Mendime
Baze: Lidhjet e Berishës me islamikët. Abdyl Latif Saleh, sponsor i tij dhe PD-së
E hene, 18.10.2010, 09:36 PM
Qeverisja qesharake Berisha-Fino në pranverën 1997
Mero Baze, Shekulli
Krijimi i qeverisë së Pajtimit Kombëtar në 9 mars 1997.
(Vijon nga publikimi i të premtes)
Pas rënies së qeverisë "Meksi", më mars 1997 në Shqipëri u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar, një koalicion qeverisës mes PS-së dhe PD-së. Por siç thotë gazetari Mero Baze në librin "Viti '97, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin", nxjerrë në treg nga shtëpia botuese "Toena", ajo ishte një qeveri qesharake, ku pas ministrave qëndronin komisarët politikë të partive dhe ku presidenti Berisha bëntë lojën e madhe për të përmbysur qeverinë, duke krijuar tensione politike me anë të njerëzve të tij.
Gazetari Baze sjell klimën politike mes presidentit Berisha dhe kryeministrit Fino, kur ky I fundit e mbron atë nga vendosmëria amerikane për ta nxjerrë përfundimisht nga skena politike si shkatërrues I Shqipërisë dhe I marrëdhënieve me Perëndimin. Si ilustrim të kësaj, Baze sjell kërkesën e Berishës në prill 1997 për të hartuar me ngut një kushtetutë, megjithëse vendi ishte nën terrorin e bandave, buxhetorët nuk kishin marrë rrogat prej një muaji dhe gjithçka ishte në kolaps të plotë. Por ishte vendosmëria e të majtës që presidenti, të cilit I kishte dështuar refrendumi për kushtetutën në nëntor 1994, që e bënte të plotfuqishëm, të mos ia arrinte qëllimit ogurzi.
Nëse ka një zgjedhje tërësisht të goditur për dikë që duhej të ishte në krye të qeverisë më 9 mars, ky ka qenë Bashkim Finoja. Atë ditë që u projektua emri i tij, ndoshta askush nuk i kishte parasysh të gjithë cilësitë e duhura të tij për të qenë partner i Sali Berishës në ditët e tij më të këqija dhe të arrinte të mos bënte ndonjë dëm të madh. Pragmatist, njerëzor, me profil jo shumë të lartë, i gatshëm për kompromise të vogla, realist për zhvillimet politike, jo shumë konformist me partinë e tij, babaxhan në dukje, por jo aq i pastërvitur në shqisat politike, Bashkim Finoja dukej se ishte amortizatori më i mirë i përplasjes që mund të prishte qeverinë e tij dhe të Sali Berishës.
Keqkuptimi i madh i debatit politik për bashkëqeverisjen Fino-Berisha është se në debatin publik duket pak e besueshme ajo që shpesh Bashkim Finoja thotë për Sali Berishën: që e ka shpëtuar në ditë të vështira. Shumë veta mendojnë se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga komitetet e Jugut apo nga njerëzit e armatosur. E vërteta e pabesueshme tani është se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga vendosmëria e SHBA-ve për ta larguar nga politika. Një javë pas formimit të kabinetit, ShBA-të dukeshin të vendosura ta largonin Berishën, por avokati i madh i këtij të fundit u bë Bashkim Finoja, pa vetëdijen e duhur se çfarë po bënte.
Po ashtu Berisha u ndje i izoluar keqazi, nga vizita e Romano Prodit në Vlorë, i cili injoroi tërësisht Berishën dhe u përpoq të qetësonte qytetin e protestave. Fal anarkisë në Vlorë, truprojë personale e tij u bë Zani Çaushi. Rai Tre trasmetoi një reportazh të gjatë ku Zani fliste për të ardhmen e Vlorës dhe vizitën e Prodit. Përkthente Dashamir Tahiri, një biznesmen që kishte lidhje të forta me njerëzit e armatosur. Ishte më i prerë dhe më i qartë kundër Berishës se sa Zani Çaushi. Më kujtohet shpesh kjo skenë, kur shikoj tani që ky biznesmen është deputet i kolaicionit të Sali Berishës, dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit 2009.
Kabineti i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, ishte më qesharaku në historinë e Shqipërisë, për sa i përkiste mënyrës se si funksiononte.
Qeveria ishte një grup teknicienësh dhe krah tyre, në çdo mbledhje, rrinin "komisarët" e partive, ata që merrnin vendimin politik dhe parimor për atë çfarë diskutohej në mbledhje. Por kjo nuk e pengonte aspak kryeministrin e ri, me disa vjehrra në shtëpi, që t'ia dilte mbanë... Nervozizmi që ngjallte në shoqëri mungesa e eficiencës së qeverisë dhe vazhdimi i destabilizimit, nuk përjetohej dhe aq keq nga vetë Bashkim Finoja. Shumë bastione të PD-së filluan të ndienin butë-butë humbjen e pushtetit dhe nervozizmi i tyre ndaj kryeministrit që nuk të linte rast ta merrje inat, po rritej.
Më 5 prill, në përpjekje për të shkuar në Shkodër, Bashkim Finoja u ndalua nga një grup militantësh të PD-së, si për t'i treguar se nuk ishte kryeministri i gjithë shqiptarëve. Rreth 50 vetë, në afërsi të Bushatit, i zunë rrugën kryeministrit. Reaksioni ishte i menjëhershëm. Edhe pse partitë u duk sikur e dënuan të gjitha njëzëri, demokratët dyshonin se shkuarja në Shkodër ishte një pretekst që Bashkim Finoja të shkonte më pas dhe të takonte zyrtarisht komitetet në Jug. Zyrtarisht, agresorët e kryeministrit dukej se e kishin gjetur një motiv politik.
Ata thoshin se rreth 120 persona nga Veriu mbaheshin peng në Sarandë, Vlorë dhe Tepelenë nga komitetet e shpëtimit dhe se qeveria nuk kishte bërë asgjë për t'i liruar ata. Në të vërtetë, dukej se luhej me gjysmë të vërtetat. Në Jug ishin keqtrajtuar qytetarë, disa herë deri dhe në masakrim, thjesht se ishin veriorë. Një qytetar të tillë e intervistova vetë, disa muaj më vonë. Bëhej fjalë për një qytetar nga Kukësi, që vinte nga Greqia dhe kishte përfunduar në duart e Komitetit të Shpëtimit në Sarandë, i cili dëshmoi për tortura çnjerëzore, deri në heqje thonjsh. Po ashtu, një oficer i Gardës së Republikës, që shoqëronte Sali Berishën, u mor peng në Tepelenë.
Ndërsa në Vlorë, u mbajt disa ditë dhe u lëshua, me ndërhyrjen e një sekti murgeshash, kufoma e ish inspektorit të SHIK-ut, Lekë Çokut, i vrarë aty gjatë natës së 28 shkurtit. Mund të kishte edhe qytetarë të tjerë që kishin humbur në anarkinë e atyre viseve, por nuk kishte asgjë të organizuar. Pra, nuk kishte ndonjë strategji, ndonjë listë apo ndonjë veprim në bllok kundër veriorëve, edhe pse "kryeveriorin" Sali Berisha e kishin objektiv të tyre. Ndaj, në këtë kontekst, justifikimi i tyre ishte më shumë një përpjekje e PD-së për të përdorur kartën e ndarjes Jug-Veri në ato ditë, se sa si arsyetim për njerëzit që kishin zënë rrugën dhe që, jam i sigurt, nuk kishin qenë ndonjëherë në Jug.
Ndërkaq, pati një reagim të fortë ndërkombëtar, ku u shqua intervista e ashpër e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Nikolas Bërns, i cili e konsideroi incidentin një përpjekje të qëllimshme për të minuar Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Dyshimi më i madh që kishin amerikanët, por dhe perëndimorët e tjerë në atë kohë, ishte se mos Berisha e konsideronte të kryer emergjencën dhe donte të rrëzonte qeverinë. Për këtë arsye, qëndrimi i tyre ishte kategorik pro kryeministrit Bashkim Fino dhe e fajësonin thuajse direkt Berishën për atë që ndodhte. Ministria e Brendshme nisi njëfarë hetimi, që nuk e përfundoi kurrë. Pati edhe një debat në mbledhjen e qeverisë, dy ditë më pas, por pa rezultat.
E vetmja masë ishte shkarkimi i shefit të Komisariatit të Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me një tjetër; një ngjarje që u kundërshtua me armë në Shkodër. Një ditë pas ndryshimeve, Komisariati i Shkodrës u sulmua. Një polic mbeti i vrarë, një tjetër u plagos, ndërsa një makinë policie u shkatërrua.
Ndërkohë që këto debate mbushnin ekranet e Shqipërisë dhe Perëndimit, qytetarët shqiptarë, sidomos pensionistët dhe administrata, po kalonin muajin e parë pa rroga, për shkak të shkatërrimit të bankave në Jug dhe djegies së zyrave. Ministri i Financave, Arben Malaj, filloi të shfaqej në ekran për t'i qetësuar njerëzit. Situata ishte ende larg stabilizimit.
Në përpjekje për ta larguar vëmendjen nga "leksioni" ndaj kryeministrit, Sali Berisha përdori mbledhjen e zakonshme të qeverisë, më 7 prill, si dhe rekomandimet e Këshillit të Europës për të diskutuar mbi ligjin e ri elektoral dhe mundësinë e bërjes së vendit me kushtetutë. Kërkesa ishte si një rrufe në qiell të pastër. Në vendin ku rendi kushtetues ishte përmbysur dhe presidentit i kishte ikur kontrolli mbi institucionet, çelja e një debati për Kushtetutën dukej si luks i tepërt.
Bisedova disa herë gjatë asaj dite me Berishën rreth kësaj deklarate, por dukej i vendosur në atë që thoshte.
- E di që është kohë e keqe, - tha, - por kurrë nuk kemi për të qenë në një qeveri dhe nuk ka më mirë se sa tani për ta bërë Kushtetutën.
Herë-herë nuk më dukej arsyetim i keq, por në të vërtetë zotëronte ideja se ndoshta i duhej për të treguar një dimension shtetari, në atë keqkatandisje që kishte imazhi i tij si President ato ditë, një imazh që kish nisur të rrënohej qysh më 1994, pikërisht nga humbja e referendumit për Kushtetutën e vendit.
Rexhep Mejdani dhe Pandeli Majko e hodhën poshtë propozimin për Kushtetutë. Majkoja ishte më racional në arsyetimet e veta. Së pari, ai theksoi se Partia Socialiste mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, e cila nuk ka objektiv Kushtetutën. Së dyti, nga pikëpamja etike, Kushtetuta nuk mund të miratohej me tanke në rrugë.
Berisha nuk e vazhdoi më tej debatin, por nuk harronte ta mbronte këtë tezë, sa herë ia përmendnin. Madje kjo temë u përfshi edhe në rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD-së, që u mbajt më 12 prill. Këshilli Kombëtar, që vazhdoi për dy ditë, njohu përgjegjësinë e qeverisë së PD-së për situatën e krijuar dhe pranoi se shteti nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Për ta bërë më ilustruese përgjegjësinë e përciptë që kishte PD-ja për rënien e shtetit, rezoluta theksonte se "faji i zjarrvënësit nuk mund të barazohet me përgjegjësit e zjarrfikësit". Dukej qartë se në fokus nuk ishte përgjegjësia, por pafuqia për të përballuar një rebelimin të armatosur.
_____________
Baze: Lidhjet e Berishës me islamikët. Abdyl Latif Saleh, sponsor i tij dhe PD-së
Mero Baze
I përzgjedhuri i "Allahut" në Tiranë. Takimi në Stamboll me mikun e ngushtë arab të presidentit shqiptar, që do të ndihmonte shtypin e zhytur në krizë. Lidhjet e çuditshme që kishte mes zyrtarëve të PD-së dhe përfaqësuesve të botës islamike që hynë në Shqipëri në fillim të viteve '90 dhe që më pas u akuzuan nga amerikanët si financues të terrorizmit. Rasti i Abdyl Latif Saleh dhe shfajësimi që bënte Berisha për pajisjen e tij me pasaportë shqiptare dy herë.
Vetë Berisha filloi të përqendrohej më në fund tek fushata. Një natë, në fund të majit, duke pirë kafe në zyrën e tij, diskutuam për sloganet e fushatës dhe, pa ndonjë impenjim të veçantë, edhe për posterat dhe dizajnin e tyre. Problemet ishin shumëfishuar. Nuk kishte më shtypshkronja që punonin, nuk kishin më lekë nga keqadministrimi i PD-së dhe nuk kishte as struktura partie shumë të gatshme t'i shpërndanim. Gazeta "Albania" ishte e vetmja gazetë private që mbështeste PD-në dhe që kishte një tirazh të përfillshëm. Një furgon i saj ishte djegur në Jug, në rrugën Fier-Vlorë, në shenjë hakmarrjeje ndaj qëndrimeve të saj pro Berishës. Prej atëherë, ajo nuk shpëmdahej më në Jug të Shqipërisë, por deri në Fier.
Në korridoret e Presidencës., së bashku me Ylli Rakipin, takuam konsullin tonë në Stamboll, Mal Berishën. Rëndom biseda shkonte te problemet që shoqëronin punën e secilit. Ylli iu ankua për dëmet që po pësonte gazeta, pastaj biseda kaloi te problemet që do të kishte PD-ja me zgjedhjet e kështu me radhë. Konsulli, që sapo kishte dalë nga zyra e Berishës, dukej se filloi të mendonte për një plan. Mal Berisha ishte një nga diplomatët konfindentë të Berishës, edhe pse nuk ishte ambasador. Ai i përkiste fisit të Berishës, por nuk ishte ndonjë kushëri i afërt i tij. Por raportet shumë personale mes tyre dukeshin qartë. Sipas Mal Berishës, gjithçka mund ta bënim në Stamboll.
- Duhen lekë, - i thashë unë.
- Thuaji shefit të të japë një copë letër për nja dy njerëz që do të t'i them unë dhe e zgjidhim, - vijoi ai.
M'u duk zgjidhje magjike. Bashkë me Ylli Rakipin, u kthyem sërish në zyrën e Berishës dhe i folëm për propozimin e konsullit.
- Mirë, - tha, - shkoni ju. Do të flas vetë me Malin dhe e zgjidh ai këtë punë.
Këmbëngulja jonë për një letër me vete, nuk mori përgjigje. Me sa dukej, gjithçka ishte një gjuhë e koduar mes tij dhe Malit.
Ashtu ndodhi. Pas dy ditësh, unë dhe Ylli u nisëm për në Stamboll. Mal Berisha kishte ikur një ditë më parë.
Lajmi i parë që morëm vesh sa zbritëm në Stamboll ishte se një sasi dinamiti kishte shpërthyer në lokalin e Lush Përpalit, që ndodhej pas Partisë Socialiste. Gazeta "Albania" kishte marrë një ditë më parë një telefonatë anonime, që njoftonte se do të kishte bombë në atë lokal. Duke qenë se telefonatat për bomba ishin bërë lojë e përditshme, e botuam lajmin te rubrika e humorit - Tej e këtej. Në të vërtetë, pasojat ishin tragjike. Për fat, nuk kishte të vdekur, por TVSH-ja jepte pamje njerëzish të përgjakur dhe të terrorizuar. Të nesërmen, një gazetare e gazetës "Koha Jonë", jo pa humor të zi, shkruante se, për të rritur sigurinë e vendit ku pini kafe, hidhini një sy gazetës "Albania".
Pasi kaloi tronditja e shpërthimit dhe pasi u lidhëm me redaksinë në Tiranë, filluam të bisedonim me konsullin. Do të takonim dy persona të rëndësishëm, por shumë të rëndësishëm, që Doktori i paskësh "miq për kokë". E pyetëm për emrat, se dhe ashtu, vetëm me një përshkrim, nuk do t'i mbanim mend. Për të parin, që na priste të nesërmen paradite, Mal Berisha përpiqej të na shpjegonte se sa e vështirë ishte ta takoje dhe se kishim vërtet shans që do ta takonim, por kjo na u duk një përpjekje e tij për të na e shitur shtrenjtë mundimin e tij njerëzor.
Takimi u bë të nesërmen, në hotel Sofia, afër Xhamisë Blu në Stamboll. Quhej Elfatih Hassanein dhe në kartëvizitën që na vuri përpara, figuronte si këshilltar i Presidentit boshnjak Izetbegoviç.
Fillimi i takimit m'u duk gjysmë paranojak. Dr. Elfatih Hassanein ishte një mjek, që kishte studivar në kohën e ish-Jugosllavisë në Beograd. Elfatih Hassanein kishte vepruar në Bosnjë qysh në vitin 1992, duke i qëndruar pranë me para në dorë presidentit Alia Izetbegoviç. Ai kishte financuar një agjenci lajmesh, disa ferma dhe rrobaqepësi grash, si dhe kishte blerë thuajse shumicën e pajisjeve për zyrtarët e lart të qeverisë, mes të tjerash dhe telefona satelitorë. Fondacioni i tij i ndihmës islame për vendet e botës së tretë, i themeluar në vitin 1987, ishte kthyer praktikisht në një buxhet paralel për qeverinë boshnjake. Ai ndërmjetësoi thuajse blerjen e të gjitha armëve për Bosnjën dhe çuarjen atje të ushtarëve të Allahut (muxhahidinëve), si dhe u kujdes për të koordinuar ndihmat e botës arabe për këtë shtet në kufijtë e mbijetesës dhe nën gërmadhat e rrëzuara të nacionalizmit sllav.
Kur u ulëm me Ylli Rakipin në verandën e hotel Sofia me këtë tipin, nuk dinim asgjë për të. As Berisha në Tiranë dhe as Mal Berisha në Stamboll nuk na dhanë asnjë detaj për "rëndësisë" e tij konkrete.
Sapo filloi biseda, pësova zhgënjimin e parë.
-Çdo mëngjes, "Washington Post" dhe "Neë York Times" pyesin se ku jam dhe duan të më takojnë, - tha, - por nuk ia arrijnë dot. Ju më takuat menjëherë, dhe kjo falë njeriut të duhur që ju solli tek unë.
E mora për mirësjellje ndaj Mal Berishës këtë hyrje pompoze dhe me vete fillova të mendoj se kam përballë një mitoman. Pamje e tij e kënaqur me ato që thoshte dhe reagimi ynë thuajse i ftohtë ndaj asaj që tha, u duk se krijoi idenë e qartë që ne nuk e dinim se cilin po takonim. Dhe pikërisht atë çast, nisi të na shpjegonte. Ishte shkolluar në Beograd si mjek dhe që atëherë kishte njohur Izetbegoviçin. Alia Izetbegoçi ishte takuar me të në Beograd, në takimet që organizonte me intelektualët myslimanë në ish¬JugosIlavi. Në vitin 1983, ai u dënua për orientimin e tij islam, si rrezik për ish-Jugosllavinë, ndërsa në gjyq i kanë përmendur lidhjet me Elfatih Hassanein. Këtë Hassanien e përmendte me krenari. Njihte plot shqiptarë të Kosovës, sidomos të gjeneratës së vjetër, si dhe kishte shumë respekt për Sali Berishën.
-Kur jeni takuar? - e pyeta unë.
-Më 1991, - tha. - Na kishte ftuar Ramiz Alia në një delegacion që ishte pjesë e Konferencës Islamike. Të gjithë vrapuan te Ramiz Alia. Unë ndenja në hotel dhe refuzova të shkoj. Shkova te Sali. Berisha, atëherë në opozitë. Nuk e di pse më tha Zoti ta bëja këtë, por m'u mbush mendja se ai njeri ishte e ardhmja e vendit tuaj dhe unë punoj me njerëzit që kanë. të ardhme.
Në fjalorin e tij të pasur kishte pak eufori që, përtej syve të mençur dhe depërtues me të cilët hetonte reagimin tonë, ngjante si përpjekje për të testuar entusiazmin tonë për lavdërimet në adresë të Berishës.
Filluam t'i tregojmë për se po takoheshim. Ylli i foli për situatën e vështirë të gazetës së tij dhe gjendjen në Shqipëri. Papritur, në bisedë u përfshi edhe një tip tjetër. Banonte diku nga Medreseja në Tiranë dhe kishte dijeni për gazetën "Albania". I konfirmoi Elfatih Hassanein ato që po i tregonim ne.
Njësoj sikurse ne, që nuk na kishin bërë përshtypje fjalët e tij, as atij nuk i bënë ndonjë përshtypje ato që po i tregonim ne. Për ta prekur pak, i thashë se presidenti Berisha ishte në ditët e tij më të vështira dhe, nëse e kishte mik, duhej ta ndihmonte.
-Allahu e ka caktuar atë njeri ta udhëheqë atë vend, - tha ai, - dhe ashtu do të bëhet.
Këtu na u duk se e teproi me kalimin nga toka në qiell të problemeve tona dhe thuajse ndërruam bisedë. Na foli gjatë për Turqinë dhe si ishte prishur ai vend, sipas tij. Kishte një urrejtje të dukshme për "qemalistët" që, sipas tij, kishin "prerë rrënjët e kulturës kombëtare".
-Ia kanë ndërruar gjuhën këtij populli, - deklamoi ai, - e kuptoni apo jo? Një fëmijë i lindur sot në Turqi, nuk lexon dot se çka ndodhur në këtë vend në shekullin e 18-të, për shembull, ngaqë nuk di osmanisht dhe nuk di ta lexojë kulturën e Perandorisë, që është shkruar me alfabet arab.
Për herë të parë po dëgjoja për një ndarje kaq të egër mes dy palëve në Turqi. Kultura ime minimaliste për islamin dhe rrënjët e tij në Turqi, po përballej me një fjalim plot emocion të një njeriu që e përjetonte si dramë politikën zyrtare turke, ndërsa vetë Turqinë e shihte si një vend gati ateist. Kjo ishte shumë larg perceptimit tim për Turqinë si një vend mysliman. Egërsia e Hassanienit me qeverinë e Tansu Çillerit ishte edhe më e dukshme. Pas një bisede të gjatë rreth kësaj teme, u ndjemë bosh dhe të pamotivuar për të vazhduar më tej.
Ia kujtuam edhe njëherë nevojat për gazetën dhe mundësinë për të ndihmuar presidentin Berisha. Na përsëriti bindjen e tij hyjnore se Allahu do ta zgjidhte këtë punë.
Personi tjetër që ishte përfshirë në bisedë fliste një shqipe të çalë. Ai i tha Yllit se, kur kërkonte gazetën Albania te Medreseja, shitësi ia jepte fshehurazi.
-Po pse? - e pyeta unë.
-Kanë frikë shitësit tani, se po kthehen këta socialistët dhe ju jeni me Berishën.
Ylli u tërbua.
Elfatih Hassanein po e ndiqte me kuriozitet bisedën tonë. Bashkëbiseduesi diçka i përktheu nga biseda dhe ai e miratoi me kokë. U përpoqa ta fiksoj mirë portretin e tij. Në takime të tilla, në dukje të rëndomta, e ke të vështirë t'i fiksosh emrat e gjatë arabë, që kanë një teknologji të vetën për t'i mbajtur mend.
Përpara se të ngriheshim, ndërsa po shkëmbenim fjalët e ndarjes, Hassanein e përsëriti sërish atë frazën që mua më dukej paranojake:
-Shikoni përreth me kujdes, meqë jeni gazetarë. Do të ketë ndonjë gazetar të "Ëashington Pos" t-it apo "Neë York Times"-it që më ndjek. Ata merren vetëm me mua. Më kanë tmerr, sidomos pas Bosnjës. Ata nuk e manipuluan dot kurrë Izetbegoviçin, se unë isha aty.
U pamë në sy me Mal Berishën, me qëllim që të çoheshim. Në fytyrën e konsullit tonë rrezatohej një respekt i natyrshëm për bashkëbiseduesin dhe një bezdi për nxitimin tonë për t'u çuar. Kishte të drejtë. Në të vërtetë, ne nuk e dinim se kë po takonim. Ai më zgjati kartvizitën. Aty deklarohej si këshilltar i presidentit Alija Izetbegoviç. Kishte dhe adresat e telefonit, faksit dhe një adresë në Stamboll.
-A keni një adresë e-mal-i? - i thashë.
-Po, - tha, - shkruajeni. Dhe ma diktoi në frëngjisht. E ngatërrova, pasi nuk i kuptova mirë germat. Ia tregova dhe ma mori kartëvizitën nga dora duke ma korrigjuar.
- Do t'ju dërgojmë një e-mail, - shtova unë.
Na u duk e tepërt të harxhonim kohë me të.
Pas takimit me Hassanein, u la një takim të nesërmen me dikë që nuk më interesonte më dhe m'u duk e kotë ta shoqëroja më tej Yllin.
-Unë nuk po vij fare tek i dyti, - u thashë. Kisha një lodhje nga ajo që m'u duk në fillim kotësi nga takimi me Hassanein. Dy djem nga Tirana, që i kishim takuar në aeroportin e Stambollit, na kishin ftuar në hotel "Holiday Inn" dhe s'kisha ndërmend ta humbisja rastin.
Ylli vendosi të shkonte vetëm me Mal Berishën. Kur u kthye, ishte shend e verë.
-Ishte njeri i saktë ky, - tha. - Ishte një plak i mirë.
-A premtoi gjë? e pyeta.
-Po, po. Do të na sjellë nja dy makina me letër, si dhe një furgon për gazetën meqë na është djegur. Ishte njeri i saktë. Mbajti shënim gjithçka dhe më tha se do të jenë gati për një javë... Dhe dukej burrë fisnik. Thirri një sekretare aty, i mbajti shënim të gjitha. I futi një firmë dhe nuk bëri asnjë muhabet kot, jo si ai idioti.
Në fakt, çdo gjë funksionoi mirë. Pas një jave, gjithçka mbërriti në doganën e Qafë-Thanës.
Nuk e mora vesh emrin e këtij njeriu në atë kohë. Lutfi Dervishi më tha se, më pas, një tip ezmer nga këta të fondacioneve bamirëse, kishte shkuar te gazeta dhe kërkonte një vërtetim që ndihmat kishin mbërritur. Ndoshta ishte njeriu që u shfaq në mes te bisedës me Hassanein ne Stamboll.
Kur u kthyem në Tiranë, i tregova Sali Berishës për takimin me Hassanein-in. Berisha qeshi me një vështrim hetues, se mos e shoqëroja me ndonjë fjalë të rëndë komentin tim për takimin me të. Në fakt, nuk dija asgjë për të.
-Hë, Hassanieni... - tha dhe qeshi. Është një gjest tipik i tij, kur në situata të vështira përpiqet të portretizojë me humor dikë që është problematik. - Ishte interesant, - i thashë, - por s'mu duk me këmbë në tokë.
-Hëm... - vazhdoi duke buzëqeshur dhe ndërroi bisedë.
Vonë, gati një vit më vonë, kur në Shqipëri u shtrëngua përndjekja e elementëve të lidhur me botën islame, lexova në gazeta emrin e tij. Bëra një kërkim aq sa mundja në internetin e dobët që kisha dhe pashë se njeriu që kisha takuar ishte njëri nga kokat e financuesve të lëvizjes islamike në botë. "Washington Post" kishte vërtet shkrime të gjata dhe shpjeguese për të. Kishte histori të pabesueshme se si ai kishte çuar para, armë dhe muxhahedinë në Bosnjë, si kishte siguruar furnizimin me armë të luftës në Bosnjë dhe si, më pas, ishte futur në listën e fondeve që përfundonin tek Al Qaeda.
(Vijon)
"Doktori" saudit, njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë
Telashet më të mëdha Berisha nuk i pati prej Hassanein. Një figurë misterioze për të cilën ai pati probleme ishte Abdyl Latif Salehu. M'u kujtuan bisedat e gjata të Berishës për të, si dhe fakti që asnjëherë nuk përtonte për të dhënë sqarime rreth tij.
- Çfarë problemesh ke me këta islamikët, që të sulmojnë amerikanët? - i thashë papritur, më vonë, kur Berisha ishte vënë në qendër,të sulmeve si njeri që kishte ndihmuar veprimtarët më të rrezikshëm të Al Qaedës për të krijuar bazat e tyre në Shqipëri.
-Janë shpifje, - më tha. - Më akuzojnë për "Doktorin".
-Ç'është ky?
- Dr. Abdul Latif Salehi, që është një njeri i tyre, - këtu kishte parasysh amerikanët, - por që duan të ma rrasin mua tani. Nuk e njeh ti, s'di si të ta shpjegoj. Janë ca punë shërbimesh, që nuk i thua dot as në opinionin publik. Shiko, po ta them ty këtu, por mos e shkruaj, se është me zarar. Ai ishte spiun i tyre. Shërbimi ynë u premtoi se do ta përdorte për të identifikuar të gjithë tipat e rrezikshëm që vinin nga Lindja e Mesme këtu dhe që mund të iknin në Europë. Pra, ai bashkëpunoi me ne. I dhashë edhe shtetësinë shqiptare. Janë të pandershëm, se ua kam çuar emrin përmes shërbimit në ambasadë dhe kanë dhënë miratimin.
-Ka shkresë për këtë? - e pyeta. Nuk e di se si m'u ngjall instinkti i gazetarit për ta parë deri në fund këtë histori.
-Po ku di unë a ka shkresa.... Unë nuk merrem me shërbimet, jam president i vendit. Shërbimi im më tha që e verifikoi dhe ishte në rregull, ndaj dhe mund t'i jepej shtetësia.
M'u duk bindës në shpjegimin për pafajësi në këtë pikë.
Në vjeshtën e vitit 2001, në Tiranë erdhën dy gazetarë amerikanë, që ndiqnin gjyqin e të akuzuarve për veprimtari terroriste bazuar në marrëdhëniet me Al Qaedën. Ata kërkuan takim me Sali Berishën dhe celulën e SHIK-ut që merrej me terrorizmin. Berisha i takoi me tre ish-oficerë, në atë kohë të papunë, që u shpjeguan atyre të njëjtën histori: që dr. Salehu ishte agjent i dyfishtë. Por Berisha nuk pranoi të citohej për këtë.
-E di ambasada, - u tha atyre, - pyesni në ambasadë.
Gazetarët ikën, por ishin skeptikë për atë që u tha Berisha. Nga mënyra se si fliste Berisha, m'u krijua ideja se dr. Salehu mund ta kishte marrë shtetësinë diku nga viti 1994 ose 1995. Pasi i hodha një sy të shpejtë listës së shtetësive, pashë që ai e kishte marrë atë në vitin 1992, pra sapo Berisha kishte ardhur në pushtet. Ishte pak e dyshimtë që ai të kishte pasur aq kohë sa të ishte që atëherë agjent i dyfishtë dhe të verifikohej edhe nga amerikanët. Për më tepër, ai kishte marrë dy herë pasaportë shqiptare, në vitin 1993 dhe pastaj në vitin 1995.
PASSPORT (Albania) 3147728 March 1993
PASSPORT (Albania) 03346951 December 1995
Më pas, kur vendosa të gërmoj për të, mësova se ai kishte ardhur në Shqipëri qysh në vitin 1991, si këshilltar për probleme mjekësore. Kishte punuar disa vite në Spitalin Ushtarak dhe shumë mjekë të atij spitali e njohin shumë mirë. Fjalimet e tij për xhihadin e nevojshëm edhe në Shqipëri, mjekët tanë, shumica ateistë, i kanë pas marrë me të qeshur. Por Salehu ishte serioz në projektet e tij. Në mes të fushatës elektorale të vitit 1996, Sali Berisha e kishte atë në krah, kur filluan punimet për një spital në Sauk, që do të ndërtohej nga fonde të rrjetit të tyre bamirës, por që nuk u ndërtua kurrë.
Berishës iu kthye në kompleks ky njeri dhe mbaj mend se shpenzonte shumë kohë që ta hiqte nga vetja përgjegjësinë pse ai kishte marrë shtetësinë dhe pse amerikanët dyshonin se ishte lidhja e Berishës me klanet e errëta të botës arabe.
"Doktori", siç njihej gjerësisht prej Berishës dhe Gazidedes, dukej se ishte bërë njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë. Ai ishte pjesë e investimit në dy kullat binjake në qendër të Tiranës, zanafilla e ndërtimit të të cilave nis me pushtetin e Berishës dhe kompensimin e disa figurave të larta të pushtetit në atë kohë, përfshi edhe Tritan Shehun.
Gazetarët amerikanë që erdhën në Tiranë, i dhanë gazetës Albania edhe disa përkthime të gjyqit që u zhvillua ndaj njerëzve të arrestuar në Tiranë. Aty shihet se "doktor" Salehi kishte mundësuar futjen në Shqipëri të Ahmed Ibrahim Al Nagarit, i cili u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si pjesëmarrës në atentatin e dështuar ndaj ish-kryeministrit të Egjiptit në vitin 1995.
Në dëshminë e vet në gjyq, Ahmed Ibrahim Al Nagari thotë se, pas atentatit ndaj kryeministrit të Egjiptit, ai u fsheh disa kohë në Siri dhe pastaj u dërgua në Shqipëri. Në mënyrë banale, korrupsioni i doganierëve shqiptarë ka dështuar për futjen e tij në Rinas. Doganieri ynë i ka kërkuar një bakshish dhe Ahmed Ibrahim Al Nagari nuk ia ka dhënë. Kaq i ka mjaftuar që të kthehet mbrapsht në Stamboll. Pas një peripecie disajavore, ai kaloi në Damask, ku siguroi një biletë tjetër dhe u përcoll në doganën shqiptare nga Abdyl Latifi.
Më pas, Ahmed Ibrahim Al Nagari tregon se ka punuar në fondacionin "Haraman" në Tiranë, me punë të ndryshme, derisa e arrestuan, në vitin 1999. Sipas një dëshmie tjetër në gjyq, Muhamet Zawahiri, i cili ishte kreu i krahut ushtarak të Xhihadit, drejtonte Organizatën Islamike të Ndihmave me qendër në Tiranë. Ai ishte inxhinier, ndërsa vëllai i tij, dr. Ayman Zawahiri, ishte njeriu kryesor i Xhihadit dhe më pas njeriu më i rëndësishëm pas Bin Ladenit në Al Qaeda. Emri i tij shfaqet po ashtu në Bosnjë, në trajnimin e celulave të Xhihadit atje.
M'u kujtuan historitë e furnizimit me armë, por pa para, të ushtrisë boshnjake nga Shqipëria, në vitin 1995. Berisha i ka pranuar ato publikisht, sidomos pas shpërthimit të Gërdecit. Bëri një tentativë të dështuar për të ngatërruar trafikun e armëve për Afganistan me trafikun e Gërdecit dhe tha se i kishte telefonuar presidentit Karzai nëAfganistan, që të vinin e të merrnin armë falas këtu. Pohoi se këtë e kishte bërë më parë edhe me Bosnjën.
Pikërisht këtu është lidhja e fortë me Hassanein-in, "burrin e armëve" të Izetbegoviçit. Njeriu kryesor, që Hassanein-i e konsideronte bashkëpunëtor në Bosnjë, ishte Hasan Çengiç, një figurë që identifikohej me furnizimin me armë të Bosnjës, është lakuar vonë për lidhje me tregtinë e armëve nga Shqipëria. (Aneksi 6)
Janë pikërisht këto lidhje që na ringjallen pas vitit 2005 kur Berisha erdhi në pushtet. Njeriu që ringjall këtë "perandori të fshehtë" të Berishës është Damir Fazliç. Për ta bërë më të qartë këtë lidhje më duhet të tregoj shpejt e shpejt si e kam njohur unë Damir Fazliçin.(Aneksi7)
Ndërkaq, Damir Fazlliçi u afrua me Izetbegovicin në vitet e fundit të pushtetit të tij në Sarajevë dhe paraqitej gjithandej me kartëvizitën e një këshilltari të tij. Nuk jam i sigurt se sa ka qenë këshilltar i Izetbegoviçit ky njeri, pasi mosha e tij e re më pengon ta besoj, por vendosmëria e tij dhe e Berishës për t'u prezantuar si i tillë e ka një domethënie.
Rrënjët e këtyre lidhjeve të ngatërruara ballkanike i ke të vështira t'i besosh, nëse nuk je në brendësi të tyre. Njeriu më i afërt i Hassanein-it në Bosnjë, Hasan Çengiç, ka qenë ajo që quhej "zemra e logjistikës" së luftës në Bosnjë dhe rezulton të jetë edhe një lidhje e afërt me Damir Fazlliçin, njeriu që mbiu në Tiranë në fillim të vitit 2005 dhe filloi së pari të hidhte sytë nga tregtia e armëve.
Interesante është se, në vitet 2003 dhe 2004, ai kishte bërë disa biznese të pjesshme në Kosovë, falë lidhjeve të njerëzve të Sali Berishës atje, përfshi dhe vajzën e tij. Mes këtyre bizneseve shquan një kontratë për shitje energjie të qeverisë së Kosovës në qeverinë e përbashkët të Rugovës me Haradinajn, ndihmuar nga disa ministra të LDK-së. Në Kosovë, prej vitesh jetonte dhe punonte vajza e Sali Berishës, e cila kishte rivendosur lidhjet e vjetra të të atit me njeriun e Bosnjës, që ringjallte lidhjet e vjetra të kabinetit të Izetbegoviçit. Biznesmeni i ri, i shkolluar në mënyrë sipërfaqësore, thuajse sa për kartëvizita, në SHBA dhe Britani, kishte lidhje po aq të forta në Serbi, për shkak të origjinës së nënës së tij, e cila ishte një kushërirë e shefit të UDB-së, Stanishiç.
Kryqëzimi i emrave që të çojnë te rrënjët e kontrabandës së armëve në Bosnjë dhe te përzierja e mafies rajonale në të, bëri që pas rikthimit të Berishës në pushtet, në vitin 2005, të lulëzonin sërish linja të vjetra të trafikut të armëve nga Shqipëria, ku mbiemrat Fazliç, Lazareviç, Çengiç, Oriç etj, shfaqeshin në median rajonale si porositës të ngarkesave të armëve që lidhnin Bosnjën, Shqipërinë, Serbinë dhe botën arabe, përfshi Iranin dhe hezbollahët.
I kam menduar gjatë më vonë këto lidhje të Fazlliçit, kur ky njeri dukej se po bëhej diktues i së ardhmes politike dhe financiare të familjes Berisha. Vajza e Berishës, e cila ka prokurën për të përfaqësuar të gjitha bizneset e Fazlliçit në Shqipëri, e pranoi atë publikisht si mik të familjes dhe klient të saj, ndërsa Sali Berisha, edhe pse pati shumë telashe prej tij, i ka zëvendësuar takimet në zyrë me takime në shtëpinë e tij. Askund tjetër, në asnjë vend të globit, nuk mund të gjesh hibride të tilla mafioze, gjysmëmyslimane, gjysmortodokse, gjysmëserbe, gjysmëboshnjake e gjysmëshqiptare, gjysmëproperëndimore e gjysmantiperëndimore, ditën si njerëz të Perëndimit e natën si përfaqësues të mafies.