Mendime
Olsi Jazexhi: Artan Kristo, kurbani pa afat i ambasadës amerikane në Shqipëri
E diele, 17.10.2010, 01:30 PM
Artan Kristo, kurbani pa afat i ambasadës amerikane në Shqipëri
Nga Olsi JAZEXHI
Gjatë fundviteve ’90, kur isha student në Malajzi e qeveria malajziane përballej me revoltat e krijuara nga opozita, për të frikësuar dhe shtypur atë ajo përdorte një ligj të njohur si ISA apo the Internal Security Act 1960 (Akti i Brendshëm i Sigurisë) nëpërmjet të cilit njerëzit burgoseshin pa afat dhe pa ndonjë krim të provuar. Ligji i ISA-s është shpikur e sjellë në Malajzi nga britanikët në vitin 1948 për të shtypur Partinë Komuniste. Ai vazhdoi të përdoret nga qeveritë malajziane edhe pas shpalljes së pavarësisë në 1957, të cilat e kanë përdorur sa për të shtypur revolucionarët komunistë, nacionalistët kinezë, minoritetin indian dhe islamistët malajzianë. Sipas Aktit të Brendshëm të Sigurisë “çdo zyrtar i policisë mund të arrestojë e burgosë pa urdhër arresti çdo person ndaj të cilit ka arsye të besojë se justifikojnë ndalimin e tij; ose në rastin kur personi i dyshuar vepron apo ka mundësi të veprojë në mënyrë që mund të cënojë sigurinë e vendit…”. Në vitin 1999 kur qeveria malajziane arrestoi dhe burgosi zëvendës kryeministrin e vendin, Anuar Ibrahimin dhe përdori ISA-n për të ndaluar personat që protestonin burgosjen e tij, mediat perëndimore dhe shoqëria civile malajziane reaguan zhurmshëm kundër masave jo-demokratike që u ndërmorën nga qeveria. Në atë kohë habitesha kur shihja sesi vendet demokratike mund të degradonin dhe përdornin masa të këtilla ilegale dhune për të shtypur lirinë e mendimit dhe të fjalës.
Akti i Brendshëm i Sigurisë dhe Aktit Patriotik i Shteteve të Bashkuara më janë kujtuar këtë 12 tetor 2010, kur hoxha Artan Kristo mbushi një vit që mbahet në burg pa afat në burgjet e Shqipërisë. Ndalimi me burg pa afat i Artan Kristos është i ngjashëm me ndalimet që i bëheshin njerëzve nëpërmjet Aktit të Brendshëm të Sigurisë apo Aktit Patriotik Amerikan dhe rrëmbimet ilegale që qeveria amerikane ka ndërmarrë nëpër botë pas 11 shtatorit, ku me qindra njerëz të pafajshëm janë arrestuar, torturuar, burgosur dhe vrarë pa u gjykuar dhe provuar fajtorë. Ne në Shqipëri, si një koloni amerikane që jemi, ku autoriteti më i lartë politik i vendin nuk është presidenti, kryeministri apo parlamenti të cilët zgjidhen nga qytetarët, por ambasada dhe ambasadorët e pazgjedhur amerikanë, kemi bërë shumë krime për hir të tyre në këto vitet e fundit. Këtu mund të përmend ekzekutimin pa gjyq e përpara familjes (vjehrrit dhe gruas shtatzënë) nga SHISH-i dhe Renea të shtetasit egjiptian Salah El-Sayed në tetor 1998, dëbimin pa gjyq të biznesmenëve arabë Abdyl Latif Saleh dhe Jasin Kadhi dhe grabitjet e pasurive të tyre, arrestimin e torturimin e Ilir dhe Aishe Hajrullait (që çoi në dështimin e Aishes shtatzënë dhe vetëvrasjen e babait të tyre), rrëmbimi e torturimi nga CIA dhe agjentët shqiptarë të shtetasit gjerman Khaled El-Masri, hapja e burgjeve sekrete të CIA-s ku janë rrahur e torturuar me dhjetra shtetas të huaj që janë dërguar në Guantanamo, dëbimi i dhjetra arabëve për në Egjipt të cilët më pas janë vrarë e burgosur nga qeveria e Mubarakut, vrasja e Kosta Trebickës etj. Duke qenë se Shqipëria është një koloni amerikane ku ekonomia, media, shoqëria civile, buxheti, ushtria dhe politika kontrollohen në mos direkt, indirekt nga amerikanët, krimet që janë bërë në vendin tonë kundër shtetasve të huaj apo shqiptarë nuk pritet që të gjejnë drejtësi për sa kohë që pushteti qëndron në dorë të të huajve dhe të elitës që ata sjellin në pushtet. Pasi ambasadorët amerikanë janë sundimtarët e vërtetë e të pazgjedhur të vendit tonë dhe mbrojtës të krimit shtetëror, ne në Shqipëri nuk kemi për të patur ndonjëherë fatin e vendeve të lira e demokratike, si psh. Italia ku qeveria burgosi në 2006 spiunët italianë Nicola Pollari dhe Marco Mancini për ndihmën që i kishin dhënë CIA-s për rrëmbimin e imam Hassan Mustafa Omar Nasrit dhe deportimin e tij drejt Egjiptit. Shqipëria e sotme është një koloni amerikane që ngjan me Iranin përpara revolucionit Islamik apo me Shqipërinë gjatë kohës së pushtimit fashist, ku amerikanët burgosin e vrasin kë të duan e kur të duan e si të duan, sjellin në pushtet mercenarët e tyre si Rama e Berisha dhe i rrëzojnë kur të duan, ndërsa populli nuk ka çfarë të bëj por vetëm të rënkojë. Duke kontrolluar totalisht mediat dhe ushtruar presion mbi gjyqësorin, legjislativin dhe ekzekutivin pushteti amerikan në Shqipëri është pothuaj i pa limit dhe i ngjan pushtetit që kishin fashistët në vendin tonë gjatë pushtimit italian. Kush ka parë emisionin Exclusive me titull “Muslimanët, dy dekada histori dhe debate” në Top Channel në datë 10/10/2010 ku spiunët Xhavit Shala dhe Fatos Klosi, tregoheshin si burra të mirë e justifikonin krimet që kanë bërë kundër Islamit në dekadën e fundit duke shkatërruar shoqërinë civile muslimane, mund ta kuptojë fare lehtë se çfarë dikature është instaluar në vendin tonë dhe sesi ajo përdor mediat për të dizinformuar publikun.
Mbajtja në burg pa afat dhe pa e dënuar për ndonjë krim që prej një viti i hoxhës Artan Kristo nga prokuroria e vendit tonë, janë dëshmi që vërtetojnë qartë se në Shqipëri ka njerëz që nuk dënohen për krime të provuara përpara ligjit, por vetëm pse kështu i intereson pushtetarëve tanë e padronëve të tyre amerikanë. Një fakt të këtillë ne e pamë edhe në nëntor të vitit të kaluar, kur biznesmeni Rezart Taçi i cili me privatizimin e kompanisë së naftës ARMO preku interesat amerikane për kontrollin e naftës në vend, u dënua me burg pa afat e u poshtërua publikisht nga mediat e Tiranës si pasojë e ndërhyrjes së hapur dhe rrugaçërore të ambasadorit amerikan Xhon Uithers kundër tij. Kush ka ndjekur sagën e poshtërimit të Taçit, letërkëmbimin ndërmjet ambasadorit Uithers dhe atij, protestën e prostitutave të “shoqërisë civile” të OJQ-istëve tip Mustafa Nano e Piro Misha që mban me para ambasada amerikane dhe Soros në Tiranë, dhe më pas rrahjen e Mero Bazes nga Enkel Demi dhe heshtjen e ambasadorit amerikan dhe “shoqërisë civile” për rrahjen e dytë të tij, treguan fare qartë që arrestimi dhe dënimi i Rezart Taçit nuk u bë për mbrojtjen e gazetarit Mero Baze dhe shtypin e lirë, por pse kështu donte ambasadori amerikan.
Për personat që ndoshta kanë harruar apo nuk e kanë ndjekur nga afër arrestimin e Artan Kristos, unë mund të kujtoj se ai është një besimtar musliman dhe predikues i Islamit që gjatë viteve të fundit është njohur në vendin tonë si hoxhë dhe mjek popullor. Duke qenë se në Shqipëri, feja Islame shihet si fe e padëshiruar nga amerikanët, hoxhë Artan Kristo është një nga ata qindra hoxhallarë që janë persekutuar dhe kërcënuar për t’u mbajtur nën kontroll e frenuar aktivitetin e tyre propagandistik Islam në vend. Si pasojë e politikave perëndimore për të shuar Islamin dhe kristjanizuar Shqipëri, që nga viti 1997 në vendin tonë janë mbyllur disa dhjetra shkolla fetare Islame e fondacione bamirëse, dëbuar me dhjetra misionarë të huaj nën akuza nga më të ndryshmet dhe ata që lexojnë në mënyrë analitike mediat e vendit tonë mund ta kuptojnë shumë mirë se që nga viti 2001 OJQ-të muslimane që ekzistojnë në Shqipëri janë shpallur armike të sistemit e monitorohen e survejohen ditë e natë nga spiunët shqiptarë si Xhavit Shala e Fatos Klosi dhe padronët e tyre amerikanë. Personat që vizitojnë Tiranën sot mund të kuptojnë shumë lehtë kryqëzatën e Krishtërimit kundër Islamit në vend, ku ndërsa të krishterët kanë katedrale e institucione mësimore për fenë e tyre, e priftërinjtë e tyre nderohen e respektohen si heronj kombëtarë, muslimanët nuk kanë ende një xhami të madhe ku të falen lirisht por në çdo Bajram falen nëpër rrugë sikur të jenë refugjatë nga Maroku e hoxhallarët e tyre kërcënohen nga spiunët e sigurimit dhe burgosen sipas nevojës. Spiunë si Xhavit Shala që janë kryeinkuizitorët e Islamit në Shqipëri, në librat e tyre shkruajnë që ne jemi me origjinë katolikë dhe Islami na u soll me dhunë nga osmanët e për pasojë muslimanët i shohin si njerëz të dorës së dytë që duhen shtypur deri në konvertimin e tyre në katolik. Persekutimi i Islamit në favor të Krishtërimit sot shihet edhe në Kosovë, ku siç është parë edhe aty besimtarët muslimanë diskriminohen e diskreditohen nëpër media, nuk lejohen të ndërtojnë xhami në Prishtinë ndërsa katolikët sapo përuruan një katedrale politike. Ndërsa kleri katolik në Kosovë ka status politik dhe fëmijët i mësojnë si heronj kombëtar nëpër shkolla, hoxhallarët monitorohen e diskreditohen si terroristë ndërsa vajzat me shami dëbohen nga institucionet shkollore. Si pasojë e politikave anti-islame të dekadës së fundit në Shqipëri, shoqëria civile muslimane dhe Islami kanë shkuar drejt shuarjes e tkurrjes, ndërsa organizatat dhe shoqëria civile e krishterë ka ardhur në rritje dhe progres të vazhdueshëm. Për këto arsye edhe arrestimi i Artan Kristos për të cilin po flasim këtu nuk duhet parë si diçka e pazakontë. Kristoja është një nga viktimat e radhës që sakrifikohen nga organet e sigurisë shqiptare për të ju bërë qejfin amerikanëve dhe perëndimit.