E diele, 28.04.2024, 08:35 AM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Durrësi dhe keqkuptimet

E diele, 10.10.2010, 07:58 PM


Durrësi dhe keqkuptimet

 

Nga Dorian Koçi

 

Për një lexues shqiptar të letërsisë së antikitetit, kur lexon komedinë romake “Menaechmi” të Plautit përveçse shijimit të humorit të hollë  të veprës gëzon dhe një kënaqësi të veçantë për shkakun se ngjarjet zhvillohen në qytetin e vjetër antik të Durrësit,-Epidamnin apo “Tavernën e Adriatikut” si e thërrisnin në botën antike. Kënaqësia , natyrisht nuk është vetëm e durrsakëve që lexojnë për qytetin e tyre por dhe e gjithë shqiptarëve sepse kështu ata ndihen pjesë e kulturës së gjerë latine, një nga trashëgimitë bazë në krijimin e Evropës moderne.

Komeditë e Plautit quhen ndryshe “komeditë e keqkuptimeve” pasi kanë në themel të tyre si motiv kryesor situatat komike që lindin nga keqkuptimet në marrëdhëniet dhe njohjet njerëzore. Por jo gjithmonë keqkuptimet mund të krijojnë situata komike. Ato shpesh herë mund të hedhin dhe dritëhije mbi situatat duke bërë të mundur që e “qeshura të mos kthehet në të qarë”si thotë shprehja e urtë popullore shqiptare dhe për më tepër të reflektohet që situatat, ngjarjet dhe rrethanat të përmirësohen. Bota latine nuk mund ta pranonte kollaj emrin Epidamnus për Durrësin pasi e lidhnin atë me rrënjën e fjalës latine “damno”-të mallkosh por e vuri atë në qendër të një “komedie keqkuptimi”duke i lënë këtë të fundit dashje pa dashje si “mallkim” që aq shumë u mundua ta shmangte qoftë dhe nëpërmjet ndërrimit të emrit nga Epidamnus në Dyrrah.

Mund të jenë të shumtë “keqkuptimet” në historinë e Durrësit mijëravjeçar që nga koha e romakëve por në shekullin e kaluar dhe në këtë të sotmin dy janë që spikasin më tepër. Së pari Durrësi u shpall kryeqyteti i Shqipërisë që krijuan Fuqitë e mëdha në Londër më 1913, duke u bërë dhe qyteti ku Princ Vidi krijoi administratën e vet dhe ushtroi pushtetin për gjashtë muaj. Por fatkeqësisht sot për sot në gjithë qytetin nuk mund të gjendet qoftë dhe një godinë e vetme që të dëshmojë këtë realitet të fillimit të shekullit të XX. Kjo gjë natyrisht që të trishton pasi nuk bëhet fjalë për një periudhë shumë të largët, por të njëjtën kohë është dhe një kambanë alarmi për të kuptuar se trashëgimia historike e shqiptarëve nuk mund të gjendet e përjetësuar vetëm në veprat të huajve si është komedia e Plautit por duhet ruajtur dhe vlerësuar nga vetë qytetarët dhe opinioni publik vendas si vlerë e patjetërsueshme në thesarin kulturor-shpirtëror të një vendi. Durrësi dhe trashëgimia historike e tij në të kaluarën por për fat të keq dhe në të sotmen vazhdojnë të jenë të kërcënuar nga moderniteti i shfaqur shëmtueshëm nga ndërtimet pa kriter ku në emër të dëshirës për tu “zhvilluar” është duke u shkatërruar e shkuara e qytetit e memorizuar dhe në godinat që tashmë nuk ekzistojnë më.

Së dyti, Durrësi pretendohet që është  një nga potencialet kryesore të zhvillimit turistik të vendit por në realitet është shumë larg nga titulli që gëzonte në botën antike ‘Taverna e Adriatikut” nëse krahasohet me qytetet e tjera të Adriatikut. Natyrisht që në këtë krahasim midis brigjeve të Adriatikut zënë një rol të veçantë dhe faktorë të tjerë historiko-socialë por ajo që ka qenë në duart e administratës së pushtetit lokal të Durrësit si pastrimi i territorit, sigurimi i ujit të pijshëm , kanalizimet dhe sistemimet e mbetjeve urbane etj nuk mund të thuhet se kanë qenë më e mira e mundshme. Kaosi urban që ekziston gjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit i ka humbur origjinalitetin e dikurshëm duke e kthyer nga një qytet i këndshëm për të pushuar në një tollovi të çrregullt që kërkon mund dhe pasion për ta ndrequr.

 Qeverisjet moderne nënkuptojnë dhe pjesëmarrjen e drejtë për së drejtë të qytetarëve në qeverisje jo vetëm përmes votimeve por dhe krijimit të grupeve të organizuara të tyre për të çuar përpara kauza të drejta. Ka ardhur koha që qytetarët e Durrësit të krijojnë këto grupe kauze për trashëgiminë kulturore, ambientin e turizmin në mënyrë që të ushtrojnë presion pozitiv  ndaj administratës lokale dhe të mos e lënë fatin e qytetit mijëravjeçar të tyre në llogaritjet apo pazaret elektorale që bëhen çdo katër vjet.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora