Kulturë
Gjerak Karaiskaj: Kryqtarët morën elemente fortifikimesh në Shqipëri
E enjte, 11.11.2010, 09:08 PM
Nga Fatmira Nikolli
Një libër që rrëfen para Europës "Fortifikimet e antikitetit të vonë dhe të mesjetës" në Shqipëri, është promovuar dje pasdite në Tiranë. Autori i tij, studiuesi i njohur, Gjerak Karaiskaj, në një intervistë për Gazetën rrëfeu momentet kryesore të botimit, ashtu siç tregoi se edhe pse botohet në gjermanisht, libri ende nuk ka formatin e tij shqip. 51 kala që gjenden në vendin tonë kanë zënë vend në këtë libër, i cili iu drejtohet studiuesve dhe studentëve gjermanishtfolës. Libri është botuar nga një shtëpi botuese gjermane, dhe autori e kishte këtë si projekt që në vitin 1992. Në të, siç na tregon ai, ka studime të mirëfillta të fortifikimeve të antikitetit të vonë e atyre mesjetare, krahasuar edhe me fortifikime të asaj kohe në Europën Qendrore e Veriore. Në prezantimin e djeshëm morën pjesë historiani, Pëllumb Xhufi, Aleksandër Meksi, Ardian Klosi, të cilët gjatë fjalës së tyre vlerësuan botimin e Karaiskajt. Kjo edhe për faktin se ai iu drejtohet të huajve për Shqipërinë, duke iu thënë atyre kësaj radhe historinë e hershme të vendit. Fjalën e hapjes e mbajti arkitekti Artan Shkreli, i cili u shpreh se ky libër është sintezë e punës disavjeçare të Karaiskajt. Ai shtoi se botimi reflekton edhe studimet më të fundit, duke arritur deri tek muret e kalasë së Tiranës që kanë dalë në dritë së fundmi. Shkreli vuru theksin edhe tek fakti se puna e Karaiskajt ka tërhequr vëmendjen një instituti të rëndësishëm shkencor për të shkruar një botim shkencor. Në prezantimin e djeshëm, organizuar nga Forumi Shqiptar për Monumentet, morën pjesë emra të njohur të trashëgimisë, si Auron Tare, Artan Lame, po kështu edhe deputetja e studiuesja Ledi Shamku Shkreli, si edhe dashamirës të trashëgimisë.
Ju botuat në gjermanisht librin "Fortifikimet e antikitetit të vonë dhe të mesjetës" në Shqipëri. Si e prisni këtë botim?
Për mua është një kënaqësi e madhe dhe një çlirim nga një siklet që kam pasur prej kohësh. Kam dashur ta botoj këtë libër që në vitin 1992. Asokohe unë kisha një bursë që të shkruaja një libër, i cili do t'u shërbente studentëve gjermanë. Meqë zgjodha një temë kaq të zgjeruar si kjo e librit tim, nuk mund ta realizoja për një periudhë shumë të shkurtër. Vështirësia tjetër është që duhej shkruar gjermanisht dhe kjo mori më tepër kohë. Veç këtyre, Shqipëria në periudhën e tranzicionit të hershëm ishte shumë "interesante" dhe nuk të linte që të punoje. Ilustrimet donin kohën e vet, ndaj përfundoi botomi vetëm sivjet, e kjo bëri që unë ta plotësoj edhe me literaturën e fundit të studimeve mbi Shqipërinë.
Kujt i drejtohet botimi?
Shtëpia botuese që e ka botuar është e specializuar për libra shkencorë. Përveç të tjerave, ata shohin edhe nëse vepra që botohet i përshtatet publikut gjermanfolës, sepse ata e shpërndajnë edhe në Austri e vende të tjera që flasin gjermanisht. U drejtohet studiuesve që kanë interes për Perandorinë Bizantine, meqenëse Shqipëria ishte pjesë e saj, studentëve por edhe njerëzve të tjerë që kanë interes. Ky libër do të shpërndahet edhe nëpër biblioteka e institucione që janë të interesuara për libra të këtij lloji.
Në mënyrë të përmbledhur, cilat janë fortifikimet me të cilat ju i prezantoni gjermanishtfolësit?
Një kapitull i librit flet për fortifikimet e periudhës së antikitetit të vonë, shekujt IV-VI. Kam trajtuar disa gjëra që nuk para janë trajtuar, por si këto edhe ato të mesjetës jam munduar t'i trajtoj në disa territore, duke bërë edhe krahasime të fortifikimeve në Shqipëri me ato jashtë saj në Europën Qendrore dhe Veriore.
Nga këto krahasime, çfarë ka dalë në dritë?
Disa kala që janë në Shqipëri, si Berati, Shkodra apo Durrësi, janë disa prej fortifikimeve të rëndësishme të Perandorisë Bizantine. Duke i studiuar këto kala në periudhën mesjetare, del që shumë elemente të periudhës bizantine, ose të Lindjes janë marrë nga kryqtarët dhe janë çuar në Europën Veriore. Ndërsa në periudhën e antikitetit të vonë, ka disa elemente fortifikimesh që janë në Durrës, por që ekzistojnë edhe në Romë. Nga shek XIV, ndikimet vijnë nga Perëndimi. Është koha e artilerisë dhe fortifikimet shqiptare ndikohen edhe nga Italia. Janë format e para të fortifikimeve për artileri dhe këto filluan të duken në vendin tonë në kohën e Skënderbeut. Nëse kjo periudhë kërkonte mure sa më të ulëta dhe ti i bëje të larta, jo veçse harxhoje më shumë, por nuk i shërbeje kohës. Edhe vetë Barleti flet për këto lloj fortifikimesh. Për antikitetin e vonë unë kam shfrytëzuar Prokopin, ose historianin e Justinianit, i cili i përshkruan disa fortifikime që ishin bërë në atë kohë dhe unë jam munduar që t'i krahasoj me fortifikimet që kemi bërë ne në Durrës. Ka qenë shumë e rëndësishme që të gjeja edhe ndryshimet që ekzistonin mes fortifikimeve.
Botimi i këtij libri në gjermanisht, çfarë i sjell turizmit kulturor shqiptar?
Ky libër besoj se mund të bëjë kuriozë njerëzit të cilëve iu bie në dorë. Libri mund të botohet edhe në Shqipëri dhe të shpërndahet. Unë e kam bërë këtë kërkesë në Ministrinë e Kulturës, por deri tani nuk është bërë ndonjë gjë konkrete. Nuk ka një version shqip të tij, është vetëm në gjermanisht sepse nuk kam pasur kohë të bëj edhe përkthimin e saj në gjuhën tonë. Megjithatë, kjo është diçka që mund të bëhet.
Cila është risia më e vlefshme që ka ky botim, i cili iu drejtohet gjermanishtfolësve?
Ky libër iu drejtohet më së shumti studiuesve të huaj, sesa publikut të gjerë. Megjithatë, ai arrin të shuajë një pjesë të kuriozitetit për fortifikimet në Shqipëri. Në fund të librit janë fotografitë e 51 kalave nëpër Shqipëri, e veç kësaj është paraqitur edhe historiku i secilës kala dhe fazat e ndërtimit. Pjesa tjetër e faqeve futet në hollësitë e ndërtimeve, teknikat, e kështu me radhë. Unë jam munduar të përfshij kalatë historike, që kanë edhe emër në një fazë të caktuar të saj. Më duhet të them se nuk kam mundur që t'i shoh të gjitha, disa më kanë shpëtuar.
Do botohet në shqip libri?
Unë nuk kam mundësi ta bëj këtë, megjithatë jam i hapur që kush të dëshirojë ta përkthejë atë, ta botojë në gjuhën shqipe. Fotografitë e kalave unë i kam me ngjyra, edhe pse në këtë libër janë bardhezi.