E enjte, 19.03.2026, 10:43 PM (GMT)

Kulturë

Luljeta Pula: Vuksan Kola - 'Historia e psikiatrisë së Shqipërisë'

E enjte, 19.03.2026, 06:55 PM


Vuksan Kola - 'Historia e psikiatrisë së Shqipërisë'

Një libër i Prof. Dr. Vuksan Kolës që më mrekulloi!

Historia e psikiatrisë së Shqipërisë

Në shenjë respekti për punën e përkushtuar shkencore, pedagogjike, mjekësore dhe për aktivitetin e dendur botues të mjekut tim, njëshit të psikiatrisë shqiptare andej dhe këndej kufirit Kosovë / Shqipëri, Prof Dr. Vuskan Kolës, me rastin e daljes në pension !

Nga Prof. Dr. Luljeta Pula

Mbeta vërtetë e mrekulluar dhe shumë e impresionuar nga ky libër i mjekut tim të shtrenjtë, PROF DR. VUKSAN KOLËS që mban titullin ‘’HISTORIA E PSIKIATRISË SË SHQIPËRISË’’! Një punë kolosale dhe shumë e rëndësishme e me shumë vlerë! Një testament kaq i çmuar për gjeneratat e ardhshme, i historisë njëshekullore të Psikiatrisë së Shqipërisë!

Një punë aq serioze, grandioze dhe analitike për rrugëtimin historik të psikiatrisë shqiptare meriton çdo vlerësim, çdo nderim dhe respekt! Ky ishte vetëm njeri nga shumë librat e profesorit të nderuar, të botuar ndër vite për të cilat nuk isha ne dijeni.

Duke lexuar librin, e para që më shkoi ndërmend ishte ideja se mbase edhe ndonjë nga psikiatrët e Kosovës do të mund të bënte një të tillë, për historinë e Psikiatrisë së Kosovës, nëse një e tille ende nuk ekziston!

Ishte mbresëlënës sistemimi i periudhave të zhvillimit të Psikiatrisë shqiptare, organizimi i të dhënave, qasja kritike dhe analiza e sinteza e shënimeve dhe dorëshkrimeve të shumta, si dhe vështrimi polivalent i historikut. Një ndarje shumë e saktë e fazave të zhvillimit, e definuar me korrektësi, që determinonte horizontin e zhvillimit në kohë dhe cilësi. Një analizë e hollë, shumë e sistemuar dhe programuar, tepër përmbajtësore dhe me mesazh të qartë. Shpjegimi i vetë zhvillimit të psikiarisë në etapa është kaq i qartë dhe përmbajtësor e aq i thellë, saqë lexuesi në çdo faqe të librit ndjen evoluimin e këtij zhvillimi. Më pas është impresionues theksimi i autoriteteve kryesore të Psikiatrisë shqiptare, vlerësimi i rolit të tyre dhe kontributit kyç në zhvillimin e saj, analiza e thellë e punimeve të tyre dhe evoluimi i zhvillimit shkencor si rezultat i këtij kontributi.

Ishte bërë një punë e jashtëzakonshme në grumbullimin e të dhënave dhe analizën e vërtetësisë së tyre, hartimit të kritereve për përfshirjen e tyre në këtë historik të psikiatrisë, të problemeve e strukturave të ndryshme në të gjithë vendin, si dhe te personaliteteve e individëve të veçantë që kishin lënë gjurmë të rëndësishme në zhvilimin e saj. Punë e jashtëzakonshme dhe me saktësi e vlerë të lartë. Veçanërisht është me vlerë qëndrimi personal e kritik i autorit ndaj veprimtarive dhe ngjarjeve të rëndësishme, të cilat sillen në libër në formë ditari, sigurimi i informacionit nga një numër i madh autorësh si dhe i konsultimeve të shumta me mjekë psikiatër që kanë jetuar vetë ngjarjet dhe kanë bashkëpunuar me personalitetet më të rëndësishme të psikiatrisë së Shqipërisë.

Libri përmban sqarime të detajuara të ecurise së historikut të zhvillimit të psikiatrisë duke inkorporuar shumë punime shkencore, profesionale, botime të teksteve të specialistëve, shumë konsulenca, simpoziume, informacion për shoqatat e krijuara, evoluimin e terapive të zbatuara në hap me kohën, trajtimin polivalent të pacientëve, avancimet shkencore të personelit dhe publikimet përkatëse.

Nga gjithë kjo thellësi e qasjes analitike informacioneve , ngjarjeve, figurave të rëndësishme në ecjen e psikiatrisë shqiptare natyrshëm vjen ideja e autorit dhe sugjerimi i tij për ngritjen e një strukture administrative kombëtare, e cila do të merrej me koordinimin dhe menaxhimin e te gjithë problematikës që lidhet me zhvillimin programor të të gjitha shërbimeve psikiatrike në vend.

Duke lexuar me kujdes këtë libër dhe duke parë respektin e jashtëzakonshëm që shprehet nga AUTORI për psikiatrin, ndër më të mëdhenjtë që ka pasur Shqiperia, PROF.DR. ULVI VEHBIU, më shkoi ndërmend se mbase do të duhej që Shoqata, ‘’Lidhja e Psikatërve Shqiptarë’’, LPSH, që shtrihet ne Shqipëri, Kosove dhe Maqedoni, të mbante emrin e këtij psikiatri shume të dëgjuar. Kaq për librin!

Ndërsa unë e them me sinqeritet të plotë se, edhe pse në libër pashë figura të shquara të Psikiatrisë shqiptare, as i famshmi Prof. Ulvi Vehbiu, as e nderuara Dr. Tefta Pikuli dhe as psikiatrit në fotot e vendosur në fund të librit, asnjeri prej tyre, as individualisht e sebashku, mua nuk do të mund të më ndihmonin ashtu siç më ka ndihmuar autori i këtij libri, PROF. DR. VUKSAN KOLA. Jam e bindur për këte, sepse tek ai janë të kombinuara, të ndërthurura në mënyrë simfonike, niveli i larte profesional, shkencor dhe intelektual si te asnjë tjetër. Veç tyre etika, qëndrimi ndaj pacientit, leximi i shkëlqyer i personalitetit të tij, sjellja e duhur, fjalët e pakta, të prera dhe të vendosura, personaliteti i tij që imponon, besimi që ai ngjall te pacienti, me një fjalë, një ndërthurje komplete e të gjithë cilësive dhe virtyteve me te larta të një psikiatri model! Dhe sigurisht, cilësitë dhe virtytet e veçanta të tij, bashkë me trajtimin e duhur terapeutik janë ato që sigurojne suksesin.

Faleminderit i nderuar PROF. DR. VUKSAN KOLA!

Jeni psikiatri emblematik, ikona e Psikiatrisë Shqiptare, andej e këndej kufirit, Njëshi i Psikiatrisë Shqiptare, një erudit i vërtetë e figurë poliedrike, që te mahnit me nivelin kulminat intelektual, shkencor, profesional dhe pedagogjik, psikiatri – them unë – me cilësi, nivel dhe përmasa ndërkombëtare!

DRINI.US



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx