E enjte, 08.05.2025, 09:54 PM (GMT+1)

Mendime

Albin Kurti: Ç'ka jemi dhe ç'ka kemi?

E hene, 18.10.2010, 09:45 PM


Ç'ka jemi dhe ç'ka kemi?

 

Nga Albin Kurti

 

Pamundësia, me të cilën janë të rrethuar qytetarët e Kosovës në përditshmërinë e tyre, prej lart interpretohet si paaftësi e përgjithshme e shoqërisë. Në anën tjetër, paaftësia e politikanëve të Kosovës që është tipar i përgjithshëm i tyre, interpretohet nga vetë ata si pamundësi e pushtetit të kufizuar që kanë. Kështu është kur plagës i shtohet fyerja.

Njerëzit janë të varfër e të papunë jo pse kështu ka thënë Zoti apo pse kështu i ka kushtëzuar natyra. As pse ata kanë ndonjë kulturë inferiore a defiçiencë kulturore që doemos i lë të prapambetur. Njerëzit janë të varfër e të papunë sepse janë bërë të varfër e të papunë. Politikat e mbrapshta qeveritare dhe sistemi i padrejtë socio-ekonomik i varfëron e i nxjerr njerëzit nga puna.

 

Në Kosovë vijon të jetë në modë citimi i asaj thënies së famshme për atë se si çdo popull e ka atë qeveri që e meriton. Aq e përhapur është kjo thënie saqë askush tashmë nuk e di që autori i saj është Joseph De Maistre. Mirëpo, ka një thënie të një francezi tjetër, të kundërt për nga domethënia, e të cilën nuk e kam dëgjuar ta ketë cituar kush te ne. Jean-Jacques Rousseau ka shkruar diku se çdo qeveri e ka atë popull që e krijon.

Më parë sesa gjurmimin e të vërtetës sonë përmes këtyre dy thënieve, duhet parë të vërtetën brenda vetë këtyre dy thënieve, përkatësisht motivet dhe pasojat e dy parafrazimeve të mësipërme. Me fjalë të tjera, le t'i trajtojmë De Maistre-in dhe Rousseau-në si dy kriminelë.

 

Joseph De Maistre, filozof e diplomat i fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të atij XIX, senator dhe i biri i kryetarit të Senatit, ka qenë kundër revolucionit borgjez francez që përmbysi absolutizmin monarkik dhe rendin feudal. Ai deri në fund të jetës së tij përmes shkrimeve, fjalimeve e punimeve ka kërkuar kthimin e monarkisë dhe të autoritarizmit dhe dominimin e Papatit. Në anën tjetër, Jean-Jacques Rousseau, filozof dhe shkrimtar i shekullit XVIII, me kritikën e tij ndaj pabarazisë dhe afirmimin e asaj që e quante vullnet i përgjithshëm, e inspiroi revolucionin e vitit 1789 i cili do ta ndryshojë përgjithmonë Francën dhe Evropën. Që prej atëherë, çdokush që është përpjekur të kuptojë teoritë politike a sociologjike, shtetin a historinë, e ka pasur të pamundur ta evitojë Rousseau-në.

 

Të dy thëniet gjithsesi janë thellësisht politike dhe krejtësisht të kundërta. Joseph De Maistre, duke thënë që çdo popull e ka qeverinë që e meriton, bënte përgjegjës popullin dhe shfajësonte qeverinë. Jean-Jacques Rousseau, duke thënë që çdo qeveri e ka popullin që e krijon, fajësonte pikërisht qeverinë. I pari, përpiqej ta racionalizonte realitetin; i dyti, inkurajonte realizimin e racionales. I pari, kërkonte pranimin e qeverisë (nga populli); i dyti kërkonte pranimin e popullit (nga qeveria). I pari i frikësohej të resë që mund të vijë; i dyti frikësohej se e vjetra mund të mos shkojë.

 

Por, le ta ndërpresim gjithë këtë shtjellim. Pra, kemi (aso qeverie) ashtu siç jemi (si popull), apo jemi (si popull) ashtu siç kemi (qeverinë)? Përgjigja e denjë për këtë pyetje është veçse një pyetje tjetër: a duam ndryshime?

Nuk është e mundshme edhe të mos pajtohesh me qeverisjen e korruptuar, edhe të mendosh se e kemi atë qeveri të cilën e meritojmë. Ose nisesh nga racionalizimi i padrejtësisë dhe përfundon në inferioritet skllavërues, ose - dhe kështu duhet - nisesh nga mospranimi i realitetit të padrejtë dhe... nisesh, për ndryshimet që i do.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx