Kulturë
Blerim Rrecaj: "Dashavidi" ose anatomia e një anormaliteti
E enjte, 19.03.2026, 06:54 PM
"Dashavidi" ose anatomia e një anormaliteti
Nga
Blerim Rrecaj
Pas
dy librave në prozë e me tregime, autori Albin Mehmeti këtë herë shfaqet me një
roman para lexuesit. Siç mund ta vërejmë dy veprat e para i veçon stili i veçantë
i rrëfimit e temave që lidhen rreth një boshti siç është ana e errët njerëzore,
e mund të thuhet se edhe ky roman është një lloj vazhdimësie ku me anë të
imagjinatës flitet për një realitet që s'është aspak i këndshëm për sytë,
veshët, zemrën e vetë shpirtin e ndjeshëm njerëzor.
E,
si mund të pajtohet së pari vetë shkrimtari pa shkruar, kur përballet me gjithë
këtë katrahurë që ka mbërthyer një vend, ku vazhdon të hidhet një valle e
çuditshme, e çoroditur, kushedi ku mund të shkohet me një hap përpara e dy-tre
prapa, katër-pesë hapa prapa e dy-tre përpara,
duke u vërdallisur rreth një vorbulle pa mbarim a rreth një pusi të
pafund me çaste, ndodhi, rrëfime, ngjarje, përjetime ku kryefjalë është
politika jo si art i së mundshmes, as i profesion e urë që dërgon tek e bukura,
etika, morali, meritokracia, zhvillimi e përparimi e çfarë jo tjetër, por
veprimet që i kryejnë njerëzit të veshur me petk politikanësh dëshmojnë të
kundërtën, me një fjalë shëmtinë.
Lufta
për të zënë fronin e pushtetit bëhet e pakompromis, pa parime e pa zgjedhur
metoda ndonëse duket se palët iu nënshtrohen ca rregullave që çojnë deri te
përfundimi i një gare e loje që patjetër do ta nxjerr një fitues dhe një
humbës, të cilët shpejt mund të ndërrojnë vendet, por jo edhe mendjet, e mendjet
e tyre aq do përqëndrohen te mbajtja ose ardhja në pushtet saqë superdehja e
tyre shoqërohet gjithherë nga ankthet, frikërat, kërcënimet, shantazhet, metodat e strategjitë
për arritjen e qëllimeve. Mbase kjo është e ditur për luftën për pushtet që prej
lashtësie e deri më sot, në kohëra e rrethana të ndryshme, por duke lexuar
"Dashavidin", them se shkrimtari me dije, durim, guxim, sinqeritet,
shkathtësi e njerëzi, flet për kohën e vendin e vet (lexo: shtëpinë tonë, edhe
si metaforë) ku aktorët e paktë politikë endim me mijëra fije si marimangat,
duke shpërndarë një lloj opiumi në hapësirë, me anë të marrëveshjeve në skenë a
prapaskenë, nën e mbi tavolina, me një mori të klaneve, bizneseve, medieve,
duke e bërë mish-mash një shoqëri të tërë që herë-herë duket e dorëzuar përpara
një makinerie të tillë që e ha për së gjalli, e bë si të vdekur derisa ende
frymon, e gjallëron llumërave e një degradimi që vazhdon, vazhdon...
...Saqë
ky degradim vazhdon edhe kur shfaqet një virus i çuditshëm e i rrezikshëm (krahaso:
Covid me Dashavid), dhe një vend e një shoqëri
e "virusuar" me mikrobet e padijes, manipulimit, përçarjes, militantizmit, ecetera, ecetera,
saqë pushtetarët e nënpushtetarët e këtij romani marrin masa për të shpëtuar
nga ky virus por njëkohësisht edhe masat për ruajtje e marrje pushteti me çdo
kusht.
Pastaj
informatat dhenden e gdhenden, drejtohen lakohen, e përlakohen e (për)dredhohen
varësisht prej interesit të tyre të ngushtë, saqë të dërgojnë te fraza e
fshehur: "Pushteti mbi të gjitha!"
Dhe
vazhdon kjo lojë bezdisëse e gjithpërfshirëse, me një tymnajë e mjegullnajë, që
endet përbrenda qenieve tona dhe një Zot e di se kur do fillojë të davaritet,
sepse jeta e njerëzit kanë nevojë për tjetër frymëmarrje, kanë nevojë për një
tjetër normalitet. Romani "Dashavidi" e dëshmon këtë, duke na bërë të
qeshim, të qajmë o të qaraveshemi për kohën që na shkon dëm, për kohën e
kotësisë, dhe për gjendjen e amullisë sikur jemi duke kaluar nëpër një ëndërr
të ligë.
Kjo
vepër, ky roman është shkruar me një stil të veçantë në të cilën mund ta shohim
veten në pasqyrë secili prej nesh. E
ndodhemi përpara një tragjikomizmi dramatik, para së cilit mund të na lindin
edhe shumë dilema, shumë pyetje. A nuk la e lë plagë e vragë mbi ne ky realitet i vrazhdë, i thartë e kokëlartë?
A nuk janë të tejmbushura qeniet tona me mediokritete e banalitete dhe ndaj të
cilave na duhet imunitet?
Disa
nga përgjigjjet mund t'i gjejmë në këtë libër. Njëra nga to sikur thotë: Ky
realitet i trishtë e gjithpërfshirës gjendet në jetët dhe përvojat tona...









