E shtune, 27.04.2024, 07:00 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Londra 2 e Koço Danajt në Top show të Alban Dudushit

E shtune, 09.10.2010, 07:57 PM


Londra 2 e Koço Danajt në Top show të Alban Dudushit

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Pas njëqind vitesh studiuesit do të thonë se Londra 2 (Konferenca e Dytë e Londrës, duke iu referuar asaj të vitit 1912-1913), u mbajt në Top Show në Alban Dudushit në 6 tetor 2010, kur temë e emisionit ishte Shqipëria Natyrale dhe i ftuar Koço Danaj!

Koço Danaj pretendon se në njëqind vjetorin e Konferencës së Londrës, do të mbahet në Londër një konferencë tjetër e cila do të ndreqë padrejtësitë që iu bënë shqiptarëve në Konferencën e parë të Londrës. Nonsens. Derisa historia është e mbushur me ngjarje të llojit deja vu, kjo nuk mund të thuhet për atë që mund të quhet burokracia e historisë, do të thotë diplomacia ndërkombëtare. I vetmi rast i këtij lloji është armëpushimi mes Francës dhe Gjermanisë i arritur në Compiegne në vitin 1940, në të njëjtin vend ku kishte ndodhur në vitin 1918. Por edhe kjo ndodhi pasi Gjermania e mundi Francën në luftë.

Në thelb të teorisë së Koço Danajt është ideja e gabuar se disa nga fuqitë e mëdha, si SHBA-të dhe Britania e Madhe, kanë filluar të kenë filantropinë si parim të politikës së tyre të jashtme, së paku në raste të caktuara. Koço Danaj, në Top Show tha maksimën se nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme, por pa e përmendur se cili e ka thënë këtë.  E pra, edhe pse kjo thënie shpesh i atribuohet De Gaulle (De Gol), atë e ka thënë së pari Lordi Palmerston, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 1855-1858 dhe 1859-1865, si dhe ministër i Punëve të Jashtme për 15 vite, vitet 1830-1851. Thënia e plotë e Lordit Palmerston është: “Ne nuk kemi aleatë të përjetshëm, ne nuk kemi armiq të përhershëm. Interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme dhe është detyra jonë që t’ i ndjekim këto interesa”.

Nga kjo pikëpamje lind pyetja se a është çështja shqiptare, do të thotë bashkimi i trojeve shqiptarë në një shtet të vetëm, një interes nëse jo i përjetshëm, së paku afatgjatë i fuqive anglosaksone, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Një gjë është e sigurt, se nuk është e vërtetë ajo çka thotë Koço Danaj se fuqitë e mëdha këtë herë kanë vendosur që ta qetësojnë përfundimisht Ballkanin. Duke thënë këtë, Koço Danaj tregon se nuk e ka kuptuar thelbin e interesit amerikan, por edhe britanik në Europën kontinentale dhe Ballkan. Paqësimi dhe qetësimi përfundimisht i Ballkanit nuk është një interes amerikan, madje as britanik, për shkak se prania ushtarake amerikane në Europën e pas Luftës së Ftohtë justifikohet pikërisht me paaftësinë e vendeve europiane për të përballuar sfidat e sigurisë në kontinentin e vjetër. Ballkani, në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, është ajo pikë ku më së shumti është bazuar ky pretendim amerikan për të bërë garantin e sigurisë së Europës. Paqësimi dhe qetësimi i Ballkanit nuk është as një interes britanik se Britania e Madhe e ka parë gjithëherë ekzistencën e problemeve të tilla për fuqitë kontinentale europiane, si një situatë kur fuqia britanike del më në pah.

Arsyeja e intervenimit ushtarak perëndimor, promotorri i të cilit qenë SHBA-të dhe Britania e Madhe, në fillim në Bosnjë-Herzegovinë dhe pastaj në Kosovë, në vitet nëntëdhjetë, ishte që në perspektivë të krijoheshin praktikisht pesë shtete të reja të dobta dhe problematike. Këto qenë tre tre entitetet faktike etnike të Bosnjë-Herzegovinës, të cilat ekzistojnë falë ndarjes së vendit në kantone mbi bazën e parimit etnik. Edhe shkëputja e Kosovës nga Serbia falë intervenimit të NATO, çoi në krijimin e dy entiteteve faktike, Kosovës së Jugut dhe Kosovës së Veriut, me kufi në lumin Ibër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërhyrjen ndërkombëtare në Maqedoni pas luftës së vitit 2001, e cila praktikisht çoi në krijimin e dy entiteteve etnike në vend, atë sllavo-maqedon dhe atë shqiptar, çka e bëri Maqedoninë edhe më të brishtë se sa ishte, pa e zgjidhur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ky realitet gjeopolitik mund të ndryshojë vetëm nëse SHBA-të konsiderojnë se, krijimi i shteteve të bashkuara nacionale do të jetë kompatibël, në njëfarë mënyre, me strategjinë amerikane që Ballkani të mbetet një regjion problematik për sigurinë e Europës. Vetëm në këtë pikëpamje SHBA-të do të sponsorojnë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Pra, ironikisht, interesi i SHBA-ve nuk është një shtet i bashkuar nacional shqiptar, i cili të qetësoje Ballkanin, siç thotë Koço Danaj, por pikërisht e kundërta, që ta trazojë Ballkanin. Kjo do të thotë se në kalkulusin amerikan, përmbushja e aspiratës historike shqiptare për bashkimin nacional, do duhet të sponsorohet ose jo, varësisht potencialit shqiptar për të trazuar Ballkanin.

Londra 1, ajo e vitit 1912-1913, nuk bëri gjë tjetër veçse saktësoi fushëbetejën se ku do të fillonte lufta e madhe e fuqive të mëdha, e cila fushëbetejë ishte Ballkani. Nëse do të ketë Londër 2, ose më saktë diçka pak a shumë të ngjashme me të, diku dikur, ajo do të mblidhet vetëm për të saktësuar fushën e re të minuar gjeopolitike në oborrin e Europës, e cila kërkon asistencë amerikane për t’ u mbajtur nën kontroll.

Nëse doni të krijoni një indeks të interesit amerikan për një çështje të caktuar gjeopolitike, shikoni qëndrimin britanik. Britania e Madhe është shumë e ndjeshme për të vepruar me shpejtësi, si kur interesi amerikan për një çështje të tillë është në kulmin e vet, ashtu edhe kur ky interes bie. Në vitin 1999, kur u vendos KFOR në Kosovë, nga 50 mijë ushtarë të KFOR, 19 mijë, pra, 26% qenë britanikë. Sot në Kosovë ka vetëm 5 (pesë) ushtarë britanikë! Pse janë pikërisht pesë, mund të bëhet pyetja. Ndoshta sepse në atë vargun e këngës së famshme të ushtrisë britanike, “British Grenadiers” përsëritet pesë herë fjala “row” (rresht) dhe në Kosovë ka një ushtar britanik për çdo “rresht”:

“With a tow, row, row, row, row, row, to the British Grenadiers”.

Derisa në Kosovë ndodh kështu, në Republikën e Shqipërisë ambasada britanike ka një personel më të vogël se të ambasadës së Danimarkës. A do të kishte Britania e Madhe në Tiranë një personel diplomatik më të vogël se të Danimarkës, nëse do të ishte duke u përgatitur një Londër 2. Natyrisht se jo. Por ka një gjë që të intrigon, ambasadorja britanike në Shqipëri Fiona McIlwham është e martuar me një diplomat të ambasadës daneze në Tiranë, saktësisht me shefin e stacionit të Tiranës të shërbimit inteligjent danez. Shqiptarët nuk ia dinë as emrin shërbimit inteligjent danez e megjithatë në Tiranë ka një qendër të shërbimit inteligjent danez, sado e çuditshme që të duket kjo. Se me çfarë dreqin merret shërbimi inteligjent danez në Shqipëri kjo është një çështje që meriton një analizë më të hollësishme një herë tjetër.

Gjithsesi, historia e marrëdhënieve britaniko-daneze, ka precedentë që duhet të na kthjellojnë mbi marrëdhëniet me fuqitë e mëdha anglo-saksone. Në vitin 1807, kur Britania e Madhe pa se ishte e pamundur që Danimarka të bënte rolin strategjik si aleate e Britanisë së Madhe kundër aleancës franko-ruse, atëherë flota britanike e msyu Danimarkën, bombardoi për disa ditë kryeqytetin e saj, Kopenhagen, dhe konfiskoi krejt flotën ushtarake daneze, saktësisht 69 anije, pasi shkatërroi shumë të tjera. Prej kësaj ngjarjeje është krijuar në anglisht folja “To Copenhagen”, si një term politiko-ushtarak. A mund të thuhet se martesa e një ambasadoreje britanike me një ersatz-diplomat danez dhe qenia e tyre në të njëjtin kryeqytet, është një lloj hakmarrjeje e vonuar për Danimarkën, për poshtërimin që britanikët i bënë në vitin 1807. Një nga anijet e konfiskuara daneze, që iu shtua flotës ushtarake britanike quhej “Venus”, pra me emrin e perëndeshës së dashurisë. Nejse, histori të shkuara dhe sot, bie fjala, ambasadori danez do të ishte i lumtur të gjendej çdo ditë me shpinë nga një rresht i british grenadiers. Ajo që është e sigurt dhe që vjen si mësim nga kjo ngjarje e hershme është se marrëdhëniet me fuqitë e mëdha mund të marrin drejtime të paparashikuara, derisa këto veprojnë mbi bazën e interesit.

Qëndrimi i Britanisë së Madhe ka shumë rëndësi edhe në një aspekt tjetër të cilin na e ka bërë me dije ambasada amerikane në Tiranë. Në vitin 2004 në Tiranë është botuar libri i Bernard Lewis “Lindja e Turqisë moderne”. Botimi në shqip i këtij libri mban shënimin “Botimi i këtij libri u mundësua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë”. Ndërsa botuesi shqiptar, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, e drejtuar nga Piro Misha ka vënë shënimin: “Ky libër është pjesë e projektit të historisë”. Bukur! Në libër thuhet se në gjysmën e dytë të shekullit XIX:

“Nga një raport që iu paraqit Sulltan Abdylhamidit”, duket se është bërë një përpjekje për të bindur llozhat gjermane dhe angleze, kryetarët e të cilave ishin përkatësisht Perandori Wilhelm dhe Princi i Uellsit, që të përdornin ndikimin e tyre dhe të siguronin ndërhyrjen e ambasadorit gjerman dhe atij britanike në Stamboll, në favor të Muratit”. (Bernard Leëis, “Lindja e Turqisë moderne”, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2004, f. 207)

Bernard Lewis nuk është një autor i zhanrit të teorive të konspiracionit, por mbahet si një autoritet i klasit të parë në çështjet që kanë të bëjnë me historinë e Islamit dhe të Turqisë. Libri në fjalë i tij nuk është botuar nga ndonjë shtëpi botuese që boton literaturë të llojit të teorive të konspiracionit, por nga Universiteti i Oxford, në vitin 1961. E pra, në librin e këtij autori, të cilin ambasada amerikane në Tiranë ua ofron shqiptarëve si libër me anë të të cilit mund të njihet historia, na thuhet se llozha masonike e Londrës kryesohej nga Princi i Wales (Uells), do të thotë trashëgimtari i fronit britanik (Trashëgimtari i fronit në Britaninë e Madhe mban titullin e Princit të Wellsit) dhe se ishte e involvuar në politikën e jashtme. Derisa ngjarja për të cilën flet Lewis ka ndodhur në vitin 1878 nuk është e vështirë që të identifikohet kryetari i llozhës. Princi i Wales në atë kohë ka qenë djali i mbretëreshës Victoria, Albert Edward, i cili mbajti titullin e Princit të Wales nga lindja, në vitin 841 derisa u bë mbret, në 1901, si Edward VII (1901-1910). Në vitin 1878, Princi i Wales, Albert Edward ishte 37 vjeç. Fakti që kryetari i Llozhës Masonike të Londrës ishte dhe është trashëgimtari i fronit britanik, tregon marrëdhëniet e ngushta të Kurorës, do të thotë të shtetit britanik me këtë llozhë masonike, e cila është më e rëndësishmja në botë.

Përse duhen të gjitha këto, mund të pyesë Koço Danaj. E pra, nuk mund ta anlizosh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen pa konsideruar impaktin e masonerisë ndërkombëtare, posaçërisht të llozhave relevante si ajo e Londrës. Që të mos i konsiderosh ato është një lloj si të analizosh Mesjetën dhe feudalizmin pa folur për aristokracinë! Se masoneria është aristokracia e demokracisë. A mund të mendohet se llozhat masonike, dhe në rradhë të parë ajo e Londrës nuk do të kenë impakt në ndryshimet gjeopolitike në Ballkan. E vështirë të besohet. Pyetja është se çfarë lloj ndikimi do të kenë dhe në favor të kujt. A do të jetë ky ndikim në favor të shqiptarëve, apo kundër nesh. Kjo pyetje kërkon një analizë të thellë e cila nuk i përket këtij shkrimi.

Një gjë është e sigurt, analiza e thelluar mungoi në emisionin Top show për Shqipërinë Natyrale. Derisa isha duke e përcjellë emisionin po mendoja se si është e mundur që flasin kështu këta njerëz, a mos ndoshta janë të pajisur me ndonjë manual për të folur marrëzira, i cili më është i panjohur mua. Ndoshta duhet t’ ua kërkoj se kam filluar të mërzitem dukë bërë atë që duket më i zgjuar se të tjerët.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora