Kulturë
Albert Zholi: Pulëbardha e Lirisë
E premte, 13.03.2026, 06:55 PM
Pulëbardha
e Lirisë
(Legjenda
e Afërditës)
Nga
Albert Z. ZHOLI
Në
brigjet e detit, atje ku dallgët prekin tokën dhe ku pulëbardhat fluturojnë pa
frikë mbi horizont, njerëzit tregojnë ende një histori të vjetër. Është
historia e një vajze që nuk pranoi të jetonte e mbyllur në rregullat e ashpra
të kohës së saj. Ajo kërkoi vetëm një gjë – lirinë. Dhe kur bota nuk ia dha,
qielli e dëgjoi lutjen e saj.
Kjo
është legjenda e Afërditës, vajzës që u bë pulëbardhë.
________________________________________
Fshati
ishte ndërtuar mbi një kodër të ulët që shihte drejt detit. Në mëngjes, kur
dielli lindte nga horizonti i kaltër, shtëpitë e bardha mbusheshin me dritë dhe
mbi ujë fluturonin pulëbardhat. Për njerëzit e fshatit ato ishin thjesht zogj
deti, por për Afërditën ato ishin shenja e lirisë.
Afërdita
ishte vajza më e bukur e asaj ane. Flokët e saj të errët i binin mbi supe si
një valë e butë, ndërsa sytë i kishte të thellë dhe ëndërrimtarë. Shpesh e
gjenin ulur pranë bregut, duke parë pulëbardhat që fluturonin mbi dallgë.
Ajo
ëndërronte një jetë ku zemra të mund të zgjidhte vetë.
Por
jeta në atë kohë nuk ishte e butë për vajzat.
Një
mbrëmje, Afërdita dëgjoi një bisedë që do ta ndryshonte fatin e saj. Babai
kishte vendosur ta martonte me një tregtar të pasur dhe të moshuar nga një
fshat tjetër.
-"Është
njeri me pasuri," - tha një nga burrat.
-"Do
të jetojë mirë vajza," - shtoi tjetri.
Por
askush nuk pyeti nëse ajo e donte atë jetë.
Atë
natë Afërdita nuk fjeti. Ajo pa detin që shndriste në dritën e hënës dhe
pulëbardhat që kalonin të lira mbi ujë.
Lotët
i rrëshqitën në heshtje.
-"Zot,"
- pëshpëriti ajo, - "nëse nuk mund të jem e lirë si njeri, më bëj
pulëbardhë. Më jep krahë që të fluturoj larg."
Thuhet
se qielli dhe zoti ndonjëherë dëgjon zemrat që vuajnë.
Kur
zbardhi dita, një pulëbardhë e bardhë u ngrit nga dritarja e shtëpisë dhe
fluturoi drejt detit.
Afërdita
ishte bërë pulëbardhë.
Ajo
fluturoi mbi dallgët e kaltërta dhe ndjeu ajrin e lirisë. Asnjë zakon dhe asnjë
urdhër nuk mund ta ndalte më.
Por
çdo mëngjes, kur agimi zbardhte mbi fshat, pulëbardha kthehej dhe ulej mbi gardhin
e oborrit të shtëpisë.
Ajo
e dinte se në atë orë nëna e saj dilte jashtë.
Gruaja
e vuri re zogun e bardhë që vinte çdo ditë në të njëjtin vend. Dhe një mëngjes,
kur e pa drejt në sy, zemra e saj e kuptoi të vërtetën që mendja nuk mund ta
shpjegonte.
-"Afërditë..."
pëshpëriti ajo me lot në sy.
Pulëbardha
uli kokën lehtë, sikur ta kishte dëgjuar.
Nëna
ngriti duart drejt qiellit.
-"Bijë...
fluturo e lirë."
Pulëbardha
bëri një rreth mbi oborr dhe pastaj u ngrit drejt horizontit.
Dhe
që nga ajo ditë njerëzit e atij fshati thonë se sa herë një pulëbardhë fluturon
mbi det dhe rri për pak çaste mbi një gardh, ndoshta është Afërdita – vajza që
zgjodhi lirinë.
**
Historia
e Afërditës nuk është vetëm një legjendë e vjetër e një fshati pranë detit. Ajo
është kujtesa e një kohe kur shumë vajza nuk kishin zë për të zgjedhur jetën e
tyre. Pulëbardha që fluturon mbi det nuk është vetëm një zog i bardhë; ajo
është simboli i shpirtit që kërkon lirinë. Sepse liria është si deti: e gjerë,
e thellë dhe e pamundur për t'u mbyllur brenda gardheve të zakonit. Dhe ndoshta
për këtë arsye njerëzit ende besojnë se në çdo pulëbardhë që fluturon mbi
dallgë jeton pak nga ëndrra e një vajze që nuk pranoi të jetonte pa liri.









