E merkure, 18.03.2026, 11:28 PM (GMT)

Mendime

Visar Zhiti: Vjen drita e yllit, edhe kur është i shuar…

E merkure, 18.03.2026, 06:57 PM


VJEN DRITA E YLLIT,

EDHE KUR ËSHTË I SHUAR…

Nga Visar Zhiti

Sot, ndoshta më shumë se në ditët e tjera, ndjejmë të na bjerë mbi supe drita e poetit Vilson Blloshmi, ka datëlindjen dhe është në Qiell, e feston me engjëjt… bukur trishtueshmërisht.

…në tokë, në baltën e atdheut të tij, ky emër vazhdimisht trondit, djajtë e kuq ia morën jetën gati gjysmë shekulli më parë, e pushkatuan kur ishte 29 vjeç, se ashtu u duhej, se nuk e donin familjen e tij me tradita patriotike, kundërshtarë të regjimit, nuk donin mbiemrin dhe emrin e tij, nuk ia donin poezinë…

La vejushe gruan dhe një vajzë të porsalindur, la porosi emrin e saj: Eni, la ëndrra e libra, familjen prindërore, motër e vëlla e miq… dhe një heshtje të zymtë si zija, atdheun-burg, kriminelë e mëkatarë… Por la dhe diçka të madhe dhe të rëndësishme, pamposhtmërinë në tortura, dinjitetin heroik dhe para skuadrës së pushkatimit, janë të dëshmuara, i kemi treguar dhe do t’i tregojmë, - ne jemi ajo që kujtojmë, - thoshte një poet i madh europian dhe unë e përsëris shpesh.

Dhe Vilson Blloshmi na la një tufë me poezi antologjike. Dhe dritë siç ndodh me yjet, që edhe kur janë të shuar, ajo vërshon nga qiejt, udhëton drita e tyre drejt nesh.

Mund t’u bjerë mbi duar kujdo që e duan këtë dritë.

Vilsoni ynë sikur e kishte parandjerë, kur shkruante në mesnatën e diktaturës më të egër, atje në kullën e tij në një fshat të Librazhdit, kur kthehej i lodhur nga puna e rëndë si punëtor miniere… dhe sillte dhe grimca ari që vezullojnë pikëllueshëm:

Nëse nuk munda brengës

t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam

në shpirt të djegur.

Nëse më i vdekur jam

nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam

se çdo i vdekur.

Pra, ai e dinte si po jetonte dhe si do të mund të shuhej, me dritën e tij të pashuar mes një bote të egër, të pamëshirshme, që dhe pa varr të lë…

Eshtrat e tij i kërkoi me vite i vëllai i tij, bashkëvuajtësi ynë burgjeve, Bedriu, i gjeti. Tani ai e ka emrin në mermer, por të gjallë e mban dhe nipi i tij, Vilson Blloshmi i ri.

Dhe datëlindjet veç shtohen… sot është e 78-ta… sa herë të lexojmë poezinë e tij, aq herë e festojmë.

Por tê shohim për një çast nga qielli të gjithë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Refik Hasani: Dy pakica, dy standarde Gjon Keka: Heqja e fusnotës... Klajd Kapinova: SHBA, Shqipëria, Irani, Israel dhe Kuba në nje këndvështrim të shpejtë sipërfaqsor dje dhe sot Asllan Dibrani (Luani): Kosova nuk ka luksin të rrënojë vetë liderët Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin Isuf B. Bajrami: Degradimi i diskursit publik në Kosovë - Dhuna verbale, shpifjet dhe polarizimi ndërkombëtar Ilir Sefaj: Faji - si kut për matje në politikë! Rrezart Kalaja: Manipulimi i Fesë dhe Rreziku për Shoqërinë: Një Thirrje për Vetëdije Kombëtare Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (6) Florim Zeqa: Lamtumirë LDK! Idriz Zeqiraj: Shqiptarët krenarë me binomin Vjosa-Albini Don Fran Sopi: Kreshmët katërdhjetëditëshe dhe epika e kthimit, e rilindjes së ndërgjegjes sonë shpirtërore dhe kombëtare Rrezart Kalaja: Kur ideologjia fetare sfidon identitetin kombëtar shqiptar Hamza Halabaku: Një pasdite me vëllezërit Tafa Milazim Zeqiraj: Respektimi i Kushtetutës – kusht për Stabilitetin e Kosovës Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (5) Ilir Çumani: Dy fytyrat e diskursit mediatik Don Fran Sopi: Udha e Kryqit - Kalvari i njeriut dhe fitorja e Krishtit Isuf B. Bajrami: Komiteti i Rajoneve i BE-së ka hequr përdorimin e fusnotës dhe asteriksit kur referohet te Kosova Krimet serbe të vitit 1912 sipas Famullitarit Lazër Mjeda Kalosh Çeliku: Popull me tre “baba” pa kësulë në kokë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx