E diele, 28.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Mendime

At Nikolla Marku: Shqiptarët si faktor paqeje në Ballkan

E shtune, 16.10.2010, 01:12 PM


Shqiptarët si faktor paqeje në Ballkan

 

Nga At Nikolla Marku 

 

Për të vendosur paqen në një rajon të caktuar ka një sërë faktorësh determinantë që ndikojnë në qëndrueshmërinë e saj. Faktorët më kryesorë janë e kaluara historike, tradita origjina, politika ekonomia dhe besimi fetar.

 

Ne në Ballkan si shqiptarë e kemi kërkuar paqen, por fatkeqësisht të tjerë na e kanë cenuar dëshirën dhe kontributin tonë në dobi të saj.

 

Drejt për së drejti dua t'i drejtohem kryepeshkopit të Serbisë së sapozgjedhurit, zotit IRENEU. Për ju zotëri është një mundësi e madhe me këtë zgjedhje si ortodoks të shkëputeni nga veprimet e kaluara të ish-kryepeshkopit të mëparshëm, i cili me praktikat e tij politiko-fetare nuk krijoi paqe, por përkundër solli shovinizëm e nacionalizëm të gabuar, duke krijuar ngjarje të hidhura që pasuan me derdhje gjaku në Ballkan.

 

Një kontribut më të rëndësishëm mund të jepte edhe zoti Janullatos në marrëdhëniet e tij si klerik në dobi të shqiptarëve në Ballkan, kontribut që për fat të keq nuk ekziston.

 

Zoti Janullatos merret në Shqipëri me bizneset e lobeve pa atdhe me mbështetje të drejtpërdrejt të shovinizmit grek, i cili është binjak i atij serb dhe që të dy janë kundër zhvillimit të kombit shqiptar.

 

Le ta pyetet zotin Janullatos në e njeh pavarësinë e Kosovës apo të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në tokën e tyre me emrin Maqedoni. Të jeni të sigurt se zoti Janullatos nuk do të kthejë përgjigje.

 

Po gjithashtu edhe kisha ortodokse greke, e cila ka një lidhje të pandashme me shtetin, mund të kishte dhënë një kontribut të madh në dobi të paqes me influencën që kryesisht ka në vendet me popullsi sllave. Ndikimi i kishës greke nuk u ndje asgjëkund gjatë gjithë kohës së çmendurisë serbe. Sigurisht që qëndrime të tilla heshtjeje janë qëndrime që nuk i shërbejnë paqes dhe zhvillimit të rajonit.

 

Faktori politik eci me përpara se ai fetar, si për shembull Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua si domosdoshmëri mbrojtje të popullsisë në atë vit të vështirë të luftës, por tani është kthyer në një faktor politik që po ndërton demokraci të qëndrueshme në shtetin më të ri në botë.

 

Po ashtu në Maqedoni. Kthimi i menjëhershëm i faktorit luftarak të drejtë në diplomaci dhe rrugë paqësore është tregues i qartë se ne shqiptarët jemi për paqen dhe zhvillimin në rajon.

 

E parë me syrin kristian dhe si ortodoks shqiptar e çmoj faktorin shqiptar, si në Kosovë dhe atë të Maqedonisë, duke pasur rezerva për shtetin amë, Shqipërinë, ku politikanët më shumë grinden për pozitë karrigesh se sa për aspiratën dhe interesat shqiptare. Shqipëria pa dyshim është zemra e kombit shqiptar dhe çdo gjë që ndodh këtu reflektohet me dëshpërim të madh në trojet e tjera shqiptare.

 

Shteti shqiptar nuk duhet të vazhdojë të bëjë sehirxhiun apo diplomacinë e përgjumur, ku shpesh herë dhe është tërhequr nga qëndrimet politike të drejta që duhej të mbante.

 

Ngjarjet e fundit të ndodhura në Himarë me vrasjen kriminale të djaloshit të ri dhe acarimet politike të qëllimta të diplomacisë greke me angazhim të drejtpërdrejt e të pavend edhe të zotit Janullatos, janë tregues se disa mendësi nuk kanë ndryshuar akoma.

 

Ishte një spekulim dhe ngjyrim politik i turpshëm i qarqeve politike shoviniste dhe antishqiptare. Ne na vjen shumë keq për djaloshin që nuk jeton më dhe i japim bekimin tonë, por nuk mund të lejojmë që një fatkeqësi të shfrytëzohet për trazirë politike.

 

E gjithë kjo lojë bëhet për të krijuar imazhin se Shqipëria është e pasigurt dhe nuk duhet mbështetur nga Perëndimi, sidomos në lëndën e intergrimit që i paraprin liberalizimi i vizave.

 

Vendimi i fundit i Parlamentit Evropian për këtë liberalizim është një fillim i mirë për ti dhënë fund paragjykimeve të padrejta historike kundër shqiptarëve. Veç të tjerave merr fund njëherë e mirë spekulimi për një vizë në ambasada.

 

Të paktën në këtë fushë ndokush nuk ka se ç'të ofrojë më për të gënjyer ortodoksët shqiptarë.Ne do të ecim përpara. Zoti do të na ndihmojë në rrugën tonë të drejtë paqësore dhe progresive.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora