E shtune, 27.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Mendime

Mars '97, Berisha: "Do të bëj republikë islamike"

E shtune, 16.10.2010, 02:15 PM


Nga Mero Baze, Shekulli

 

Frika e presidentit për jetën e fëmijëve, largimi tyre për në Itali dhe qëndrimi i Berishës në presidencë, nën ruajtjen e pak besnikëve. Bisedat me të në presidencë dhe mëdyshjet për shkëputjen nga Perëndimi dhe lidhjen me islamin si zgjidhje për vendin

(Vijon nga numri i kaluar)
Një ditë pas formimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, problemi më i vështirë nuk ishte fundi i qeverisë së Partisë Demokratike, por fundi i Forumit për Demokraci. 

Të gjithë kishin pak a shumë një ide sesi do të përfundonte ish-partia në pushtet, por askush nuk kishte një ide se çdo të bëhej me ata që u bashkuan për ta rrëzuar këtë qeveri. 

Një pjesë e tyre kishte hyrë në qeveri, kurse një pjesë, për shkak se ishin marrë formalisht, nuk mund të përfshiheshin në të. Kjo pjesë u bë më radikale. Forumi ishte i vetmi institucion politik që e konsideroi jo të plotë formulën e qeverisë, pasi nuk përfshinte demonstruesit e armatosur.

Të paktën tri fakse me kërcënime për largimin e Berishës mbërritën brenda një ore te zyra e shtypit e hotel Rogner-it. Lajmet e zbehta se qeveria ishte pritur mirë në Jug, ishin më shumë të fabrikuara. Në fakt, në Jug kishte filluar të mbretëronte kaosi dhe njerëzit e armatosur e kishin mendjen më shumë te plaçkitja.

Atmosfera e atjeshme përcillej në Tiranë me ankth. Qeveria ende nuk ishte plotësuar për shkak të problemeve që kishin dy partitë kryesore me një kandidaturë për ministër Mbrojtjeje.

Tirana po tkurrej përditë e më shumë dhe rrugët po boshatiseshin orë pas ore. Të martën, më 11 mars, në mesditë, ndërsa po hyja në hotel Rogner, një e dërguar speciale e AFP-së, së bashku me kolegen e saj nga Tirana, më kërkuan makinën, që të shkonim deri afër Shkollës së Bashkuar. Dikush kishte njoftuar te Rogner-i se ishte hapur një depo armësh në Tiranë. 

U nisëm menjëherë dhe gjatë rrugës përpiqeshim të bënim humor me armët që mund të merrnim te Shkolla e Bashkuar. Rruga e Dibrës ishte bllokuar. Na u desh të kalonim pas bllokut të spitaleve dhe të dilnim atje ku bashkohet rruga e Porcelanit me atë të Kinostudios. 

Rreth njëqind metra para kryqëzimit, pamë një djalë të ri me xhinse, që kishte hedhur një automatik në sup dhe po ecte i patrazuar në rrugën kryesore. Ndalëm makinën dhe e pyetëm se ku e gjeti. 

Kolegia franceze e AFP-së ngjante e tmerruar nga gëzimi që po shihte njerëz me armë.
- Shkoni, ka plot, - tha ai. - Kaloni nga ana tjetër e rrugës!

Në atë çast, një breshëri automatiku shpërtheu fare afër nesh dhe unë, që për herë të shikoja një njeri të armatosur fare afër, ktheva timonin 180 gradë dhe për pak shtypa një grua. U kthyem në drejtim të Kinostudios dhe pasi e lamë makinën disa dhjetëra metra larg, u përpoqëm të afroheshim te vendngjarja. 

Një grup policësh po dëbonin me armë në dorë tufën e njerëzve që po shkonin drejt Shkollës së Bashkuar. Disa djem që dolën nga kjo rrëmujë me armë, na thanë se te muri i shkollës kishte plot armë dhe municion, por tanimë kishin ardhur policët dhe ishte rrezik. Unë u lidha direkt me redaksinë nga makina. 

Lajmin e kam transmetuar pothuaj në ecje, duke biseduar drejtpërdrejt me studion dhe duke ia përshkruar situatën. Lajme të shkëputura për akte të tilla kishte dhe për në Kukës e Tropojë, por ende ishin të pakonfirmuara. Po kështu bënë edhe koleget e AFP-së. 

U kthyem në hotel të shqetësuar. Gjëja më e mirë ishte të ikja në shtëpi. Nga periferia e Tiranës filluan të dëgjohen krisma. Ishte një skenë me të cilën nuk na ishin mësuar veshët. 

Në Rogner kishte pak politikanë. Më duhej që dikush të fliste, por vendi ishte ende pa qeveri. Kryeministri Meksi po priste në zyrën e tij Bashkim Finon, për t'i dorëzuar çelësat.

Ylli Rakipi, që kishte shkuar pak orë më parë në zyrën e tij, e kishte gjetur të shtrirë në kolltuk. Vendosa të shkoj te Berisha. Më priti në zyrë aty rreth orës 16.00. Dukej tërësisht i prerë në fytyrë.
- Kanë shpërthyer depot, - i thashë.

- E di. Njerëzit janë të frikësuar, - tha. Duhet bërë diçka që të kthehet besimi. Kam ndërmend të ftoj trupa ndërkombëtare në Shqipëri.
Të gjitha këto i thoshte njëra pas tjetrës, sikur donte ta shpjegonte sa më parë rrugëzgjidhjen.

Problemi i dytë ishte qeveria. Ishte hartuar lista dhe pjesë e qeverisë ishte dhe Partia Lëvizja e Legalitetit, së cilës Berisha i kishte ofruar Ministrinë e Drejtësisë.
- Duhet të gjejmë Spartak Ngjelën, - i thashë, - se ka ikur.
- Ku ka ikur?

- Në Zvicër. Iku pas asaj natës që e morën në qeli.
E kapi një e qeshur e papritur, pastaj u bë serioz dhe kërkoi të vinte urgjent. Dola bashkë me Ylli Raipin në kërkim të një adrese të avokatit. Pas dy orësh, arritëm ta njoftonim që të kthehej.

Mënyra se si do t'i paraqitej Guri Durollarit kjo ishte dhe më komplekse. Berisha e thirri për t'i thënë se Legalitetit i ka dhënë Drejtësinë për traditë, si parti shtetformuese, por kishte shtuar nevojën që kishte për avokatin në kabinet.

Durollari, që e kishte pikasur më parë se ishte marrë vendimi, as që bëri rezistencë.
- Natyrisht, avokatin, - tha. - Rëndësi ka të jemi në qeveri.

Bëra një raport në orën 20.00, ku paralajmërova se si autoritetet shqiptare mund të kërkonin një forcë ndërkombëtare për të vendosur autoritetin e humbur të shtetit.
U ktheva në shtëpi rreth orës 21.00 të mbrëmjes.

Mosbesimi po ngjallej me shpejtësi nga të gjitha anët. M'u kujtua fati i marrëveshjes së 6 Marsit. Skenat gati po përsëriteshin. 

13 marsi ishte ndoshta dita më e frikshme për Tiranën. Më telefonuan prindërit në Golem dhe më duhej të shkoja t'i takoja. Duke ikur nga rruga e Kombinatit, pashë se ato ishin fare të shkreta. 

Rreth orës 09.30 minuta, te një repart ushtarak, vetëm tri km para Pezës, ku të shfaqet para një kthesë e mbuluar me rrape, te vendi i quajtur Hani i Bobës, pashë një ushtar që po ecte në rrugë me çantën e shpinës në krahë, me kapele të hequr dhe shumë i rregullt nga uniforma. 

Pas tij, njerëz të armatosur po dilnin me shpejtësi nga rrugica majtas dhe po sistemonin armë buzë rrugës. Më ndalën dhe mua.
- Shko merr armë, - më tha njëri prej tyre, një djalë rreth të njëzetave, me kaçurrela të zeza, që dukej gati i eksituar nga ideja që kishte një pistoletë në dorë dhe automatik kallashnikov në krahë.

-Mirë, - i thashë dhe pa bërë zë, lashë makinën dhe zbrita.
Për një moment mendova se do të mbetesha pa makinë, por ai zeshkani as që e kishte mendjen te makina ime. Shtinte në ajër i gëzuar dhe kërcënonte duke qeshur çdo njeri që i dilte përpara. 

Bëra disa hapa drejt depos, por isha shumë i frikësuar. Në këtë kohë, një makinë Saurrel me sponde të hekurta, e mbushur plot e përlot me kallashnikovë, doli nga magazina qendrore dhe mori drejtimin e Durrësit. 

Sipër saj qëndronin tre djem, ndërsa në kabinë tre të tjerë, përveç shoferit. Secili prej tyre mbante një armë në dorë. Dikush u kërkoi armë, por ata i treguan depon. 100 metra më lart, te depoja, disa nga ish-oficerët apo kapterët rrinin të qetë dhe shikonin njerëzit si armatoseshin. 

Unë po ecja i hutuar drejt tyre. Njërit prej ushtarakëve, të cilit i tërhoqi vëmendjen dalldisja ime mes njerëzve me armë, më bëri shenjë t'i afrohesha dhe më pyeti se diku më kishte parë. U skuqa i gjithi nga frika se mos kujtohej që isha gazetar. - Asgjëkund, - i thashë dhe bëra sikur më vajti vonë për të marrë dhe unë një armë. Ai po më shikonte me dyshim.

U ktheva gati me gjunjë të dridhur te rruga ku priste djali me kaçurrela. Gjatë rrugës, një djalë i vogël, rreth 13 vjeç, më kërkoi t'i mbaja dy kasa metalike të vogla me fishekë.
- M'i jep, - i thashë dhe fillova të eci përpara tij. Sapo u afrova te rruga, djali me kaçurrela më priste buzagaz dhe shikonte nga dera prej llamarine. - Bjeri këtu fishekët, - më tha.

- Janë të atij djalit, - i thashë duke treguar adoleshentin që vinte pas.
- Bjeri, mor shkërdhatë këtu, të them, - tha dhe më kërcënoi me një pistoletë TT, që e sillte në fakt rrotull kokës së tij. Ia lashë të dyja në dorë, i lehtësuar, dhe po prisja ç'të bëja me të.

- Ik, pirdhu, mut! - më tha.
Sapo kalova dy metra, kaçurreli qëlloi me pistoletë mbi arkën me fishekë, pasi nuk e hapte dot. Dikush i ulëriti se mund të plasnin fishekët. Unë hyra me vrap në makinën që, çuditërisht, nuk e kishte ngacmuar askush, megjithëse, nga frika, i kisha harruar çelësat në kuadër.

E ndeza dhe ika me shpejtësi. Te kthesa e parë, para se të shfaqej Peza, më ndalën dy djem të armatosur.

- Na i jep armët, - më thanë.
-Nuk kam, - u thashë, - m'i mori ai çuni atje poshtë.
-Po ti, ku i kishe duart? - më tha njëri prej tyre.
-S'kam ç'të bëj, - i thashë, - i mori.
Më lejuan të ikja, por duke parë me dyshim.

Rrugën gjer në Plepa e bëra për 20 minuta. Në të dalë të Ndroqit, një fshatar po zbriste nga pjesa e sipërme e rrugës me një arkë të madhe në kurriz, që ngjante si municion luftarak, por nuk dallohej se çfarë ishte. 

Në faqe të kodrës, shikoheshin fshatarë që nxitonin në drejtim të një reparti ushtarak afër një bunkeri të madh. Këto ishin të vetmet skena deri në Plepa. Atje ende nuk kishte mbërritur vala e goditjes. Policët te Shkëmbi i Kavajës po rrinin të qetë. Unë u tregova se çfarë kisha parë gjatë rrugës dhe ata më shikonin me habi.

- Këtu ka një repart, - thanë ata, - po ende nuk ka ardhur njeri.
Mbërrita në Golem te prindërit dhe u përpoqa t'i qetësoj se në Tiranë situata është në rregull dhe se unë do të kthehesha prapë atje pas disa orësh. Orët po kalonin dhe frika po shtohej. Filluan të dëgjoheshin krisma edhe atje. Një nipi im ushtar, mbërriti rreth orës 11.00 me kapele në dorë. Ishte me shërbim te Shkëmbi i Kavajës. 

Sipas tij, aty kishte mbërritur një çetë me njerëz të panjohur, që u kishin kërkuar armët. Ushtarët nuk kishin rezistuar dhe kishin dorëzuar automatikët.
-Ata ishin pak dhe ne mund të kishim rezistuar, - tha ai, - por ishte e kotë. Na thanë që ka ikur dhe Zhulali.

Rreth orës 11.00, vendosa të kthehem për në Tiranë. U ktheva nga rruga e Vorës, për shkak të frikës së njerëzve të armatosur. 

Rrugët ishin bosh dhe të frikshme.
Vetë 13 marsi ishte një ditë e vrenjtur dhe e zymtë. 2 km para Vorës ose, më saktë, te një çezmë para se të shkosh te stacioni i trenit, një zetor ishte mbushur plot me njerëz të armatosur që u gëzoheshin armëve që kishin në krahë. Kishte mes tyre dhe fëmijë të vegjël, që nuk ishin më të gjatë se arma. 

Përtej lumit, në krahun e majtë, kur kthehesh për në Tiranë, ishte hapur një repart ushtarak. Rreshti i njerëzve që vraponin për armë, ngjante i pafund dhe i frikshëm. 

Deri në Tiranë, kjo ishte e vetmja skenë e frikshme.
Në Kashar u shkëmbeva me dy makina të Berishës. Njoha truprojën e tij në vend të parë. Po iknin të dy me shpejtësi ferri. Ku të shkojnë?, mendova me vete. Kush ishte brenda? Pse aq shpejt? 

Pak më vonë, mësova se vajza dhe djali i tij u nisën për në Itali. Kishin ikur të frikësuar. Media italiane përshkroi dhe vendqëndrimin e tyre. Dukej qartë se Berisha ishte frikësuar keqas.

Në të hyrë të Tiranës, dëgjohej breshëria e automatikut. Kryeqyteti dukej se kishte nisur një betejë imagjinare. Te Zogu i Zi më thanë të merrja rrugën për nga "21 Dhjetori", se ishte hapur burgu i Tiranës dhe mund ta pësoja nga ndonjë i burgosur ordiner. "Te 21 Dhjetori" më thanë të kthehesha drejt sheshi, se ishte djegur supermarketi i VEFA-s dhe mund të haja ndonjë plumb. 

Në shesh nuk kishte këmbë njeriu, por breshëria e plumbave duket se mbinte prej tij. Shkova drejt e në hotel Rogner. Aty kishte rënë hija e vdekjes. Gazetarët e huaj po përpiqeshin të lidheshin me Jugun, ndërsa shumica e gazetarëve shqiptarë po bënin plane për të ikur në Greqi.
Shpëtim Nazarkos i kishte ikur humori.

- Dështoi dhe ky variant! tha. - Duhet bërë diçka tjetër. Kam biseduar me Preçin. Tani duhen zbutur palët. Unë them të bëjmë një lëvizje për paqe, që të normalizojmë situatën. E kam menduar, mos më shiko i çuditur. Do të thërrasim Kadarenë, Agollin, Qosen dhe do ta drejtojmë së bashku me Preçin. Ti duhet të na bësh një intervistë në "Zërin e Amerikës"...

- Mirë, - i thashë, - ta bisedojmë pa ia humbur seriozitetin dhe pa u shtuar asgjë komike nismave që lindin dhe vdesin brenda hollit të vetëm të Tiranës, ku armët nuk kanë depërtuar.

Ai filloi të më shpjegonte idenë. Bëhej fjalë që të ndërpritej nga pikëpamja sociale gjendja e jashtëzakonshme dhe punëtorët të shkonin në punë e që të mos shkatërroheshin ndërmarrjet, nxënësit të shkonin në shkollë, që të mos digjeshin ata dhe gazetarët në gazeta dhe, për herë të parë, të mos i nxinin ato...

- Do ta shpëtojmë Shqipërinë! - tha. - Mbaje mend që këta do t'i vënë flakën. Nesër e ka radhën gjeneral Memia me gjeneral Koçin, njëri në Dajt e tjetri në Mullet... dhe ec e rro në këtë vend...

Pak më vonë, tha se kjo lëvizje do të përbënte alternativën e qendrës në zgjedhjet e ardhshme dhe mund të merrte 20 për qind duke fituar lojën.

Gjeta rast të tregohesha mosbesues për rezultatin e fundit dhe u ulëm të pinim kafe e ta harronim këtë ide të re. Telefonova në shtëpi dhe ime shoqe më tha se dy fëmijët e vegjël po qanin nga krisma e armëve. 

Apartamenti ynë ishte në katin e gjashtë dhe ishte shumë e rrezikshme, ngaqë në katin e pestë të pallatit përballë, dy djem me mitraloz të lehtë, kishin zënë pusi dhe qëllonin në ajër pa pushim. Ishte e pamundur t'u flisje apo të dilje në dritare e t'u bëje shenjë për armëpushim.

Lajmi se ministri i Mbrojtjes ishte arratisur, ishte lajmi më i rëndë i ditës. Me një anije peshkimi dhe një shumë të majme me vete, së paku sipas legjendave që nisën të përhapen duke iu referuar burimeve italiane, Safet Zhulali kishte mbërritur me familjen në brigjet italiane. Edhe pse zyrtarisht ai nuk ishte më ministër, arratisja e tij ishte e rëndë. 

Morali ra tërësisht dhe ushtria në ato momente gati u zbërthye me komandë. Filluan pandehmat për komplot dhe skema që dikush donte t'i nxirrte "ujë të zi" këtij vendi. Sali Berishën nuk e kam parë kurrë më të sfilitur se në ato momente. Sa herë që flisnim në telefon, vetëm pyeste se kush kish mbetur akoma. Dikush thoshte se ishte një komplot ikja e tij. Atë ditë, unë i bashkohesha mendimit të shumicës. 

Por, më vonë, i tronditur, kam kuptuar se ai ishte trembur thjesht si çdo qytetar i Shqipërisë. Dhe një nga arsyet e trembjes, siç e ka thënë dhe vetë publikisht, ka qenë një kryeartikulli i gazetës "Albania", që e sulmonte ashpër si përgjegjës për atë që ndodhi në Vlorë. 

Editorialin pa emër e kisha shkruar unë dhe në të vërtetë ishte shumë i ashpër. Zhulali tha më vonë se gjithë Ushtria, përfshi dhe atë, mendonin se e kishte bërë Sali Berisha dhe e kishte marrë këtë si kërcënim. 

"Pas atij momenti, unë e kisha humbur tërësisht autoritetin në ushtri dhe te Komandanti i Përgjithshëm", kishte thënë ai. Për 12 ditë me radhë, ai editorial i kishte krijuar ministrit të Mbrojtes së Shqipërisë makthin e të qenit armik i Komandantit të Përgjithshëm. 

Dhe iku më 13 mars, ditën që Tirana po përpëlitej mes jetës dhe vdekjes. Në raportin që transmetova direkt më 13 mars rreth ikjes së tij, kolegu im nga studioja më tërhoqi vëmendjen të mos isha emocional dhe të mos e fajësoja unë ish-ministrin.

Ishte një bisedë direkte e vështirë. Ishin hapur po ashtu fjalë se ishte arratisur dhe kryeministri. Nga Uashingtoni më thanë ta verifikoja dhe e gjeta në telefon. Nuk kishte ndërmend të ikte. 

Po ashtu, lajmet se fëmijët e Berishës ishin në Itali, filluan të mbushin ballin e lajmeve në të gjitha agjencitë e huaja. Vetë Berisha ishte në Presidencë. Ishte e vështirë të komunikoje me të. Në pallatin e tij ishin të trembur për shkak të kërcënimeve nga Gjirokastra, se shtëpia do të hidhej në erë. 

Komitetet e mbledhura në Gjirokastër, së bashku me disa pjesëtarë të Qeverisë së Koalicionit, diskutonin në sy të gazetarëve për sulme mbi shtëpinë e tij me "avionë", me "pesëdhjetë djem" apo me variante të tjera për të "shpëtuar popullin shqiptar". 

Ai vetë kishte vendosur të flinte në Presidencë. Në oborr kishin mbetur vetëm gjashtë roje, ndërsa një grup djemsh vullnetarë ofruan ndihmë vonë, kur filloi një përpjekje e armatosur e rojeve të tij me një furgon që ndaloi para Presidencës në mënyrë provokative.

Një njeri u vra para hotel Rogner-it dhe një tjetër u plagos dhe më vonë vdiq, ndërsa përpiqej të largohej pas zjarrit të hapur mbi furgon. Lajmi se kishin sulmuar Berishën, la pa gjumë shumicën e gazetarëve të huaj në hotel Rogner dhe disa prej tyre u ngjitën dhe në tarracën e hotelit për të parë ndonjë skenë më për të qenë. Thashethemet ishin mbretëria e asaj nate.

Të nesërmen në mëngjes, në bulevardin qendror para hotel Rogner-it ishin vendosur disa qirinj për një të vrarë, ndërsa një plep i vogël është ende i thyer në rrugën përkitazi Presidencës, ku u përplas furgoni që provokoi rojet.

Nga Garda filluan të shtëna të panumërta dhe paqartësia se çfarë po ndodhte atje, shtoi shqetësimin për ndonjë sulm të mundshëm mbi Presidencë.
Ishte një nga netët më të mistershme të Tiranës. 

Ministria e Brendshme kishte mbetur pothuajse bosh. Sali Shehu thoshte se shumica e shefave kryesorë të ministrisë kishin ikur në shtëpi duke i marrë këpucët në dorë. Megjithatë, Komisariati numër 2 dhe Komisariati numër 3, dukej se punonin.

Sali Shehu ishte Shefi i Komisariatit numër 2, dhe banonte në një pallat me mua. Atë ditë mbërriti në shtëpi rreth orës 01. 30 të natës. Më ftoi së bashku me Ylli Rakitin, drejtorin e gazetës "Albania" për një kafe.

Na tregoi se diçka kishte ngjarë rrotull Presidencës dhe për planet e tij për ta kontrolluar Tiranën me një grup djemsh të rinj ditën e nesërme. Ylli e inkurajoi menjëherë dhe, ashtu entuziast siç ishtë, i tha se kjo ishte rrugëzgjidhja e vetme. 

Sali Shehu, koloneli i vetëm që jetonte atë natë pa shumë frikë në Tiranë, ndenji me ne deri rreth orës 02.00 të mesnatës duke pirë disa gota uiski, shau gardën e Berishës dhe gjithë Ministrinë e Brendshme, pastaj doli prapë në rrugë. 

Unë u ngjita në apartamentin tim, në katin e gjashtë dhe gjeta Almën, gruan time, që ishte ende zgjuar. Ishte e tronditur. Më paskësh telefonuar, por unë e kisha lënë celularin në dhomë. 
-Mori Sali Berisha në telefon, - më tha. - Nuk ishte mirë.
- Çfarë kishte? e pyeta.

-Nuk ishte mirë, - tha. - Fliste sikur dikush do ta vriste pas pak. S'di si të ta them, por fliste gati përçart. Nuk më la as t'i them që jam Alma, por më tha se kjo që po ngjet sonte duhet të shkruhet, të mbahet mend, se sonte këta... ku di unë ç'po më thoshte. Foli nja 5 minuta pa pushim, por nuk ishte mirë. Të mora ty në telefon, po ti e kishe lënë këtu lart.

Përshkrimi i Almës dhe ajo që na tha pak më parë Sali Shehu për Gardën e shthurur, sulmet mbi Presidencë dhe gjithçka tjetër, ma bënë fiksim që diçka mund t'i kishte ndodhur. I telefonova dhe u përgjigj menjëherë. 

U përpoqa të dukesha i qetë dhe i thashë se më kishte kërkuar. M'u duk më i qetë.
-Po, të kërkova, - tha. - Ku je tani? Eja pak.

-Jam në shtëpi, - i thashë, - po s'kam makinë, se ma kanë vjedhur dje para pallatit, sa nisën krismat. Më nis një makinë.
-S'ka problem, takohemi nesër, - tha.
Të nesërmen, skena e tensionit rrotull Presidencës u përsërit dhe në mbrëmje fola përsëri me të.

- Po vij pak, - i thashë, - shiko mos më dërgon një makinë.

Pas pesë minutash, isha para pallatit. Beqiri, një shofer i tij shoqërues me një makinë Toyota foristradë, u afrua te rrugica. Në momentin që matesha të hyja në makinë, në qoshe u shfaq një roje, që më dukej se ruante një furrë buke dhe filloi të qëllonte lart me kallashnikov. 

I bëra shenjë të qetësohej, se nuk kishim punë me të. Nuk na foli, por nuk qëlloi më. U nisëm. Të shtënat dëgjoheshin në çdo cep të Tiranës. Ndërsa kaluam hotel Diplomati-n dhe kishim marrë

rrugën përbri stadiumit "Dinamo", në drejtim të Presidencës, një breshëri e zgjatur, që m'u duk si pas veshit, erdhi nga ana e Parkut të Delegacioneve. U mblodha skrupull instinktivisht, ndërsa Beqiri i dha gaz makinës. Ishte i tronditur në fytyrë. U futëm me urgjencë në oborrin e Presidencës, ku dukej se ishin shtuar disa civilë me armë në duar dhe me dialekt verior.

- Shpëtuam për qime, - tha Beqiri. -- Plumbat kanë kapur makinën nga fundi. Aty te Parku i Delegacioneve, më duket.
Ishte e pabesueshme.

Në zyrën gjysmë të errët të tij, Berisha ishte vetëm, ndërsa nga ana e kodrave të Liqenit skuqnin plumbat që kryqëzoheshin në ajër. 

Në cep të tavolinës ishte darka e tij e mbështjellë me letër alumini dhe e panisur. Liria, e shoqja e tij, kishte shkuar te një mbesë e Berishës, që herë thoshte te lagjja "Ali Demi" e herë te lagjja ku banoja unë, afër stacionit të fundit të Tiranës së Re. 

Fëmijët kishin ikur në Itali, ndërsa ai kishte vendosur të rrinte në zyrë. Nuk e hapi muhabetin e telefonit me gruan time një ditë më parë dhe tronditjen që kishte përcjellë tek ajo. Gati nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Ai foli papritur.

-E di unë si e donte kjo punë, - ia nisi. - S'kemi ushtri ne, janë lepuj. Nuk i fola.
-Ose t'i thuash Perëndimit shiko punën tënde dhe... - Nuk e mbaroi fjalinë. - Një zgjidhje do ishte dhe republika islamike, por pastaj duhet t'i bësh Ilogaritë . Nejse, s'bëhet gjë tani.
Ishte një e folur gati si mërmëritje. 

E përmendi disa herë më vonë në ditët e tjera këtë shkëputjen nga Perëndimi, lidhjen me islamin, pastaj e hidhte poshtë po vetë, e sillte vetë sërish. Ishte në ditët më të paqarta të jetës së tij. Donte vetëm një fije kashtë ku të kapej, i sigurt se do t'ia dilte. Republika Islamike më dukej një vegim që i shfaqej pikërisht nga ngërçi i rrugëdaljeve. 

Për të ishte një ditë e vështirë, ndoshta më e vështira e jetës së tij politike. Armiku i tij i madh në ato momente nuk kishte të bënte fare me ata që kishin rrëmbyer armët, por me Uashingtonin, i cili kishte hartuar një kërkesë për largimin e tij. Kjo e kishte tmerruar. Kjo po e çonte të hamendësonte çdo zgjidhje të mundshme që kalonte jashtë tyre. 

Dhe jashtë kontrollit të tyre kalonte vetëm republika islamike. Kur e shihja ashtu të drobitur dhe pa shumë shpresa për pushtetin që po i thërrmohej para syve, një javë pasi kishte menduar se e kishte kaluar lumin, ndieja një lloj keqardhjeje dhe thellë-thellë mendoja se ishte një njeri me fat tragjik, i cili krijonte keqkuptime edhe me Perëndimin. 

Mbi tavolinën e tij ishte ende racioni i ushqimit që Liria ia kishte sjellë për darkë mbështjellë me letër varaku, si dhe sallata në një tas kauçuku. E kuptova që tronditja e tij e madhe nuk kishte të bënte me rebelimin e shqiptarëve, por me fundin e durimit të amerikanëve. 

Donte një rrugëzgjidhje kundër atyre. Për mua, republika islamike vazhdonte të mbetej një lajthitje e momentit e tij, por më pas u binda se në ato momente e ka menduar seriozisht si zgjidhje për veten. 

Dy muaj më vonë, me një rekomandim të tij, unë dhe Ylli Rakipi takuam një njeri që ishte realisht kyçi i organizmit të botës islame në Ballkan dhe financuesi kryesor i luftës në Bosnjë Hercegovinë. Ishte njëkohësisht njeriu konfindent i Sali Berishës.

Heshtja që mbushi boshllëkun mes përçartjeve të tij dhe kujdesit tim për të mos folur për një gjë që më dukej lajthitje, u thye prej tij. Befas ishte qetësuar. Nisi një bisedë më të shtruar. Një bisedë për shkaqet e gjithë asaj që po ndodhte.

-E di? - më tha. - Këtë s'ia kam thënë as vetes këto vite, po gjithmonë më është dukur se shqiptarëve nuk u hyri kurrë në kokë demokracia. Në vend të saj, sikur ke vënë një tullë në kokë të tyre. Asnjëherë nuk u përpoqën ta kuptojnë. 

Ndaj ndodhi kjo që ndodhi.
E kisha më të lehtë t'i jepja të drejtë dhe heshtja më ndihmoi me një tundje koke.
Pastaj befas u bë i kthjellët. Përmendi Fatos Nanon. Kishte dalë nga burgu. Nuk më shpjegoi asnjë rrethanë, vetëm më tha që ka dalë.

-Pyet pak dikë nga "ata" tha, si e duan që ta bëj, ta fus në listë me gjithë këta të falurit e tjerë, apo ta bëj veçmas.

U çudita se më erdhi shumë papritur biseda rreth mollës së ndaluar".
- Të pyes i thashë, por s'kisha në mendje asnjë njeri veçse Shpëtim Nazarkon dhe Preç Zogaj. Në të vërtetë ia thashë Shpëtimit të nesërmen dhe ai u prek shumë që Berisha mendonte për këto detaje.
-Është njeri tragjik Berisha tha, por është më burrë se këta. Shiko ku i ka shkuar mendja.

Promovimi

Baze: Viti '97, testi i parë i humbjes së shoqërisë shqiptare 
"Është mirë që ta shikojmë të gjithë kështu këtë vit, pasi kjo do të na bashkojë për të mos përsëritur më dramën që ai shkaktoi për shoqërinë shqiptare" Shtëpia botuese Toena promovoi dje në Hotel Tirana librin e Mero Bazes "Viti '97".

Në ceremoni morën pjesë dhjetëra gazetarë dhe politikanë shqiptarë si dhe lexues, miq dhe të afërm të autorit. Ceremoninë e hapi Drejtoresha e botimeve "Toena", Irena Toçi, e cila foli për vlerat e librit dhe jehonën e tij në tregun shqiptar. 

Zonja Toçi vlerësoi librin si një nga botimet më të dokumentuara për vitin 1997 dhe shpjegoi me këtë dhe popullaritetin që libri ka gjetur menjëherë tek lexuesi. Më pas, publicisti Preç Zogaj foli rreth brendisë së librit dhe fakteve të reja që ai sjell për realitetin shqiptar. 

Zogaj tha se libri plotëson një gjymtyrë të munguar të publicistikës së vitit 1997, ku dhe ai vetë ka dhënë kontribut kryesor me dy librat e tij. Zogaj vlerësoi si të rëndësishem faktin që Baze dëshmon vetëm për detaje me interes publik nga ai vit, si dhe hedh dritë mbi mënyrën se si pushteti përjetonte shtypjen e demokracisë në vend. 

Një ndërhyrje interesante spontane bëri në promovim Prof. Dr. Besnik Gjongecaj, ish Nënkryetar i PD dhe Ministër në qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi. Ai tha se libri ka tri vlera kryesore, së pari, vlerën dhe vërtetësinë dokumentare, së dyti, vlera artistike dhe së treti, një përfundim shumë realist dhe vlerësim të asaj çfarë ka ndodhur në vitin 1997.

Gjongecaj tha se viti '97 duhet plotësuar nga të gjithë me dëshmitë e tyre nën dritën e guximit qytetar.

Në fjalën e tij Baze tha se "viti '97 është një vit i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe këndvështrimi për atë që ndodhi duhet të jetë realist". "E di që për shumë lexues, përshi dhe ju këtu, libri ka ngjallur interes, jo për shkakun të autorit, por për shkak të kohës që i jam referuar dhe subjektit që kam zgjedhur. 

Kjo më bind dhe më shumë se guximi për të kthyer kokën pas, shpeshherë është një energji e re, që i bën mirë të ardhmes të secilit, por dhe karrierës si gazetar. 

Viti 97 është një vit i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, pasi është testi i parë që ne kemi humbur si shoqëri për të ndërtuar një shtet me institucione dhe një demokraci me standarde perëndimore. 

Është mirë që ta shikojmë të gjithë kështu këtë vit, pasi kjo do të na bashkojë për të mos përsëritur më dramën që ai shkaktoi për shoqërinë shqiptare. Çdo këndvështrim tjetër për atë kohë, qoftë si krizë financiare, qoftë si revolucion, do të mbulonte të vërtetën dhe do të na bëjë që gabimet të përsëriten." 

 

____________

 

Klithmat e Arben Imamit kundër Berishës në sheshin Skënderbej

 

Mero Baze

 

Protesta e 28 janarit në Tiranë, dhuna ndaj policisë dhe deklarata e Meksit se vlonjatët do djegin edhe detin

(Vijon nga numri i kaluar)
Nuk më zuri më gjumi dhe raportet e "Zërit të Amerikës" i dëgjova pa fjetur ende. Gjysma e emisionit ishte me raportet e mia nga Berati dhe intervista me Meksin. Më dukej sikur nuk kisha fjetur kurrë gjithë javën. Dhe sapo mbaruan lajmet, më kishte zënë gjumi deri në mesditë.

Kur u zgjova, në Kuvend po fliste sërish Aleksandër Meksi.
Po detajonte planin për shpërndarjen e parave, pra atë që kishte thënë në mëngjes në intervistën për "Zërin e Amerikës". Po fliste shumë ashpër. Akuzat kryesore drejtoheshin ndaj atyre që po digjnin institucionet dhe kishte parasysh Beratin dhe Lushnjën. 

Sipas tij, "synimi i tyre është djegia e gjithçkaje në Shqipëri për të nënshtruar demokracinë shqiptare". Dhe më pas një gjysmë kërcënimi: "Ne nuk do t'i tolerojmë të djegin pronat e shtetit dhe, kur them nuk do t'i tolerojmë, nuk do t'i tolerojmë dhe, po të jetë nevoja, të kapërcejnë mbi trupat tanë".

Por tonet e larta të kryeministrit në Kuvend nuk frikësuan askënd veç të vetëve. Partia Socialiste dukej se po përfshihej në spiralen e protestave popullore, duke i kombinuar ato me objektivin e saj politik.

Si një gjetje simbolike, protestuesit e mbledhur më 28 janar pranë stadiumit "Dinamo", shpërthyen në duartrokitje - "'Lushnja, Lushnja.!" sapo mes turmës u shfaqën disa të rinj të irrituar që tundnin presh në ajër. 

Simboli i poshtërimit të zëvendëskryeministrit po bëhej kështu një simbol i pafuqisë së pushtetit dhe dominimit të turmave mbi të. Preshët që vinin e shtoheshin mes turmave, në të vërtetë përbënin dhe anën komike të atij irritimi popullor. Ato ishin "trofeu" i parë që protesta kishte mundur t'i merrte pushtetit. Dhe nuk ishin pak.

Pas disa fjalimeve pa shumë protokoll, Arben Imami ndezi turmën. I sapokthyer nga një mungesë e gjatë në Tiranë, qysh nga dhuna e 28 majit, Imami ishte i egër dhe fjalët e tij përpiheshin nga turma. Njerëz të SHIK-ut kishin zaptuar sheshin në çdo cep të tij, por turma ishte aq kompakte dhe aq politike, sa asnjë përpjekje e tyre për të provokuar nuk shkonte. 

Pati më pas polemika nëse ishin ata që e drejtuan turmën drejt sheshit "Skënderbej" apo ajo u kujtua vetiu. Në të vërtetë, po të dëgjoje fjalimin e Arben Imamit, gjysmën e retorikës e kishte për zaptimin e sheshit nga Sali Berisha. "Të kujt janë sheshet, - këlthiti Arben Imami, - kush është ky njeri që nuk na lë të shkelim në sheshet e lirisë?" Pas kësaj, vetiu thirrjet "Te sheshi, te sheshi!" u bënë popullore dhe urdhëruese për secilin njëkohësisht.

Së bashku me grupin e gazetarëve, u përpoqëm t'i shoqëronim. Rruga nga stadiumi "Dinamo" deri në shesh ishte një ferr i vërtetë. Pasi arritën të dilnim nga drejtime të ndryshme në buzë të Lanës, turma me një pararojë agresive po çante rrugën drejt sheshit. Postblloqet e policisë, që shfaqeshin thuajse në çdo urë buzë Lanës, zbytheshin nën breshërinë e gurëve të pararojës, e cila çau rrugën deri në sheshin "Skëndërbej".

Pika më e dobët e policisë ishte se ajo nuk bënte më dallim mes turmës së protestuesve të opozitës dhe kalimtarëve të rastit, të cilët në atë orë të ditës ishin të shumtë. Kështu, krejt pa shkak, viktima të dhunës së forcave të policisë nuk u bënë vetëm demonstruesit, por edhe kalimtarët e rastit. 

Nga ana tjetër, policia nuk ishte në gjendje të bënte dallimin mes atyre që ishin organizatorët dhe nxitësit e turmës së njerëzve, duke ushtruar dhunë mbi të gjithë kalimtarët, sidomos mbi pleqtë.

Rastet më flagrante të dhunës ishin ato në urën e Lanës, në bulevardin kryesor të Tiranës, si dhe në një pikë tjetër, pranë pallateve "Agimi". Forcat e policisë, që ishin vendosur në këto pika, nuk kursyen asgjë për ta penguar me çdo mjet masën e njerëzve që synonte sheshin "Skënderbej".
Reagimi i policisë nuk bëri gjë tjetër veçse e nxiti edhe më shumë turmën, e cila, edhe nën thirrjet e drejtuesve të saj politikë, ia arriti që t'i afrohej sheshit "Skënderbej".
Nuk dihet se kush e dha urdhrin absurd që protestuesit të mos lejoheshin në asnjë mënyrë të protestonin në sheshin "Skënderbej". 

Por ashpërsia me të cilën policia ruante çdo lloj hyrjeje në atë shesh e bënte më se të qartë që një urdhër i tillë ishte dhënë. Sidoqoftë, vetëm një pjesë e vogël e masës së madhe të demonstruesve që ishin te stadiumi "Dinamo" arriti pranë sheshit "Skënderbej".

Drejtuesit e opozitës arritën thuajse bashkë me turmën dhe zunë vend në shkallët e Pallatit të Kulturës, në atë që ndërkaq ishte bërë tribuna e improvizuar e protestës.
Por pas fjalimeve të tyre të shkurtra dhe përpjekjeve të policisë për t'i penguar, nisën gurët në drejtim të policëve, të cilët, në përpjekje për t'u fshehur pas kolonave të Pallatit të Kulturës, e ndollën turmën që të qëllonte mbi ta dhe natyrisht mbi xhamat e katit të parë të Pallatit të Kulturës. 

Filluan kështu shkatërrimet e para. Unë kisha në krah Apollon Baçen, publicistin emblematik të asaj kohe për gazetën modeste "Dita Informacion", një luftëtar konsekuent kundër fajdeve në shtypin e kompromentuar të asaj kohe.

-Janë shumë, - më tha Apolloni. - Duhet ta ketë pisk qeveria... 
- Me siguri do të bëjë zgjedhje Berisha, - i thashë unë.
Apoloni u bë menjëherë i vëmendshëm dhe filloi të më shihte nëse po tallesha. Në të vërtetë, kisha parasysh atë që kisha dëgjuar si provokim nga goja e tij tri net më parë, pas ngjarjeve të Beratit.

- Nuk bën kurrë zgjedhje ai, - tha, - por diçka duhet të bëjë.
-Mendoj se janë shumë dhe tepër agresivë për t'i nënvleftësuar, - i thashë. - Diçka do të bëjë.

Ndërsa diskutoja me Apolonin kotësitë e reagimit të Berishës, turma po ngjishej drejt shkallëve. Beteja e gurëve ndaj policëve që rrinin pas kolonave dhe e disa atë tjerëve që vazhdonin të pengonin pleq apo qytetarë kurajozë t'i bashkoheshin protestës, vazhdoi më tej. Gurët nuk dihej mbi kë qëllonin. 

Adoleshentë iu turrën shkallëve të Pallatit të Kulturës, thyenin pllaka dhe qëllonin. Mbi 50 vetë ishin plagosur, nga të cilët rreth 30 protestues, ndërsa rreth 20 të plagosur u përkisnin forcave të rendit. Ndërsa dëmet e shkaktuara nga shkatërrimet e ndodhura në mjediset e Pallatit të Kulturës askush nuk mori mundimin t'i llogariste.

Në sheshin e braktisur pas mitingut një makinë me targa italiane vërtitej me tërsëllimë mbi gurët dhe sendet e hedhura përtokë. 

Në vend të parë ishte Shkëlzen Berisha, i shoqëruar nga disa djem që rrinin tek lokali "Lirëza". I shqetësuar i thashë Berishës në mbrëmje të bënte kujdes me Shkëlzenin se hipte në makina me targa të huaja. Më pyeti se ku e kisha parë dhe i tregova skenën e Sheshit Skënderbej.
U qetësua menjëherë. Ishte me djalin e Komandantit të Gardës dhe një tjetër që mbahej si nip i Agim Shehut, që quhej Rrahman.

Pas përfundimit të protestës, disa prej përfaqësuesve të opozitës dolën në një konferencë të përbashkët shtypi, thelbi i së cilës ishte kërkesa për dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Meksi., si dhe "distancimi" nga aktet e dhunës së ushtruar nga protestuesit kundër policisë dhe institucioneve.

Në masën e madhe të deklaratave të lëshuara nga përfaqësuesit e opozitës në atë kohë, ishin dhe dy pjesë deklaratash që të bënin përshtypje, jo dhe aq për përmbajtjen, sesa për të ato që do të vërtetoheshin në të ardhmen.

Njëra ishte ajo e anëtarit të kryesisë së PAD-së, Blendi Gonxhe, i cili deklaroi se "punonjës të policisë kanë provokuar turmën dhe se përgjegjëse për djegiet është qeveria shqiptare."

Pjesë e kësaj deklarate qe edhe shprehja "profetike" e Gonxhes: "Aleanca Demokratike shpreh bindjen se, për sa kohë qeveria e PD-së dhe presidenti i saj, bashkë me rosinantët e tyre Godo, Selfo dhe Melo, do të vazhdojnë konfliktin me popullin protestues, Shqipëria do të përjetojë vetëm shkatërrime e djegie të tjera". 

Kjo ishte shprehja e korrigjuar për publikun e majtë e Gonxhes, i cili gjatë konferencës së shtypit kishte deklaruar që, nëse qeveria nuk do të jepte dorëheqjen, në vend do të vazhdonin shkatërrimet dhe djegiet.

Deklarata tjetër qe ajo që u lëshua po atë ditë nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Rexhep Mejdani, i cili, duke folur mbi një koment të bërë në edicionin e lajmeve të ditës së nesërme në TVSH, deklaroi se "në atë koment ogurzi, pasi i bëhet një përmbledhje tërë arsenalit të shpifjeve, të etiketimeve, të sulmeve mashtruese propagandistike të PD-së kundër PS-së, duke e identifikuar atë me PPSH-në dhe duke e lidhur veprimtarinë e saj me ngjarjet fatkeqe të 2 prillit 1991 në Shkodër, me djegiet e shkatërrimet që ndodhën gjatë viteve 1991-92 në mbarë Shqipërinë, me nxitjen e propagandës së PD-së për 'çrrënjosjen' e komunizmit dhe për arritjen e 'nivelit zero', bëhet thirrje për të linçuar socialistët, se gjoja ata luftuakan për të kthyer të kaluarën dhe për të rivendosur diktaturën".

Pas dy ditësh i telefonova Meksit për një intervistë me një gazetar të shërbimit të "Zërit të Amerikës", që ishte në Tiranë. Ndërkohë e pyeta se ç'kishte ndonjë gjë të re për lekët dhe a janë të vërtetë zërat për Vlorën.

- Nuk e di, - tha. - Fola me Fred Zijain, që e kam mik, dhe më tha se do të bëhet nami. E kanë marrë vesh, - shtoi, - që ata e kanë ndarë pasurinë me njëri-tjetrin dhe po ia mbathin. - Dhe e mbylli prapë duke cituar Fred Zijain: - Vlonjatët kanë thënë se "do të djegin edhe detin".

 

__________

 

Roli i Berishës në rrahjen e Edi Ramës apo Preç Zogajt

 

Mero Baze 

 

Shpjegimet e presidentit në shkurt 1997 për dhunimin e figurave të opozitës shqiptare


Më 9 shkurt, në një kafene të njohur si kafe e gazetarëve në Tiranë, disa prej njerëzve që dukej se po angazhoheshin nga pushteti "për t'u nisur në front", hynë në kafenenë e Fidelit, siç njihej, dhe bënë masakër mbi njerëzit e opozitës dhe gazetarët që gjetën aty.

Ylli Rakipi më tregoi skenën me Preç Zogajn, që u rrah në sy të djalit të tij, rrahjen e Neritan Cekës dhe gazetarëve të tjerë që gjendeshin atje. Ylli më tregoi se vetëm disa sekonda pas rrahjes së tyre mori në telefon Sali Berishën dhe i tregoi. Sali Berisha fillimisht bëri të paditurin, por Ylli këmbënguli. 

Pastaj pak më vonë i dha një version ndryshe nga sa Ylli ia përshkroi nga vendi i ngjarjes. Sipas Berishës, dikush nga "ata" të rrahurit, sapo kishte parë agresorin kishte sharë Sali Berishën dhe ai "rrahësi" nuk ishte përmbajtur. Kjo e kishte tronditur Yllin i cili ishte aty. Edhe pse bënte të painteresuarin, Berisha ishte online me ngjarjen. 

Agim Shehu i tha më pas se ishte një polic i dehur, që e kishin "identifikuar". U përpoqa të mësoja privatisht se kush ishin ata njerëz, por informacioni mbyllej gjithnjë tek dy-tre emra problematikë të policisë, me origjinë nga Tropoja, që përpiqeshin ta konsideronin këtë rast si një shans për të bërë para, emër dhe karrierë. 

Me sa dukej, intuita ua thoshte se do shpërbleheshin një ditë. Njëri prej tyre, që më pas ma ka identifikuar një kolegu im gazetar, B. H., iku në ekzil pas vitit 1997 dhe u rikthye në vitin 2005. Tani është sërish në polici, pasi djali i Sali Berishës, me të cilin kishte ndarë disa vite në ekzil në Suedi, i kishte mbirë te dera ministrit të Brendshëm për ta pranuar sërish në polici. 

Po kështu ndodhi dhe me rrahjen e Edi Ramës dhe Ndre Legisit. Sali Berisha përpiqej të besonte variante që e mbanin atë larg skenës së krimit: Për Edi Ramën ishte pak më ndryshe.

Me sa dukej, reagimi i fortë ndërkombëtar e kishte stepur disi. Versioni që na tregoi natën e parë pas ngjarjes ishte se e kishin rrahur disa komshinj, pasi ai dilte zhveshur në ballkon. Një ditë më pas tha se policia i fsheh diçka për rrahjen e Edi Ramës, se ai nuk po bën kallëzim. 
- A mund të hetojë vetë Prokuroria?- e pyeti Ylli Rakipi.

-Nejse, ai nuk ka bërë denoncim. Shiko, ka shumë rëndësi kjo. Jo, kjo nuk është e thjeshtë. Duan ta bëjnë politike, le ta bëjnë, por nuk është kështu.

Por, të nesërmen, revista Newsweek kishte bërë një koment të rëndë për rrahjen e Edi Ramës. Sali Berisha filloi të lëkundej sërish dhe të fliste rreth hetimit me çdo kusht të rrahjes. E përsëriste këtë vazhdimisht edhe disa javë më pas.

-More, mirë të gjitha, po këtë rrahjen e Ndre Legisit s'e kam kuptuar kurrë, - i tha Ylli Rakipi në njërën nga këto bisedat e sikletshme, ku ai përpiqej të gjente arsye të tjera për rrahjen e Edi Ramës.

-Tani, situata... e di vetë ti... ç't'i bësh. Në fakt, kam dhënë porosi të hetohet deri në fund.

Kështu, përmes spirales së dhunës dhe syve që nuk donin ta shikonin, vendi po futej në zemër të një cikloni, që ishte mbarsur nga avullimi pa fund i pareve, lirive dhe ëndrrave të shqiptarëve për kapitalizmin dhe demokracinë.

Me gjithë klimën e paqes që tentonte të mbillte Forumi për Demokraci, lufta ishte ajo që ndizte gjakrat dhe diktonte gjithçka. Autoriteti i Forumit për Demokraci nuk e kalonte bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Përtej tij, njerëzit që donin të protestonin, donin përplasje.

Një përpjekje e dështuar e Berishës për të dalë në shesh, dështoi. Ai paralajmëroi një antimiting dhe tentoi të dilte më 19 shkurt në sheshin "Nënë Tereza". Doli nga Presidenca ndaloi afër shatërvanit dhe u ngjit te shkallet. 
E pa se ishte thuajse i vetëm, i shoqëruar nga rojat e tij. Askush nuk e përshëndeste, askush nuk brohoriste për të. Ishte një pamje që e tronditi dhe u fut shpejt në makinë. Një njeri gjysmë i pirë iu turr makinës së tij duke sharë dhe autokolona u zhduk nga sheshi.

Në Vlorë as që mendohej ajo që Lubonja, Gumeni dhe Kola donin të eksperimentonin në Tiranë. Ndaj pelegrinazhi real i politikës u bë marshimi drejt Vlorës. Nisja drejt Vlorës u kthye gati në simbol kur, në fund të shkurtit, disa mijëra qytetarë'të Fierit u nisën më këmbë drejt Vlorës. 

Policia, me sa dukej, kishte bllokuar urën e Mifolit dhe shumë prej tyre u detyruan të kalonin në Vjosë. Më mori në telefon Arta Dade, e alarmuar që, së bashku me Namik Doklen dhe dikë tjetër nga kryesia e Partisë Socialiste, po kaloin lumin të zënë dorë për dore. 

Më mori në telefon për ta përfshirë pengesën e policisë në raportin e "Zërit të Amerikës". Mora më pas Namik Doklen, që ma konfirmoi "kalimin e divizionit të parë" në Vjosë, siç bën ai humor kryesisht me historinë e luftës partizane, kur Divizioni i Parë kaloi Shkumbinin për në Veri.

Drejt Vlorës nuk po shkonin vetëm protestuesit e Fierit, por nga gjithë Shqipëria. Më 26 shkurt 1996, në një miting, ndoshta në më të madhin që Vlora ka bërë para shkatërrimit, mijëra vetë pritën në shesh drejtuesit e Forumit për Demokraci, Fatos Lubonjën, Kurt Kolën dhe Daut Gumenin, si dhe shumë liderë të tjerë të opozitës. 

Më në fund, të gjitha teknikalitetet e protestës ranë. Të gjitha palët u bën bashkë në një tribunë, ashtu siç i mendonin në të vërtet shumë shqiptarë të zemëruar. 

Opozita e hoqi kompleksin e mospërfshirjes në protestat e fajdeve, Forumi hoqi dorezat e bardha të protestave paqësore me lule dhe shkoi thuajse mes armëve, ndërsa qyteti kishte dy javë që përjetonte një gjysmë anarkie, shkaktuar nga djegia e disa institucioneve qendrore, si Bashkia, Policia, Banka etj. 
Protesta ishte vërtet masive. Ishte ajo pjesëmarrje dhe ai entuziazëm që inkurajuan radikalizimin e saj dhe kalimin në gjakderdhje dy ditë më vonë.

Ndërkohë, në Tiranë kishte mbërritur Eduard Selami. I ikur një vit më parë nga Shqipëria, pas përjashtimit brutal nga kreu i Partisë Demokratike, shfaqja e tij në hotel Rogner ato ditë të fundit të shkurtit ishte një rifreskim i kujtesës së hidhur. Më kërkoi të flisnim më vete dhe paksa gjatë. 

Kërkesa e tij ishte e thjeshtë. Donte të takonte Sali Berishën, me çdo kusht. Kishte një mesazh për të. Ia premtova se do t'ia kërkoja me ngulm kërkesën e tij, por kisha pak shpresa se do ta priste. Kishte shumë ngjyra rikthimi i tij në ato çaste në Tiranë. 

Kishte ikur prej Berishës në ditët e plotpushtetshme të tij dhe po kthehej në ditët më të zeza të tij. Dukej si një mallkim për çfarë kishte ndodhur, kur mendoje se gjithë e gjithë ishte pak më shumë se një vit.
-A mund të më thuash diçka më konkrete apo diçka më të koduar për Berishën, që ta bind? - i thashë.
-E di ai kush më ka nisur. Një mik i tij i vjetër në Uashington, që edhe unë e kam shumë mik. Mos ia thuaj këtë të fundit, por ai më ka thënë se Berishës i ka ngelur ose të mbushë helikopterin plot me karburant për rrugë të gjatë, ose t'i bjerë shkurt e të më presë mua.

U përpoqa të përfytyroja Berishën sikur t'ia thosha këtë. Me siguri që biseda do të mbaronte për dy sekonda. Por nuk ishte vetëm Berisha që e keqkuptonte dhe e shikonte me konspiracion vizitën e Selamit. 

Edhe të sapolarguarit prej tij, po ashtu ishin dyshues. Në praninë time atij i dha dorën Dashamir Shehi dhe më pas Neritan Ceka, duke bërë kujdes që të shprehin një farë dyshimi për praninë e tij. Por i shqetësuari më i madh ishte Azem Hajdari. Për shkak të afërsisë me mua, nuk bëri fare kujdes ta fshihte zemërimin.

-Po ke ardhë me e ngjallë atë kufomën, e ke gabim, - i tha. - Ai do të të marrë me vete.
I qetë dhe shumë i shqetësuar nga keqkuptimet që po shkaktonte vizita e tij, Eduardi i siguroi se as kishte ndërmend që ta shpëtonte Berishën.

-Ka mbushur Aleksandër Meksi gjithë Tiranën që ke ardhur t'i zësh vendin, - tha Azemi. - Unë s'e dua fare atë, por ky kufoma nuk duhet ndihmuar, se ti i shton jetën.

Selami buzëqeshi gjithë mirëkuptim për mllefin e Azemit. Ishte i vetmi që kishte guxuar ta përcillte ditën që e zbuan nga partia. Ishte, si gjithmonë, mik i çdo kundërshtari të Berishës në PD dhe aleati i gjithkujt që ai e shpallte armik.

Ia thashë Berishës të gjitha: praninë e Eduardit, kërkesën e veçantë të tij, komentet rreth vizitës së tij. Dhe u përpoqa t'ia mbushja mendjen ta priste qoftë edhe pesë minuta.
Refuzonte vazhdimisht, por nuk më dha ndonjë arsye. Pasi dhe unë bëra të pacipin duke këmbëngulur disa herë, më bëri një shpjegim tërësisht sociologjik për shkakun e refuzimit.

-Unë kam pas raporte të tjera me të, - më tha. - Nuk është puna te politika. E kam pas si djalin tim në shtëpi. Ka bërë dush në shtëpinë time. S'mund ta pranoj kaq lehtë, pas këtyre që kanë ndodhur. Harroje këtë kërkesë..

Ia thashë një orë më pas Eduard Selamit, po në korridorin e Rogner-it. Me shpresa të shuara për çfarë po ndodhte, më shtrëngoi dorën dhe u largua.
- Do të iki herët nesër në mëngjes, - tha. 

- Shpresoj të kalojë sa më lehtë e gjithë kjo.
Ikja e tij riktheu boshllëkun dhe shteroi thashethemet e fundit rreth shanseve për zgjidhjen e krizës. Epiqendra vazhdonte të mbetej Vlora. Drejt saj po shkohej si në Mekën e anarkisë shqiptare. Nga Shkodra në Sarandë, nisi sezoni i turistëve politikë, që ishin kompleksuar nga ideja se rebelimi në Vlorë do të ngjallte ndarjen Jug-Veri. 

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bahri Boriçi, udhëhoqi një karvan të djathtësh nga Shkodra në Vlorë, ndërsa disa qytete kryesore të vendit dërguan aty përfaqësues të tyre, që merrnin pjesë në tubimet e përditshme në Sheshin e Flamurit. Paralelisht me këtë pelegrinazh politik, media, sidomos ajo ndërkombëtare, po i shtonte njoftimet se drejt Vlorës po shkonin përforcime ushtarake. 

Nuk ishte e vërtetë, por deklaratat e dëshpëruara përgënjeshtruese të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme nuk i përfillte më askush. Ngjante më shumë e vërtetë që duhej të shkonin. Dhe kjo e ndezi më shpejt shpresën por dhe flakën në Vlorë.

Vijon

Mllefi i Aleksandër Meksit ndaj dyshes Berisha-Gazidede 
Arrita rreth orës 03.00 në Presidencë. Ishin mbledhur të gjitha figurat kryesore të shtetit: Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Safet Zhulali, Bashkim Gazidede, Halit Shamata, Tritan Shehu, komandanti i Gardës dhe disa të tjerë që nuk i njihja. Kur hyra unë, ata po linin zyrën e Berishës.

Po më shikonin si UFO. Me siguri që Berisha e kishte bërë telefonatën me mua në sy të tyre. Kishte plot zemërim në vështrimet e tyre dhe një lloj krekosje të bezdisshme, që e kanë të gjithë ata që kanë dëshirë, por nuk kanë mundësi ta demonstrojnë pushtetin e tyre.

Hyra brenda. Ishin vetëm Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi dhe Sali Berisha. U tregova se ç'kisha parë në Lushnjë dhe Berat. Sali Berisha u ngrit më këmbë dhe filloi të sillej nëpër zyrë.
- Duhen bërë zgjedhje, - tha. - Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Duhet provuar a jemi shumicë apo jo. Nuk mund të përballemi në bllok me shoqërinë. Pjetër Arbnori tundi kokën.
-Nuk duhet t'i kemi frikë, - tha. - Po qe se njerëzit mendojnë se ne jemi e keqja, duhet të zgjedhin.

Aleksandër Meksi nuk foli. Berisha sillej nëpër zyrë dhe fliste për zgjedhje të reja. Donte të dëgjonte diçka për këtë gjë nga dy njerëzit më me pushtet pas tij, por nuk kishte shans. Në të vërtetë donte të frikësonte vetëm njërin prej tyre, kryeministrin. Por ky i fundit po e injoronte kërcënimin e tij.

E kisha në krah dhe m'u desh të pyesja se ç'u bë me "Xhaferrin" dhe "Popullin".
-Do ndajmë lekët, - tha, - deri më 5 shkurt.

-Atëherë duhet të japësh një intervistë, - i thashë. - Një intervistë për "Zërin e Amerikës" dhe e transmetoj unë pas tri orësh, domethënë në orën 07.00 të mëngjesit.
Ramë dakord dhe pas disa minutash bëmë intervistën.

Përveç bisedës për zgjedhje të parakohshme, Berisha nuk foli për asgjë tjetër. Tregimet e mia për maskat që na kishin marrë lekë dhe për kryetaren e trembur të Bashkisë në Berat, e kishin trazuar keq.

Pastaj dolëm nga Presidenca. Ishte duke gdhirë e diel, dita në të cilën ishin lajmëruar protesta në Tiranë. Aleksandër Meksi nuk më la të ikja.

-Eja bëjmë një shëtitje, - tha. Filluam të silleshim rrotull Presidencës, pasi Meksi aty kishte dhe shtëpinë. - Iku kjo punë, - tha. - Kisha kohë që i paralajmëroja, por ai dëgjonte SHIK-un. Ta mbajë me SHIK-un tani.... Kam ca toka të familjes, të shikoj mos merrem me to. Do të ndërtoj diçka.

-Ku të shkon mendja edhe ty, - ia prita unë. - Larg ajo punë. Në fillim duhet të zgjidhni këto halle që keni përpara.

-Ato le t'i zgjidhë vetë ai. Ç'punë kam unë me to? Unë ua kam thënë. Nuk qeveriset kështu. Le të mbajë Gazideden tani dhe Agim Shehun. Dhe atë plehrën, Tritanin.
-S'kanë rëndësi emrat, - i thashë. - Kjo quhet qeveria Meksi. 
- E di, por kjo për mua ka marrë fund. Ai e ka fajin. Unë kam punët e mia. Biseda sa vinte e bëhej më e rëndomtë dhe unë i thashë befas se duhej të ikja, se më flihej. U ndamë para portës së pallatit të tij.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora