E merkure, 30.04.2025, 10:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Shtegu

E marte, 09.11.2010, 10:57 PM


Suzana Kuqi

 

SHTEGU

 

Atë mëngjes të djele, këmbët më çuan në shtegun e varur mrekullisht mbi det, ku shushurima e mistereve të ëmbla që kanë bërë skutë shkëmbinjve thellësisë së tij magjeps edhe parmakët e metaltë në ditë të bukura, e në ditë të trazuara i bën të dridhen duke u shfryrë dufin e egërsinë e tij. Por ai mëngjes ishte i bukur, krejt i kundërt me sa më vlonte brënda. Ndryshe nga mbrëmjet ku stolat zbuten nga riti i lashtë i përqafimeve të të rinjve e bëhen altare ku zemrat i luten e i falen veç dashurisë, ditën mirëpresin njerëz të çdo moshe por bisedat mbi problemet e ditës nuk ua shpojnë dot korracën e gurtë. Pasi i rashë nja dy herë më këmbë atij shtegu, me shpresë se do ta shquaja siluetën e saj mes njerëzve që shëtisnin me hap të ngeshëm, ndava mëndjen të ulesha e të prisja. Me mendje i jipja shansin e fundit pas zënkës së fundit...

 

Siç ndodh shpesh në situata të tilla, rasti jo vetëm nuk të vjen në ndihmë por të duket sikur gjithkush e gjithshka të ngatërrohet nëpër këmbë. As edhe një stol i lirë. Më në fund vendosa ta ndaja një me një të moshuar. Përtypa një si tip leje mes dhëmbëve dhe u ula pa pritur përgjigje duke shfryrë në një duf mendimin që më rrotullohej në tru: Do ta pres këtu! Nëse nuk vjen, do të thotë se është e kotë... nëse vjen...

 

Gati brofa përpjetë, më zuri në befasi mendimi tjetër: A ja vlen....?

 

- Ja vlen? - sytë e të moshuarit më nënqeshën.

 

- Më falni për çfarë e keni fjalën?

 

- Për atë që pret. E njoh që fëmijë këtë shteg.

 

Shpërfilla nënqeshjen e tij e nuk i dhashë përgjigje për të mos i lënë shteg bisedës.

 

- Kisha nevojë të flisja me dikë, e bash për këtë po lutesha kur u ulët këtu.

 

Kisha rënë në rrjetën e një të moshuari të bezdisshëm, shakaja më pa kripë e rastit të mbrapshte së cilës ju bë kornizë e qeshura e një grupi vajzash që kaloi para nesh.

 

- Në fakt, nuk më dukesh personi i duhur.- shikimi i tij ndoqi grupin e vajzave.

 

Posi, thashë me vehte, e shikoj se ç'shoqëri do të të pëlqente, pervers i dreqit...

 

- Në fakt, - ja ktheva ashpër e mora të ngrihesha por ai më mbërtheu krahun me një forcë të paimagjinueshme për moshën dhe fizikun e tij. U ktheva i zemëruar e më stepi shkëlqimi kryeneç prej fëmije kokëfortë që ndezi sytë e tij.

 

- I duhur a jo, dua ta tregoj tani!

 

- Ti as nuk më njeh.

 

- Pikërisht. Të njohurve druhem se nuk do t'ua tregoj kurrë. E... historitë e patreguara janë të destinuara të vdesin.

 

Kërkova siluetën e saj mes kalimtarëve, me shpresën e një favori të fundit, të më shpinte larg thonjve të historisë që nuk kisha dëshirë ta dëgjoja. Por ajo nuk dukej e unë nuk doja të hiqja dorë nga pritja.

 

- E shikon atë shkurren që rritet mes shkëmbijve fill poshtë parmakut? - i moshuari e kish marrë heshtjen time për aprovim. - Atë me lule të kaltër. Nuk e di se sa rrojnë shkurret, e kujtesa shpesh na mashtron, por mua më duket e njëjtë si ajo ku shtatëdhjetë vjet më parë u përkula për të këputur një lulëzë. Prisja të fejuarën time e nuk e di përse m'u shkrep t'ja dhuroja. Tekë apo ajo rrjetë rastësie që na kap të papërgatitur në befasinë e saj? Dy duar u zgjatën njëkohësisht, imja dhe e...

 

- Të fejuarës tënde?- ndërhyra për t'i dhënë të kuptuar se nuk kish asgjë të veçantë tregimi i tij, të paktën asgjë që unë nuk mund ta imagjinoja.

 

- Jo. Një vajzë tjetër, të cilën e kisha parë rastësisht në qytet, e veç idesë se ishte e bukur, gjë të cilën nuk ka nevojë të ta thotë kush, nuk dija tjetër për të. Shpejtova, këputa lulen e desha t'i ktheja krahët. E t'i kisha kthyer krahët në kohë...

 

- Nuk do të kishe histori për të treguar, - ja prita tek më tërhoqi vëmëndjen shkëlqimi i rrethit të unazës mbi lëkurën e fishkur të dorës së tij.- Lermë ta gjej. E fejuara të pa afër vajzës së bukur, u grindët e pastaj bëtë paqe. Ose e panjohura të mori mendtë me bukurinë e saj aq sa lë të fejuarën e martohesh me të. Dashuri me shikim të parë, - shtova gati me përçmim. Isha i bindur se nuk mund të dashurosh ashtu më tym, vetëm se mendja të ka shkalluar e zemra të është harbuar një çast. Isha mësuar ta kontrolloja vehten, në fillim i studjoja vajzat me të cilat kërkoja të krijoja një lidhje.

 

- As njëra dhe as tjetra. U martova me të fejuarën time sepse dhe unë mendoja pak a shumë siç mendon ti tani.

 

- Pretendon të dish se ç'mendoj unë?

 

- Diçka kuptova. Të pathënat gjejnë mijëra rrugë për t'u shprehur e kur ke mbi shpinë vitet që kam unë, di të lexosh edhe heshtjen.

 

- Atëherë nuk i ktheve krahët, - desha t'i shpëtoj atij leksioni të gjërave të patreguara.

 

- Jo, se ajo befas më përshëndeti. Thjeshtë, sikur njiheshim prej kohësh. Asgjë prek kokete, as edhe një gjest joshës, e ajo thjeshtësi më bëri përshtypje. I zgjata lulen. E atëhere e pashë në sy e... Sa herë e kam sjellë në mendje atë çast, jam munduar ta bind vehten se ishte bukuria e atyre syve. E po aq herë kam arritur në përfundimin se bukuria ishte gjëja e fundit që mund të ma trazonte shpirtin në atë farë feje. Ishte... sikur një botë tjetër u hap, dhe pejsazhi ndryshoi e...

 

- Zor se do të gjeje peisazh më të bukur se ky,- ngacmova unë.

 

Heshti një çast me sytë përmbysur mbi truallin ku mbështeteshin këmbët e tij. Kur nisi të fliste, zëri nuk e fshihte atë fill të hollë zhgënjimi.

 

- E dija që nuk je personi i përshtatshëm. Dhe ja ku po ta përsëris, ishte krejt pejsazh tjetër, me kodra të gjelbëra me reliev të butë, me pemë të lulëzuara e me një qiell... e ishte ajo dhe unë... që e bënim atë botë së cilës nuk ja dija ekzistencën as në kohë dhe as në hapësirë por isha i bindur se i përkisja... e ajo dëshirë për ta marrë në krahë, për ta përkëdhelur, për të gëzuar e për të vuajtur me të siç kisha bërë mijëra herë në jetë, në mijëra jetë... Në mos isha në parajsë isha shumë afër saj. Ju afrova duke u dridhur me frymën që më mungonte. Atë çast e thirri dikush e kthyem kokën. Një djalë të ri u afrua e unë u largova.

 

- E gjithkush në punë të vet,- u orvata të ngrihesha por dora e tij më mbajti sërish me të njëjtën forcë.

 

- Prit! Jam zotuar ta tregoj e ti nuk do të lëvizësh këtej pa e dëgjuar deri në fund! - ajo dritë kryeneçesie në sytë e tij ishte kërcënuese. Padashur pohova me kokë e ai vazhdoi me ton të qetë.

 

- Takova të fejuarën time me atë peshë që të rëndon në shpirt pas një tradhëtie.

 

- Tradhëtie?!

 

- Nuk është nevoja të shkosh në shtrat me një grua tjetër që të thuash se ke tradhëtuar gruan tënde, ajo është e fundit. Tradhëtia fillon përpara, në mendim, në ndërgjegjësimin se një tjetër grua që ka fuqinë të të ndezë magjinë e një bote tjetër. Kisha përjetuar në një çast fillimin e mbarimin e një fragmenti, por ndjesia e një dashurie të madhe që nuk kish as fillim e as mbarim më ish skalitur aq fort në shpirt sa më trëmbte. Aq sa ju arratisa. U pamë sërish rastësisht në rrugë dhe shmangëm të shiheshim në sy. Edhe ajo kish arësyet e veta, ish e fejuar. Pas pak kohe u martova e fill pas martese erdhi lufta. Kur kapitulluam më zunë rob gjermanët e më shpunë në kampet e tyre të përqëndrimit. E kam kujtuar shpesh atë kohë kur zemra të thërmohet e lë nga pak çdo ditë atë që quhet njerëzore për të mbijetuar në një botë të ndyrë ku mbjellin vdekje e urrejtje. Mendimi se kisha parë një botë të krijuar me dashuri... Jo si kjo, ku përdorin rininë si mish për top, në emër të ideve të rreme që fshehin makutërinë e pangopur të një grushti njerëzish që janë të krimbur në pasuri deri në neveri që përpara se të shkaktojnë e bëjnëluftërat. U ktheva një thes kockash, as pesëdhjetë kile nuk …

 

- E pe sërish?

 

- Jo, nuk ishte më në qytet. Njëherë mendova ta kërkoja por pastaj e lashë atë muhabet sepse...

 

- Po ju lë dhe unë. Ditën e mirë

 

- Jo, jo prit, nuk kam...

 

U mundova t'ja shqisja me forcë dorën nga krahu im. Po afronte mesdita, ajo nuk po dukej dhe e kisha humbur durimin e pritjes e dëgjimit të atij rrëfimi që nuk më thosh gjë.

 

- Mbrëmë... Ulu të të rrëfej por dua të mbetet sekret mes nesh.

 

Isha ulur në këtë stol e sodisja yjet. E vutë re vallë sa i mrekullueshëm ishte qielli mbrëmë? Ishte nga ata netë kur bien yjet nga qielli. Prisja të shkëputej një e të shprehja një dëshirë, të shihja edhe një herë atë që më fali atë çast. Do të të duket çudi, por nuk ja kisha kerkuar kurrë qiellit këtë. Më kish mjaftuar mendimi se brenda meje kish mbetur një copëz e asaj dashurie dhe e asaj bote ku dhe unë isha pjesë e saj i cili më ka dhënë forcë në momente të vështira e ka ndikuar në atë që çdo gjë që kam bërë në jetë pas lufte e kam bërë me dashuri. Si shpërblim kam qenë i rrethuar me dashuri e ajo e uruar është forca më e madhe që ekziston.

 

Mbylla sytë e u braktisa në kujtimin e përjetimin e atij çasti. Vegimi i asaj bote më zbriti në mëndje plot dritë e ajo vinte drejt meje duke buzëqeshur. Dendësia e emocioneve dhe mallit bënë të më rrihte zemra me forcë. Zgjata dorën drejt imazhit t'i prekja flokët që lodronin në flladin e freskët, ani se e dija se do të preknin vetëm ajër. Befas një shkulm i fortëi ere që u shoqërua me përplasjen e furishme të dallgëve në shkëmbinj gati më rrëzoi nga stoli. Era e dallga u tërhoqën ngadalë duke marrë me vehte dritën e vegimin e asaj bote por atë... e lanë aty ndën dritën e yjeve, pështetur pas parmakut me mallin që i pikonte në buzëqeshje e lulen e kaltër në dorë... të re dhe të bukur si shtatëdhjetë vjet më parë... Brofa më këmbë me zhdërvjelltësinë e një njëzetvjeçari e ju afrova duke lënë frymën në çdo hap. Nuk ja shqisja dot sytë syve të saj... e përqafova, e shtërngova fort në krahëror. Nuk më mjaftojnë fjalët, madje as e kam idenë në mund të ekzistojnë fjalë që mund të shprehin ndjesinë e të kapurit përdore me të, të ecurit përkrah saj, të vallëzuarit në rërën e plazhit atje poshtë... Emocionin që të merr frymën tek e sheh të zhvishet në dritën e qiririt në dhomën e shtëpisë së vjetër ku kisha vite pa vënë këmbë... E nuk merr frymë duke lutur Zotin me shpresë se mund të ndalojë kohën që të mos mbarojë kurrë magjia e momentit të veshur me mëndafshin e lëkurës së saj... kur trupi bëhet skllav i shpirtit të dashuruar... kur koka e saj bie në nënkresë... ato buzë, ata sy, ajo pikë loti që rrëshqet e bie vetëm me një tingull që do të thotë: “ më ke munguar shumë”... A ka fjalë të shprehë hyjnoren? Janë munduar, por përveç se një kodi moral e një Zoti të cilit duhet t'i trembemi nuk na kanë dhënë tjetër. E thonë se na ka bërë sipas shëmbëlltyrës... Shëmbëlltyrës... Ai krijon me dashuri, krijoi botën tonë, e ne... në vend që të krijojmë me dashuri siç i ka hije shëmbëlltyrës ç'bëjmë? Grabisim, shpikim armë e bëjmë luftëra, zihemi, vritemi për të zotëruar ato që janë krijuar nga ai dhe nga mundi e djersa e njerëzve që nuk ka tjetër veç shpatullat për të punuar e deri tek puna e fëmijëve fat... Kur u zgjova në mëngjes nuk ishte por mbi nënkresë gjeta...

 

- Bukur të ëndërrosh të tilla gjëra në moshën tënde. Mua duhet të më falësh se...

 

- Nuk ishte ëndërr,- sytë i morën një dritë të çuditëshme e cila më dha të kuptoj se nuk ishte normal. I marrë, ndryshe nuk do të kish këmbëngulur të më mbante me forcë, pastaj ajo forcë në duart e tij... thonë që të marrët...

 

- Hape dorën!- më urdhëroi.

 

E hapa shpejt, idea e marrëzisë së tij më shtyu të mos kundërshtoja. Pashë i habitur të më binin në pëllëmbë një lule e freskët e kaltër e një vëth i vogël në formën e po asaj luleze me gurë të po asaj ngjyre në çdo petal të saj.

 

- Kush ëndërron tani?- toni e shikimi i tij ishin sfidues e unë nuk po dija se si t'i përgjigjesha, sepse nuk dija se si mund t'u përgjigjesh tipave të tillë që të mos i zemërosh. Më erdhi në ndihmë një zë djaloshar.

 

- Gjysh! Ja ku qënke më në fund. Kam dy orë që të kërkoj e tani gjyshja duhet të ketë shtruar tryezën. Shpejt se pa ty nuk ulet të hajë as ajo.

 

Ma mbylli me shpejtësi pëllëmbën duke më shkelur syrin përpara se djaloshi që kish pak a shumë moshën time të ngulej para nesh.

 

- Erdha!- zëri ish gazmor e sytë nuk ja fshihnin gëzimin e krenarinë që ndjente kur shikonte nipin. I bëri shenjë të largohej pak e u përkul duke zgjatur dorën poshtë stolit nga ku nxorri diçka që m'u duk pa formë. E pashë të shndërrohej në duart e tij të shkathëta në një karrocë portative me rrota të cilën e vuri pranë vehtes duke mbërthyer frenat. U çova për t'i ardhur në ndihmë por me një lëvizje të shpejtë të dorës më dha të kuptoja se nuk kish nevojë për mua. U ula dhe e pashë me kërshëri se si e kapi njërën këmbë me duar dhe e zhvendosi e pastaj tjetrën e më pas se si kaloi nga stoli mbi karrocë.

 

- Bëje zakon të kundrosh yjet,- më pëshpëriti para se të vinte në lëvizje karrocën duke shtyrë me duar rrotat e pasme. E shoqërova me sy tek u largua me nipin që shpejtonte hapin për t'i ecur përbri.

 

….........

 

Kalova një pasdite të keqe ndën morsën e sedrës e dëshirës për ta parë. Një vit që frekuentoheshim, e... shume vite kisha planifikuar ta kisha pranë... Nuk doja t'i telefonoja, ta bënte ajo e para. Kur nata ra mbi qytet, për t'ju larguar ngasjes së telefonit dola duke lënë celularin në shtepi. Mundohesha të hamendësoja se ç'përtypte ajo vallë, ndjenjë apo sedër? Në se ish sedër... ndjenjës i mbetej shumë pak...

 

U ula po mbi atë stol duke soditur yjet që feksnin në qiell. Diku u shkëput një duke më zënë të papërgatitur. Mbase se nuk dija ç'dëshirë të shprehja, ta kisha pranë atë moment... apo...

 

Ndjeva të më kalonin mornica nëpër trup kur kuptova se as vetë nuk e dija se ç'doja me të vërtetë. Ju ktheva yjeve e dritës së tyre. Thonë se ajo që arrin tek ne nuk është drita që rrezatojnë në të njëjtin moment, është ajo që kanë lëshuar vite e vite më parë... qindra, mijëra, qindra mijëra vite më parë... Po shkëlqimi i syve tanë, ajo dritë që rrezaton ndjenjën, pasionin e dëshirën brenda nesh e që lëshohet në drejtim të tyre... a na kthehet mbrapsht... Sepse shumë pak njerëz i shohin yjet për t'i studjuar, miliona i sodisin kur janë të dashuruar e mendojnë personin e dashur. Po ajo sa vjet do të na kthehet mbrapsht? Ai yll i shndritshëm, dashurinë e kujt më kthen vallë...? Eshtë sikur kthehemi pas në kohë. “Nëse shikon yjet e ndjen ftohtë... nuk është ftohtësirë”, është shprehur dikush, “është dashuri”... Ja ç'ka dashur të thotë, mendova pa dashur e syri më zuri një lule të vogël që fekste në kaltërsinë e saj pas parmakut. U ngrita e bëra drejt saj, u përkula e në të njëjtën kohë vura re farfullimën e bardhë të një dore. Drejtova trupin, nuk e kisha ndjerë kur ish afruar. Vajza më buzëqeshi si e zënë në faj.

 

- Siç duket duam të dy të njëjtën lule,- prisha heshtjen duke u munduar të fsheh turbullimin që m'u shkaktua jo aq nga vajza se sa nga historia e marrë e të moshuarit që më erdhi ndër mend.

 

Pohoi me kokë pa më parë në sy. U përkula dhe e këputa. Qëndrova drejt para saj duke mbajtur lulen në njërën dorë ndërsa tjetrën e kisha futur thellë në xhepin e xhaketës ku kisha vënë lulen tjetër dhe vëthin në formën e saj.

 

- Ta dhuroj me një kusht, thuamë përse e don.

 

- Ishte më e preferuara e gjyshes sime. Ti përse e don?

 

Nxorra dorën grusht nga xhepi dhe e hapa.

 

- Thjesht, kam vendosur t'i bëj koleksion,- ja ktheva me të qeshur por e qeshura më ngriu në buzë kur pashë fytyrën e saj të zbehej.

 

- Vathi i gjyshes sime?! Kam tërë ditën që e kërkoj në çarçafët e spitalit, si ka mundësi... si ka përfunduar tek ju?

 

- I gjyshes tënde?! E bukur dhe kjo. Më fal po nga e sajove?

 

Kërkoi në xhep e nxorri një vëth identik.

 

- I kishte të dy mbrëmë... nuk e di se si...

 

Ja zgjata pa thënë asnjë fjalë. Punë femrash mendova, duhet t'ja ketë marrë tinëz kur ka dalë mbrëmë dhe e ka humbur diku, e dreqi e di se si ka rënë në dorë të atij moshuari të çmëndur që më stisi tërë atë histori.

 

- Ktheja gjyshes e bëji të fala nga ana ime!

 

E mori pa fjalë. Kisha kthyer krahët kur më mbërriti zëri i saj.

 

- Do t'ja kthej, edhe të falat do t'ja çoj por nuk shpresoj se do të të përgjigjet. Dha frymë në të aguar. Gjithsesi të falenderoj nga zemra.

 

U ktheva me rrëmbim drejt saj me mijëra pyetje që më kishin sulmuar e kërkonin përgjigje. Pashë sytë e saj të përlotur dhe ju afrova më shumë. Dhe atëhere e ndjeva... atë ndjesi që të pështjell ashtu furishëm e të lë pa frymë me atë dendësi e lehtësi që të flak diku larg, shumë larg, ku koha dhe ligjet e ç'do natyre mbeten jashtë... dy shpirtëra në një përjetësi për të krijuar e ndërtuar një botë dashurie të vogël sa një çast, të madhe në pafundësi... Zgjata dorën t'i përkëdhelja flokët e në atë çast një zë burri e thirri. U largua duke ecur mbrapsht pa m'i shqitur sytë, e unë nuk ja ndava dot deri sa u tret në shtegun e ndriçuar nga yjet...

 

….......

 

Ajo më në fund kish dalë nga korraca e sedrës. E shqova tek mori hyrjen e shtegut e shikonte me shpresë se mos më haste aty. U ktheva në anë të kundert e nxitova. Nuk doja ta takoja atë moment. Isha ende ndën mbresën e asaj ndjesie së cilës nuk i gjeja dot fjalët për t'ja spjeguar vehtes. “ Nuk e di as në se ekzistojnë fjalë të tilla...” Kish pasur të drejtë ai i marri, ishte më shumë se tradhëti, sepse kurrë asgjë nuk më kish sunduar trup e shpirt në atë mënyrë, gjë që ajo nuk kish për ta arritur kurrë, sikur edhe njëqint jetë të kalonte me mua. Ngjita shkallën e parë që hasa e të nxjerr në rrugën e madhe automobilistike të qytetit me një lehtësi të çuditëshme. Mungesa e peshës së atij çasti kish mbetur ende në gjymtyrët e mia. E pashë të përshkonte shtegun deri në fund e të kthehej kokëulur. Cudi, mendova, se si mund të ndryshojnë ndjenjat e mendimet brenda një dite, e të thuash se dy ditë më parë mendoja se nuk mund të jetoja pa të. Mora drejt shtëpisë me mendimin se atë natë do të nxirrja një dyshek në ballkon e do të flija mbuluar nga dashuria e njerëzve të milionave viteve larg që rrezatonin yjet. Nuk e dija se ç'do të bëja të nesërmen, do të lija të hynte sërish në jetën time ajo që më kish bërë të vuaj, apo do të kërkoja vajzën e një çasti të vetëm që më kish zbuluar shtegun... Zemra më thosh të dytën. Megjithëse, diku thellë brenda vehtes, e dija mirë se edhe po ta hasja rrugës do t'i shmangesha atyre syve nga frika se do të shkatërroja një botë aq mrekullisht të bukur dhe po aq të pastër të krijuar brenda vetëm një çasti. E... janë aq të pakta çastet e bukura në jetë, sa të bukura po aq të brishta, më të brishta se koha që të thërmohet ndër duar, po dhe aq të forta sa ta lënë kohën jashtë tyre...

 

Nuk e dija ç'do të bëja të nesërmen dhe as ditët në vazhdim. Por me siguri diçka ndryshe nga ç'kisha bërë më parë. Shtegu më kish treguar se fara dhe forca e krijimit të një bote e jete të mbushur me dashuri ishte brenda meje.

 

E pastaj ç'rëndësi kish nëse ishte e vërtetë apo e trilluar historia e të moshuarit? Sytë e nipit mbushur dashuri e respekt, e gruaja që e priste të ulej e të hante në tryezë... thonin më shumë se njëqint histori bashkë... të treguara...

 

E unë po e shkruaj...

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx