E premte, 09.05.2025, 01:45 AM (GMT+1)

Mendime

Baze: Takimi me Fatos Nanon në burg

E marte, 12.10.2010, 06:11 PM


Nga Mero Baze, Shekulli

 

Vijon nga dje - Kishte thuajse dy javë që zhvillohej një luftë e ftohtë mes katit të dytë dhe katit të tretë në godinën e Partisë Socialiste. Në katin e dytë ishin nënkryetarët. Që nga burgu, Nanoja i kishte quajtur si "njerëzit e spaletave". Në qendër të sulmit ishte Ilir Meta, por arsyetimi për sulm ishte konservatorizmi i Servet Pëllumbit dhe dogmatizmi i Namik Dokles. Në katin e tretë, Kastriot Islami mbante hapur zyrën e shtypit. Rrotull tij vërtitej Pandeli Majko. Ishte një kompozim që nuk kishte shumë shpjegime. Një vit më parë, Pandeli Majko u hoq nga detyra e kryetarit të Forumit Rinor Eurosocialist me arsyetimet e nëndheshme se ishte kundër "udhëheqjes" dhe se duhej që partia ta kishte nën kontroll FRESSH-in. Për ne që e shikonim nga jashtë gjithë këtë proces, dukej sikur Pandeli Majko ishte kundër Fatos Nanos dhe po zëvendësohej nga një besnik i Fatosit. Në të vërtetë, "udhëheqja" kishte filluar të mos ishte më me Fatos Nanon, por nënkryetarët. Një vit më vonë, pasardhësi i Pandeli Majkos në FRESSH, Ilir Meta, ishte armiku real i Fatos Nanos, ndërsa Pandeli Majkoja, mbështetës i tij. Ndërkohë, Kastriot Islami përpiqej të bënte një vend brenda partisë, pas një mungese disavjeçare në Gjermani, ku u strehua për disa vite, qysh kur u arrestua Fatos Nanoja, i trembur se deklarata e tij "demokratëve do t'ua thyejmë kafkat" do të përbënte objekt për vepër penale. Gramoz Ruçi, njeriu i hekurt brenda Partisë Socialiste, ishte larguar në Greqi. Ai ishte njoftuar gjysmëzyrtarisht se prokuroria po hapte çështje penale ndaj tij dhe brenda natës u largua për në Tepelenë. Të nesërmen, një mik i tij në polici e shoqëroi për në Kakavijë dhe ai kaloi në Greqi.

Berisha kishte kërkuar rihapjen e hetimeve për 2 prillin pikërisht për të mbajtur nën tension njeriun që mendonte se e mbante partinë të bashkuar rreth Fatos Nanos. Kështu që në PS ishin tre nënkryetarët - Servet Pëllumbi, Namik Dokle dhe Ilir Meta - në njërën anë dhe Islami e Majko në anën tjetër.
Atë pasdite korriku kisha një raport për zhvillimet brenda Partisë Socialiste, që do të transmetohej në orën 18.00. Ishte mbledhur kryesia e Partisë Socialiste dhe kishin kundërshtuar "Mocionin për debat", që kryetari i tyre, Fatos Nano, e kishte dërguar nga burgu. Mocioni, siç u njoh më vonë gjerësisht, ishte sjellë nga gruaja e tij, Rexhina, dhe i ishte dorëzuar Pandeli Majkos dhe Kastriot Islamit dhe, pasi ishte zbërthyer në formën e një dokumenti politik, i ishte parashtruar kryesisë. Kryesia reagoi ashpër dhe publikisht kundër tij. Thelbi i reagimit, sipas tyre, ishte se Fatos Nanoja kërkonte të fajësonte kryesinë për zgjedhjet e 26 majit, ndërkohë që kështu shmangte hedhjen e përgjegjësisë mbi Berishën. Servet Pëllumbi kishte dalë hapur kundër Fatos Nanos. Namik Dokle, po ashtu, diçka kishte përtypur nëpër dhëmbë. Kisha dalë të pija një kafe dhe po e ndiqja emisionin me radio dore. Në fund të emisionit, siç ndodh rëndom, mbeten tri minuta bosh dhe një kolege nga studioja, lajmëroi se do të kishte në linjë kolegun tim. U lidh. Pyetja ishte po për zhvillimet brenda Partisë Socialiste. Kolegia nga studioja i sugjeroi se kishte dhe dy grupime dhe iu lut që t'i përshkruante ato. Kolegu im i bëri asaj një përshkrim standard, duke paraqitur nga njëra anë Fatos Nanon me mbështetësit e tij, të cilët ai i quajti reformatorë, kurse në anën tjetër Servet Pëllumbin me nënkryetarët, që ai i quajti konservatorë.

Ra menjëherë zilja e telefonit. Ishte Ilir Meta.
- Unë nuk jam konservator, - tha ai. - Keni filluar t'i shërbeni atij plehrës, atij burgaxhiut...
- Mos u nxeh, - i thashë. - Nuk e di se çfarë ka ndodhur, por eja të bisedojmë më nga afër.
Lamë të pinim një kafe pak më vonë. Dukej që ishte i irrituar, por më shumë i trembur.
-Pse e bëri atë vlerësim? A ishte vërtet rastësi? Si mund ta korrigjojmë? A ia kanë thënë amerikanët? A jua diktojnë ata qëndrimet politike?
Sidomos te kjo e fundit këmbëngulte shumë. Këto ishin shqetësimet tij, që i tha pa marrë ende frymë. E brente dyshimi se e kishte humbur prej kohësh mbështetjen e SHBA-ve. Fakti që atë vit Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kishte çuar në SHBA Pandeli Majkon dhe jo atë, ndoshta i ishte bërë fiksim.
Biseduam gjatë. I thashë se po teprohej me paraqitjen e grupit të tyre në radio, por ndërkaq duhej si palë Fatos Nanoja. Unë mund të shkoja në burg e t'i merrja një intervistë.
Në fillim iu duk propozim i dyshimtë, pastaj filloi të bëhej entusiazt. Bisedova me Elez Biberajn për mundësinë e intervistës. Ai u befasua pak, por më inkurajoi menjëherë. Megjithatë, nuk harroi të më porosiste se nuk duhej t'i lutesha shumë shtetit për leje hyrjeje.
Krisja mes qeverisë së Partisë Demokratike dhe qeverisë amerikane kishte filluar. Tashmë mbetej edhe një pengesë tjetër. Sali Berisha duhej të siguronte lejen e hyrjes. Ia thashë në telefon se më duhej të intervistoja Fatos Nanon në burg. U vendos pak heshtje.
- Kush ta kërkoi? - tha.
- Më duhet për balancë, - i thashë, - se po japim vetëm palën e nënkryetarëve. Fola me Ilir Metën dhe ai është dakord. Ai mendon se i bën punë prononcimi i tij.
Ilir Meta ishte një referencë shpëtuese për mua. Berisha tha menjëherë "po", madje me entusiazëm.
- Domethënë, ke folur me ta, - më pyeti, - nuk u prish punë? 
- Jo, jo, aspak! - i thashë. - Fola, madje ma rekomanduan vetë. 
- Shumë mirë, - tha. - Shko atëherë!
- Po flas me Hektorin, që të hyj nesër, - ia ktheva, - po i them në emër tënd.
- S'ka problem, i bëj unë telefon, - tha Berisha.


Mora në telefon ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Hektor Frashërin, një burrë gjithmonë kavalier dhe i gatshëm për të të ndihmuar. I shpjegova si e kisha punën. Duhej të udhëtoja për gjithë natën dhe në mëngjes të isha në Bënçë. Leje nuk kisha ku të merrja, ndaj duhej njoftuar drejtori i burgut të më lejonte të hyja, pa ndonjë letër në xhep. Gjithçka e bëra të koordinuar, me qëllim që të mos e regjistroja emrin si njeri që kisha hyrë në burg. Porosia e shefit tim në "Zërin e Amerikës", që unë nuk duhej të lutesha shumë për leje, ishte në sfond të të gjitha këtyre makinacioneve. Ishte një intervistë që më duhej doemos. Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk më hynin më në punë pas kësaj. Më kishin ndihmuar në planin tim për të shkuar në Bënçë.
Hektor Frashëri kishte folur në telefon me Bujar Kaloshin, të cilin e ekzekutuan një javë më pas.
Bujari tha se do të urdhëronte drejtorin të më priste te dera. Nuk kishte asnjë problem. Kështu u bë. Për gjithë natën, u nisa me një makinë Golf drejt Tepelenës. Pas një defekti afër Durrësit, m'u desh të kthehesha në Golem; ku mora një nipin tim dhe vazhdova udhëtimin.
Në orën 06.30 minuta isha në Tepelenë.


Pasi shkuam për një kafe në qytet, zbritëm te dera e burgut, në krah të përroit të Bënçës.
Te dera priste një djalë me trup mesatar, i cili m'u prezantua si drejtori. Më njihte si fytyrë dhe nuk kisha nevojë të prezantohesha. Më ftoi në zyrën e tij për një kafe. Ishte një zyrë e ngushtë, e keqe, që të kujtonte zyrat e ROGL-së së dikurshme, ku bëheshin dezhurne.
Filloi të bënte një kafe turke. Ndërsa po ma servirte, më pyeti duke më parë me bisht të syrit:
-Do t'i bësh intervistë atij qenit?
-Do të intervistoj Fatosin, - i thashë.
-Hë, por ai mund të shajë Presidentin...
-Hajt, o burrë, mos u bëj merak, se punë që rregullohet, - ia ktheva. - Si rregullohet? Se ti, mirë që e jep te "Zëri i Amerikës", po atë e transmeton edhe Radio-Tirana më 20.30...
-Hajt, pi kafe pa merak, se ia fut unë për atë punë, - u përpoqa ta qetësoja.
- Domethënë, nuk e lë ta shajë Presidentin? - pyeti ai
- Mos u mërzit, të thashë që kam për t'ia futur.


Ishte një bisedë gjysmëbanale, por e nevojshme për të kaluar një barrierë që mund të ngrihej papritur para meje e që quhej drejtor i burgut. Unë isha një njeri pa autorizim për t'u futur në atë burg. Më silleshin në kokë historitë për drejtorët e atij burgu. I pari, qysh kur u fut Fatos Nanoja në burg, arriti të merrte shtëpi në Tepelenë prej Fatos Nanos, ngaqë Bashkia drejtohej nga socialistët. I dyti, një djalë i hedhur, të cilin e kisha pasur shok fakulteti, u akuzua se e nxirrte Fatos Nanon nga burgu dhe i bënte shëtitje. Kuptohej që ishte ekzagjerim, por që portretizonte tipin e tij liberal dhe aspak fanatik. Shoqëria e tij më e madhe shkonte te miqtë e Fatos Nanos, që vinin dhe e vizitonin në burg, kryesisht Gaz Demi. I treti ishte zgjedhur si dorë e fortë dhe kjo më krijonte problem, kur ai pyeste me fanatizëm se mos Fatos Nanoja shante Presidentin.
Mes këtyre dilemave, ai më shoqëroi drejt qelisë së Fatos Nanos, një ndarje më vete e burgut që po rikonstruktohej, me një minioborr të vetin, një korridor të shkurtër dhe derën gjysmë të hapur.
Me një kostum sportiv, tuta sporti dhe bluzë të bardhë, Fatosi u ngrit menjëherë më këmbë dhe më zgjati dorën.
- Mirë se erdhe, zoti Baze! Ç'e mirë të solli? E dija që një ditë "Zëri i Amerikës" do të trokiste këtu...
Pas përshëndetjeve të para, më ftoi të ulesha përfund shtratit. Dhoma e tij ishte e vogël, por e mbushur. Te koka e shtratit kishte një radiomagnetofon Gruding shumë të mirë. Më tej, një stivë me libra të hedhur pa kujdes dhe përballë shtratit një banak, ku ishte një ekspres i vogël kafeje, një thekëse buke, disa libra të tjerë dhe kaq.
Sidoqoftë, për kushtet e burgut ishte dhomë e mirë. As ai nuk ankohej.
Drejtori ndenji pak dhe u largua. Derën e la pak të hapur, sipas rregullores. Për afat më dha një orë, por më shkeli syrin se edhe mund ta kaloja.
Filluam të bisedonim për gjëra të kota e në përgjithësi. Pas çdo fjale, Nanoja përpiqej të hetonte nëse kishte ndonjë prapavijë vizita ime papritur në burg.
Më hapi një libër të madh shënimesh, që me siguri ishte nga ato blloget e vjetra të reparteve ushtarake, ku mbante skeda lajmesh.
- Dje ke pasur një raport për PS-në, - më tha.
- Po, isha në seli, kur dolën nga kryesia. Serveti ishte i ashpër.
- E dëgjova te BBC-ja. E dhanë të plotë. Ti ma fute pak me atë punën e Namikut.
-I mbajtke shënim? i thashë. - Pa m'i numëro, sa raporte kam bërë gjithë muajin, se më duhen për rrogën.
Qeshi dhe e kaloi me shaka, por fare papritur u bë kurioz për selinë dhe për partinë. Fillova t'ia shpjegoj edhe njëherë gjendjen e një dite më parë atje. Pastaj po e stërzgjatja shpjegimin duke i thënë se, pas kësaj, shkuam te "Fideli" për kafe...
-Më fal, - tha, - por kur kam hyrë në burg, në parkun "Rinia" kanë qenë vetëm dy kafe, kafe "Stil" dhe "Kumanova". Të tjerat nuk i përfytyroj dot se ku janë.
Më erdhi pak keq, pasi isha duke i treguar për disa reporterë të gazetave "Koha Jonë" dhe "Dita Informacion", që nuk e kishin parë kurrë atë nga afër dhe e kishin idhull, për të cilin edhe mund të vriteshin.
-Oho, mos janë ata që citojnë çdo ditë Arben Imamin? - tha dhe qeshi.





Tre versionet që më tha për "qypin me flori" intervista që i mora për radion "Zëri i Amerikës"
Rëndimi psikologjik i kryetarit të PS-së në burgun e Bënçës
Nanoja më pyeti për origjinën time dhe unë, që nga dritarja e qelisë, ia tregova drejtimin e saj, që ishte shumë afër burgut. Diçka donte të portretizonte te toleranca e Jugut dhe menjëherë në tru i mbiu Berisha.
- Goca ime është në një shkollë me djalin e Berishës, - ia nisi ai. - Një natë, kishin shkuar bashkë në disko. Ajo erdhi këtu në burg dhe ma tregoi të gjithë këtë. I thashë se nuk kishte bërë asgjë të keqe, se ata i përkasin një brezi tjetër. Ajo u kënaq shumë dhe më tha diçka që unë nuk do ta harroj kurrë. E pabesueshme, sa bukur e gjeti: "Partia Socialiste është një qyp me flori, që ka sipër saj ca guralecë!" Hë, a të duket e bukur, - përsëriti me një të qeshur që zgjati.
Në fakt, batuta ishte shumë e zgjedhur që t'i përkiste vajzës së tij, por ndërkaq, e qeshura e tij e beftë, nuk po më linte ta shijoja. Më tej, biseda kaloi te familja. Më tregoi se si, një ditë më parë, kishte qenë Thanasi, babai i tij, me motrën dhe kunatin, Fatos Pustinën.
- Rojet u sollën keq, - tha, - dhe kontrolluan gjithçka. Ai dhëndri u kënaq, se ai është me ju, - m'u drejtua mua, - kurse Thanasi u tërbua fare.


E pashë që biseda po degradonte pak dhe iu luta të fillonim intervistën. Vendosa ta lija të fliste gjatë, që të zgjidhja diçka të mirë. Filloi të fliste pa pushim. Dukej se donte të nxirrte gjithë ç'kishte në mendje për partinë e vet. Derisa, një çast, mbaroi kaseta.
- Stop, - i thashë. - Intervista është tepër e gjatë. E fillojmë edhe një herë. Herën e dytë u koncentrua në katër-pesë pyetjet që i thashë.
Ngurroi për një çast, por e nisi me shumë vullnet. Ishte më racional herën e dytë.
Idenë e tij për Partinë Socialiste nisi të ma ilustronte me një letër të një gjimnazisteje nga Vora, e cila i paskësh shkruar se Partia Socialiste është "një qyp me flori, që ka ca guralecë përsipër".
-Më falni, jeni duke thënë se zhavorri në krye të këtij qypi është kryesia e Partisë Socialiste? - ishte pyetja ime. U step për një sekondë.
-Çdo krahasim çalon, - tha dhe vazhdoi ta shtjellonte sërish sulmin mbi kryesinë.
-Faleminderit, i thashë dhe e ndërpreva intervistën.
Ai po rrinte ende i pavendosur të thoshte faleminderit.
-A bëjmë një kompromis? - tha. - Më bëj edhe një pyetje! Duhet ta zbus pak. Është shumë e ashpër.
Ramë dakord dhe i bëmë një mbyllje më të butë. Pas kësaj, intervista quhej e mbaruar. Ai u ngrit i lehtësuar dhe filloi të bënte sërish një kafe. Ndenja dhe rreth 20 minuta më pas. Po i tregoja një histori që më kishte ngjarë një vit më parë, kur kisha qenë sërish në atë burg për intervistë e që kishte të bënte me vrasjet në kufi dhe kisha intervistuar Zylyftar Ramizin. Po i tregoja skenën kur duke pritur te dera, një burrë i vjetër, gati si lypës, na u afrua mua dhe shoferit tim, i cili në atë udhëtim timin të parë në Bënçë ishte Mond Tufina, dhe na pyeti se kë do të takonim në burg.
-Fatos Nanon, - i tha shoferi, Mond Tufina, i cili nuk mund të rrinte në asnjë çast pa bërë ndonjë karagjozllëk.
- Po ç'e keni Fatos Nanon? - pyeti burri.
-Unë s'e kam gjë, s'dua t'ia shikoj sytë, por ky shefi im e ka çun tezeje, - ia ktheu dhe tregoi nga unë.
- Djalë tezeje e ke ti Fatosin? - më pyeti burri.
I detyruar t'i mbaja iso Mondit, i thashë po. Kaq duhej dhe burri ia plasi të qarit...
-Mos u bëj merak! - më tha mes të qarash. - Mos ki merak fare! E mban Gjergji im në pëllëmbë të dorës. Është oficer në qeli Gjergji. Në pëllëmbë të dorës e mban. Dhe Palin e ka pasur ca kohë, Pali Miskën, por Fatosin e do shumë. Edhe ai e do. I thotë ngaherë: "Ç'të bëj, mo Gjergji, që jam këtu, se kur të shkoj në Tiranë do të të marr oficer në Presidencë". Fliste dhe ngashërehej.


- Faleminderit, - i thashë. - I thuaj dhe djalit faleminderit nga ne. Ua paçim borxh!
- E kemi për detyrë, - tha. - Do ta mbajmë në pëllëmbë të dorës të gjithë. - Dhe ngashërehej.
Pasi mbarova punë në burg, shkova lart në qytet dhe takova shefin e komisariatit, një ish-mësues historie në shkollën ku unë kisha bërë tetëvjeçaren dhe më pas një trajner i njohur i ekipit të volejbollit për femra të "Minatorit". Po bisedonim rreth burgut dhe unë po ia tregoja me humor historinë që më kishte ndodhur.
Ai u vrenjt papritur në fytyrë, sikur ta kishte pickuar gjarpri. - Gjergji, the!? Po ne e kemi çuar atje si të besuar!
- Nuk di si e keni çuar, - i thashë. - Të lutem, tani që ia përmenda emrin, mos guxoni ta hiqni nga puna, se do ta mbroj unë. Ju e keni bërë detyrën tuaj. Tani ai nuk mund të bëhet viktimë e imja.
Shefit të komisariatit nuk i ikte inati.
- Dhe ma ka sjellë kryetari i PD-së! - tha. - Ai më tha se është demokrat i vendosur.
Mua më qeshej edhe më shumë. Ndërkohë, erdhi kryetari i PD-së, Tomor Xhani, një tip i shkathët më shumë se politik. Shefi i komisariatit po i thoshte se unë kisha mbresa të mira nga Gjergji, polici i Fatos Nanos. Kryetari nuk e kuptoi ironinë dhe tha:
- Nuk e ke njohur babanë e tij ç'demokrat që është! Ka themeluar PD-në në Veliqot. Njeri i mirë shumë.
Por unë nuk e mbaja dot të qeshurën.
- Në fakt, unë babanë e tij e njoh, - i thashë. - E gjeta te dera e burgut dhe po qante për Fatos Nanon. Pastaj, kur i thashë që jam djali i tezes së Nanos, u shkri fare.
Kryetari e pa që ishte punë me zarar ajo që kishte bërë dhe heshti. - S'di si ndryshojnë njerëzit, - tha. - Ata demokratë kanë qenë.
Mua më qeshej. Iu luta që Gjergjin të mos e preknin dhe ika.
Kur po ia tregoja këtë Nanos, ai dëgjonte me një nënqeshje të lehtë. - Këtu e kam Gjergjin, këtu, - tha dhe tregoi nga korridori.
Më në fund, po dilja nga qelia.
E pyeta nëse kishte ndonjë porosi për dikë në Tiranë.
- Jo, - tha. - Ishte Thanasi dje. I çova me të porositë. Pastaj, për kë të çoj? Ata... e di unë ç'duan. Të jap një fërshëllimë unë që këtej dhe t'i flakin nga zyrat me gjithë karrige! Tha mirë Thanasi për atë parti: "Ajo është një qyp me flori, që ka përsipër ca guralecë".
Tunda kokën dhe u përshëndetëm. E përsëriti për herë të tretë batutën, duke ua veshur tre njerëzve të ndryshëm. Dukej se ishte diçka që e kishte bluar gjatë në mendje dhe duhej ta thoshte patjetër. Ishte, po ashtu, shenjë e rëndimit të tij psikologjik. Nuk desha t'i bija në sy që e kishte përdorur ndryshe pak më parë. U largova aty rreth orës 10.30.
Më duhej të shkoja deri në Gjirokastër, që ta transmetoja intervistën për Uashingtonin dhe pastaj të nisesha për Tiranë.
Në mbrëmje, afër Lushnjës, ra goma e makinës dhe kërkova ndihmën e dy kalimtarëve. Duke më ndihmuar, më pyetën se ku punoja. 
- Gazetar, u thashë, - te "Zëri i Amerikës".
Dy bashkëbiseduesit nuk folën.
-Ju jeni me Salën, më duket, - tha njëri. - Ata të BBC-së janë me Nanon, pasi tani transmetuan një intervistë nga burgu me të.
- Çfarë tha ndonjë gjë? - pyeta.
-Tha plot gjëra, tha që PS-ja është një qyp me florinj, që ka përsipër saj ca zhavorr. E qau fare! Ashtu janë ata. Ndërkohë që ata po merreshin me gomën dhe unë po bisedoja me ta, njëri prej tyre më njohu nga zëri.
-Ore, ti ishe në radio pak më parë? - më tha.
-Jo, ore, ç'ne, - i thashë. - Unë jam i "Zërit të Amerikës".
-Jo ore, ti ishe, - tha. - Dhe mos na gënje, se i BBC-së je!
- Më vjen keq, - u thashë, - por jam i "Zërit të Amerikës".
-Ik o, ik, ne të dëgjuam me këta veshë. Ja, qy zë ishte. Je i BBC-së ti! Ata të Amerikës nuk e duan Fatosin.
Me këtë episod u mbyll ajo ditë e lodhshme.

 

____________

 

Baze: Bizneset e Liri Berishës dhe kontrolli mbi Saliun

 

"Gruaja e tij është njeriu që ka më shumë se kushdo tjetër ndikim mbi të dhe ka një pushtet të padukshëm për publikun, por shumë kapilar. Pas vitit 2005 ka dhe frenat e pushtetit, dhe kontrollon si me magji gjithë satelitët rreth pushtetit të tij". Mero Baze e thotë hapur se ish-miku i tij Sali Berisha është për të tashmë një gënjeshtër e madhe, por ana më e dhimbshme dhe që ka koston reale për vendin është fakti se kryeministri komandohet në çdo vendimarrje nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Në një intervistë me gazetarin Mustafa Nano për blogun e ri Respublica, Baze flet për librin e sapohedhur në treg "Viti '97, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin", duke u ndalur sidomos te ana e panjohur e pushtetit të Sali Berishës. "Ka filluar të spekullojë me një sëmundje të dhimbshme e shumë të përhapur tek fëmijët, siç është autizmi, ku një seancë këshillimi kushton 30 mijë lekë, dhe ndalon me dorë të hekurt çdo iniciativë paralele në këtë drejtim. Kjo është nyja e panjohur e pushtetit të frikshëm të Berishës"-thotë mes të tjerave Baze, duke rrëfyer procesin e krijimit të librit me të panjohurat e viteve 1996-1997.


Mero, ç'po më dëgjojnë veshët? Do dilni prapë me Temën?
Nesër shpresoj të jemi në treg.


E njëjta gazetë? Me të njëjtin format?
Po, e njëjta gazetë, i njëjti titull, i njëjti ekip.


Dikush që kish lexuar librin tuaj, që sapo ka dalë, mbi vitin 1997 më tha: Sa mirë që ia prishën gazetën Meros, pasi u shtrua të bëjë një libër të fortë.
Është mirë, kur tek çdo e keqe shikon një të mirë, por kjo nuk është arsyeja pse unë e shkruajta atë libër.


Në libër thoni se nuk ju është dashur shumë kohë për ta shkruar.
Ai ishte një libër, të cilin e kisha shkruar pak nga pak; muajt e fundit thjesht u ula, dhe e hodha në letër.


Sa kohë ju është dashur saktësisht?
Brenda muajit qershor e kam shkruar dhe sistemuar të tërin. Unë kur ulem të shkruaj, rri gjatë. Kam punuar deri më 2 të natës, dhe pa ndërprerje, për shkak të nevojës për t'i krijuar vetes atmosferën e librit


Doni të nënvizoni faktin, që libri ka atmosferën e territ, të natës?
Të tilla ishin ato kohë përpjekjet e shumicës për të eksportuar krizën elektorale në krizë të opozitës, apo përpjekjet për të bllokuar median, zërat kritikë, dhe për të futur sërish vendin në spiralen e raporteve negative me perëndimin


Po si ju lindi ideja për ta bërë këtë libër? Mund ta kishit bërë më parë, mund ta linit edhe për më vonë. Apo jo?
E kam menduar prej kohësh. Një pjesë të tij e kam shkruar në vitin 2000. E kam fjalën për pjesën e parë, ku flitet për raportet Meta-Berisha. Bile, disa pjesë i kam botuar në gazetën Tema në vitin 2001, por kanë kaluar pa vëmendje. Ndërsa vendimin për të bërë një libër të plotë për krizën e vitit '96 -'97, natyrisht, e mora këtë pranverë, kur në të vërtetë po shikoja se shumë nga simptomat e asaj krize po rishfaqeshin.


Dy "personazhet negativë" të librit janë Berisha e Meta. Nuk keni frikë se do ta marrin për një mesazh të kërkuar, si një tendencë tuajën në kontekstin e sotëm politik?
Nuk janë vetëm ata të dy negativë. Vende-vende jam dhe unë, dhe kolegë të mij.


Do kthehem tek "ju dhe kolegët" ..., por le të ndalemi dhe tek një "personazh i madh negativ", fjala vjen, tek Genc Pollo, i cili zë shumë vend në libër. Ç'është ky personazh?
Një "identitet" interesant i pluralizmit, një grim i fasadës së pagdhendur të Berishës, i cili nuk është se ia ka dalë ta trukojë plotësisht atë.


Ka dhe të tjerë si Pollo....
Jo, nuk besoj se ka shumë si ai. Por pakica nuk është gjithmonë e artë, dhe as gjithmonë e keqe. Thjesht është. Pollo ka imituar në karrierën e tij politike Berishën me të mirat dhe të këqijat. Ka imituar atë që Berisha u ka bërë kundërshtarëve në parti dhe kundërshtarëve politikë përballë. Dhe në fund janë prapë bashkë.


E di, Mero? Gjatë kohës që lexoja librin nuk më shqitej asosacjoni, se po lexoja ngjarjet që ndodhin në një fshat të çmendur. Po të ish për mua, do ta titulloja librin "Fshati i çmendur në një vit të cmendur".
Në të vërtetë, kur historia e një vendi ngushtohet tek aq pak njerëz, tek aq pak personazhe, tek aq pak aktorë publikë, për shkak të reduktimit të lirive dhe shanseve, i je afruar realisht kufijve të çmendurisë. Dhe kur kjo ndodh në një krizë aq të fortë sa kriza që kaluam në atë vit, duhen shumë aktorë dhe përvojë demokracie që të bëjnë të mundur kalimin e krizës pa trauma. Kriza e vitit '97 ishte në thelb një krizë e demokracisë në Shqipëri. U degraduan, jo vetëm standardet e demokracisë, por dhe personalitetet e njerëzve, dhe fatet e tyre fizike dhe politike


Është e ndryshme Shqipëria e sotme? Mua më duket, shpesh e në shumë drejtime, e njëjtë me atë "fshatin e çmendur". Apo është një paranojë e imja?
Për fat të keq aktorët janë të njëjtë, por Shqipëria ka ndryshuar. Ka më pak liri për të bërë çmendurira si në vitin 1997. Për fatin tonë të mirë tani nuk jemi vetëm ne që vuajmë disa mungesa lirie për të qënë qytetarë dinjitozë, por dhe Berisha, Meta, Rama, Nano, etj, vuajnë lirinë për të bërë atë që kanë bërë në vitin 1997.


Jeni i sigurtë që nuk e kanë lirinë për të bërë dëme? Unë vetë nuk jam aq i sigurtë
Kemi disa institucione më shumë, kemi një institucion presidenti, disa gjykata dhe institucione të tjera drejtësie që janë një hap para. Sipas meje, nuk e kanë atë liri që kanë pasur, por e frikshme është se po punojnë shumë, dhe po arrijnë suksese, për ta ripasur atë liri. Ky do ishte fundi


Keni përfundimisht një ide të qartë mbi Berishën? Dua të them se e dini mirë më në fund, se kush është, se ç'motivacione ka, se ç'qëllime?
Sali Berisha është një gënjeshtër.


Dua që të jeni pak më konkret. Unë vetë, në instancë të fundit, e kam parë si një njeri të marrosur pas pushtetit. Mirëpo ju në libër bëni ndonjë aluzion, sipas të cilit ai del dhe njeri që punon për kauza të tjera.
Po, ai çdo gjë e ka në funksion të pushtetit. Ajo është dashuria e vetme; dhe pasioni i vetëm i tij. Edhe kur bën luftë apo paqe me perëndimin, me fqinjët, me muxhahedinët, me familjen e tij, me miqtë dhe fëmijët e vet, ai ka parasysh pushtetin. Ndaj them që më ngjan me një Gënjeshtër të Madhe


Ka patur ndonjë moment të caktuar, në të cilin ju ka lindur dyshimi i parë serioz mbi të? Apo dyshimi mbi të ju është krijuar e rritur ngadalë-ngadalë?
Ka shumë momente të raporteve të mija personale të mbushura me dyshime. Por tek unë ka ekzistuar një indoktrinim sa i përket idesë së pamundësisë që ai ka pasur për të bërë diçka në politikë. Kisha idenë pra, se atë nuk e lanë të tregonte se ç'qe i zoti të bënte në politikë. Rikthimi i tij në pushtet qe zhgënjimi i madh, dhe fundi i iluzioneve


E keni menduar ndonjëherë, se çfarë mund të mendojë Berisha për ju sot?
Jo, se nuk rroj për të.


Po mirë, po jua bëj unë si pyetje: çfarë mendon ai për ju sot?
Besoj, se mendon thjesht për të më hequr qafe nga skena mediatike, dhe për të më mbyllur gojën. Nuk besoj se ka ndonjë zhgënjim apo diçka të ngjashme, pasi shihet qartë se nuk është njeri që i ka mbetur ndonjë mik në jetë. Nuk ka trajtuar askënd si të tillë.


Ju vetë e keni parë si mik ndonjëherë?
Po. Dhe nuk jam i penduar pasi, nëse nuk do ta shikoja si mik, nuk do kisha asnjë arsye të isha me të. Interesant në këtë raport është gruaja e tij.


Gruaja? Liria? Pse?
Ajo duket se ia njeh mirë mungesën e sensit për miqtë, dhe në momente të vështira të jetës së tij politike, përpiqej t'i forconte idenë, se unë isha një mik, bile një mik i vetëm i tyre. Gruaja e tij është njeriu që ka më shumë se kushdo tjetër ndikim mbi të. ka një pushtet të padukshëm për publikun, por shumë kapilar. Pas vitit 2005 ka dhe frenat e pushtetit, dhe kontrollon si me magji gjithë satelitët rreth pushtetit të tij. Është paksa tribale, bazohet tek fisi dhe familja, dhe nuk i beson askujt


Duket sikur po i jepni një rol më të madh, se sa e ka në të vërtetë..
Aspak. Praktikisht, ajo është Ministrja e Shëndetësisë prej 5 vitesh, ka një veprimtari të frikshme korruptive sa i përket fondacionit që drejton, ku grumbullon miliona, dhe s'i jep llogari askujt. Ka filluar të spekullojë me një sëmundje të dhimbshme e shumë të përhapur tek fëmijët, siç është autizmi, ku një seancë këshillimi kushton 30 mijë lekë, dhe ndalon me dorë të hekurt cdo iniciativë paralele në këtë drejtim. Është nyja e panjohur e pushtetit të frikshëm të Berishës


Në fakt, nga jashtë nuk duket se është kështu. Ajo edhe sikur s'ta mbush mendjen, ngaqë duket një gjë e urtë, e ndrojtur, e bindur, e thyeshme, e komandueshme ...
Ky është kujdesi që ajo bën për të fshehur pushtetin. Por ajo është e padrejtë dhe në ndarjen e pushtetit brenda familjes. Nëse i hedh një sy, e shikon se dhe brenda familjes së tyre, njerëzit e fisit të gruas janë njerëzit në pushtet, ndërsa njerëzit e Berishës janë pak dhe thuajse rrugëve. Frenat e biznesit, kapitalet bankare, televizionet, shendetësinë, real estate, etj, i ka ajo. Berisha ka dy nipa në punë të rëndomta, që vuajnë pasojat e të qenit nipa të tij. Ajo dhe vajzën e kushëririt të 5-të e ka drejtoreshë. Unë, që e njoh nga afër, kam dhjetëra detaje që tregojnë se ajo kështu ka qënë gjithmonë, edhe kur Berisha ishte në opozitë


Kjo që po thoni duhet të jetë një gjë e re për publikun.
Por është një gjë e prekshme dhe e verifikueshme shumë lehtë. Ju jeni një nga gazetarët e parë, ndoshta i vetmi, që e keni kapur me intuitë falsitetin e saj. Keni shkruar para ca kohësh një shkrim për të. Mos gaboj keni shkruar një shkrim me titull "Pushoni, po flet Nexhmije Berisha".


Po, më kujtohet. Është një shkrim që e kam bërë pas Gërdecit. Ishte momenti kur ajo shkoi në një familje të lënduar (me viktima) nga tragjedia, dhe u tha "Saliu dhe unë vetëm tek ju e kemi mendjen". M'u duk frikshmërisht shtinjake.
Po, tamam. Një herë foli, dhe tregoi dhëmbët, hipokrizinë, dhe prirjen për të pasur pushtet. Duket larg pushtetit, ngaqë rri larg media-s. Por herë pas here e tradhton veten. Shikoni poshtërimin që i bën kunatit të vrarë, shikoni deklaratat e kundërta me ato të motrës së saj. Asnjë femër në botë s'mund të shkelë mbi motrën për hir të pushtetit, ashtu si ajo. Vetëm pushteti i saj e ka bërë Berishën të shtiret sikur nuk e ka njohur baxhanakun e tij. Vetëm pushteti i një gruaje mund të trasformojë kështu një njeri.


Dhe një gjë të fundit për të shoqin e saj. Si e mendoni ikjen e tij nga politika? Me probleme për të? Me probleme për vendin? Me probleme për PD? Apo një ikje normale?
Tek dikush që s'ka pasur asgjë normale në jetë, s'mund të jetë normale ikja. Besoj se do ikë me probleme për vendin. Sa për PD-në, ajo tani nuk është më problem i shqiptarëve, por problem i Berishës që ikën bashkë me të.


Para se të fillonim këtë chat së bashku, po lexoja një lajm nga jeta politike italiane. Bersani, shefi i së majtës, ka thënë sot, që "mos e mendoni të kollajtë ikjen e Berlusconi-t; do bëjë dëme ai para se të ikë". Nga kjo ngjarje mora shkak që ju pyeta. Kur e thonë për Berlusconin në Itali, ku ka një qerre me institucione të forta e të pavarura e një ushtri të madhe me opozitë e me shoqëri civile, përfytyroni se ç'duhet të themi ne për Berlusconi-n tonë!
Nuk duhet të kemi frikë të pranojmë, se do kemi probleme nga ikja e tij. Por është një betejë që duhet ta përballojmë.


Do ikë shpejt? Apo pas 36 vitesh? Më duket, se kaq, 36 vjet, e ka parashikuar mandatin e dytë si me të qeshur.....
Nuk do ikë aq shpejt sa duam ne, por nuk do jetë aq gjatë sa do ai.


I keni thënë të gjitha në libër? Ka gjëra të tjera pa thënë?
Për ato vite, po. Dhe për Berishën e atyre viteve. Tani do të filloj punën për një libër shterues për të, për rikthimin në pushtet, dhe përsëritjen e historisë. Ndoshta pas një viti.


Keni një përgjigje për ata që thonë, se "Mero Baze motivohet goxhá në gjërat që thotë sot edhe nga një zemërim e animozitet personal, që i vjen nga një marrëdhënie e dështuar dhe e prishur, politike e humane, e prandaj nuk duhet besuar deri në fund për gjërat që thotë"?
Nuk kam përgjigje për ata që duan të mos flas, dhe që shpikin arsye që unë të mos flas. Por është e vërtetë, se pasioni dominon shpesh punën time si gazetar i angazhuar. Besoj se në këtë vend bëjnë më shumë dëm ata që nuk flasin nga frika, se sa ata që angazhohen nga pasioni. E kam thënë nesër (të dielën) në një editorial të gazetës Tema, se në vendin tonë, ka mbërritur dita, që intelektualët, në vend të dijeve, shesin heshtjen. Kjo është poshtëruese


Në libër thoni se, me këtë libër, ju po i paguani dhe një borxh profesionit të gazetarit? I keni akoma borxhe?
Borxhet në profesion nuk janë sasi, po cilësi. Dhe kur them se po i kthej një borxh, kam parasysh faktin që kam qenë gazetar i angazhuar në kauza që i besoja, dhe që kam dështuar. Nuk ka rëndësi nëse unë e kam bërë dy herë, apo katër, atë gabim. Është një lloj gabimi që s'duhet të përsëritet.


Ju uroj suksese me gazetën Tema! Jam vecantërisht i sinqertë kur ju uroj suksese në këtë mes, ngaqë po shoh se po vdes media opozitare dhe po pakësohen në numur gazetarët opozitarë. Supozoj se Tema do jetë në binarë të opozitës. Shqipëria ka nevojë për opozitë. Ka nevojë, jo domosdoshmërisht për t'u rreshtuar me opozitën, por për të bërë opozitë.
Faleminderit!. Suksese dhe juve në sprovën e gazetarisë ne ëeb. Ndoshta po hapni një dritare shprese kundër prangave të parave, që na duhen për të botuar artikujt tanë.
********


Pjesë nga libri "Viti '97": Nisja e trazira në Lushnjë dhe fillimi i kaosit të shtetit piramidal

Tritan Shehu, peng i turmave në Lushnjë 

(Vijon nga numri i kaluar)
Kishin marrë peng Tritan Shehun. Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike ishte ulur në një fushë politike të minuar. Në stadiumin e Lushnjës, ku ishin mbledhur protestuesit, tri ditë pasi ishte shpallur falimentimi i skemave piramidale "Xhaferri" dhe "Populli", zemërimi dhe manipulimi i turmës arritën të krijonin simbolin e poshtërimit të shtetit dhe të rënies së tij. Zëvendëskryeministri, i cili, me siguri që gjithë jetën s'do ia shpjegojë dot vetes se çfarë do të sqaronte me turmat, u ul aty së bashku me ministrin e Drejtësisë, Kristofor Peçin, dhe u mor peng për disa orë nga protestuesit, të cilët ishin irrituar nga arrestimet e dy ditëve të fundit në Lushnjë. Lajmi mbërriti me shpejtësi në Tiranë dhe masat që mund të merreshin ishin të pakta. 
Unë kisha qenë dy ditë më parë në Lushnjë, kur ishte djegur qyteti dhe kur kishin bllokuar rrugën në Plug . E kisha parasysh fare mirë sa banale ishte situata me turmat e zemëruara, por nuk arrija të kuptoja se ç'kërkonte atje, madje pa asnjë mision të njëmendtë, figura simbol e grumbullimit forrnal të pushtetit të PD-së.


Në ditën e parë të bllokimit të rrugës në Lushnjë, më 24 janar, isha nisur aty bashkë me Lutfi Dervishin, me makinën time të vogël Golf. Pengesa e parë ishte në Dushk të Madh, ku rruga devijonte rrëzë kodrës, poshtë shinave të trenit. Forcat speciale ishin rreshtuar në formacion luftimi në anën e poshtme të rrugës, kurse mbi hekurudhë, një tufë e madhe fëmijësh dhe adoleshentësh i qëllonin me gurë. Ushtarët rrinin të strukur pas mburojave të tejdukshme. Ishte një situatë e paqartë nëse duhej të kaloje ose jo. Ndalova makinën dhe pyeta dikë nga djemtë sipër hekurudhës.
- A të kaloj unë, se jam për në Jug, - u thashë.?
- Kalo, kalo ti, e kemi me këta të Saliut ne. Nuk i lëmë ne të ikin këta...
Kalova me shpejtësi dhe, falë Zotit, nja dy gurë të vegjël që u përplasën në makinë, nuk bënë ndonjë dëm. Sa kalova rrezikun, ndalova. Nxora mikrofonin, me shpresë se mos kapte thirrjet e tyre, por ishin pak larg. Një oficer që drejtonte forcat speciale, m'u afrua dhe më foli në emër.
- Pse ndaloni prej këtyre? - e pyeta. - Kaq rrezik është?
- S'jemi të qartë se ku do të shkojmë. Ky është rrezik i vogël. Po presim urdhër se ç'të bëjmë.
Tunda kokën në shenjë ngushëllimi. Në fakt, oficeri diçka donte të më thoshte më shumë, sikur të më lutej që të lidhesha me ndonjë nga shefat e tij lart. Ishte i dëshpëruar dhe krejt i pamotivuar për punën e tij. Pamjet e ushtarëve të strukur nën gurët e adoleshentëve, ishin një inkurajim i madh kundër fuqisë së shtetit. Kërkesat e protestuesve ishin nga më të çuditshmet. Në qendër të tyre ishte Rrapush Xhaferri, kreu i Fondacionit "Populli". Ata besonin se ai i kishte paratë e tyre, por se qeveria e kishte arrestuar që t'ia merrte ato. Kërkonin që urgjent ai të vinte aty me helikopter dhe pastaj çdo gjë zgjidhej. Të tjerë pak më tutje mbanin gazetën "Koha Jonë" në dorë dhe puthnin portretin e Rrapushit. Ishte një histeri e papërballueshme.


Në rrugë ishin vendosur disa tuba hekuri dhe makina e kishte të pamundur të vazhdonte më tej. Dy djem më ndihmuan dhe më tregun një rrugë përmes fushës, ku kalonte zetori i jonxhës. I mora në makinë dhe ia dolëm pas 500 metrash. Nuk më ndaloi më askush deri te kthesa e Plugut, ku kishin ngritur barrikadën. Djemtë që kisha me vete më ndihmuan që njerëzit e tjerë mos ishin armiqësorë me mua. Hipën sipër makinës si roje, ndërsa unë nga brenda transmetova për "Zërin e Amerikës" direkt, duke parë nga larg qytetin dhe duke përshkruar turmën. Këmbët e tyre të varura mbi xhamin e makinës dhe zgjatja herë pas here e kokës për të kuptuar se çfarë po bëja me telefonin, ishin bezdia e vetme që kisha.


Transmetimi im nga kthesa e Plugut ishte një problem më vete. Shihja vetëm qytetin e Lushnjës dhe disa shtëllunga tymi që dilnin sipër tij. Nuk kisha askënd që ta pyesja se ç'ndodhte në qytet. Telefoni celular aty kapte vetëm në disa pika afër postës dhe thuajse asnjë nuk kishte celular në qytet. Pyeta dikë nga ata që kishin bllokuar rrugën, që të merrja vesh se nga dilte tymi.
-Kanë djegur Bashkinë, - tha ai. - Do t'u vëmë zjarrin të gjithave: Bashkisë, Komitetit... ç'të jetë.
Më erdhi për të qeshur, pasi Bashkia në të vërtetë ishte pasardhësja e Komitetit Ekzekutiv, por në mendjen e djalit asgjë nuk kishte ndryshuar. Në raportin tim e përshkrova situatën të rëndë dhe citova protestuesit të thoshin se po digjej Bashkia. Në të vërtetë, ishin djegur zyrat e Hipotekës dhe disa zyra të Tatim-Taksave të Lushnjës.
Kur mbarova, dola jashtë dhe i përshëndeta. Shumica ishin 17 - 20 vjeçarë.
- Çfarë kërkoni tamam? - u thashë. - Pse e keni zënë rrugën?
-Na ka vjedh Saliu lekët, ere!
-Ku i keni pasur lekët?
-Te "Xhaferri" i kishim, ere. E ka arrestuar Saliu, që t'ia marrë lekët dhe na gënjen neve. Thotë që është piramidë. Po e hamë ne atë, ere? Ta nxjerrë Xhaferrin, që ta thotë vetë...
-Po e nxori, ere, - u thashë unë. - A nuk ishte Xhaferri ai që doli dje në televizion dhe tha që s'kishte lekë?
Një natë më parë, në një kamerë bardhë e zi, nga ato që regjistronin në qeli, TVSh-ja kishte dhënë pamje në qeli nga intervista e prokurorit me Rrapush Xhaferrin. Pamja e tij e shfytyruar dhe filmi bardhë e zi e kishin zhburrëruar "gjeneralin" në sytë e idhujve të vet, por ata nuk donin ta pranonin që ai ishte "gjenerali i tyre".
-Jo, ere, jo. Ai ishte Pali Miska. Ne do të na e hedhë Saliu, e? Jo, ere, duam Xhaferrin ne. Ka lekë ai, ka sa të duash. Por ia ka marrë Saliu, ai qeni!
Ndërsa debatoja me kalamajtë që më kishin rrethuar, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ndrekë Gjini, i alarmuar, më mori në telefon:
-Ç'bëre në radio?
- Pse, çfarë ka ndodhur? - e pyeta.
Kur po flisje ti në radio, s'kishte marrë flakë ende, tani po e djegin. Më duket se dëgjuan radion, kur the "po djegin Bashkinë" dhe kanë shkuar aty.
U trondita nga arsyetimi i tij.
- Je i sigurt që ata shkuan pasi dëgjuan radion? - i thashë. - Unë s'kam dhjetë minuta që raportova. Ata s'besoj se kanë radio dore me vete.
- Ohu, unë të them kështu, ti s'do, - tha. - Nji tash kanë hy në Bashki.

E mbylla telefonin, por shqetësimi nuk më iku. Nuk jam ende fort i sigurt për atë që ka ndodhur, por ishte një leksion i egër i përgjegjshmërisë që duhet të ketë një gazetar kur raporton nga trazirat. Përvoja jonë në këtë drejtim ishte zero. Rrethanat ishin po ashtu shumë spekulative. Gjithçka më bëri të ndihesha keq, ndërsa udhëtoja drejt Tiranës. I lashë dy fëmijët në Dushk dhe ndërkohë, një grua e re, së bashku me burrin, kërkuan të vinin deri në Tiranë me mua. I mora, sepse ndihesha keq vetëm. Nuk fola thuajse fare me ta gjithë rrugës, përveç pesë minutave të para, kur ata më shpjeguan se do të shkonin tek motra e asaj gruas, që të rrinin ca kohë, deri sa të mbaronin rrëmujat. Kishte nisur ikja nga zona e "luftës".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx