E diele, 28.04.2024, 01:33 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Ilir Meta, Psikobiografia e një politikaxhiu që nuk u bë dot politikan

E marte, 12.10.2010, 09:58 PM


Ilir Meta, Psikobiografia e një politikaxhiu që nuk u bë dot politikan 

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Psikobiografia është një nëndegë e veçantë e zhanrit të biografive së njerëzve të shquar, e cila e kqyr veprimtarinë e tyre duke u bazuar tek formësimi i personalitetit të tyre, tek psikoanaliza e tyre. Kur personi për të cilin bëhet psikobiografia është politikan, atëherë autori psikobiograf nuk mjafton që të jetë psikolog, ai duhet të ketë dhe njohuri për politikën dhe fusha të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë e subjektit për të cilin po shkruhet psikobiografia. Prandaj psikobiografia është kaq pak e ushtruar dhe Ilir Meta është praktikisht politikani i parë shqiptar të cilit po i shkruhet psikobiografia. Natyrisht se për mua kjo është një sprovë në psikobiografi dhe Ilir Meta më duket një njeri shumë i përshtatshëm për këtë.

Ilir Meta është me origjinë nga Skrapari, ku edhe ka lindur. Skrapari është “Tropoja” e Shqipërisë së Jugut. Kjo së pari për faktin se Skrapari është një zonë malore si Tropoja. Aq zonë malore është Skrapari sa vitin e kaluar, deputeti i PS, Fidel Ylli, ka deklaruar në emisionin Zonë e Lirë të Arian Çanit, se në kohën e Luftës së Dytë Botërore gjermanët u nisën për në fshatin e tij dhe nuk arritën që ta gjejnë dot rrugën për në fshat. E të mendosh se fshati i Fidel Yllit, Leshnja, është shumë më afër se Çepani prej rrugës Çorovodë-Berat nga ku vinin gjermanët. Merret me mend, gjermanët as që kanë provuar ta gjejnë fshatin e Ilir Metës, edhe pse ky pretendon se atje është bërë luftë e madhe kundër tyre. Skrapari, ashtu si Tropoja ka qenë një zonë përgjithësisht e izoluar pasi nga tre anët qe i rrethuar me zona malore të rretheve Berat, Gramsh, Përmet dhe Korçë. Ashtu si Tropoja edhe Skrapari ishte një krijesë artificiale administrative se territori malor i tij ndahej nga lumenj të rrëmbyeshëm, gjë që formonte praktikisht krahina që me vështirësi komunikonin edhe mes tyre. Fshati i lindjes së Ilir Metës, Çepani, është në juglindje të Çorovodës, në kufi me rrethin e Përmetit, shumë larg rrugës kryesore të komunikimit të Skraparit me pjesën tjetër të vendit dhe që shkonte në drejtim të Beratit, në veri-perëndim.

Që Ilir Meta ka një kompleks inferioriteti për shkak se ka lindur në një fshat të thellë malor, kjo kuptohet nga fakti se ai në jetëshkrimin e tij zyrtar, gjithmonë ka shkruar se ka lindur në Skrapar, pa e përmendur fshatin. Edhe në jetëshkrimin e tanishëm, si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ai ka shkruar të njëjtën gjë, siç mund ta shikoni në faqen on-line të kësaj ministrie. Filmi më i preferuar i Ilir Metës është “Beteja e Sutjeskës”, një film jugosllav i vitit 1964, ku tregohet lufta e partizanëve jugosllavë të udhëhequr nga Tito, kundër gjermanëve, në zonën malore të Sutjeskës në Bosnjë. Ata që e njohin nga afër Ilir Metën e dinë se kjo që po them është e vërtetë. Ilir Metës i pëlqen ta shikojë këtë film së paku një herë në muaj, madje i fton edhe diplomatët e huaj që ta shikojnë së bashku. Kështu ka qenë edhe kur Ilir Meta ishte kryeministër. Ilir Meta thoshte se e pa këtë film për herë të parë kur ishte në fshat, tek televizioni jugosllav dhe që atëherë ky film u bë i pëlqyeri i tij. Nëse është kështu, atëherë mund të thuhet se Ilir Meta praktikisht ka shkuar në Sutjeskë, para se të shkonte në Tiranë. Arsyeja për të cilën Ilir Meta e pëlqen këtë film nuk është thjesht se kërkon të duket si një lloj antifashisti ballkanik, post-etnik.

Nëse doni ta kuptoni arsyen duhet ta shikoni filmin. Në film dominon figura e Titos në sfondin e maleve të egra dhe në shpella. Ilir Meta e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë në një mjedis të ngjashëm malor në fshatin e tij në Skrapar. Kur shikon imazhin e liderit që endet në male dhe shpella, me Titon në film, Ilir Metës i qetësohet disi vuajtja që i vjen nga kompleksi i inferioritetit për fëmijërinë dhe rininë e kaluar në fshat. Por Ilir Meta edhe politikën e shikon si një endje në male dhe shpella, ku ngre prita dhe shikon gjithë dyshim për prita e gracka, ku është në kërkim të “shpellave”, pra posteve për t’ u strehuar dhe shijuar gjahun e tij.

Ilir Meta gjithmonë ka kërkuar të duket si i majti më i kulluar, por ai në fakt ka dyshimin dhe mosbesimin tradicional të skraparliut ndaj së majtës shqiptare. Skrapari, që ndonëse ishte një krahinë me tradita të mëdha partizane dhe majtiste, megjithatë gjatë kohës së regjimit komunist nuk kishte mundur që të nxirrte asnjë lider të rëndësishëm, asnjë anëtar të Byrosë Politike, instancës më të lartë të regjimit komunist. Asnjë  sekretar të Komitetit Qendror të PPSH, deri në korrik 1990 kur Abdyl Backa u bë sekretar i komitetit Qendror dhe qëndroi i tillë për më pak se një vit, deri në qershor 1991, kur PPSH u shndërrua në PS. Por Backa ishte një drejtues fiktiv, dekorativ, se ai nuk u bë as deputet në 1991.

Edhe dy ministra që pati Skrapari, Kahreman Ylli dhe Ajli Alushani, u shkarkuan shpejt, duke iu inskenuar incidente, që kishin qëllim t’ i poshtëronin. Udhëheqja komuniste doli kryesisht nga e ashtuquajtura “Zona e Parë Operative”, ose boshti Vlorë-Gjirokastër, zonë ku përfshiheshin dhe Mallkastra e Përmeti. Regjimi komunist i bënte shumë lavdërime Skraparit, por nuk i jepte akces në nivelet e larta të pushtetit. Nga Skrapari Enver Hoxha kishte shefin e rojeve të tij dhe këtu shfaqet një aspekt tjetër i përdorimit të skraparlinjve nga të gjitha regjimet në Shqipëri. Kur Ahmet Zogu u bë ministër i Punëve të Brendshme dhe më pas kryeministër, në vitet 1920-1924, ai si “hanxharin” e tij pati kapitenin e xhandarmërisë, Riza Cerovën, të cilin e dërgonte në krye të ekspeditave ndëshkimore në Shqipërinë e Veriut. Më pas Riza Cerova do të bëhej armiku më i rrezikshëm për Mbretin Zog dhe do të vritej në luftë kundër tij. Do të ishte një skraparli ai që u cua në parlament në 1928 dhe propozoi që Zogu të bëhej mbret. Këtë traditë e ndoqi Enver Hoxha me Sulo Gradecin. Edhe Sulo Gradeci ia punoi Enver Hoxhës si Riza Cerova se më pas i shiti Berishës videokasetat me filmimet diskredituese për Enver Hoxhën që u shfaqën në televizionet shqiptare dhe të huaja. Të njëjtit lloj njerëzish i përket edhe Ilir Meta.

Ilir Meta erdhi në Tiranë si student në vitin 1988, në moshën 19 vjeç. Ilir Meta studioi dhe u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranë, ekonomi politike. Ekonomia politike mund të quhet filozofia e ekonomisë. Prandaj ajo ishte dhe më e politizuara. Në kohën e komunizmit në Fakultetin e Ekonomisë në Shqipëri në të gjitha degët shkenca e ekonomisë ishte deformuar sipas përthyerjes në të cilën shfaqej nën prizmin e filozofisë marksiste-leniniste. Por dega ku shfaqej më shumë ky deformim, duke u shndërruar në tjetërsim, ishte ajo e Ekonomisë politike, për të cilën studioi Ilir Meta. Ekonomia politike e komunizmit ishte ekonomia si aspekt i demagogjisë. Në kohën e komunizmit një student i ekonomisë apo financave do të mësonte gjithsesi disa parime dhe praktika bazë të ekonomisë apo financave, kurse studenti i ekonomisë politike nuk i mësonte as këto.

Por Ilir Meta as ekonominë politike nuk e studionte seriozisht. Ai ndiqte paralelisht edhe një karrierë sportive si peshngritës. Në atë kohë kjo gjë shihej si një handicap intelektual, pasi dihej se në kohën e komunizmit qe bërë rregull që nxënësve dhe studentëve sportistë u bëheshin tolerime të mëdha nga mësuesit dhe pedagogët, për shkak se ata nuk mund të studionin si të tjerët se një pjesë të mirë të kohës ua merrte stërvitja sportive. Pastaj, është një gjë e njohur se një peshngritës nuk mund të ketë veprimtari intelektuale. Stërvitja e lodh aq shumë sa truri nuk mund të angazhohet seriozisht në studime.

Për të qenë i drejtë me Ilir Metën duhet thënë se ai është një nga pionierët e ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri, gjë me të cilën ai nuk parapëlqen që të mburret sot. Në Shqipërinë e kohës së komunizmit ekzistonte një lloj tregu i zi, i kontrolluar nga regjimi, ku shiteshin sende të ardhura nga Perëndimi, dhe që nuk gjendeshin në tregun shqiptar, si orë dore, pantallona xhins, bluza, xhupa, radio, televizorë, këpucë, pantofla, çakmakë, çorape, parfume etj. Këto sende të ardhura nga Perëndimi kërkoheshin shumë nga njerëzit dhe shiteshin me çmim të shtrenjtë. Në atë kohë kishte disa njerëz të cilët bënin shitësin ambulant, duke pasur mbrojtjen e njerëzve me pushtet, me të cilët ndanin fitimet. Në vitet tetëdhjetë regjimi komunist e pa se megjithëse kishte mbledhur që në vitet 1945-1948 sasi të mëdha ari të tregtarëve, përsëri në Shqipëri kishte mbetur shumë ar në duart e njerëzve që e kishin pasur në sasi të vogël. Këtë ar njerëzit e regjimit kërkuan që ta grumbullojnë nëpërmjet një tregu të zi të kontrolluar prej tyre. Njerëz si Sulo Gradeci, të cilët kishin mundësi të fusnin sa të donin nga Perëndimi mallra të llojit të përmendur më lart, krijuan një rrjet tregtie informal me njerëz të besuar të tyre. Në këtë rrjet hyri edhe Ilir Meta, të cilit Sulo Gradeci i besoi si Skraparli që ishte. Tashmë Ilir Meta nuk parapëlqen që të mburret për këtë eksperiencë të hershme të tij në ekonominë e tregut të lirë, se e di që do të bëhen pyetje për gjërat që përmenda unë më lart. Se të gjithë shqiptarët e dinë që nëse një njeri dilte të shiste sende të ardhura nga Perëndimi në atë kohë, nëse ato nuk qenë sendet e tij personale, të cilat i kishin ardhur atij vetë, e shumta në shitjen e pestë do ta kapte Sigurimi i Shtetit, dhe do t’ i kërkonte burimin e sendeve. Personat si Ilir Meta, të cilët bënin tregti të zezë nën mbrojtjen e funksionarëve të regjimit, pajiseshin me dokument të njeriut të policisë, që t’ ua tregonin policëve kur këta i kapnin. Ilir Meta ishte nga ata studentë të cilët qenë të pajisur me pistoletë nga policia.

Një nga njerëzit që punonte për Ilir Metën në atë kohë ishte Mero Baze. Ilir Meta e kishte njohur Meron se ky ishte gazetar tek gazeta «Studenti» ku Iliri dëshironte që të botohej diçka për të si sportist student. Kështu që Iliri u jepte dhurata gazetarëve që të botonin shkrime për të. Iliri e përdorte Meron edhe për të shitur disa nga mallrat e tij tek fakulteti i gjeologji-minierave ku ishte Mero. Që këtu ze fill miqësia e Mero Bazes me Ilir Metën. Më pas kur Mero Baze u diplomua dhe u emërua në Batër të Martaneshit, ai kur vinte në Tiranë, takonte Ilir Metën dhe merrte prej tij sende të cilat i shiste në Batër ku ishte një treg i mirë se minatorët dhe gjeologët merrnin paga të mëdha për kohën.

 



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora