E shtune, 27.04.2024, 10:31 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Protestat e ’92 në Skrapar kundër qeverisë, skenar i SHIK për të lançuar Metën si rival të Nanos (II)

E enjte, 14.10.2010, 09:30 PM


Protestat e ’92 në Skrapar kundër qeverisë, skenar i SHIK për të lançuar Metën si rival të Nanos (II)                            

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Ilir Meta ka pretenduar sikur ai ka hyrë në politikë që në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990. Ajo lëvizje është bërë si festivali i Wudstock, ku çdo amerikan që ka qenë i ri në vitet ‘60 pretendon se ka qenë. Nisur nga karriera policore e Ilir Metës, ai me siguri që ka qenë me detyrë në këtë lëvizje. Por, ironia është se me ndryshimet politike zhvlerësohej dhe shkollimi i Ilir Metës. Në këto rrethana Ilir Meta dukej të kishte më shumë të ardhme në karrierën e vet si sportist, se si intelektual. Që me ngjarjet e ambasadave në korrik 1990, Sulo Gradeci, i cili nuk i besonte më Ramiz Alisë, madje as Nexhmijes, dhe kishte frikë se mos e eliminonin, mbante pranë vetes për mbrojtje një grup të besuar skraparlinjsh të armatosur, disa prej të cilëve flinin në shtëpinë e tij. Një prej tyre ishte Ilir Meta. Së paku që prej dhjetorit 1990 dhe për pjesën më të madhe të vitit 1991, Ilir Meta ka fjetur në shtëpinë e Sulo Gradecit, me kallashnikov në anë të krevatit.

Sulo Gradeci ka pasur miqësi me Thanas Nanon, babain e Fatos Nanos, që në fund të viteve tridhjetë fillim të viteve dyzet, kur Thanasi ishte mësues në Vlorë, ku Suloja punoi për disa kohë si kamerier në kafenenë ku shkonte shpesh Thanasi. Prandaj Fatos Nano, kur posa ishte bërë kryetar i PS dhe takoi një herë Sulon, e pyeti si gjysmë me shaka, se çfarë këshille kishte për t’ i dhënë për mënyrën se si duhej ta drejtonte partinë. Sulo Gradeci i tha fjalët që për Nanon u bënë ligj: “Bëju nënën që të të quajnë baba!” Pyetja tjetër që Nano i bëri Sulos ishte se a mund t’ i rekomandonte ndonjë nga ata djemtë e tij të besuar, që parit të vazhdonte tradita e dyshes Thanas-Sulo. Ilir Metën e futi në politikë Sulo Gradeci, i cili ia rekomandoi Fatos Nanos që ta merrte në forumin rinor, që ishte planifikuar të krijohej pranë PS. Ilir Meta kishte emigruar në Greqi, ku shumë kolegë të tij sportistë po siguronin jetesën në kushte shumë më të mira se në Shqipëri, kur mori ftesën nga PS për të qenë në grupin nismëtar për krijimin e forumit rinor të PS. Kështu, Meta hyri befas në politikë, duke u bërë nënkryetar i FRESSH. Kjo erdhi edhe për shkak se lidershipi i PS, i përbërë nga aparatçikë të ish-regjimit të vjetër, donte të krijonte imazhin e një partie që ishte reformuar dhe që po sillte fytyra të reja në lidershipin e saj. Por, Nano kujdesej që pas fytyrave të reja të qendronte një tru jo i rrezikshëm, pra që të ardhurit e rinj mos të qenë njerëz me kapacitet intelektual, që premtonin të bëheshin politikanë të një profili të lartë.

Sipas kësaj skeme, PS e kandidoi Metën për deputet në zgjedhjet e marsit 1992, në një zonë të sigurt, siç qe një nga zonat e Skraparit, bastionit të PS. Në mars 1992, vetëm pak ditë pasi mbushi 23 vjeç, Ilir Meta u bë deputeti i dytë më i ri në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Pas ardhjes së PD në pushtet, në mars 1992, SHIK-u i drejtuar nga Gazidede, mori urdhër nga Berisha që të krijonte një agjenturë në nivelet e larta të PS. Ilir Meta si deputet dhe nënkryetar i FRESSH ishte një nga njerëzit që u vunë në shenjë për këtë. Ilir Meta në atë kohë ra në dashuri me Monika Kryemadhin, me origjinë nga Dibra, e cila kishte lidhje fisnore me Gazideden, i cili gjithashtu ishte dibran. Nëpërmjet Monikës, u vendos lidhja mes Bashkim Gazidedes dhe Ilir Metës. Bashkim Gazidede i tregoi Ilir Metës materialin kompromentues që ekzistonte për të në dosjet e Sigurimit të Shtetit si një njeri që kishte pasur licencë nga regjimi komunist për t’ u marrë me tregti informale. Më pas kur Ilir Meta u bë kryeministër, ai bëri gjithçka për të zhdukur këto materiale kompromentuese, dhe një nga arsyet e konfliktit që pati me Fatos Klosin, ishte se Meta pretendonte, sipas sugjerimeve të këshilltarëve të tij ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit, se Klosi i mbante të fshehura disa materiale kompromentuese për Metën.        

Ilir Meta u bë i njohur në verën e vitit 1992, kur ai udhëhoqi protestat kundër qeverisë në Skrapar, të cilat në Poliçan u shndërruan në revoltë të armatosur. Tashmë mund të thuhet me siguri se ky ishte një skenar i SHIK të kohës për të lançuar Ilir Metën si rival të Fatos Nanos në PS. PS atëherë posa kishte dalë në opozitë pas zgjedhjeve të marsit 1992 dhe shqetësimi kryesor i udhëheqjes së saj, posaçërisht i dyshes Nano-Ruçi ishte që të kapërcehej mosbesimi i Perëndimit ndaj kësaj partie, dhe të jepeshin prova se ajo ishte reformuar vërtet. Gjëja që më së paku kishte nevojë PS pasi fitoi zgjedhjet vendore të korrikut 1992 ishte një revoltë e armatosur e drejtuar nga njerëzit e saj, aq më tepër nga një prej krerëve të FRESSH, i cili duhej të ishte fytyra e re e PS. Me revoltën në Skrapar në gusht 1992, nga njëra anë PS dhe kryetari i saj Nano humbnin pikë në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa në anën tjetër Ilir Meta fitonte pikë si radikal në dëm të lidershipit të PS, i cili dilte sikur ishte i butë me Berishën. Këtë lojë Ilir Meta do ta luante vazhdimisht më pas, duke dashur të krijojë imazhin e njeriut të fortë të PS, të atij që është i aftë ta mposhtë Berishën. Në mitingjet gjatë revoltës së Poliçanit në verën e vitit 1992, një ndër parullat që u hodhën ishte “Ilir Meta president”. Ilir Meta, i rrëmbyer si duket nga deliri që po i kultivohej ngase u prit si lider në Skrapar, dhe nga fakti se kishte mbështetjen e SHIK për të ngjitur shkallët e karrierës në lidershipin e PS, iu përgjigj kështu parullaxhinjve që ishin fshatarë nga Çepani:

“Ju falenderoj për konsideratën, por siç e dini ligji kushtetues kërkon që presidenti i republikës të jetë mbi 40 vjeç, dhe unë siç e dini jam vetëm 23 vjeç, pra më duhen edhe 17 vjet që të mund të bëhem president. Mos më thoni se doni që PS të rrijë në opozitë edhe 17 vjet, se unë me ju e rrëzojmë për 17 orë qeverinë dhe e sjellim PS-në në pushtet, po të na japë leje shoku Fatos Nano!”

Atëherë parullaxhinjtë e paguar nga SHIK, hodhën parullën tjetër: “Ilir Meta kryeministër!” Këtë herë Ilir Meta nuk pati asnjë vërejtje dhe tha vetëm: “Skrapari është vend që nxjerr burra shteti dhe e meriton të nxjerrë një kryeministër të majtë”. E gjithë turma natyrisht që brohoriti dhe duartrokiti me përjashtim të nënkryetarit të PS, Servet Pëllumbi, i pranishëm në miting. Pas kësaj u zbatua skenari Gazidede-Meta, u kërkua në parlament heqja e imunitetit të deputetit Ilir Meta që Prokuroria të mund ta merrte të pandehur për revoltën në Skrapar. PS e mbrojti fort. Imuniteti u hoq, por Ilir Meta shkaktoi incidente në parlament, me të cilat rriti reputacionin e vet, duke u bërë brenda ditës nga askushi në një lider i së majtës. Një gazetar i ri i ATSH u ngarkua posaçërisht nga SHIK për të drejtuar operacionin mediatik të publicitetit për Ilir Metën, duke hartuar lajmet që do të transmetoheshin nga tv dhe radio, dhe ku Meta do të dilte si lider radikal i majtë. Derisa atëherë në vend kishte vetëm një televizion ai fitonte shumë rëndësi. Ky gazetar qe Mero Baze, i cili në librin e vet të fundit rrëfen për bashkëpunimin e Metës me Berishën dhe Gazideden në vitet 1992-1996, por nuk flet për këtë episod dhe rolin e tij në të.

Fatos Nano i mësoi natyrisht të gjitha bëmat e Metës në Skrapar, ambicjet që shfaqi ai, dhe eventualisht edhe bashkëpunimin e tij me Berishën dhe SHIK. Nano e kishte kujtuar Metën për budalla, por tash e pa se ai ishte sherrbudallë dhe një minë në oborrin e PS. Por Nano në këto momente nuk mund t’ i lejonte vetes luksin që të hapte një betejë brenda partisë, aq më tepër me një lider të FRESSH, pra të rinisë së partisë. Nëse Nano do ta akuzonte Metën për bashkëpunim me SHIK në 1992, do të dukej sikur Nano po sillej si Enver Hoxha që i akuzonte shokët e vet për agjentë dhe i spastronte. Prandaj Nano vendosi që ta përdorte Ilir Metën përkohësisht dhe në kohën e përshtatshme ta mënjanonte, më e mira në ndonjë skenar përplasjeje me Berishën.

Por ngjarjet nuk ecën sipas llogarisë së Nanos. Në korrik 1993 Nano u arrestua dhe me këtë u krijua një vakuum në drejtimin e PS. Partia mbetej kështu nën drejtimin e nënkryetarit, Servet Pëllumbi, të cilit Nano nuk i besonte. Njeriu i besuar i Nanos, sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi, ishte më tepër për të punuar “nën tokë“ se kishte mbi vete ngarkesën kompromentuese të qenies i fundit ministër i Punëve të Brendshme dhe shef i Sigurimit të Shtetit. Pastaj si Serveti, si Gramozi qenë ish-aparatçikë të regjimit komunist. PS, që vuante reputacionin e një partie të dominuar nga ish-aparatçikët e regjimit komunist, kishte nevojë për fytyra të reja për të fituar reputacionin e një të majte të reformuar në qarqet ndërkombëtare. Për këto arsye 24 vjeçari Ilir Meta u bë nënkryetari i PS, krahas tre të tjerëve, Servet Pëllumbit, Namik Dokles dhe Luan Hajdaragës, të cilët qenë më tepër se dyfishi i tij nga mosha. Ky post merrte rëndësi të posaçme duke qenë se kryetari i PS, Fatos Nano atëhere qe në burg. Përveç postit të nënkryetarit të PS, Ilir Meta në vitin 1993 mori dhe atë të sekretarit të marrëdhënieve me jashtë të PS-një post-kyç posaçërisht për atë kohë, si dhe ruajti postin e nënkryetarit të FRESSH, për t’ u bërë pak më vonë kryetar i këtij forumi. Kështu, Ilir Meta u bë praktikisht njeriu më i fuqishëm në PS, në atë kohë.

Ilir Meta duket se nuk e kuptoi kurrë plotësisht se përse u zgjodh pikërisht ai për të marrë kaq shumë fuqi në PS. Nano e miratoi ngjitjen e Metës në hierarkinë e PS, për shkak se Meta qe musliman dhe Nano kujdesej që në PS mos të ngjiteshin lart persona të fesë kristiane ortodokse, me profil të lartë, që mund ta rivalizonin Nanon për postin e kryetarit të partisë. Nuk mund t’ i kuptosh gjithë manovrat që janë bërë në ngjitjen dhe rënien e njerëzve në lidershipin e PS dhe PD pa ditur se, kur filloi pluralizmi politik në Shqipëri, në 1990, dy fuqitë e huaja që kishin interesa të posaçme në Shqipëri, SHBA-të dhe Greqia, bënë një kompromis duke i ndarë gjërat në një mënyrë të tillë që amerikanët të dominonin PD-në dhe grekët të dominonin partinë e majtë që po lindte nga reformimi i PPSH. SHBA-të preferonin të mbështeteshin tek njerëzit me origjinë muslimane për të krijuar lidershipin e PD-së, kjo për shkak se muslimanët qenë shumësia e vendit dhe shumësia absolute e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe troje të tjerë në Jugosllavi, ku SHBA-të kishin interesa të posaçme, qenë muslimanë. Në anën tjetër, Greqia, synonte që të mbështetej tek kristianët ortodoksë për lidershipin e PPSH (PS), për shkak të idesë së saj nacionale me bazë ortodoksinë. Sipas kësaj skeme, lidershipi i PS do të përbëhej nga kristianë ortodoksë që do të kishin si leitnantë muslimanë. Prandaj, kur u transformua PPSH në PS në 1991, në krye të kësaj partie doli një kristian ortodoks, Fatos Nano dhe që prej asaj kohe dhe deri më sot në krye të kësaj partie mbeten ortodoksët (sot Edi Kristaq Rama, i cili zyrtarisht është ortodoks). Në vija të përgjithshme, ky kompromis mbetet në fuqi dhe sot. Nano, i cili qe në burg kur Meta mori gjithë këto poste në parti, nuk do të kishte pranuar kurrë që kaq shumë fuqi të qe përqëndruar në duart e një ortodoksi, pasi ai do të qe bërë një rival i tmerrshëm për të. Por, Metën, Nano e shihte si një rival me një handicap të madh që e bënte tekefundit të parrezikshëm, faktin që Meta ishte musliman. Në aspektin intelektual, i sofistikuari Nano e shihte Metën si një njeri mediokër, i cili nuk do t’ u bënte ndonjë përshtypje të veçantë të huajve. Pra, Meta u zgjodh për të marrë gjithë këto poste, për të metat e tij dhe jo për meritat e tij. E vetmja meritë e tij qe mosha e tij e re.

Në rrethana normale, një kërcim i tillë në karrierën politike, si ai që bëri Meta në 1993, as që do të ëndërrohej. Në rrethana normale Ilir Meta vetëm në moshën që ka sot duhej të fillonte të ëndërronte për të marrë këto poste, me përjashtim të atyre në FRESSH. Por në fillimet e tranzicionit shqiptar çdo gjë ishte e mundur. Ilir Meta ishte i pari politikan në periudhën paskomuniste që shkeli një tabu të kësaj periudhe, duke ringjallur traditën e çiftit politik, të krijuar në kohën e komunizmit me familjet Hoxha, Shehu, Kapo, Spiru. E fejuara e Ilirit, Monika Kryemadhi qe nënkryetare e FRESSH. Në këtë lidhje disa njerëz brenda PS filluan të shohin një manovër që Ilir Meta të fitonte mbështetje në të majtën e Veriut, pasi Monika Kryemadhi ishte me origjinë dibrane.

Meta kishte një problem të madh se nuk zotëronte më kodin konfidencial të komunikimit, me të cilin mbaheshin marrëdhëniet me qendrat ndërkombëtare që influencojnë në karrierën e njerëzve në lidershipin e PS. Meta, megjithë inteligjencën e vet të kufizuar, arrinte që ta perceptonte se kishte një kod konfidencial komunikimi mes njerëzve përreth tij dhe Nanos së burgosur, si dhe mes njerëzve përreth tij dhe ambasadave të huaja në Tiranë. Meta ishte si ai interceptuesi radari i të cilit kap sinjale, të cilat ai e di se kanë një kuptim, por që nuk i zbërthen dot, se nuk është në rrethin e ngushtë të njerëzve të Nanos, që kanë kodin. Kjo e bënte nervoz.

Ashtu si Makbethit, të cilit iu shfaqën tre shtrigat të cilat i profetizuan se do të bëhej mbret në vend të Dunkanit, Ilir Metës iu shfaqën ata që filluan t’ i pëshpërisin në vesh se ai ishte i destinuar që të bëhej kryetar i PS, pasi koha e Nanos kishte kaluar. Tre “shtrigat” që iu shfaqën Ilir Metës qenë Berisha, Gazidede dhe ai që u quajt “Klani i nënkryetarëve”. Kur Mero Baze shkruan për bashkëpunimin e Ilir Metës me Berishën dhe Gazideden në vitet 1992-1996, Mero eviton të thotë episodet më pikante, siç është një rast kur Mero shkoi dhe e takoi Ilir Metën të nesërmen e arrestimit të Fatos Nanos. Mero nxorri nga xhepi një paketë të vogël dhe ia dha Ilirit duke i thënë se ishte një dhuratë speciale nga shefat (Berisha dhe Gazidede). Iliri e hapi dhe pa se ishin një palë lidhëse këpucësh. Kur Ilir Meta e pyeti me habi se çfarë kishte speciale tek këto, Mero i tha se ato qenë lidhëset e këpucëve të të arrestuarit Fatos Nano. Sipas rregullave, të arrestuarve u merreshin lidhëset e këpucëve dhe ato të Nanos përfunduan në tavolinën e Berishës, më pas të Gazidedes dhe prej këtej në dorën e Ilir Metës.

Thuhet se Ilir Meta i cili është fshatar supersticioz dhe jo besimtar bektashi, i çoi ato lidhëse këpucësh tek Baba Reshati dhe bëri një hajmali të fortë të cilën e mbante gjithmonë me vete. Domethënë se me të do të bëhej kryetar i PS. Aparatçikët e regjur në lidershipin e PS e shikonin Ilir Metën si një puppet-on-a-string (kukull të komanduar me fije), të cilën, pasi ta përdornin për të eliminuar Nanon, mund ta manipulonin sipas dëshirës. Dhe Ilir Metën e përdorën për këtë qëllim, por pa sukses. Ilir Meta dhe ata që luanin me të nuk i dinin disa gjëra, ose nuk i merrnin seriozisht nëse i dinin pak a shumë. Klani i nënkryetarëve që përdorte si “kalë beteje” Ilir Metën përbëhej nga muslimanë që donin të merrnin kontrollin e PS, duke pasur leitnantë kristianë ortodoksë. Kjo ishte saktësisht e kundërta e skemës greke.

 

Vijon...

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora