E diele, 28.04.2024, 01:56 AM (GMT+1)

Mendime

Alba Malltezi: Majlinda Bregu, trëndafili i vyshkur në okielon e kryeministrit

E diele, 10.10.2010, 09:09 AM


Majlinda Bregu, trëndafili i vyshkur në okielon e kryeministrit

 

Nga Alba Malltezi

 

Eshtë vetëm një grua në kabinetin e kryeministrit Berisha. Majlinda Bregu, ministrja për Integrimin e Shqipërisë në BE. Një nënë e re, ish-gazetare e pedagoge ambicioze dhe e zonja. Ministrja Bregu, është lulja në okielon e kostumit shik kryeministror, një lule, që po vyshket dita-ditës nën peshën e dyshimeve të forta për korrupsion e lidhje flagrante me organizata mafioze. Kryeministri hesht, siç nuk do të kishte heshtur kurrë në gjithë këto vite duke quajtur mafioz cilindo. Hesht, ndërsa sheh të rrëshkasë nga okielo e kostumit të tij, trëndafilin e vetëm rozë të qeverisë së arnuar me individë aq të gërryer moralisht, saqë, të vënë kundër diellit, do të ngjanin me një djath zviceran plot vrima. Njeriu, kryeministri, që njeh e përmend biografinë e të gjithëve, nuk don të pranojë e të shohë se sa kollaj po bëhen milionerë eurosh e pronarë apartamentesh ministrat e tij me një rrogë pak më shumë se një mijë euro në muaj.

C’lidhje ka një ministër, një minsitre më motrën, vëllain, kunatin? Dëgjojmë të thuhet shpesh sot. Do të ishte një pyetje e drejtë, nëse qëndrojmë në logjikën se jemi një popull budalla me pak të zgjuar që na drejtojnë. Por kështu nuk është. Të detyruar të deklarojnë pasurinë ata, ministrat dhe bashkëshortët e bashkëshortet, epidemia e korrupsionit dhe e lidhjeve me burimet e paligjshme dhe të pisëta, po na mësojnë, se kalon pikërisht aty: në brezin e motrave, kunetërve, por jo më larg, sepse më larg, paratë kushedi ku do të shkonin e treteshin në mënyrë të pakontrollueshme.

Në Shqipërinë patriarkale, po dëgjojmë të thonë se motra nuk takohet prej muajsh me motrën e kunati me kunatën. Por si me magji, populli i kunatave e kunetërve lulëzon e pasurohet, merr hidrocentrale e kazino, tamam në kohën e kunatës apo kunatit ministër. Më parë, nuk ekzistojnë. Më parë, vuanin dënimet në burg për trafik droge apo prisnin rrogën për spektaklin e radhës.

Dhe siç ndodh në manualet më të sofistikuara politikë-mafia: Sulmohen ata që akuzojnë! Qeveria, në vend që të japë llogari për aferat, individët, e lidhjet e pisëta, hidhet në sulm ajo: Siç në Itali bëjnë politikanët e kalbur, ata që mbijetojnë falë politikës për të shpëtuar nga proceset e pasurive të tyre të paligjshme. A ka një shpëtim nga kjo kënetë korrupsioni? E kam thënë dhe herë të tjera e s’lodhem ta përsëris: Vetëm dinjiteti, pavarësia e Drejtësisë dhe e Mediave, kurajoja për t’i thënë një Mafiozi: “Hesht, se po vjedh bukën e të moshuarve dhe fëmijëve! Ndryshe nga Italia, ku plakja e popullsisë do të largojë me ligjet e natyrës mamuthët e vërtetë të mafias-politikë, në Shqipëri, jemi të rinj për të pritur të tërhiqen vetë trëndafilat e vyshkur të korrupsionit.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora