E diele, 28.04.2024, 05:26 PM (GMT+1)

Mendime

Fazli Hajdaraj: Tendenca e kthimit të LDK-së në bandë

E enjte, 14.10.2010, 09:59 PM


LETER E HAPUR

 

TENDENCA E KTHIMIT TE LDK-SE NE BANDE

 

- Të gjitha strukturave të partisë të LDK-së

- Anëtarësisë të gjerë të LDK-së

- Simpatizantëve dhe elektoratit të LDK-së

 

"Sekreti i lirisë është guximi".

- Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë -

 

     Kryesia e Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz-in në Gjermani, e konsultuar edhe me asnëtarësinë e saj, krejt e pakënaqur nga rrjedhat e Kuvendit të VI-të të LDK-së, atëkohë, reagoi me letrën e hapur: "MBETEMI NE LDK-e, POR NUK MBESHTESIM UDHEHEQJEN E SAJ". Ky vendim rrodhi nga analiza që ne i bëmë kuvendit në fjalë dhe rrjedhojat e pritëshme nga instalimi i një politike klanore të një kryesie karrieriste, cinike dhe tërësisht të papërgjegjshme. Gjithçka çfarë kemi thënë e shkruar 41 muaj më parë dhe më pas në vijimësi, ka rezultuar e saktë, mjerisht.

 

     Që nga Kuvendi famëkeq, Kryesia Qendrore vicioze e klanore ka humbur tri palë zgjedhje, duke e humbur, njëkohësisht, edhe më shumë se gjysmën e elektoratit besnik e fisnik të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.

 

     Kryesia Qendrore e LDK-së, për afro katër vite, vazhdon të përsërisë, madje bajatshëm, reformat në parti, të cilat kurrë nuk i bëri. Dhe, ne e kemi thënë dhe përsëritur se rrënimtarët e LDK-së nuk mund të bëjnë asnjë reformë, sepse reforma e parë do të ishte largimi i tyre i pakushtshëm nga drejtimi i partisë.

 

     Emërimi në korrik të këtij viti i kryesuesëve të komisioneve zgjedhore, nga katër sish, tre gardistë të vjetër, është sinjali i qartë se klika cinike klanore nuk heq dorë nga uzurpimi i partisë, nga mbajtja peng e LDK-së. Këta klanorë na e kujtojnë Esat Pashë Toptanin e Tiranës në vitet `20-a, i cili, për të qenë i parë i vendit, madje me çdo çmim, mjaftohej vetëm me Shqipërinë e Mesme, me qendër Durrësin.

 

     Dalja në skenë e djalit të Presidentit Rugova, Ukë Rugovës, ua çori maskat klanorëve. Ata, apriori e rizgjodhën kryetarin aktual edhe për një mandat katërvjeçar, duke përjashtuar çfarëdo kandidature të dytë!!!

 

     Pritja cinike, brutale, prepotente, injoruese e thellësisht armiqësore e Ukë Rugovës, dëshmoi edhe për armiqësinë organike që kanë pasur klanorët edhe për vet Presidentin Rugova. Dhe, është pikërisht kjo urrejtje që i shpuri ata në rrënimin e gjithë asaj që kishte ngritur mençurisht gjeniu dhe hyjnori President Rugova. Belbëzimet e turpshme të kryeklanorëve se "dyertë e LDK-së janë të hapura për të gjithë", se "çdonjëri që mbush moshën 18-vjeçare ka të drejtën të zgjedh dhe të zgjidhet", se "gëzon të drejtën e anëtarësimit", se "mos doni të organizojmë ceremoni synetie", këshillimi i Ukës "që të këtë kujdes të mos e koritë babën" dhe përrallisje të tjera sa fodulle, aq edhe të pamoralshme, në adresë të djalit të Presidentit Rugova, duhet të shërbëjnë si pikënisje për strukturat e LDK-së, nëse ka mbetur ndonjë e lirë, e pakorruptuar nga klani aktual, për anëtarësinë dhe elektoratin, që t`u tregojë vendin klanorëve cinikë.

 

    Shefat e LDK-së, posa përfunduan farsën zgjedhore të Kuvendit të VI-të, ende pa u tharë lotët në fytyrat e familjes Rugova, për humbjen e njeriut të tyre të shumëdashur, të njeriut të Parë të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve të kudondodhur, (përjashto këtu një grusht komunisto-sllavistë stalinistë shqipfolësish të Kosovës), Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, trokitën në derën Rugova, për të marrë bekimin aprovues për kryetarin e ri të LDK-së Fatmir Sejdiun.

 

     Fotografimi i vizitës në rezidencën e dr. Rugovës, sikur përmbushi kriteret e aprovimit. Por, që nga ajo vizitë-lypëse kanë kaluar afro katër vjet. Treguesit e këtij lidershipi janë fatal për LDK-në dhe Kosovën në tërësi. Anëtarësia e LDK-së e tej përgjysmuar dhe Kosova e komunistizuar dhe e fashistizuar.

 

     Pas gjithë kësaj ploje të bërë në dëm të partisë të Presidentit Rugova, nëse Ukë Rugova do ta vazhdonte mbështetjen për këtë klan, ai do ta turpëronte jo vetëm babanë, burrin e shquar të kombit, dr. Ibrahim Rugovën, i cili për madhështi historike nuk ka ndërmjetës që nga koha e Skënderbeut në SHQIPTARI, por edhe gjyshin Ukë Rugova senior, stërgjyshin Rrustë Rugova, katragjyshin Sadri Elezi - Rugova si dhe familjen fisnore Rugova, aq shumë e gjakosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

 

     Rugova Junior me hapin e bërë, me vendimin e marrë, se përkrahë vetëm ata që ndërmarrin reforma të thella në parti, për ta rimëkëmbur LDK-në e stërkequr dhe të gjunjëzuar, i bën një shërbim të madh LDK-së dhe Kosovës. Çdo vendim ndryshe ose edhe heshtja e mëtejme, do të ishte tradhti ndaj të atit, Rugova Senior, i cili me themelimin, drejtimin e prosperimin e LDK-së dhe të Kosovës, ishte njeriu më i rrezikuar i planetit, i cili u atentatua në shtëpi, në rrugë nga bandat komuniste staliniste të Kosovës, banda këto fashizoide që e donin, gjithësesi, kryetarein e LDK-së dhe Presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të vdekur, ndonëse e shihnin si barrierë të pakapërcyeshme për ta marrë pushtetin. Pse ishte në drejtim të LDK-së dhe të Kosovës, i pakalueshëm edhe nga Serbia, Presidentin Rugova e kidnapuan dhe e mbajtën rob forcat pushtuese serbe dhe vetëm ndërhyrja efikase e ndërkombëtarëve mundësoi lirimin e tij.

 

   Fakti se djemtë e zgjuar të Presidentit Rugova vazhdojnë studimet në moshën tej 30 vjeçare, dëshmon për ngujimin familjar, për privimin e lirisë nga bandat e kuqe sllavo-komuniste shqipfolëse të Kosovës, madje në dekadën e parë të shekullit 21, në zemër të Evropës demokratike, rast i paparaprijës për familjet e presidentëve apo të mbretërve të botës!!!

 

     Forumi Rinor - fëmijtë, ia falën edhe një mandat xhaxhi Fatmirit, madje pa e konsultuar fare bazën! Tani kemi një Forum Rinor bandë. Këtë e bënë edhe gratë ledekeiste! Pra, LDK-së iu shtua edhe banda e grave. Tani është radha e burrave, pasi kryeburri zgjedhor deklaroi botërisht se të tjerët provojnë me kot, përndryshe Fatmir Sejdiu  do të jetë edhe mëtej  kryetar i LDK-së! Kuadri i plotësua me bandën e burrave! Pra, çjerrja e maskave është e tejdukshme.

 

     Kryesia e Nëndegës të LDK-së për Republikën e Rheinland Pfalz-it mendon se në atë çast kur njeriu ka frikë nga partia e tij, nuk ia vlen të qëndrojë në atë parti as edhe një ditë të vetme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë: "Sekreti i lirisë është guximi". Shprehja e mendimit të lirë është a-ja e demokracisë. Partitë - banda të së majtës ekstreme në Kosovë nuk kanë asnjë gram demokraci. Ka fakte se për shprehje të mendimit personal, por që ka rënë ndesh me synimet e partisë-bandë, janë shuplakosur, grushtuar dhe shkëlmuar edhe anëtarë të kryesisë!! Dhe, janë vetizoluar në heshtje, pa guxuar me shprehë largimin publikisht.

 

     Pikërisht, tendencën për ta kthyer LDK-në në bandë e ka edhe klani uzurpator në kryesinë e saj. Por, një LDK-e bandë, do të ishte bandë lake e dy partive tjera kryebanda, sepse kësaj bande i mungojnë strukturat e krimit të domosdoshme për një bandë të mirëfilltë, siç i kanë dy partitë e ekstremit të majtë. Megjithatë, do të mjaftonte për  shuarjen e zërave kundërshtues brenda partisë si dhe plakjen e partisë, duke hermetizuar hyrjet e reja në jetën politike. Barrikadimi tipik komunist, tashmë, nuk mund të fshihet. Edhe ndonjëri syrësh që thoshte se LDK-ja jo vetëm që do t`i hapë dyertë, por edhe do t´i heqë  fare ato, rezultoi i rrejshëm e mashtrues. Heshtja akruale e tij është tejet diskredituese, duke mos pasur as guximin elementar për t`u shpjeguar pse nuk e mbajti premtimin e dhënë publikisht?!!

 

     Para kësaj tendence për ta kthyer partinë në bandë, siç kanë bërë dy partitë e ekstremit të majtë stalinist, PDK-ja dhe AAK-ja, çfarë duhet të bëjnë strukturat e partisë në bazë, duke filluar nga aktivat, nëndegët dhe degët e LDK-së?

 

     Përzgjedhja seleksionuese që po bën klani aktual i qendrës, u pa me të ashtuquajtura forume të rinisë dhe të gruas. Hedhja e mendimit se kryetarët e degëve do të emërohen nga qendra, pa iu shtruar konkurencës demokratike brenda anëtarësisë, flet për një manipulim dhe votim në tufëzim për kreun e LDK-së, ashtu siç bënë edhe në Kuvendin e VI-të. Veçse këtë herë konturet manipuluese janë më të dukshme, të vrazhdëta dhe tërësisht kundrademokratike dhe banditeske. Njëri nga kryecinikët banal e bajat të kryesisë klanore, duke përligjur drejtimin e LDK-së me korrespondencë, tha se ka parti që e ka kryetarin në burg. Ai veç sa nuk tha se edhe karteret e drogës funksionojnë edhe atëherë kur kreu i bandës arrestohet. Krejt normale. Prandaj quhen banda, pse kanë strukturë centriste.

 

     Veprimtarët e shkollës rugoviane barrikadës klanore uzurpatore, duhet t`i përgjigjen me të njëjtën monedhë barrikaduese. Të gjithë ato kuadro që dëshmohen të zëshëm për ta ruajtur statuquonë dështuese, me zbatimin manipulativ në favor të klanit qendror, pa fakte arsyetuese e bindëse për këtë mbështetje, duhet të konsiderohen të emëruar të dhunshëm, model ky i kopjuar nga Serbia e Millosheviçit në vitet `90-a. Dhe, kjo nuk është anarshi. Përkundrazi, është qasje tërësisht demokratike, për të amortizuar dhe devalvuar  klanet lokale në bazë, duke i dhënë hapësirën e nevojshme anëtarësisë për zgjedhje demokratike partiake.

 

     Anëtarësia dhe elektorati i LDK-së të trevës të LLapit dhe të Gollapit ndodhet para një sprove serioze. Ata duhet të zgjedhin  në mes të të qenit zgjedhës lokalistë, primitivë e anakronikë ose zgjedhës bashkëkohorë dinjitozë. Ekziston rreziku bazal  që ata ta ndjekin shembullin shëmtak të Drenicës dhe të një pjese të Dukagjinit, me qendër Deçanin. Na ishte një kohë, madje hiç e largët, kur WC-të, dikur tradicionale, më vonë rrethanore, në fshatra, jashtë hapësirës të shtëpisë, nuk përdoreshin më pas kaplimit të errësirës, nga frika e bandave aktive partiake, të ekstremit të majtë stalinist, të cilat përgjonin, për t`i dajakosur ose vrarë, aktivistë, anëtarë ose edhe simpatizantë të LDK-së. Dhe, partitë-banda, duke përdorur dajakun dhe kulaçin njëherësh, arritën t`i disiplinonin njerëzit, për të votuar në tufëzim për liderët lokal.

 

     Llapjanët, që, aktualisht, janë shtyllë e fortë e demokracisë dhe të përkrahjes të filozofisë rugoviane, urojmë të mos bien pre e lokalizmit të shëmtuar fisnor e xhungëlor afrikan e aziatik. Por, të manifestojnë kulturë prosperuese evropiane, duke votuar për njerëzit që janë mbushamendës për reforma të njëmendëta, reforma jo përjashtuese, por bashkruese, për ta ngritur e bërë zonjë të vendit partinë e duarëve të pastra, partinë madhore e zëmadhe të Presidentit Rugova, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

 

     Për ta ndihmuar anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së, për të mësuar të vërtetën absolute, pse u rrënua, diskreditua dhe u turpërua keqas LDK-së, do ta kenë rastin për ta parë e lexuar shkrimin analitik më të kompletuar të bijve llapjanë prof. dr. Zejnullah Rrahmani dhe prof. dr. Rexhep Gjergji, bashkëthemelues të LDK-së, me titull të drejtpërdrejtë: "PSE HUMBI LDK-JA", botuar pas zgjedhjeve nacionale të viti 2007. Urojmë të mos zhgënjehemi nga llapjanët, të mos harrojnë lotët e derdhur për Presidentin Rugova, gjakun e martirëve të lirisë dhe të demokracisë - Enver Malokut e Xhemal Mustafës me shokë, si dhe plagët e rënda të kuadrove, anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, të shkaktuara nga bandat e ekstremit të majtë shqipfolës.

 

     Klani në qendër ka krijuar edhe celulat klanore në bazë. Kur kuadrotë jashtë klanit në Therandë shprehnin shqetësimin për rrjedhje të anëtarësisë, kreu i klanit vendor injoronte faktin, duke  thënë se po largohen vetëm individë. Kësaj teneqeje të shpuar i binte edhe anëtari i klanit të qendrës, ministri i jashtëm, të cilit i serviren fakte dhe shifra të humbjes të anëtarësisë. Dhe përgjigja ishte fatale, qoftë si anëtarë kryesie, qoftë si diplomat: "LDK-ja nuk merret me shifra!!!" Po pushteti me çka fitohet?!!

 

     Por, klani i qendrës nuk e ndali turrin e marrëzisë me kaq, për ta humbur pushtetin në Therandë. Ky klan mori anëtarin e kryesisë të një partie të majtë nga kjo komunë, meqë ai ishte mik i njërit nga kryeklanorët, e katapultoi ministër dhe, më vonë, shef të ekzekutivit të LDK-së, duke injoruar mijëra kuadro të partisë, madje shumë më meritorë se ai për këto poste! Dhe, një ditë ai u shkëput nga LDK-ja, kandidoi për kryetar komune në emër të një partie- bandë dhe pas 9 vjet qeverisjeje, LDK-ja nuk arriti as në balotazh në Therandë!!!

 

     Sollëm si shembull të manipulimeve dhe të provokimeve të rënda, të bëra ndaj anëtarësisë dhe elektoratit numerikë të LDK-së Therandën, sepse, nëse Istogu i Shaban Manajt dhe i Fadil Feratit fitonte me 70 % në zgjedhje, Theranda e Ukë Bytyçit printe në shkallë Kosove me 72 % në fitore.

 

     Zotrinj klanorë, provoni të demantoni qoftë edhe njërin nga faktet tona, për prapësitë tuaja në vijimësi, madje gjithëherë në dëm të LDK-së dhe të vet Kosovës.

 

     Ilustrojmë me një fragment nga shkrimi i analistit Enver Robelli: "Pjesa më e madhe e Kryesisë aktuale po i prin me guxim avanturesk kortezhit, i cili po e qon LDK-në drejt varrosjes solemne. Varrosja e një partie që dikur përfaqësonte më shumë se gjysmën e elektoratit është dëmtim i demokracisë."

 

     Populli i Kosovës është ngopur deri në tugitje me dy partitë-banda të ekstremit të majtë stalinistë: PDK-në dhe AAK-në. Plumbi, dajaku, kulaçi, manipulimet, falsifikimnet, injoranca, fodullëku, prepotenca, brutaliteti, përlavdërimi se e bënë dhe e fituan luftën, ndërkohë që e sabotuan dhe e humbën me fund atë, duke shkaktuar mijëra viktima të pafajshme shqiptarësh. Dhe, tani kur janë shtuar zërat për mundësinë e kthimit edhe të LDK-së në parti-bandë, njerëzit e lodhur të Kosovës, madje krejt të pa shpresë për të dalë nga ky tmerr, po luten të mos kenë një bandë të tretë mbi kurrizin e tyre, tashmë të dërrmuar.

 

     Në fushëbetejë Kosova e humbi tërësisht luftën. Madje mungoi edhe serioziteti dhe dinjiteti, përshkak të sabotimit që i bëri kësaj lufte e majta ekstreme staliniste e Kosovës, e dirigjuar dhe e ndihmuar fort nga shtetarët social-komunistë e kallës të Shqipërisë. Rrjedhimisht, çlirimi i Kosovës është rezultat i politikës mençurake të Presidentit Rugova, i cili në bashkëpunim me Atin e Shenjtë - Papa Vojtilën e madhërishëm dhe qendrat e vendosjes, të prira nga Amerika dhe Anglia, me apashët e tyre përzunë Serbinë pushtuese dhe sollën lirinë e shumëpritur për popullin e shumëvuajtur të Kosovës.

 

 Këtë të vërtetë absolute e kanë thënë dhe përsëritur akterët kryesorë të çlirimit të Kosovës: Presidenti Clinton, Kryeministri Blear si dhe personalitete të tjerë botërorë. Kur rrahagjoksët komunisto-stalinistë të Kosovës e tepëruan dhe u turpëruan me falsifikimin bajat se "ne e çliruam Kosovën", Presidenti Clinton, zemërplasur për fodullëkun e këtyre "politikanëve" qumshtorë, duke lënë modestinë me një anë, tha të vërtetën historike: "Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen". Dhe, sipari i përlavdërimeve, gënjeshtrave, manipulimeve dhe të falsifikimeve lidhur me lirinë e Kosovës duhet konsideruar i mbyllur. Kujdes, ju, batakçinj të Kosovës, me lakejtë tuaj "historianë" komunistë, mos provoni ta falsifikoni historinë e Kosovës, siç e bëri  historinë e Shqipërisë rrezginë e paçavure ati juaj ideologjik e shpirtëror - filosllavi Enver Hoxha, falsifikim ky, nga i cili u turpëruan të gjithë shqiptarët, në veçanti intelektualët, për heshtjen e turpshme.

 

     Koalicioini me partinë e ekstremit të majtë, partinë e SHIK-ut bandë, po shërben si mbulesë e krimit të organizuar dhe të korrupsionit galopant. Atë ditë kur njëri nga krerët e SHIK-ut vrastar, çuditërisht, kryeparlamentar i Kosovës, nga ulsja e parë e Kuvendit, mbrojti publikisht  krimin e organizuar politik, shefat e LDK-së, më se paku që mund të bënin për të mirën e Kosovës, do të duhej ta zhbënin koalicionin me partinë-bandë të SHIK-ut, PDK-në.

 

     PDK-ja vendos për gjithçka, pa përfillur fare të ashtuquajturin partner të koalicionit - LDK-në. Rast flagrant ishte edhe leximi i deklaratës të shpalljes të pavarësisë të Kosovës. Shtrohet pyetja: A shpallej i pavarur shteti i Kosovës apo qeveria e Kosovës?! Atëherë, kush përfaqëson shtetin? Kryetari i shtetit apo kryeministri? Dhe, pse duhej ta lexonte deklaratën e pavarësisë të shtetit kryeministri dhe jo presidenti i vendit?!! Këtë lëshim nuk e bëri Fatmir Sejdiu nga modestia, sepse me këmbënguljen për ta mbajtur edhe më tej postin shtetëror dhe atë partiak, madje edhe pas dështimit total të drejtimit të LDK-së, dëshmon se nuk vuan nga ndjenja e modestisë. Por, heshti para prepotencës, mospërfilljes, brutalitetit të kryeministrit.

 

     Në aktin e pavarësisë në shkurtin e 2008-ës, u përsërit prepotenca dhe fodullëku i të vetquajturit përfaqësues të UÇK-së në Rambuje, duke pretenduar për të qenë kryetar i delegacionit të Kosovës, ndërkohë që ai nuk kishte bazë deleguese për të qenë as anëtar i delegacionit, sepse nuk e njhihte si përfaqësues të vetin as shtabi, kinse i tij, në Dragobil!!! Ishte fletushka përçarëse dhe kundrakombëtare "Zëri i Kosovës" që e shpalli atë "kryetar" të delegacionit të Kosovës në Rambuje!

 

     Ndërkohë, dihet se Konferenca e Rambujesë ishte e një rëndësie të veçantë, andaj ashtu siç përfaqësohej Serbia nga presidenti i saj, vetëkuptohet se ky përfaqësim për Kosovën i takonte Presidentit Rugova. Për rrjedhojë delegacioni i Kosovës, përgjatë gjithë Konferencës të Rambujesë, nuk kishte kryetar të delegacionit! Bota e mbajti frymën për karrierizmin primitiv e provincial që manifestuan njerëz të ardhur nga rruga dhe rastësia i futi në Kështjellën e Rambujesë.

 

     Ato ditë sikur përmjerën edhe vet pavarësinë e shumëpritur të Kosovës kalemxhinjtë vrastarë të demokracisë, duke uluritur e thirrur për përçarje të shqiptarëve, me gënjeshtrat e shtrembërimet e pafundme se kinse "pavarësinë e realizuan dhe e shpallën ata që bënë luftën"!? Zotërinj sahanlëpirësa, na e thuani qoftë edhe një betejë të bërë apo të fituar nga ky soj , që ju pretendoni se bënë luftën?! Asnjë. Fundja, ata nuk qenë pjesë e luftës, sepse ishin në Perëndim dhe Tiranë. Atje, të paktën, në vitet 1998-99 nuk është bërë ndonjë luftë. Kosovën e çliroi NATO-PAKTI dhe mbeturinat e Sigurimit të Enver Hoxhës i instruktonin stalinistët e Kosovës për të marrë pushtetin e gatshëm, madje pa i zgjedhur mjetet!

    

     Komunistët shqiptarë, armiq permanent të Shqiptarisë, të prirë nga kreu i shtetit Rexhep Mejdani, i vunë zjarrin Shqipërisë më 1997, për të marrë pushtetin dhunshëm, ashtu siç bënë komunistë-stalinistët e Kosovës, duke vrarë kundërshtarët politikë. Mjerisht, për shumë keqardhje dhe për turpin e madh të grupeve halabake të stalinistëve të Kosovës, me fletushkën paçavure "Zëri i Kosovës", qenë aktiv në fryrjen e zjarrit, kallës edhe të shkollave, bibliotekave, spitaleve dhe institucioneve të tjera, në nismë të demokracisë të brishtë shqiptare.

 

     Kuadro të lartë të PDK-së thonë se pa LDK-në në pozitë, "imixhi i Kosovës dëmtohet". Por, ata fshehin diç më të madhe, fshehin komunistizimin e fashistizimin e sotëm të Kosovës. Nga partitë-banda të ekstremit të majtë stalinist, me qëllim të marrjes dhunshëm të pushtetit, janë vrarë, të paktën 950 kuadro dhe anëtarë të LDK-së. Dhe, pas çdo arrestimi të vrasësve faktikë ose urdhërdhënës. liderët dhe kuadrotë e larta të dy partive-banda, nepërmjet levave e veglave të tyre OJQ-ve, të ashtuquajtura "të dala nga lufta", pa hyrë kurrë në luftë, nxjerrin falangat uluritëse rrugëve e bulevardeve të Kosovës, me britmat çakorduese "lironi çlirimtarët", "lironi heroinjtë"!?!

 

     Por, krimi nuk mbaron me të kaluarën vrastare. Partitë-banda të së majtës manifestojnë forcë dhe rrugaçëri në çdo rast e kohë që rrezikohen interesat e tyre politike e materiale. Shembull flagrant ishin zgjedhjet e fundit lokale. Në një komunë të Dukagjinit, shefat e njërës nga partitë-bandë, kishin porositur kuadrin e vetë lokal se "komuna duhet të fitohet me çdo kusht e çmim. Të porositën shtëpi për shtëpi elektorati partiak që të votojë para orës 11-oo të ditës. Pas kësaj ore të provokohet një incident, madje pavarësisht përmasave e rrjedhojave, me qëllim frikësimi të elektoratit të partisë në balotazh, që të mos votohet më tej"!!! Pikërisht, për këtë mendësi kriminale, staliniste e fashizoide, ky soj partish quhen parti-banda, sepse udhëhiqen nga banda dhe kanë qëllime banditeske.

 

     Dhe, ky skenar kriminal u zbatua pa asnjë hezitim. Karvani i makinave të bandave, të ardhura nga komunat tjera, kishte rrethuar qendrën e votimit të bashkësisë lokale. U fiksuan vrasës serialë, por të dënuar simbolikisht nga UNMIK-u, favorizuesi skandaloz i krimeve në Kosovë, me sejmenët e tyre. Dhe, njëri nga kriminelët e partisë-bandë goditi, madje pa u shqetësuar fare, personelin e komisionit zgjedhor. Mediat e pasqyruan në detaje këtë krim, por kryeprokurori lavdëraç Ismet Kabashi nuk u ndje i gjallë. Ia dinë hallin vetit zotëria, lake i qeverisë dhe manipulues e mashtrues i drejtësisë.

 

     Ndërkohë, zgjedhjet u proklamuan si "shumë të suksesshme dhe supër demokratike", edhepse vezhguesit objektiv pohuan se zgjedhjet u "zhvilluan nën presionin e terrorit të kuq të se majtës ekstreme dhe votimet duhej përsëritur, në të paktën, në 22 komuna". U dëshmua qartazi se Kosova nuk është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike, sepse partitë-banda dhunojnë çfarëdo procesi demokratik zgjedhor.

 

     Disa nga ndërkombëtarët trumbetuan gënjeshtra pa doganë fare se kinse "zgjedhjet qenë të rregullta e demokratike"!!! Si duket janë lodhur me shqiptarët dhe sikur duan të lirohen nga kjo barrë. Ata e dinë se shqiptarët, gjatë historisë, më shumë kanë qenë mercenarë se sa çlirimtarë. Kjo po dëshmohet edhe sot me rrjeshtimin e tyre në partitë-banda. Edhe pavarësia e Shqipërisë, edhe ajo e Kosovës janë dhuruar nga ndërkombëtarët. Dhe, sikur duan të thonë: "Ne u çliruam. Nëse nuk dini ta vlerësoni lirinë, në djall shkofshi, le t`ju ripushtojë Serbia"!

 

     Kur kryetari i AAK-së ishte kryeministër, ndërsa  kryetari aktual i Parlamentit ishte në opozitë, ky i fundit akuzonte të parin se "duke qenë nën hetime për krime të rënda, nuk mund të kundërshtojë për asgjë ndërkombëtarët." Po sot që SHIK-u supërkriminal, i cili identifikohet me PDK-në e kryeparlamentarit, vrasës serial i veprimtarëve të LDK-së, për të marrë pushtetin dhunshëm, duke qenë nën hetime, madje me fakte dhe dëshmi të bollshme të krimit politik dhe ekonomik, sa është i aftë zotëria me shokë të përballojë kompromiset me Serbinë, në dëm të Kosovës, siç ngulmojnë disa nga hileqarët ndërkombëtarë, kur thonë se "pavarësisht planit të Ahtisarit, duhet parë realitetin faktik të krijuar në veriun e Mitrovicës"!

 

     Opozita e ka kuptuar se shtetarët e inkriminuar keqas, madje në krime seriale, pavarësisht vullnetit të mirë, nuk kanë mundësinë as të rezistencës minimale ndaj presionit në rritje të ndërkombëtarëve. Por shefat e partisë-bandë nuk kanë as guximin qytetar, për ta pranuar këtë të vërtetë të madhe, qoftë edhe në heshtje, duke u vetëmenjanua nga ky përfaqësim, për t`i lëshuar rrugë një komisioni me duar të pastra. Kush e garanton popullin e Kosovës që kjo bandë, në këmbim të lirisë, të mos këtë marrë obligime ndaj ndonjë segmenti të ndërkombëtarëve, miq të Serbisë dhe indirekt edhe ndaj vet Serbisë, për veriun e Mitrovicës dhe enklavat serbe, të krijuara si rrjedhojë e sulmeve të mars-prillit 2004, me skenarin e Serbisë dhe të realizuara nga dy partitë-banda, me levat e veglat e tyre OJQ-it, kinse  "të dala nga lufta", pa hyrë fare në luftë! Komunistët-stalinistë kanë qenë dhe mbetën armiq të Kosovës dhe të shqiptarisë.

 

     Në një letër drejtuar Kryesisë Qendrore, afro dy vjet më parë, Nëndega jonë shprehu dyshimin se Kyesia e LDK-së, përkatësisht, klani brenda kryesisë, ka marrë obligime ndaj partnerit në koalicion, PDK-së, duke parë serinë e prapësive shkatërruese për LDK-në. Dhe, kur dëgjuam dhe lexuam përgjigjen mohuese, ne u gëzuam si fëmija për dhuratat, duke uruar të jemi gabuar në vlerësimin e dhënë për kryesinë në fjalë. Por, koha dëshmoi katërcipërisht se përcaktimi dhe adresimi ynë ishte tërësisht i saktë dhe se klanorët janë koracuar forcërisht në krye të partisë, duke e dhunuar atë pamëshirshëm, për interesat e tyre personale e grupore, si rrjedhojë edhe të partisë në koalician, gjegjësisht - PDK-së.

 

     Këto ditë Parlamenti po diskuton ligjin për trajtim moral e material për kategoritë e pjesëmarrëve në luftë, të dëshmorëve e tjera. Eshtë fatale për kryeministrin e vendit të shihet në ekran, kokë me kokë, me një të ashtuquajtur kryetar i Shoqatës të Veteranëve të Luftës, por që tani flet në emër të të gjitha shoqatave të "luftës" dhe të pasluftës, ndërkohë që ai ishte në burg, duke u hetuar për një vrasje, madje politike, por që është liruar nga burgu me dallaveret e UNMIK-ut.

 

     Të vrarët nga bandat komuniste-staliniste, të organizuara në organizatën terroriste të SHIK-ut, gjatë dhe pas luftës, nuk u përfshinë në këtë trajtesë. Për ta fituar "Jerusalemin shqiptar", Prizrenin, kryeministri tha se "kam nderin  ta kam në krah vëllain e mikut tim të luftës - Ekrem Rexhës." Por, kjo ishte vetëm për efekt votash. Përndryshe, për raportet e tyre "këndohet një këngë tjetër". Vrasja e Komandant Drinit është në një linjë me vrasjen e Ismet Rracit, Ukë Bytyçit e tjerë; me rastet e Pejës dhe të Istogut; me plagosjet e Sabri Hamitit, Fetah Rudit, Agim Veliut e tjerë; zhdukja e Idriz Rrecit me të tjerë, apo tentativa për vrasjen e Adem Salihaj. Qëllimin e saktë të këtyre eleminimeve  e dëshmon bindshëm  shikasi - vrasës i penduar Nazim Bllaca, i cili, në rastin Salihaj thotë se "duke qenë ai në krye të LDK-së në Ferizaj, pushtetin komunal nuk mund ta marrë kurrë PDK-ja." Kjo vlen edhe për të gjitha rastet tjera.

 

     Këtu nuk kemi për objekt aksionet vrastare, por trajtimin moral të të vrarëve dhe material të familjeve të tyre.  Për shembull, familja e Ekrem Rexhës gëzon ndihmën sociale 50 euro në muaj, ndërkohë që fëmijtë e pushtetarëve i shpenzojnë 50 euro në ditë!

 

     Heshtja e shefave të LDK-së për përjashtimin arbitrar të trajtimit të dëshmorëve të vrarë nga komunistë-stalinistët e Kosovës, është e pafalshme dhe e turpshme. LDK-ja nuk duhet të aprovojë asnjë ligj diskriminues, në veçanti për kuadrin e saj të vrarë, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë. E përsërisim, janë, të paktën, 950  të vrarë nominativë, që tashmë janë përjashtuar nga trajtimi.

 

     Kjo heshtje flagrante dhe të tjera në vijimësi, dyshimi ynë se klani aktual ka marrë obligime ndaj partisë të koalicionit - PDK-së, kthehet në bindje. Përndryshe, nuk shpjegohet një inferioritet servil e pakurriz i shefave të LDK-së.

 

     Shqetësimet në rritje të partive opozitare, të organizatave të ndryshme, të popullit tërësisht të papërfillur, për shitjen e pasurive shoqërore janë bazale. Ilustrojmë vetëm me rastin e shumë dhjetra hektarëve tokë në Banjë të Istogut, të shitur me 300 euro për hektar!!! Ndërkohë që, krejt afër këtyre tokave, shitjet private bëhen me 3.900 euro për 1 (një) ari tokë. Bashkë me sipërfaqet e tokave, si pasuri shoqërore janë shitur edhe pronat e sekuestruara të nacionalistëve shqiptarë, të ekzekutuar nga Serbia!  Për habi, shitja simbolike u është bërë kuadrove të larta të PDK-së!! E gjithë kjo batërdi korruptive e pushtetarëve aktual është e faktuar, e dokumentuar.

 

     Njeriu i dytë i LDK-së, pasi ka "tallur koçet" për afro katër vjet radhazi me anëtarësinë e LDK-së, së fundi nuk e kurseu dot as shefin e tij. "Eshtë e domosdoshme edhe një mandat katërvjeçar për Fatmir  Sejdiun"- thotë ciniku i demoduar, i cili nuk e konsideron të mjaftueshëm rrënimin e deritanishëm të LDK-së.

 

     Ata që mendojnë se LDK-ja duhet të drejtohet edhe më tej me "bedel", janë debilë të pakurueshëm. Injorimi dhe fyerja e qindra kuadrove, intelektualëve të LDK-së, me autorizimin e kompetencave për "bedelin" e tij, është unikale. Shtrohet pyetja pse zëvendësi i Sejdiut "kapet si shkau për kryqin" pas shefit të tij?! Sepse ai me klanin e tij kanë "kullotur" si kanë dashur, kanë abuzuar skajshëm me pushtetin partiak, por, me aq hapësirë sa kanë pasur, edhe me pushtetin shtetëror. Dhe, çfarëdo reforme që të bëhet, edhe nëse mëshirohen për mëkatet e bëra, privilegjet aktuale do t´i humbasin.

 

     Revanshi që manifeston klani në fillim të fushatës zgjedhore në parti, është tipik komunist. Një diktat i neveritshëm. Të degradosh rininë, qysh në hapat e parë të hyrjes në politikë, është regres e krim, sepse i diskriditon dhe nuk kanë fytyrë as moral për një të ardhme politike të shëndetshme. Forumit Rinor dhe atij të gruas duhet dhënë kohë e hapësirë të nevojshme për të zhbërë turpin e bërë. Kooptimi në Kryesinë Qendrore të kryesuesve të këtyre forumeve, ashtu siç është përcaktuar me statut, lehtë të manipulueshëm dhe të lakueshëm, do ta bënin një kryesi jo serioze dhe aspak dinjitoze.

 

     LDK-ja është bërë "me iu dhimtë mikut dhe armikut" siç thuhet kur dikush bie në mjerim, katandiset keqas. Një shqetësim e keqardhje po e hasim sot në të gjitha mediat, madje edhe nga gazetarë e analistë, të cilët dikur nuk kanë qenë hiç miqësor me LDK-në. Dhe, kjo përligjet, sepse intelektualët dhe atdhetarët e mirëfilltë, në veçanti gazetarët kanë përgjegjësinë morale si për fjalën e shkruar, ashtu edhe për heshtjen e dëmshme. Gjatë Luftës të Dytë Botërore e pyetën gjeneralin Charl De Gole se cilët janë armiqtë e Francës? Dhe, gjenerali, strateg i luftës,  u gjegj prerazi: "Pushtuesi me bashkëpunëtorë dihen, por edhe indiferentët janë armiq të Francës". Për analogji, për gjendjen kaotike e mjerane që ndodhet sot LDK-ja dhe vet Kosova, indiferentët, sehirbërësit heshtakë, pritësit spontanë të rrjedhës të ngjarjeve në vend, mospjesëmarrësit në votime, janë ashtu siç i ka përcaktuar gjenerali i famshëm De Gole.

 

       Analistët dhe gazetarët tanë i njohin "me dhëmbë e dhëmballë" partitë-banda, ku, mjerisht, me dhunë e mitosje, është i angazhuar një numër i konsiderueshëm i popullit të Kosovës. Praktika e qeverisjes të këtyre partive -  banda është tërësisht jo demokratike dhe anakronike për kohën. Dhe, natyrshëm, ke LDK-ja shohin një rreze shprese, një mundësi të daljes nga kjo krizë stërkeqësese.

 

     Në Kosovë vazhdon të manifestohet një karrierizëm dhe fodullëk i shfrenuar. Lobimii liderit të AKR, për njohje të shtetit të Kosovës, është shoqëruar me një xhelozi marroqe nga koalicioni aktual në qeverisje. U krijua bindja se më parë dëshironin të mos këtë njohje fare, se sa ta njoh dikush  nëpërmjet zotit Behxhet Pacolli. Ky është një tregues vetëfolës se garda e sotme pushtetare ka hyrë dhunshëm në politikë dhe i mungon emancipimi elementar, për ta drejtuar dhe prosperuar shtetin tonë të memzipamë.

 

     Eshtë për lakmi bërja opozitë e akademik Nexhat Dacit. Intervistat, deklkarimet në media janë përmbajtësore dhe krejt të sakta. Por, për të ardhur në pozitë, kjo është e pamjaftueshme. Qefbërja vetes nuk duhet të jetë cilësi e një akademiku. Fundja, është provuar, më shumë se njëherë, se LDK-ja dhe LDD-ja, ashtu siç janë të ndara, nuk kanë të ardhme, madje ka qenë dhe do të jetë një hendikep i madh, pa mundësi ngritjeje nga rënia aktuale. Dhe, ofërtat e akedemik Dacit, edhepse kanë qenë fisnike dhe dinjitoze, kanë rënë në vesh të shurdhër. Për turpin e pozitarëve, pa asnjë pozitë faktike, pra të klanit aktual të LDK-së, nuk patën guximin qytetar që ta bëjnë publike, për anëtarësinë e LDK-së, letrën e fundit të liderit të LDD-së. Megjithatë, LDD-ja duhet të mendojë sa për vete, aq edhe për fatin e Kosovës.

 

     Nëqoftëse akademik Daci me shokë nuk e shfrytëzon rastin e përafrimit me partinë amë, do të mbajë përgjegjësinë për fatin e mëtejmë të partisë të tij si dhe fatin e Kosovës, fort të nëpërkëmbur nga komunistët stalinistë, ashtu siç e mban përgjegjësinë sot Fatmir Sejdiu për katandinë partiake dhe shtetërore të Kosovës.

 

     Kosova është rast unikal në botë që popullatën shumicë absolute të djathtë, e sundon një e majtë simbolike në numër! Pra, nacionalistët, kombëtarët shumicë, sundohen nga komunistët pakicë! Ndërkohë, klani aktual e heshtë këtë fakt domëthënës, madje kurrë nuk e potencon organizimin e të djathtës dominuese të Kosovës, sepse embrioni i klanit, me ndonjë përjashtim,  është i majtë.

 

     Pikërisht për nevojën imediate të organizimit dhe të konsolidimit të së djathtës të Kosovës duhet të mendojnë partitë e spektrit të djathtë dhe veçmas LDD-ja, e cila ka në përbërjen e saj kontigjentin e shëndoshë nacionalistë, të brumosur me filozofinë e dlirë kombëtare të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.

 

     Eshtë detyrë dhe obligim kombëtar i kuadrit drejtues të LDD-së, të gjejë mënyrën dhe formën, rastin e duhur, për një qasje afrie, bashkëpunimi e deri në shkrirje me LDK-në. Dhe, kjo nuk bëhet pa sakrifica personale e grupore. Por, ama, gjithëherë në emër të një kauze të lartë, siç është profilizimi i të djathtës të Kosovës, profilizim ky i lidhur pashmangëshmërisht me fatin e Kosovës.

 

     Le të shembullojmë me dy emra: Ridvan Bode dhe Ferdinand Xhaferi. Ky i fundit ishte njeriu i dytë në partinë e ndarë të Pollos. Sot janë të dy ministra e deputetë dhe në mbrojtjen e vlerave afirmative të Partisë Demokratike të Shqipërisë, nuk dallohen fare se kush me ke ka qenë vite më parë. Vetëm bashkimi i subjektit të ndarë i solli në pushtet. Shembulli është më bindës se lumi i fjalëve. Nisma bashkëpunuese deri në shkjrirje të dy subjekteve të ndara, është shpresa e vetme për t`u ngritur në pozitë e djathta meritore e Kosovës, e cila e bëri paqen, luftën dhe përsëri paqen.

 

     Kushtëzimet në demokraci janë të papranueshme. Këtë ia themi hapur e miqësisht njërit nga djemtë e zgjuar dhe të përkushtuar për prosperimin e Kosovës Naser Rugovës, aktualisht nënkryetar i LDD-së, i cili me deklarimet dhe prononcimet e tij, për çështje të ndryshme, ka qenë dhe është i pa ekuivoke, i drejtpërdrejtë.

 

     Lidhjes Demokratike të Kosovës, për daljen nga bataku, apatia aktuale, nuk i duhen rrjedhjet, humbjet e mëtejme dhe as përjashtimet inatçore, tashmë, të dëshmuara me rrjedhoja fatale. Përkundrazi, asaj i nevojitet pajtimi dhe bashkimi parimor e demokratik. LDK-së i duhen bashkëthemeluesit e saj, dikur të prirë nga dr. Ibrahim Rugova, si Jusuf Buxhovi, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja, Bujar Bukoshi, Anton Kolaj, Zejnullah Rrahmani, Rexhep Gjergji, Rexhep Osmani me shokë; ashtu siç i duhet edhe Fatmir Sejdiu e Lutfi Haziri me shokë; themeluesit e degëve në mërgatë si Hafiz Gagica e Agim Rexhaj me shokë; emra me cilësi të veçanta si Kadri Osmani, Agim Gjakova, Ymer Llugaliu, Isa Mustafa, Ali Lajçi, Donikë Gërvalla, Ukë Rugova, Gani Mehmetaj, Shefqet Dibrani, Maxhun Smajli, Gjergj Bajram Kabashi me shokë.

 

     LDK-së i duhen edhe brezi i ri i jetimëve të mëdhenj, vajzat dhe djemtë e atyre që bënë luftën dhe paqen, të vrarë në fushë-beteja dhe  në prita e prapa shpine, për lirinë e demokracinë e Kosovës, nga pushtuesit dhe bandat e kuqe staliniste shqipfolëse, vetëm e vetëm pse ishin barrierë për marrjen e pushtetit nga këto banda.

 

     Kryesia e Nëndegës të LDK-së për Republikën e Rheinland Pfalz-it mendon se zoti Fatmir Sejdiu ka bërë detyrën si president, madje shumë mirë, duke pasur parasysh vështirësitë e punës, me një të majtë ekstreme në pushtet (LDK-ja ka pasur dhe vazhdon të këtë pushtet fiktiv), e ngulfatur nga shumë elemente të komunizmit e të fashizmit dhe me krime të bollshme nëpër këmbë. Ndërkohë, në drejtimin e LDK-së ka dështuar, duke qenë i ndihmuar fort edhe nga shokët klanorë, e ka rrënuar atë.

 

     Kemi pritur që Fatmir Sejdiu të ishte shumë më serioz dhe më dinjitoz në politikë. E kuptojmë rrethimin e tij nga hileqarë e karrieristë, por integriteti personal duhet të jetë parim për çdo njeri që pretendon të lërë gjurmë  dhe emër në politikëbërje. Tashmë, për zotin Sejdiu nuk ka ngelur shumë kohë dhe hapësirë, për t`ia bërë qejfin vetes dhe shokëve, të cilët, me servilizmin përlavdërues e dëmtuan shumë atë, partinë dhe Kosovën. Ai duhet të shpëtojë atë çka mund të shpëtohet, tashmë, jo për LDK-në, sepse është tepër vonë, por për personalitetin e tij.

 

     Ne kemi qenë dhe mbetemi shumë miqësor për zotin Fatmir Sejdiun, madje nuk kemi asgjë kundër tij. Por, heshtjen, kur duhet folur, e konsiderojmë jo parimore, madje të dëmshme e armiqësore për partinë tonë - LDK-në dhe Kosovën. Ne kemi qenë të hapur, të çiltër, por edhe kritikues të ashpër, veçse kurrë tendenciozë e tekanjozë, për të denigruar e përfolur pa fakte, kuturu.

 

     Edhe kësaj radhe ne artikulojmë zërin e thirrjes të madhe, për ta ndërprerë rrënimin e mëtejmë të LDK-së, të cilën nuk e duam më të përtokur, por zonjë e prijetare si dikur, ndonëse, duke qenë parti e duarëve të pastërta, shanset janë reale. Lypset maturi, mirëkuptim dhe bashkim të forcave demokratike dhe atdhedashëse.

 

     Urojmë për një fushatë të urtë, dinjitoze e thellësisht demokratike, ashtu siç është dëshmuar ndër vite Lidhja Demokratike e Kosovës, partia zëmadhe e Presidentit Rugova. Bërrylimet dhe ndërskamcat nuk duhet të jenë pjesë e fushatës të LDK-së.

 

KRYESIA E NENDEGES TE   LDK-së   PER REPUBLIKEN E RHEINLAND PFALZ-it

 

Kryetari

Fazli HAJDARAJ

 

Kaiserslautern - Gjermani

më 01 tetor 2010



(Vota: 20 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora