E enjte, 24.07.2025, 10:51 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Çoçaj: Dikush e ka gabim edhe në Prizren

E hene, 11.10.2010, 09:58 PM


Dikush e ka  gabim edhe në Prizren

 

Nga Blerim Çoçaj

 

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja dhe  blloku opozitar  LDK, AAK dhe LDD, përfundimisht  kanë vendosur t’i  qërojnë hesapet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ata kanë rënë në ethe të pritjes së një vendimi të drejtë të kësaj gjykate lidhur me (mos)funksionimin e Kuvendit të Prizrenit. Frika e Mujës dhe dëshira e opozitës është rritur dukshëm nga vendimet e fundit, që  Gjykata Kushtetuese  e mori  ndaj ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut dhe  kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska. Të  dy palët janë të bindur se edhe në rastin e Prizrenit, Gjykata Kushtetuese, do të  veprojë drejtë dhe në mënyrë objektive. Në shkresat që i kanë deponuar në këtë gjykatë, kryetari i Prizrenit,Ramadan Muja, dhe blloku opozitar LDK,LDD dhe AAK, akuzojnë njëri-tjetrin  për mosfunksionimin e kuvendit në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Opozita  është i  bindur se kryetari Muja, i  ka shkelur të gjitha ligjet në fuqi,  dhe se Kuvendi Komunal i Prizrenit, vazhdon të  mbetet  jofunksional që nga fillimi i mandati të dytë të tij,prandaj edhe kërkon që të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Kuvendi nuk  ka arrit të mbajë asnjë mbledhje  të rregullt  nga dita e konstituivit me 15 shkurt deri me 15 gusht, periudhë kjo gjashtëmujore. Letrat sugjeruese që  MAPL, ia ka dërguar thuaja çdo muaj, nuk i linin fort përshtypje Ramadan Mujës.  Madje, në konferencat për shtyp,  ai  e  kishte  shumë mërzi t’i komentonte letrat e MAPL-së, të në të cilat kërcënohej  me shpërbërje të Kuvendit, nëse nuk mbahet asnjë seancë e rregullt brenda gjashtë muajve. Të gjitha shkresat sugjeruese për shkelje të ligjit të  MAPL-së, ai i interpretonte sipas dëshirës se vetë,madje shpesh herë duke i adresuar në drejtim të opozitës. Akuzat edhe sot vazhdon t’i vlerësoi  kryekëput politike. Në pamundësi për të konsoliduar Kuvendin, për shkak problemeve të brendshme nuk ka ngurruar që për të gjitha dështimet e tij, të akuzojë bllokun opozitar, përkatësisht LDK-në, AAK-në dhe LDD-në. Akuzat e tij, kundër opozitës për “puç”, kryetari Muja nuk i ka lënë anash as në shkresën(arsyetimin), të cilën i ka dërguar Gjykatës Kushtetues. Madje, as nuk e sheh vetën si palë në procedurën që  blloku opozitarë e ka nisur në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. “Më mungon legjitimacioni pasiv që të jem i paditur, sepse sipas nenit 5 paragrafi 1 pika a të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen e Komunave i cili flet për Statusin Ligjor të Komunës. Komuna është person juridik dhe  si person juridik, çdo komunë në mes tjerash ka kompetenca, që të padisë  dhe paditet në gjykata.Prandaj, në  këtë ligj, askund nuk përmendet që kryetari i një Komune mund të paditet në ndonjë gjykatë e në rastin konkret pranë Gjykatës Kushtetuese”, përgjigjet Muja në letrën  që ia ka  dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Me këtë arsyetim kryetari Muja nuk dëshiron dhe nuk është i gatshëm të marrë përsipër asnjë përgjegjësi për çfarëdo  shkeljesh eventuale, që mund të ketë bërë si kryetar i Prizrenit ! Pavarësisht mënyrës së  interpretimit të nenit 5 paragrafi 1 pika a të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen e Komunave, ai nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për mosfunksionimin e Kuvendit të Prizrenit. Përkundrazi,përgjegjësia për mosfunksionimin e Kuvendit të Prizrenit, dyfish bie mbi  Mujën. Ai, përveç që është  kryetar i Komunës, është edhe në krye të  Degës së PDK-së në Prizren. Mungesa e votave në Kuvend dhe mosfunksionimi si duhet i  koalicionit qeverisës, nuk mund të mos i bie mbi  barrë Mujës. Opozita s’ka faji pse koalicionit gjatë kësaj periudhe kohore, i kanë munguar votat për të funksionuar qeveria  pa pengesa. Opozita në Prizren, mund të akuzohet  vetëm për  shumë (mos)veprime të tjera, por jo edhe për  bllokimin e Kuvendit. Shqetësimet e tyre në shumë raste kanë qenë në vend të duhur, edhe pse  shpeshherë kanë rënë në kundërshtim me vetveten. LDK-ja,AAK-ja, dhe LDD-ja në Prizren, përkundër shumë reagimeve dhe akuzave që  ka bërë në drejtim të  “Qeverisë Muja”, gjatë kësaj periudhe  kohore nuk e kanë demonstruar rolin e tyre  opozitar. Me deklarimet dhe veprimet e demonstruar, shpesh kanë rënë në kundërshtim  me  rolin  e tyre, dhe interesin e qytetarëve. Duke u thirrur në  mbrojtje të ligjit, jo rrallëherë kërkesat e tyre kane qenë në kundërshtim me ligjin. Në emër  të mbrojtjes dhe respektimit, nga  MAPL –ja, ata kërkonin të shkelen  ligjet në ato raste kur kryetari Ramadan  Muja,kapërcente kizën e qeverisjes. Mënyra e interpretimit të akteve ligjore dhe nënligjore, të krijon përshtypjen se opozita në Prizren,këto akte i sheh më shumë  si një fushë futbolli,në të cilën kush jep gola më shumë shpallet  fitues i lojës. Me interpretime të tilla,opozita vetëm sa ka krijuar huti  tek vetja  dhe qytetarët. Ligjet  duhet të respektohen edhe në ato raste kur si opozitë apo si  parti politike nuk mund të përfitosh poenë politike. Pikërisht si rezultat i keqinterpretimit të ligjit, opozita në këtë qytet, ka disa muaj që e ka  braktisë edhe Kuvendin. Interesin e votuesve të tyre më të arsyeshme e kanë parë të mbrojnë në ëmbëltore të qytetit se sa në Kuvend !!! Kjo mënyrë e veprimit s’ka të bëjë asgjë me rolin opozitar. Interesi i votuesve mund të mbrohet vetëm në institucionet  përkatëse, dhe kurrsesi nëpër  lokale të qytetit. Paralajmërimi i opozitës për të mbledh nënshkrime për shkarkimin e Mujës nga posti i kryetarit të Prizrenit, pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Kushtetues, është dëshmia dhe tregimi më i mirë se sa ka qenë dhe  është e interesuar opozita t’i mbrojë dhe respektojë  ligjet  dhe Kushtetutën e Kosovës. Nëse Gjykata Kushtetuese  vendos në  favor të Ramadan Mujës,iniciativa e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim, nga ana e opozitës, do të jetë një iniciativë e kotë. Me një iniciativë të tillë,nuk do të mund të hyjë Prizreni në  zgjedhje të parakohshme. Madje, mbledhje e nënshkrimeve për shkarkimin e Mujës,pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese,nuk mund të përdoret as  për fshatë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryetari Muja do të forcohet dhe gjatë gjithë kohës do të propagandojë se është njeriu i respektimit të  ligjit. Pavarësisht konstatimeve dhe vlerësimeve të ndryshme, dikush e ka gabim për (mos)funksionimin e Kuvendit të Prizrenit dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Gjykata Kushtetuese, do të jetë ajo e cila përfundimisht do të vendosë se kush ka pasur të drejtë në të gjitha akuzat e ngritura në mes  pozitës dhe opozitës në Prizren. Pushteti dhe opozita,pavarësisht dëshirave të tyre, do te duhej që të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe t’i lënë anash iniciativat të cilat nuk shkojnë në interes të qytetarëve.



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx