E diele, 28.04.2024, 01:42 PM (GMT+1)

Mendime

Urim Gjata: Kosova Sovrane Njehere e Pergjithmone

E premte, 15.10.2010, 09:57 PM


Kosova Sovrane Njehere e Pergjithmone

 

Nga Urim Gjata

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Kosovën e pavarur dhe sovrane në kufijtë e saj ekzistues, rikonfirmoi pozicionin e Uashingtonit Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

 

Këto qëndrime, Clinton i prezantoi në Prishtinë, pas një takimi të përbashkët me ushtruesin e detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me Kryeministrin e Kosovës, Sekretarja e Shtetit shprehu kënaqësinë e saj që është e pranishme në Kosovë, "jo vetëm zyrtarisht, por edhe personalisht, si anëtare e një familjeje, e cila është e përkushtuar ndaj këtij vendi".

 

Në Prishtinë, Clinton erdhi pasi paraprakisht kishte qëndruar në Beograd, ku kishte takuar Presidentin e atjeshëm, Boris Tadiç. Ajo tha se, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara, duke inkurajuar fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, por jo edhe çështje të statusit. "Disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të diskutohen", tha Clinton, duke nënvizuar se dialogu ka të bëjë me arritjen e përparimit në çështje të interesit të përbashkët. Pasi ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do ta kenë rolin e vet në këtë dialog, Clinton tha se, bisedimet mund të fillojnë sapo që dialogu të strukturohet në koordinim me Bashkimin Evropian.

 

"Mbështesim fuqishëm pavarësinë dhe të drejtat e Kosovës"

 

Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë dhe të drejtat e Kosovës", tha dje Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, pas takimit me drejtuesit më të lartë të vendit në Prishtinë. "Ashtu siç kemi qenë me ju në rrugën e vështirë drejt pavarësisë, ne edhe sot do të qëndojmë me ju. Ne jemi partnerët tuaj, jemi miqtë tuaj, dhe jemi shumë të përkushtuar ndaj kauzës tuaj", tha Sekretarja Clinton në konferencën për shtyp të mbajtur, bashkë me Kryeministrin Hashim Thaçi. Duke inkurajuar bisedimet Prishtinë-Beograd, Sekretarja Clinton tha: "Siç i thashë edhe Kryeministrit Thaçi, sot si edhe Presidentit serb, Tadiç, dje, disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të diskutohen". "Këto bisedime paraqesin një mundësi për t'i adresuar nevojat e menjëhershme dhe praktike për të bërë përparim drejt objektivave reciprokisht të dobishme", shtoi ajo. Sekretarja Clinton theksoi edhe angazhimet për shtimin e vendeve që e njohin Kosovën, sidomos pas mendimit të GJND-së, i cili, tha ajo, besojmë se zgjidh çështjen e pavarësisë njëherë e përgjithmonë. Pas Prishtinës, ajo tha se do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të strukturohet forma e dialogut Kosovë-Serbi. "Unë dhe kolegët e mi do të takohemi me zyrtarët e Bashkimit Evropian që ta strukturojmë këtë dialog", tha Clinton. Fillimin e dialogut ajo tha se, nuk duhet ndërlidhur me zgjedhjet në Kosovë dhe ato në Serbi, pasi që do të shkaktoheshin vonesa.

 

Prishtina, e gatshme për dialog me Beogradin

 

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka njoftuar Sekretaren e Shtetit me progresin dhe zhvillimet në Kosovën e pavarur. Pas pavarësimit dhe një gjendjeje stabile në fushën e sigurisë, tani mbetet shumë për të bërë në zhvillimin ekonomik dhe në integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, tha Thaçi.

 

Ai i konfirmoi Sekretares së Shtetit, gatishmërinë e Kosovës për të dialoguar edhe me Serbinë. "Ne kemi shprehur gatishmërinë dhe vullnetin tonë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura me sovranitet dhe integritet territorial të pacenueshëm, me vizion të përbashkët për t'u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian", tha Thaçi. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, më pas ka vazhduar vizitën e saj në Graçanicë, kurse do të zhvillojë një debat edhe me shoqërinë civile dhe studentët e Universitetit të Prishtinës.

 

Gjatë kësaj vizite njëditore, Clinton tha se Presidenti Obama dhe administrata e tij mbeten të përkushtuar që ta ndihmojnë Ballkanin për të arritur te një prosperitet i qëndrueshëm.

 

Ndërkaq, kosovarët, ajo i ka rikujtuar edhe për përkushtimin e vazhdueshëm për Kosovën që kishte dhe vazhdon ta ketë bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Bill Clinton.

 

 

NGROHTESIA KOSOVARE NE PRISHTINE

 

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është pritur ngrohtë në Prishtinë. Qyteti i zbukuruar me flamuj amerikanë dhe shtetërorë, si dhe panotë me fotografinë e zonjës Clinton, i kanë uruar mirëseardhje Sekretares amerikane, e cila në Aeroportin e Prishtinës arriti pak para mesditës. Ajo u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërsa u nderua nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndalesa e parë e zonjës Clinton, edhe pse e paparalajmëruar, ishte te statuja e bashkëshortit të saj, ish-Presidentit Bill Clinton, në bulevardin që mban po ashtu emrin e tij. Zonja Clinton përshëndeti masën që e duartrokiste, ndërsa qëndroi shkurt në dyqanin afër statujës, që mban emrin e saj - Hillary. Qytetarë të shumtë pritën me orë të tëra edhe para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ta shohin zonjën Clinton, e cila duke dalë nga ndërtesa përshëndeti me dorë masën e tubuar.

 

Mendushe Curri është një nga qytetarët që priti një kohë të gjatë për ta parë zonjën Clinton. "Kemi dalë ta presim zonjën e madhe Hillary Clinton. Na kanë shpëtuar nga kthetrat e barbarit, normalisht. I kemi shumë borxh. Asnjëherë s'mund t'i dalim nga haku. Pritja është më e pakta që mund të bëjmë. Por, zemra e çdo shqiptari e di se sa e do", tha Curri. Disa nga qytetarët thanë se, ende i ruajnë imazhet e vizitës së zonjës Clinton në kampet e refugjatëve në Maqedoni, në kohën kur më shumë se një milion kosovarë ishin deportuar nga Kosova. Shqiptarët e Kosovës ia atribuojnë meritat kryesore për çlirim Presidentit Bill Clinton, por duke mos harruar edhe ish-zonjën e parë, Hillary Clinton.

 

Një grua e moshuar, Sanije Tahiri, u shpreh kështu për familjen Clinton: "Ata kanë bërë shumë. Na e kanë liruar Kosovën". Duke mbajtur një pano me mbishkrimin "Faleminderit familja Clinton- Faleminderit Amerikë", Nexhmedin Llapashtica nga Prishtina i përmendi dy arsye pse ka dalë ta presë zonjën Clinton. "Unë kam dalë me qëllim që të bind SHBA-të dhe familjen Clinton, se i nderojmë, i duam dhe duam t'i respektojmë gjithnjë. Kërkesa ime, dalja ime këtu, është vetëm për një arsye: T'i bind që mos të na lënë vetëm. Mos t'i lënë vetëm shqiptarët në Kosovë dhe gjithkund. Jemi miq, familja Clinton, mos na lini vetëm", u shpreh Llapashtica.

 

Gjatë tërë vizitës së saj, zonja Clinton është përcjellë nga njësia elite e motoristëve të Policisë së Kosovës, ndërsa prani e shtuar e masave të sigurisë është parë kudo në kryeqytet, sikurse edhe në vendet, nëpër të cilat ka kaluar zonja Clinton.

 

Zyrtarët e Policisë së Kosovës deklaruan se i kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë me rastin e kësaj vizite. Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Sabrie Kamberi, bëri të ditur se, për këtë vizitë është hartuar një plan i veçantë.

 

"Është përgatitur plani operativ nga Policia e Kosovës, më konkretisht nga shtylla operative. Janë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e zonjës Clinton. Ne edhe më herët kemi pasur vizita të personaliteteve të nivelit, çfarë është kjo vizitë e sotme dhe vërtet janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Presim që edhe kësaj radhe të realizohet plani sipas asaj që është paraparë, në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Kamberi.

 

Kosovën e ka vizituar majin e vitit të kaluar nënpresidenti amerikan, Joe Biden, të cilit po ashtu i qe rezervuar një pritje e ngrohtë, si nga udhëheqësit e Kosovës, ashtu edhe nga qytetarët.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora