E shtune, 27.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Mendime

Denar Bibia: I keqi i vetvetes

E shtune, 09.10.2010, 07:00 PM


I keqi i vetvetes

 

Nga DENAR BIBIA

 

I përndritshmi At Zef Pllumi, në memuarin e tij memorial "Rrno për me tregue", në faqen 656 bën një deduksion të cilin nuk e kam hasur më parë gjetiu dhe e kam të padëgjuar deri më sot. At Zefi, ndërsa shkruan për përjetimin e tij nga burgu të marrëdhënies Shqipëri-Kinë...

hap shtegun për një pyetje të madhe, të cilës ai fatkeqësisht i përgjigjet jashtëzakonisht shumë shkurt: përse u prishëm me Bashkimin Sovjetik, përse u ndamë nga "vëllau i madh", nga "atdheu i komunizmës", pikërisht atëherë kur atje filloi revizionimi i dogmës, situatë që (potencialisht) mund të kishte sjellë njëfarë fryme liberale dhe me pasoja pozitive në vend? At Zefi thotë tekstualisht: "Në vjetin 1960, mbasi shteti komunist për 50 vjet rresht kishte kalue nga orbita e Beogradit, n'atë të Moskës, po edhe aty nuk kishte kërçik që të ecte me hapin e Evropës lindore, u shkëput andej dhe kaloi n'Azinë e largët. Pothuej 20 vjet kinezëri shqiptare. Kulmi i dëshpërimit!".

Duke lënë mënjane shpjegimet sipërfaqësore, 'prima facie", sepse me thonë diçka për dikë, dikur, por asgjë për të gjithë, sot, shqetësimi im është tek "kërçiku", e thënë ndryshe në leksikun modern "kapaciteti intelektual" i popullit, të cilit i përkas për të ndjekur evolucionin dhe për t'i qëndruar atij.

Perse iu hodhëm në prehër Kinës aziatike? A nuk mund të bënim edhe ne urtë e butë e pa u ndjerë si Rumania, Bullgaria, apo akoma më mirë Jugosllavia e Titos (duke qëndruar gjithaq komunistë, helbete)? Pyetja që më mundon nuk është "a dëshironim?", sepse kjo tashmë ka të bëjë me një fakt të kryer, por "a mundeshim dot?" (edhe në hipotezën se dëshironim). Dhe sa më lart, më shqetëson posaçërisht në kontekstin aktual, sepse sot, ndërsa mund t'i përgjigjem pozitivisht pyetjes "a duam ne të ndërtojmë demokraci?" apo "a duam ne të jemi si gjithë Europa?", vazhdoj të vuaj prej pamundësisë për të kuptuar nëse mundemi realisht të ndërtojmë demokraci dhe të jemi si gjithë Europa... apo thjesht rrojmë për inerci të ngjarjeve, nëpër vite.

Dhe këtu diskutimi vjen e zbret në cilësinë e popullit shqiptar dhe në koincidencën e tij për të gabuar, e më pas në aftësinë për të mësuar nga gabimi.

Por a gabojnë popujt? Duke i qëndruar sërish memuarit "Rrno për me tregue", unë kujtoj se një nga habitë dhe keqardhjet më të mëdha të At Zefit ishin turmat popullore që mbushnin rrugët dhe kinematë, ku tërhiqeshin zvarrë prelatët e katolicizmit shqiptar, ku pështyheshin e shaheshin si Jezusi 2000 vjet kaluar, ku dënoheshin me vdekje... Në fillimet e veta, libri tenton t'i justifikojë, por me kalimin e faqeve (alias viteve) e sheh lehtë se edhe At Zefi e pranon shpërfytyrimin e individit shqiptar (të gjithë bashkë individët bëjnë popullin, apo pjesë të konsiderueshme të tij).

A ju kujtohet nga historia populli i Jerusalemit, që në vend të simbolit të shkëlqyer të mirësisë njerëzore - Jezusit, zgjodhi të shpëtoje nga kryqëzimi një horr të fëlliqur si Baraban? A ju kujtohet se kush e çoi drejt vdekjes Sokratin? Populli mitik i Athinës e bëri dhe pothuajse me shumicë dërmuese (mbi 300 nga 501 anëtaret e jurisë votuan për dënimin e tij). Athina, atë kohë kishte diçka tek 40.000 qytetarë, nga të cilët vetëm 4000 ishin meshkuj të rritur, pra me të drejtë vote në asamble dhe pjesëmarrje në jetën publike. Dhe a ju kujtohet përse? Për korruptim të rinisë së Athinës (studentëve të tij) me frymën e mosbesimit tek perënditë. Për kritikën e vazhdueshme ndaj bashkëqytetarëve të tij përsa i përket rendjes së tyre ndaj parasë, duke zvetënuar vlerat morale. Qytetarët e Athinës, të asaj Athine që na la "peshqesh" demokracinë, votuan për vrasjen e atij që Platoni e quante "më të drejtin dhe më të mençmin ndërmjet njerëzve". A gabojnë ndonjëherë popujt? Në vitin (jo aq të largët) 1932, populli i ndriçuar gjerman, me votë të lirë solli si forcën më të madhe (ndonjëherë) në Parlamentin gjerman Partinë Nacional Socialiste të Punëtorëve Gjermanë (alias nazistët).

Atë që ndodhi më pas nuk po e komentoj. Po çfarë është populli? E çfarë tjetër veçse shumësia e të gjithë individëve brenda një shteti (kryesisht). Në këtë kontekst, duket pa sens të pyesësh "a gabon populli?", sepse gabimi është gjithmonë individual, bashkëpunimi është thjesht rrethanë rënduese dhe në varësi të pasojës së ardhur nga ndërmarrja e një veprimi të gabuar, gabimi i shumë njerëzve e bën të rëndë, apo shumë të rëndë përgjegjësinë. Individët manipulohen, turmat akoma më lehtë. A ka faj populli, apo vetëm udhëheqësit e tij (të zgjedhur ose jo)? Të thuash që populli është i pagabueshëm dhe "a priori" i pavesuar, kjo është tepër sempliste dhe naive, madje kjo është ajo që, në një mënyrë a një tjetër na çliron nga çfarëdolloj përgjegjësie mbi atë çka ka ndodhur, ndodh a pritet të ndodhë, duke e projektuar të keqen diku tjetër, kryesisht tek lidershipi (shumë më lehtë kur ai ka ardhur në pushtet "jo me votën e lirë", - ndonëse p.sh. në rastin ardhjes së përfaqësuesve të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar - alias komunistëve - në pushtet, në 1946, debati sërish mbetet i hapur, pasi me gjithë manipulimet, pranohet se populli(!), në shumicë votoi për ta dhe jo për ata "të tjerët": nacionalistët, intelektualët...). Sentenca "Populli nuk ka kurrë faj" më kujton çdo fëmije që, ndërsa përballet me qortimin/ndëshkimin e prindit për një sjellje të keqe, mundohet të mbrohet me argumentin se "me mua ishte edhe Genci, Vjollca dhe Altini". Pra, nuk isha vetëm, por me shokë, "ishim i gjithë populli i fëmijëve të pallatit", ndaj faji bëhet më i lehtë. Me këtë logjikë, sa më shumë fëmijë të kenë kryer atë akt, aq më shumë davaritet ndjenja e fajit e madje faji vetë. Por jo në fakt! Më kujtohet drama "Armiku i popullit" nga Henrik Ibsen. Personazhi kryesor i saj, një mjek, është një qytetar i devotshëm që u thotë të gjithë të tjerëve të vërtetën në sy. Ai, ndonëse qëndronte në krah të së drejtës, u braktis nga miqtë e tij dhe u fye e denigrua, u quajt "armik i popullit" nga turmat e qorrepsura prej demagogëve. "Njeriu më i fortë në botë është ai njeri që qëndron edhe i vetëm", - është postulati i paharrueshëm i kësaj vepre, që edhe pse një produkt letrar, është një pasqyrë e gjallë e iracionalitetit të masave popullore. Për të ardhur tek shqetësimi i parë, besoj se, nëse nuk operojmë bazuar në standarde të njohura dhe të konsoliduara, rrezikojmë shumë. Demokracia perëndimore (me dallimet e veta në segmentin sidoqoftë unik Europë - ShBA) është e tillë si një produkt spontan qindravjeçar, ndërkohë që adoptimi i kësaj filozofie shtetformuese nga vende si Shqipëria në 1990 nuk ishte veçse një zgjedhje e detyruar, produkt i eksperiencës së të tjerëve, për aq sa tradita jonë historike ofronte veç diktatura. Demokracia "made in Albania" (Kosova, Maqedonia, etj) mund të jetë edhe një demokraturë (gjysmë demokraci) apo diktablanda (diktaturë e butë), e cila na shitet për variantin më të mirë të mundshëm që ne shqiptaret (sikundër maqedonasit etj.) dimë të bëjmë.

Kur gjykoj mbi përputhshmërinë e shqiptarëve me demokracinë, ky gjykim ngrihet mbi të tashmen, e cila sidoqoftë dallon pozitivisht nga e kaluara (qoftë edhe ajo e afërta: 1990). Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që unë mendoj se ne asnjëherë nuk do të jemi në gjendje të ndërtojmë demokracinë. Dallimet esenciale dhe elementë të tjerë të kulturës sonë që na bëjnë të jemi shqiptarë dhe jo fjala vjen danezë, francezë, australianë apo zviceranë, do të japin pikërisht atë efekt në sistem që japin edhe gjetiu (pasi p.sh. dallon në elementë të veçantë jo thelbësorë, por megjithatë të paneglizhueshëm nga mënyra se si është implementuar demokracia, ekonomia e tregut dhe shteti i së drejtës në Holandë apo në Itali, në Greqi apo në Kanada).

Në shtetet e mirëformuara, ku forma e qeverisjes është ajo e demokracive kushtetuese, mbështetur mbi parimet republikane (paçka se ndonjë prej tyre "de jure" paraqitet si monarki), elementi më i spikatur që dallon popullin përkatës nga ai shqiptar është vetëdija e të parit se ai është sovrani dhe se ekziston një kontratë mes tij dhe lidershipit, kontratë që mbahet gjithmonë parasysh nga të dyja palët, e që zgjidhet në rastin më të parë - në respekt të rregullimeve të parashikuara, kur lidershipi dështon në zgjedhjet e adoptuara prej tij. Në vijim, kësaj kontrate i shtohet edhe klima e besimit reciprok, e ndërtuar në vite, si dhe një elitë shoqërore që kryen një rol të pazëvendësueshëm në ndriçimin e të zakonshmëve.

Është një konstatim i imi, të cilit i qëndroj me bindje, se vetëdija e mësipërme nuk është pjesë koshiencës së individit shqiptar, i cili ende nuk shfaqet me dimensionin e tij civik si një homos politicus.

Në këtë pikë, problemi që më shqetëson merr përmasa reale dhe shndërrohet në "kur dhe çfarë duhet bërë" për ta përshpejtuar procesin?

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora