E merkure, 30.04.2025, 05:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Janaq Pani

E enjte, 11.11.2010, 08:23 PM


Janaq Pani

 

 

DIALOG ME NJË PËLLUMB

 

Pëllumbi endet lartësisë

me ngulm kërkesën ia drejtoj:

"Pa shih kët' det të ligësisë

që unë përditë e përjetoj."

Ai gugat, s'do t'më mërzisë,

më thotë:"Njeri, dot s'të kuptoj.

Gjithkund, këndej nga lartësia,

as ligësia, as mirësia

nuk i arrijnë krahët e mia,

nga kjo kupolë qiellkaltër

asnjera nuk ka rritur flatrat."

 

E unë ngulmoj, ngulmoj sërrish:

"Pëllumb i bardhë paqësor,

mos zbrit nga qiejt, atje të rrish,

këtu të pret një fat mizor,

e në se ti guxon një ditë

s'ta çel dritaren për të të pritë."

 

Ngulmon dhe zogu:"O njeri,

përse ti sheh veç ligësi!

Në mbarë këtë hapësirë

vërtet nuk has asgjë të mirë?

Vërtet ka vetëm mëkatarë?

Nuk ka një dorë të hedhë farë

të lindë e rritë të rinj lastarë?"

 

Më shtiri zogu në mendime,

u mrrola brenda vetes time,

një zë së thelli bëri krye:

"Je bërë, o njeri, me hije.

Pa brenda vetes syrin hidh

e të vërtetës mos iu vidh,

dhe mirësia fryte lidh,

sa nuk u zhbë ajo me rrënjë

ne mos ta mbytim në shpërgënjë..."

 

 

KUVENDIM ME MUZËN

 

Më le Muzë sa mbyll sytë

më vjen pranë te nënkreja

nën një qiell veshur dritë

nga një hënëz që fsheh reja.

 

Më heq gjumin ëmbëlsirë,

më bën esëll menjëherë,

ndaj të lutem me të mirë:

"Më kurse, moj, tjetër herë."

 

Lermë eshtrat që t'i prej,

s'ia dal dot kështu, o Muzë,

shko e ndonjë tjetër gjej,

ndonjë qëngj a ndonjë rruzë.

 

Shko, si fllad i gudulis

n'atë gushën farfori,

pa gjilpërë e pe qëndis

vargjet mbushur me rini.

 

Te ata e ke të nesërmen

un' të djeshmes i përkas,

më të rrallë, po mbete vetëm

bëj kabull, te unë u qas.

 

Eh, sa vite, s'mbahen mend

duke ardhë nuk u lodhe,

ulesh e mëbën kuvend

nat' për natë m'u bëre rrodhe.

 

Ndaj, të lutem lozonjare

më të rrallë të më vish.

M'u përgjegj:" S'të pyes fare,

gjumin tim për ty e prish...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx