kohën. Familja e Bardhanjarëve duhet të ketë qenë ndër ma të vjetrat e asaj ane. Tozol Bardhi, lindë më 1490, ka qenë peshkop i Sapës. Tue marrë parasysh se në një ofiq të tillë të naltë, simbas normave të kohës, mund të ngriheshin vetëm klerikë me origjinë vendase e të lindun aty, atëherë s’kemi dyshim se fisi i tij rrajët i ka në Nënshat a në Shat, që në thellësi të shekujve.

Ungji i Frangut, Nikollë Bardhi, edhe ky peshkop i Sapës nga viti 1594 deri më 1617, ka qenë një ndër figurat kryesore të qëndresës shqiptare në fund të shekullit XVI e në fillimet e shekullit XVII, drejtues i Kuvendit të Matit më 1601-1602, e i sa përpjekjeve për kryengritje të përgjithëshme kundër turkut (7).

Studiues të Bardhit kanë shprehë mendimin se Frangu përgatitjen kulturore deri në moshën 22 vjeç e ka marrë nga të afërmit e tij (8), mendim ky që nuk na duket bindës. Tue marrë parasyshë zhvillimin e atëhershëm të Shatit, Blinishtit e Krythës, në mos të Dejës tashmë të rrënueme, atëherë Frangu duhet të jetë shkollue në ndonjenen prej këtyne qendrave. Ai u dërgue për studime të matejshme në Loreto të Italisë me qëllim që të bahej peshkop, ofiq që familja e Bardhanjarëve e kishte pasë me Tozolin, Nikollën e Gjergjin. Bardhi, para se të shkonte atje, duhet të ketë pasë një përgatitje kulturore, deri sa arrin të qortojë Margnoviçin (Jan Tomkun) për interpretime të gabueme të disa fjalëve sllave (9), gjuhë të cilën Bardhi duhet ta ketë mësue në Atdhe. Gjitashtu, në parathanje ai porosit bashkatdhetarët se fjalori do t’i ndihmonte, prandaj … “e të mos e lëshoni doret”. Kjo dëshmon se kishin një farë përgatitje kulturore, ndryshe çfarë do t’u shërbente një fjalor dygjuhësh?

 

***

 

Fjalori i Bardhit paraqet interes leksikor e fonetik për historinë e gjuhësisë shqiptare dhe ma pak për morfologjinë e sintaksën. Ky asht fjalori i parë i gjuhës shqipe dhe me këtë nis historia e leksikografisë shqipe.

Qëllimi i kësaj vepre ishte që t’u vinte në ndihmë bashkatdhetarëve si dhe të aftësoheshin klerikët vendas me kuptue tekstet latinisht, tue krye kështu edhe një akt atdhetar, përveçse tue dhanë një ndihmesë të veçantë për shpëtimin e shqipes nga rreziku i zhdukjes si rrjedhojë e moslavrimit. 

Në çdo epokë, si në shekujt e kaluem edhe sot, fjalën e fundit për një gjuhë letrare kombëtare e jep kristalizimi i alfabetit dhe i drejtshkrimit.

Alfabeti, grafika dhe drejtshkrimi formojnë një mikrosistem trihallkësh. Ato plotësojnë njëna - tjetrën dhe bashkëveprimi i tyne synon të formojë një sistem të harmonishëm shkrimi. Kjo gja duket ma së miri tek vepra e Bardhit, i cili përdor për fjalorin e tij alfabetin latin “… ku për herë të parë shqipja vihet ballëpërballë e në një rrafsh tërësor e të kodifikuar leksikor me latinishten, gjuhën më të përparuar ndërkombëtare të asaj kohe” (10).

Alfabeti i Bardhit asht pak a shumë ai i Buzukut, pra një alfabet thuajse i kristalizuem, të paktën ndër autorët e Veriut, pavarësisht nga luhatjet në përdorimin e tij. Kjo asht e kuptueshme: Alfabeti latin nuk i ka disa tinguj të shqipes, prandaj autorë të ndryshëm, aty edhe i njëjti autor, përdorin kombinime të ndryshme për të njëjtin tingull.

Në një hapsinë prej ma se tre shekujsh, që nga Buzuku e Bogdani e deri tek autorët minorë të shekullit XIX, me fare pak luhatje, ruhen pikërisht këto karakteristika, gja që dëshmon se shqipja, jo vetëm në gjuhën e folun, por edhe në ate të shkrueme, ishte njësue në një masë mjaft të kristalizueme për periudhën parakombëtare të gjuhës latrare dhe se ishte përvijue një gjuhë kombëtare mbidialektore.

Në fushë të fonetikës, në fjalor dhe në proverba, interes të posaçem paraqesin ruajtja e diftongjeve –ue, -ye si p.sh.: kujtuem, shërbyem, mbësuem, e jo: kujtum, shërbym, mësum etj, si dhe: grupet e bashktingëlloreve, -nd, -mb, në fillim dhe në trup të fjalëve, të cilat ruhen plotësisht, si tek: ndë, ndënë, mbae (mbaje), kambënë, e amblë (e ambël), mb’lak (në lak), mbso (mëso), gja që dëshmon se dy kryedialektet ishin mjaft ma afër nga sa e gjejmë në fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX. Vetëm këto pak elementë dëshmojnë sa i drejtë asht mendimi i albanologut danez Pedersen, që thotë se “shqipja paraqitej mjaft e njësishme që në krye të kohës, bile ma e njësishme se shumë gjuhë të lavrueme prej shekujsh” (11).

Në fushë të morofologjisë, kur studjojmë fjalorin e Bardhit, duhet të dallojmë mirë ato që janë me të vërtetë dukuni të shqipes, nga ato që janë nën ndikimin e gjuhës së përkthyeme. Për këtë qëllim kemi një material bindës – ballafaques tek proverbat që janë të shqipës së folun e prej gojës së popullit.

Tue dashtë të vërtetojë mendimin e shfaqun jo rrallë, se mbiemnat në shqip në krye të kohës nuk kanë qenë të nyjshëm, P. Geci thotë se mbiemnat Bardhi i shënon pothuajse gjithmonë pa nyje (12). Në qoftë se te fjalori kjo dukuni ndeshet vërtet, por jo gjithmonë, tek proverbat mbiemni del i nyjshëm ashtu si në shqipen e sotme. Ndër 27 raste mbiemnash, 25 kanë nyje. Asht për t’u besue se edhe në ata dy raste të vetme kur nyja mungon: (i) njomë; (të) mirë, të jenë mangësi të shtypit. E njëjta gja mund të thuhet edhe për mungesën në ndonjë rast të trajtava të shkurta, mbasi herë dalin si tek: “Mos i ep arësye t’paditunit”, “Kali ashtë i atij që e galkon”, herë mungojnë si tek proverba: “E vërteta s’(i) pëlqen gjithkui”.

Në raste të tilla duhet të jemi shumë të kujdeshsëm para se të nxjerrim përfundime gjuhësore historike, se pa arësye, gabimet e ligjëshme të shtypshkronjave të hueja mund të na çojnë fare lehtë në rrugë të shtrembët.

Asht thanë gjithashtu se mbiemnat Bardhi i vendos para emnave (13). Kjo gja në fjalor edhe ndeshet, por asnjëherë në proverbat. Studiuesit italianë të shqipes afrì të tilla në mes saj dhe latinishtes nuk i shikonin si përfundim të studimeve shkencore apo ndërshkëmbimesh mes gjuhëve fqinje, sa sa i trumbetonin për të përligjë planet ekspansioniste të asaj kohe. Fatkeqësisht në një mëkat të tillë ka ra edhe ndonjë studiues i yni tash vonë. Te fjalori gjejmë: e amblë mollë”, por edhe “ujë t’amblë”, “vehë e amblë” (për “nektar i ambël”), kurse në të 17 rastet ku kemi edhe mbiemen, tek proverbat, në të shtatëmbëdhjetë rastet mbiemni asht vu mbas emnit, plotësisht në natyrën e shqipes në te dy dialektet kryesore: lisi i mirë, njeriu i urtë, lufta e madhe, anemiknë e shtruem, miknë e mbuluem, dhelpnë e gjallë, lua i cofëtë, dita e mirë, dheu i zi, bukënë e bardhë etj., si te proverbat:  “Ma mirë me pasun anemiknë e shtruem se miknë e mbuluem”, “Ani i keq nuk thehetë”, “Dheu i zi ban bukënë e bardhë etj.

Përjashtuam këto raste të kritikës së shtrembënueme, që të shohim ma poshtë si paraqiten elementët morfologjikë e fonetikë në veprën e Bardhit ndaj shqipes tanësore.

Le të shohim veçantitë gramatikore të emnit:

RASA EMNORE në të dy trajtat dhe në të dy numurat del e kristalizueme si dhe e kapërcyeme ajo parregullsi që ndeshim ndonjëherë tek paraardhësi i tij Buzuku. Me Bardhin mund të themi se në këte fushë shqipja kishte arrijtë një shkallë normalizimi mjaft të evoluem. Kështu emnat mashkullorë i gjejmë të shquem me –i, si në: bar-i, kal-i, skifer-i, mal-i, etj; ata emna që kanë në fund grykoret –k, -g, -h, ose zanoren –a në të pashquem, trajtën e shqueme e bajnë tue marrë –u, si: anemik-u, turk-u, peshk-u, ka-u. Ja dhe shembujt në proverbat përkatëse: Kali ashtë i atij që e galkon”, “N’fruitit lisi i mirë njofëtë”, “Shoqi ka shumë arësye”, “Dheu i zi ban bukënë e bardhë”, “Ku turku ve kambënë, aty s’del bar”, etj. Emnat femënorë i ndeshim rregullisht të shquem me –a: bushtr-a, luft-a, shigjet-a, moll-a, si te proverbat: Lufta pa të dekun s’ashtë”, “Bushtra që ngutëtë me piellë ban këlysh të verbënë”, “Molla nuk rexehet larg mollet”, etj.

Po ashtu krejt e rregullt paraqitet edhe emnoroja e pashqueme si në njëjës ashtu edhe në shumës.

 RASA GJINORE del gjithnjë e kristalizueme si tek fjalori, “Kësollja e bykut”, ashtu edhe te provervat, si: “Gjithë jemi të bijtë e mortesë”, “S’asht i urtë ai qi (e) mbërshel derënë e oborrit mbasi i vodhnë kanë e dhitë”. Duhet vu re se nyja e përparme e gjinores nuk mungon asnjëherë, gja që ndodh random në gegënishtën e sotme, si në ate të folun dhe në ate të shkrimeve letrare të paraluftës. Do të thonim se prania e nyjes në gjinore, ruajtja e –ë/së dhe togjeve mb, nd, nj, janë dukunitë ma thelbësore të njësimit të dy dialekteve që në krye të kohës.

Mjaft interes paraqesin edhe rasat e tjera nga dhanorja te kallzorja.

dhanore nuk ndeshemi me përjashtime, por veç rregullsi: ujit, turkut, mieshtrije, kalit etj., gja që dëshmon për kristalizimin e kësaj rase që në shekullin XVII. Kështu p.sh.: “S’duhet me i zanë besë as ujit as turkut”, “kalit të mirë s’(i) duhen shporë”.

RASA KALLZORE. Gjejmë: a) kambënë, lamshinë, faqe, si tek rastet: “Ku turku vë kambënë, aty s’del bar”; por edhe b) ziarrë, mortënë, penë (perin), barktë (barkun), trajtë e shqueme që e gjejmë random edhe në folklorin e toskënishtes e bile edhe në të folmen e sotme të popullsisë së Jugut.

RASA VENDORE (kallzore me parafjalë), zakonisht ndeshet si në shqipen e sotme, por edhe: ndë malt, ndë fosët (në gropë), n’timit, si tek: “Kush dro ziarrë, n’timit iken”, gja që tregon për një formë të pakristalizueme plotësisht, e cila ruhet edhe sot në gegënishten Veripërendimore.

RASA RRJEDHORE. “Ende deleshit si njeftun ha uku”, “Skifteri s’gitetë mbas mizash”. Pra kemi dy raste të rrjedhores – deleshit, -mizashit, gjendje arkaike që ndeshet si në folklorin e kreshnikëve të Veriut, edhe në folklorin e Jugut.

Tue përfundue për emnin, mund të themi se, ndonse fjalori dhe proverbat janë në gegënisht, gjejmë në to mënyra që nuk përdoren më sot në Veri, por që, përkundrazi, Jugu i ruen, si: kallzorja e formës mortnë (për vdekjen), penë (për penin), zjarrë (për zjarrin). Ja një shembull nga folklori i Jugut: “Mike me shaminë mbënjanë/dale se na dogje fshanë (për fshatin). (E nuk asht e vështirë me gjetë forma arkaike jo vetëm në folklor të Jugut, po edhe në ato të famshme Rregulla të Drejtshkrimit të 1972).

Lidhun me përemnin mund të themi se që në shekullin XVII ai kishte marrë formë të kristalizueme. Përemni dëftor del i zhvilluem si në shqipen e sotme. Në rasën emnore e gjejmë të shoqënuem me emën dhe pa të: Ajo kafshë qi asht ma e bukur, ajo asht ma e fështirë me e pasunë” (në këte proverb gjejmë edhe fjalën “kafshë” , që sot përdoret vetëm në toskënisht me kuptimin “gjë”).

Në rasën kallzore përemni përdoret me dhe pa parafjalë: “Me atë masë që do të matem, me atë kini me kienë matunë”, “Ato kafshë që s’të kanë hije, s’duhet me i dëshiruem”.

Në dhanore kemi: “S’duhet me i sherbyem atij qi s’ta njef”.

Përemni i pacaktuem –gjithë, ashtu si në toskënishtën e sotme, që disa herë del pa nyje të parme, edhe te Bardhi e gjejmë po kështu: “Gjithë iemi të bijtë e mortesë”. Në gegënisht kjo formë nuk përdoret ma.

Zhvillim të kristalizuem ka përemni vetvetor: „Gjithë dheu ka zakonet e vet”, “Gjithëkush duhetë të mbae paie mieshtrijs së vet.

Të pastër dalin gjithashtu përemnat pronorë: i atij; përemnat vetorë: ti, ty; përmenat e pacaktuem: njana, tjetrënë.

Përemni pyetës i shqipes së sotme –ç? dhe –çfarë?, te Bardhi përdoret –qish? në vend të -ç? dhe –qishdo? në vend të –çfarë?, siç ndodh në disa të folme arkaike të Jugut sot. 

Trajtat e shkurta dhe të përbame të përemnit vetor në të tri vetat, i ndeshim ashtu si në shqipen e sotme, si funksion dhe pozicion. Kështu kemi: “Me e pasunë”, “Me e kujtuem”, ose: “Kur dro se del keq, mos e ban”, “S’duhet me i shërbyem atij që s’ta njef” etj.

Por, natyrisht, landa ma e gjanë asht në fushë të foljes. Tue mos dashtë të përshkruejmë gjendjen e saj ku ajo paraqitet e zhvillueme plotësisht si në shqipen e sotme, pa ndryshime në mes të dy dialekteve, do të ndalemi në ato raste që sot i ndajnë dy dialektet, por që në shekullin XVII ishin të njëjta ose mjaft të afërta. Kështu, në të tashmën e dëftores, veta III shumës, gjejmë “lanjënë”, si në toskënisht paraletrare: “Njana dorë lan tjetrënë e të dyja lanjënë faqen”. Asht me vlerë të shënojmë se në vetën e dytë njëjës gjejmë “dro”, “ep”, she”, “ve”, kundrejt “dron”, “nep”, sheh”, “ven”, që i gjejmë sot aty këtu në të folmen Veripërendimore. Po kështu kemi edhe për veten e tretë njëjës: ha, shtie, do, kundrejt të sotmes Veripërendimore han, pin, shtin, don (ti …). Ja disa shembuj: „Kur dro se të del ma keq, mos e ban”, “Ku turku ve kambënë, aty s’del bar”. Në këte gjendje, format e masipërme jo vetëm paraqiten krejt të kristalizueme, por edhe shumë ma afër gjuhës letrare krahasue me të folmen e sotme dialektore. Karakteristikë me mjaft interes ashtë ruajtja e togut nj, në vetën e parë në fund të fjalës, si: “Lëpinj buzënë e gishtatë”; sidhe në vetën e tretë shumës në trup të fjalës: lanjënë, paguanjënë, mbësonjënë, gja që nuk ndeshet ma tej në gegënishten e evolueme, kurse në toskënisht ndihej deri në shekullin XX, si formë e atrofizueme. Kështu te Bardhi kemi: “Të këqiatë mbësonjënë”, “Njëqind të kujtuem, s’paguanjënë një të paguemë”.

Tue mos përshkrue rastet që përkojnë me shqipen e sotme në të dy dialektet, veçojmë disa shembuj të të kryemes së thjeshtë të dëftores: vodhnë (për vodhën), që ruhet edhe sot në Jug si formë arkakike, si dhe, erdhë (për erdha), e cila i përgjegjet erdhçë të të folmes Juglindore. Kështu te Bardhi kemi: “Erdhë mb Romë ...“.

Në mënyrën urdhënore foljet janë si në shqipen e sotme: rri, shkruej, shuko, mer, mbëso ..!, si te proverbat: “Mbasi të kesh xanë, ani mbëso”, “Si më she, ashtu më shkruej”.

Mjaft me interes paraqitet në urdhënore përngjitja e trajtës së shkurtë me foljen, gja që gegënishtja nuk e ka ma, por që ndeshet random në toskënisht: Zinima besë se hina me e lanë”.

Ndërsa mënyra dëshirore del gjithnjë e rregullt, lidhorja ruen togun nj, ashtu si në toskënishten paraletrare: “Si të ndeornjsh, ashtu ke me kenë nderunë”

Interes të veçantë paraqet paskajorja. Kështu te Bardhi gjejmë: me marrë, me lanë, e jo -me marrun, me lanun ; -me dalë e jo me dalun, si: “Me marrë m’besë”, hina me lanë”, “S’duhet me i xanë besë as ujit, as turkut”.

Jemi të mendimit se format me –un, si: me zanun, me dalun, me mësumun, nuk kan qenë të gjuhës së popullit, por një ndikim klasiçist. Kjo formë zuni vend në një farë mase në qytetin e Shkodrës, por jo në rrethinat e saj. Kështu, në Sapë (Zadrimë) asht thanë gjithmonë: me xanë, me shku. Në një kangë të herëshme të Zadrimës thuhet: Shkon syzeza me korrë n’arë”, e jo “… me korrun”.

Edhe në Shkodër, në kangë të shekujve XVIII e XIX, ndeshim:

 

“Hafiz Pashë, m’ndigjo mue,

n’e kapt Shkodra pushkën mbarë

nji s’e len me pshtue (e jo me pshtumun)

 

ose

 

            Shkodra namin e ka pasë,

            veç qetash i kie harrue (e jo harrumun),

            bini, djelm, Zoti iu dhashtë,

për në daçi me fitue (e jo me fitumun)

 

Shembujt e masipërm dëshmojnë se nuk ka qenë e gjuhës së popullit forma me un.

            Paskajorja e paraprime nga folja ndihmëse –kam në të tashmën e dëftores, asht përdorë në kuptimin e së ardhshmës të dëftores, siç e ndeshim edhe sot në të gjithë Veriun e në Kosovë. Te Bardhi kemi: “Si të baish, ashtu kie me gjetunë”, për “… do të gjesh”, “Ndë pasha një tjetër herë ka me kienë e dyta herë”, për: “… do të jetë”. Kjo formë nuk tregon veçanti të gegënishtes, por një formë të gjuhës në përgjithësi që s’ka pse të përjashtohet edhe sot e kësaj dite pse ka pasuni shprehëse.

            Numërori –një te Bardhi nuk del asnjëherë me –i, si në gegënishten e sotme: -nji, apo –ni, por nja, dhe kur asht e lidhun me emnin –njaj, gja që dëshmon se forma e vjetër humbi me kalimin e kohës në gegënisht.

            Gjithashtu, bashkëtingëlloret –kl dhe –gl, që i ndeshim te Buzuku, si: glua, klenë …, te Bardhi, ashtu si dhe te paraardhësi i tij Budi i gjejmë të shndrrueme në –g e në –k, e madje ndonjëherë edhe në –q, si: klenë – kenë – qenë, gja që tregon për një evoluim mjaft të vrullshëm të shqipes.

            Landë të pasun gjejmë edhe për fjalëformimin. Ma shpesh ndeshim emna me prejardhej foljore, si: të dashunitë, të bamëtë, të mbuluemit, të dhimtunë, që ndeshën sot shpesh si në toskënisht, ashtu edhe në gegënisht. Në mjaft raste ndeshim formimin e mbiemnave nga format e pashtjella të foljeve me paranyjëzim, si: “Ma mirë me pasun anëmiknë e shtruem, se miknë e mbuluem”, gja që flet për një pasunim të shqipes. Tjetër formë mjaft prodhuese fjalëformimi asht ajo me përngjitje, si: njiherë, atëherë, doemosdo; me prejardhje, si: përmiellëtë (një ndërtim shumë i bukur), të paditujnit, urtshim (me mbrapashtesën –im në vend të –isht të së sotmes).

            Nëqoftëse në fjalor Bardhi, për arsye që na i shpjegon në parathanje, përdor edhe ndonjë fjalë të huej, kryesisht të burimit latin e prej italishtes, te proverbat gjejmë vetëm një të tillë dhe pikërisht fjalën “fossa” (nga italishtja), që do të thotë “gropë”, sigurisht harrue fjala shqipe prej se kishte vite larg Atdheut.  

Sidoqoftë, gjuha e përdorun në proverbat ka një pastërti të tillë që tregon jo vetëm përgatitjen e mirë shkencore dhe atdhetarinë e Bardhit, por dhe faktin e randësishëm se gjuha jonë deri atëherë u kishte ba ballë barbarizmave në një masë të pabesueshme, gja që nuk do të ndodhte në shekujt e mavonshëm, ku barbarizmat i ndeshim dendun edhe në folklor.

            Tue u ndalë tek leksiku, një çashtje më vete do të ishte ajo e neologjizmave, me një forcë të madhe shprehëse, si: andërrues, anëz (vespa vulgaris), arkëtuer (shigjetar), i begatë, që ruhen edhe sot, si dhe ndonjë rast që fatkeqësisht nuk i rezistoi kohës e nuk do të ishte keq të rimerrej, si: bdeshetar-i, e përbamë prej – d+vesh+tar, e cila ka kuptimin e atij që xhvesh, grabitqarit, apo ndonjë fjalë që edhe pse ruhet, ka ndrrue kuptim, si: me brejtë, nga latinishtja, “remordere”, që në kuptimin e parë do të thotë “grimcoj”, por që sot ka kuptimin metaforik “me brejtunë ndër vetehe” (me u gri në vetvete).

 

***

 

            E pame në të gjitha anët, si në gjithë veprën e Bardhit e në ato të paraardhësve e të mbasardhësve të tij, deri në shekullin XX, ndikimi i gjuhëve të hueja mundi të prekë fare pak gjuhën e popullit, pa damtue strukturën e saj gramatikore. Kjo qëndresë, që nuk i ka shoqet në gjuhët e popujve që provuen pushtime të papreme, ka qenë një ndër faktorët kryesorë të ruejtjes së gjuhës dhe të njënisë së saj.

            Landa që analizuem asht një dëshmi e gjallë që tregon se shqipja “e kishte kapërcyer me kohë strukturën dialektore – territoriale” (15) (sigurisht para vitit 1972), madje mund të themi se ajo ishte në fazën e zhvillimit të plotë të gjuhës letrare parakombëtare. Kushtet ekonomike - politike  të diktueme prej pushtuesit osman, banë që dallimet në mes të dy dialekteve të thelloheshin, por me gjithë zhvillimin e përkohshëm divergjent, shqipja prap në fillim të shekullit XX paraqitej mjaft E NJËSISHME.

            Përpjekjet e mëdha të Rilindasve e të atdhetarëve të tjerë të periudhës së Pavarësisë, për njësimin letrar normativ të shqipes përligjen gjithësesi, jo vetëm në pikëpamje atdhetarie, por edhe në ato shkencore. Fjalori i Bardhit e ato të pakta proverba janë një provë e pamohueshme ndaj terorizimeve shterpe dialektmbizotnuese.

            Vepra e Bardhit nuk asht një përjashtim, por përkundrazi, tue qenë një vepër leksikore e folklorike, përfaqëson ma së miri gjendjen e shqipes në një hapsinë mjaft të shtrimë në kohë, që nga Formula e Pagëzimit, te veprat e Bogdanit. Në këtë plan, ajo dhe të tjerat, vlejnë të studjohen ma tej, jo vetëm si një monument i randësishëm i historisë së gjuhësisë shqiptare, por edhe si një bazë me autoritet historik që vërteton se shqipja ka qenë gjithnjë e njësishme.

 

L E T E R A T U R Ë

           

1)      – Vadahej, Nj.: Buletini shkencor i ILP Shkoder, 1967, nr. 6 f. 289

2)     – Historia e Shqipërisë, vll. 1, f. 376

3)     – Çabej, E.: Studime etimologjike, vll. 11, f 264

4)     – Gurakuqi, G.: Sapa, 1929, f 32

5)     – Gurakuqi, G.: Vep. e citueme.

6)     – Gurakuqi, G.: Vep. e citueme.

7)     – Historia e Shqipërisë, vll. 1, f. 356, 359, 360.

8)     – Ashta, K.: Bul. shkencor, Shkoder 1971, nr. 1, f. 144

9)     – Ashta, K.: Shkodra, nr 1, 1962, f. 34-35

10) – Kostallari, A. Gjuha e sotme letrare shqipe .. , 1973, f. 16

11)  – Pedersen, H.: Mbi gjuhë shqipe, f. 92, Cit, sipas Kost. Vep e citueme.

12)  – Geci, P.: Konf. Stud. Alb., vvl. III, f. 157, 302

13)  – Ashta, K: Vep e citueme.

14) – Kostallari, A.: Vep. e citueme.

15)  – Kostallari, A.: Vep. e citueme.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx