E shtune, 27.04.2024, 10:17 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: SHBA & BE me Shqipërinë, sfidojnë binomin paranojak Rama-Ruçi

E diele, 10.10.2010, 07:18 PM


SHBA & BE ME SHQIPËRINË, SFIDOJNË BINOMIN PARANOJAK RAMA-RUÇI

 

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

Në një klimë mizerabël të marrëdhënieve midis maxhorancës dhe opozitës, ku opozita ka bërë gjithçka për të diskredituar qeverisjen aktuale në Tiranë,  Parlamenti Evropian sot pak pas mesditës votoi me një shumicë të thellë  liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Konkretisht, raporti i paraqitur nga europarlamentarja Tanja Fajon për dy vendet e Evropës Juglindore, është miratuar me 538 vota pro dhe 47 kundër.

 

Në raportin e zonjës Tanja Fajon në Parlamentin Evropian, krejt ndryshe nga sa ka manipuluar opozita në Shqipëri, theksohet se "Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina i kanë përmbushur tre kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe se ato do të vazhdojnë të monitorohen për pjesën e mbetur të përpjekjeve që duhet të bëjnë."

 

Lajmi i mbërritur nga Parlamenti Evropian i përgënjeshtroi të gjitha spekulimet që kishin bërë sistematikisht televizionet në Tiranë pranë PS-së, të cilat kishin rreth një javë që propagandonin se Parlamenti Evropian sot do të votonte kundër liberalizimit të vizave.

 

Me kuisjet e tyre të zvargura, televizionet e Tiranës pranë PS-së, këtyre ditëve, iu kanë bërë jehonë atyre 47 parlamentarëve që votuan kundër, duke u rreshtuar edhe ata kundër ëndërrës së shqiptarëve, njërit prej kombeve më të lashtë në Evropë, për të lëvizur të lirë në Evropën e lirë e demokratike.

 

Liria e lëvizjes ose e drejta e lëvizjes është një e drejtë njerëzore, është një e drejtë universale e njeriut, që shqiptarëve u ishte ndaluar gjatë diktaturës për shkak të izolimit total që kish imponuar regjimi stalinist, dhe mjerisht iu ishte kufizuar edhe gjatë dy dekadave tranzicion.

 

Dhe ndërsa Parlamenti Evropian përgatitej për të votuar raportin e Tanja Fajonit, sllovakes më të bukur të Evropës, raport që u hapte rrugën shqiptarëve në Zonën Schengen,  lidershipi i PS me në krye Ed Ramën dhe Gramoz Ruçin përgatiteshin ta fusinin rishtaz elektoratin e tyre në demonstrata të reja për të përmbysur qeverisjen aktuale.

 

Parlamenti Evropian do të votonte liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjen, ndërsa  PS e Shqipërisë nuk do të votonte Ligjin për Gjykatat Administrative, megjithë interesimin e drejtpërdrejtë nga SHBA, pasi ligji ishte në funksion të luftës kundër korrupsionit, për të përmirësuar transparencën në sistemin gjyqësor, për të përforcuar sundimin e ligjit, për të rritur besimin e qytetarëve ndaj institutioneve publike, si dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian.

 

Mosvotimi i këtij Ligji do të thotë se lidërshipi i PS ishte kundër ligjit që luftonte korrupsionin; se lidërshipi i PS ishte kundër përmirësimit të transparencës në sistemin gjyqsor; se lidërshipi i PS ishte kundër forcimit të sundimit të ligjit; që do të thotë se lidërshipi i PS ishte kundër rritjes të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike...

 

Ed Rama e Gramos Ruçi kanë lajmëruar se më 15 tetor do të rifillojnë demonstratat kundër qeverisë të Tiranës, reformat e së cilës ia ka njohur Parlamenti Evropian që votoi sot më 7 Tetor raportin për liberalizmin e vizave për Shqipërinë e Bosnjen.

 

Pas mosvotimi të Ligjit për Gjykatat Administrative nga ana e PS-së,  Ambasada e SHBA në Tiranë do të shprehte mirënjohjen për maxhorancën që ishte për kalimin e ligjit, dhe zhgënjimin për opozitën, të cilën dje Andi Bejta, gazetari që i mori intervistë Presidentit Geroge W.Bush në prag të vizitës së tij historike në Shqipëri, në qershorin e 2007, do ta krahasonte me Hamasin.

 

Një gjë është e qartë, se nëse BE nuk do ta votonte sot raportin, Ed Rama dhe Gramoz Ruçi do të organizonin në Shqipëri diçka të ngjashme me trazirat e 1997, por votimi me shumicë në Parlamentin Evropian për liberalizmin e vizave, duhet të shërbejë për një përmbysje të mentalitetit dhe paranojës së binomit të lidërshipit aktual të opozitës i cili synon t'i çojë në qorrsokak shqiptarët.

 

O sot o kurrë opozita në Shqipëri ka nevojë për një lidërship të reformuar e të moderuar, i cili si tek maxhoranca shqiptare, ashtu dhe tek SHBA e BE duhet të gjejnë aleatët e tyre, dhe jo t'i trajtojë ata si në kohën e diktaturës apo Luftës së Ftohtë. Shqipërisë i duhet një opozitë që me maxhorancën të jetë në një harmoni bipartizane, ndërsa me aleatët e shqiptarëve në rezonancë interesash të përbashkëta integruese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora