E diele, 28.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Mendime

Qemajl Morina: Sekularizmi dhe religjioziteti

E enjte, 14.10.2010, 07:06 PM


Sekularizmi dhe religjioziteti

 

Nga Qemajl Morina

 

Të premten që shkoi, Prishtina ishte dëshmitare e protestës së dytë të disa organizatave joqeveritare kundër ndalimit të bartjes së shamisë në shkollat publike. Në bazë të asaj që u pa në media, numri i protestuesve ishte më i vogël se ai i protestës së parë të organizuar në muajin qershor. Mirëpo, shihet vendosmëria e protestuesve që të vazhdojnë në kërkesat e tyre. Andaj, pyetja e cila shtrohet para nesh është se deri ku mund të na çojë një tendencë e këtillë, në veçanti kur Kosova është në fazën e rrumbullakimit të procesit të shtetformimit të saj?

Religjioziteti është një trend me përmasa ndërkombëtare, në shumicën e feve dhe popujve të planetit tonë. Ky trend është pak më i theksuar në vendet islamike, por edhe në vendet joislamike ku jetojnë myslimanët. Sipas Fransis Fukajames, kthimi i myslimanëve tek shamia nuk do të thotë “vetëm kthim te feja, por më tepër ka për qëllim rezistencën ndaj sulmeve të vazhdueshme që vijnë nga Perëndimi”.

Por, religjiozitetin nuk duhet kuptuar si një dukuri vetëm te myslimanët. Në disa vende, siç është Izraeli, ai po merr përmasa nacionale. Sa për ilustrim po përmendim kërkesën e kryeministrit izraelit, Benjamin Natanjahu, në bisedime me palestinezët ku po kërkon që vendi i tij të njihet si “shtet i çifutëve”, duke injoruar ekzistencën e më shumë se një milion gjysmë të arabëve, myslimanë e të krishterë, që paraqesin 20% të popullatës së shtetit izraelit.

Dukuria e religjiozitetit është e theksuar edhe në shumë shtete evropiane dhe në SHBA, tek grupet e shumta djathtiste, disa prej të cilave për realizimin e programeve të tyre zgjedhin metodat më ekstreme.

Mbulesa islame sot paraqitet në disa variante: Ligji francez ndalon ferexhenë (mbulesa e tërë fytyrës) në vende publike, për çka parasheh dënimin me të holla. Ministria e Arsimit e Sirisë rekomandon që studenteve me ferexhe të mos u lejohet hyrja në Universitet. Në Turqi, vazhdon të jetë në fuqi ndalimi i shamisë (e jo i ferexhesë), ku Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, proislamike, fitoi në referendumin e fundit për ndryshime kushtetuese, me gjithë frikën nga “islamizimi” i jetës publike.

Këta tre shembuj, nga tre vende të ndryshme, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta, mirëpo ata tregojnë për një lloj ballafaqimi në mes rrymave “sekulare” apo “liberale” dhe të atyre fetare. Këto të fundit, për

të realizuar të drejtën e tyre në lirinë e zgjedhjes së pamjes së tyre, mbështeten në vlerat liberale. Franca ndaloi ferexhenë për shkaqe të sigurisë së vendit nga kërcënimet e terrorizimit. Siria e arsyetoi ndalimin e ferexhesë për shkak të pengesave që ajo parqet në procesin e edukimit dhe në mirëvajtjen e jetës akademike normale në mes mësimdhënësit dhe studentëve të tij. Kurse Turqia me sekularizmin e saj të tipit me ekstrem, për një dekadë qëndroi duke pritur në dyer të Evropës për t’u bërë pjesë e saj, megjithatë kjo nuk u realizua...

Duhet marrë parasysh se shamia dhe ferexheja nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektin fetar, por edhe me ndjenjën e sigurisë dhe të stabilitetit, si dhe të traditave shoqërore. Në Irak, në fillim të invadimit amerikan, numri i grave me shami ishte rritur dukshëm, por ky numër u zvogëlua me stabilitetin e sigurisë në vend. Në Arabinë Saudite bartja e ferexhesë ndryshon prej vendit në vend si dhe pozitës shoqërore të gruas. Ndërkohë që kohëve të fundit nuk janë të paktë zërat që thonë se asaj duhet t’i jepet liria e zgjedhjes.

Në kontekstin kosovar, kjo çështje duhet analizuar në disa aspekte: Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit mbi ndalimin e mbajtjes së “uniformës fetare” në shkollat e mesme e të larta ka shkaktuar jo pak tension në shoqërinë kosovare. Ky udhëzim administrativ, që nuk ka asnjë shpjegim të qartë, të jep përshtypjen që ka për qëllim të penalizojë vetëm besimtarët myslimanë, për çka mund të shfrytëzohet nga ekstremistët për qëllimet e tyre.

Sekularizmi nuk është ateizëm dhe një shtet sekular nuk është shtet ateist.

Nëse çështja e së drejtës për të mbajtur apo mos mbajtur shami në shkolla publike është e diskutueshme, jo më pak i diskutueshëm është edhe vendimi i qeverisë për të ndaluar mbajtjen e shamisë në shkollat publike.

Kosova, ndryshe nga vendet tjera evropiane, historikisht dhe tradicionalisht është konsideruar dhe trajtuar myslimane.

Të nxirren mësime nga shtetet fqinje, që të mos përsëriten gabimet e tyre. Turqia duhet të jetë shembulli më i mirë.

Pushteti ka për obligim t’i trajtojë besimtarët e vet me dinjitet. Nesër mund të jetë vonë nëse këta të fundit e humbin besimin.

Krejt në fund, do të parafrazoj Volterin, i cili thotë: “Nuk e miratoj veshjen tënde, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t’u veshur sipas bindjes”.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora