Mendime
Kastriot Myftaraj: Kreu i LSI, Kim Filbi i Berishës në të majtën shqiptare
E diele, 17.10.2010, 07:30 PM
Ramiz Alia e nxiti Ilir Metën që të vendoste ngjyrat e kuqe në flamurin e LSI dhe të këndonte këngët sovjetike
Kreu i LSI, Kim Filbi i Berishës në të majtën shqiptare
Nga Kastriot MYFTARAJ
Ilir Meta u zbulua të ishte “Kim Philby” i Berishës tek e majta. Për mos ta rënduar më tepër se ç’ e meriton, Ilir Meta në këtë lojë ka hyrë me mendimin se ai do ta përdorë Berishën për të eliminuar ata që i sheh si pengesa në rrugën për të hipur në kolltukun e kryetarit të PS-së. Daljen e vet nga PS-ja, Ilir Meta e konceptoi si një manovër për t’ u rifaktorizuar në raport me klanet brenda PS-së dhe për t’ i pasur duart më të lira që të silurojë rivalët e vet në PS, në mënyrë që pastaj të marrë postin e kryetarit të PS-së, si shpërblim për rikthimin e tij në PS. Berisha i ushqente ambicjet e Ilir Metës dhe e ndihmonte atë me sa të mundej, se kështu Berisha bëhej lojtar edhe më i domosdoshëm për Fatos Nanon, i cili mbetej partneri kryesor i Berishës. Në këtë proces të silurimit të pengesave të tij për të dalë në krye të PS-së, Ilir Metën nuk e shqetësonte fakti se PS rrezikonte të humbte zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar (për të: dreqi e marrtë PS-në derisa Ilir Meta nuk është kryeministër i saj).
Atëhere Ilir Meta, nuk mungoi që të takohej dhe me Ramiz Alinë për të marrë këshilla. Ishte koha, kur porsa u krijua LSI, në vitin 2004, kur Ilir Meta ishte shumë i pasigurt për të ardhmen e partisë së vet, të cilën kryetari i atëhershëm i PS Fatos Nano po e sulmonte publikisht tënde si krahinariste duke e lexuar akronimin (inicialet e saj), LSI, Lëvizja e Skraparlinjve të Inatosur, duke dashur që ta kufizojë elektoratin e saj tek një pjesë e skraparlinjve dhe duke dashur të shmangë rrjedhjen masive të votave nga PS. Në lidershipin e LSI qenë shumë të preokupuar për pasojat që do të kishte partia e tyre nga kjo propagandë e PS. Në këto rrethana Ilir Metës i erdhi këshilla dhelpërake shpëtimtare e Ramiz Alisë. Ramiz Alia i tha Ilir Metës se ai kishte vetëm një mënyrë për të marrë elektorat jashtë rrethit të skraparlinjve, të joshte atë pjesë të elektoratit të majtë që kishte nostalgji për të majtën komuniste, por që votonte për PS. Ramiz Alia e këshilloi Ilir Metën që për të joshur këtë shtresë të elektoratit të majtë të restauronte disa simbolika që e majta i braktisi në 1991, pasi PPSH ndryshoi emrin, siç ishte në rradhë të parë braktisja e ngjyrës së kuqe tradicionale, për atë rozë, apo edhe disa gjëra të tjera që bënin për vete nostalgjikët e komunizmit, siç mund të ishte p.sh. që të bëhej këngë e fushatës elektorale të LSI ndonjë këngë e kohës së komunizmit.
Ilir Meta në fillim e priti me dyshim këtë këshillë të Ramiz Alisë, duke thënë se synimi i tij ishte që të paraqitej si një forcë e re politike, me njerëz që nuk kishin lidhje me të kaluarën, së cilës i përkisnin Nano dhe Berisha, ndërsa po të vepronte kështu siç i thoshte Ramiz Alia, do të kompromentonte veten dhe partinë e re, pasi do t’ i jepte Nanos dhe PS një armë të fortë për ta luftuar Metën dhe partinë e re. Dhe më kryesori ndër preokupimet e Metës ishte se si do ta prisnin ndërkombëtarët këtë gjë.
Por Ramiz Alia, si më i rrahur me politikën, i tha se Nano dhe PS nuk do të guxonin që ta bënin këtë gjë, pasi kështu do të bënin lojën e Metës, duke i shtyrë nostalgjikët të votonin për LSI-në. As Berisha dhe PD nuk do të reagonin pasi atyre u interesonte që PS të kishte rrjedhje të madhe votash në drejtim të një partie të re të majtë. Sa për ndërkombëtarët (perëndimorët), Ramiz Alia i tha që mos të shqetësohej pasi ata komunizmin e shihnin tashmë si një relike historike të padëmshme dhe nuk mund të preokupoheshin nga këto manovra politike. Perëndimorët, i tha Ramiz Alia, preokupoheshin për përhapjen e komunizmit kur pas tij ishte një superfuqi, Bashkimi Sovjetik i armatosur me armë bërthamore, ndërsa sot komunizmi u duket si një tigër prej letre. Pastaj, kur evokimin e simboleve komuniste e bën ti që nuk ke lidhje me regjimin e kaluar, i tha Alia Metës, të huajt do ta kuptojnë se është një manovër elektorale, ndërsa po ta bënin Nano, Gjinushi, ose Milo, ndërkombëtarët do të alarmoheshin disi edhe nga zhurma që do të bënte e djathta.
Dhe Ilir Meta, për tërbimin e madh të Fatos Nanos dhe të PS, e ndoqi këshillën e Ramiz Alisë, duke dalë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut 2005 me ngjyrën e kuqe si simbol të partisë, duke u rikthyer kështu tek simboli i PPSH, si dhe duke përdorur në spotet elektorale të partisë së vet muzikën e një kënge të kohës së komunizmit që ishte përkthim i një kënge sovjetike kominterniste:
“O të rinj edhe të reja,
i madh është vrulli jonë,
Kundër robërisë fashiste,
Gjithë bota lufton.
Haj’ punojmë,
Djersa le t’ kullojë,
se ndërtojmë,
njeriun e ri”.
Ironikisht, ky Ilir Meta, kryetari i partisë që bënte ftesë që të punohej sa të kullonte djersa, nuk kishte punuar kurrë në gjë tjetër në jetën e vet, përveç në politikë! Pastaj, ec e merre vesh se për cilën «robëri fashiste» e kishte fjalën Ilir Meta në vitin 2005, veç në quante fashiste PS-në, që ishte në pushtet në atë kohë?! Por kjo këngë bënte efekt tek nostalgjikët. Nano dhe PS u ndodhën në pozitën e vështirë se ata as e denonconin dot këtë evokim të së kuqes, as e adaptonin dot. Kështu që LSI mori votat e nostalgjikëve të komunizmit veç votave të skraparlinjve, duke arritur të marrë 8.3% të votave në proporcional.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, LSI mundi të fitojë vetëm një zonë elektorale në sistemin mazhoritar, atë në Skrapar, ku konkurroi kryetari i partisë Ilir Meta. Ilir Meta konkuronte në këtë zonë në Skrapar për herë të pestë që nga viti 1992, duke fituar përsëri, si në të katër herët e tjera që konkuroi. Por, këtë herë Ilir Meta fitoi përqindjen më të vogël të votave në të gjitha herët që pati konkuruar, 52%. Kjo shifër relativizohet po të konsiderosh se në zgjedhjet e vitit 2005, kandidati i përbashkët opozitës në Skrapar, që ishte i Partisë Republikane, i bënte thirrje elektoratit të djathtë që të votonte për PR në proporcional dhe për Ilir Metën në mazhoritar! Para katër vitesh, në vitin 2001, kur konkuronte si kryeministër ai pati fituar rreth 93% të votave. Nën dritën e këtyre shifrave, nuk mund të thuash se skraparlinjtë janë njerëz mirënjohës!
Për Ilir Metën edhe në këto zgjedhje nuk mungoi bashkëpunimi direkt me Berishën duke shijuar frutet e minidushkut në Skrapar, ku kandidati i PD-së, i cili u shfaq si republikan, u bënte thirrje zgjedhësve të djathtë që të votonin në mazhoritar për Ilir Metën dhe në proporcional për Partinë Republikane. LSI arriti të fitonte dhe katër vende të tjera në parlament, në sistemin proporcional, duke arritur që të marrë gjithsej pesë deputetë, ose 3.5% të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Kjo do të thoshte se LSI mbetej gjithsesi një parti e vogël për ambicjet e mëdha të Ilir Metës. Edhe pse LSI pretendoi se ajo u godit shumë nga «mega-Dushku» në sistemin proporcional, fakti që ajo nuk arrinti të fitonte në asnjë zonë tjetër elektorale veç asaj të Skraparit, ishte e qartë se partia e re, e futur me shumë bujë në politikën shqiptare, nuk ishte gjë tjetër veçse një parti tjetër e vogël, madje një parti krahinore, në kuptimin më të ngushtë të fjalës. Mbetet të shikohet nëse LSI do të rritet në zgjedhjet e mëvonshme.
Kur Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS, pasi PS humbi zgjedhjet e korrikut 2005, pati shumë njerëz që thanë se largimi i Metës nga PS qe një veprim i nxituar dhe i gabuar pasi Meta kështu humbi rastin për të marrë drejtimin e partisë. Por, fakti që në krye të PS në kongresin e jashtëzakonshëm të tetorit 2005 të dy vendet e para në hierarkinë e partisë u zunë nga dy njerëz të fesë kristiane ortodokse, atë të kryetarit Edi Kristaq Rama dhe atë të sekretarit të përgjithshëm, Pandeli Majko, tregonte se ky ishte një iluzion i kotë. Në vitin 2005, zbatimi i skemës greke për lidershipin e PS u bë pa asnjë diskrecion, duke marrë PS profilin e një partie ortodokse. Tashmë kjo përbën “ligjin e gravitacionit” në PS që e pengonte të ringjitej lart drejt kreut të së majtës dhe të pushtetit trajektoren e karrierës politike të Ilir Metës. Dilema e Ilir Metës ishte se ai me ambicjet dhe me të shkuarën e vet prej shtetari është tepër i madh për LSI-në, por ishte tepër i vogël për PS-në, pasi hynte me handicape fatale në garën e lidershipit të kësaj partie.
Pasi Edi Rama u bë kryetar i PS në 2005, ai filloi t’ i bëjë uvertura për bashkëpunim Ilir Metës. Rama e kishte akuzuar Nanon si njeriun që përçau të majtën dhe tash doli me pretendimin se ai do ta bashkonte të majtën. Ilir Meta e urren Edi Ramën edhe më shumë se Fatos Nanon, pasi Edi Rama i ka të gjitha cilësitë intelektuale që ka Nano dhe që nuk i ka Meta, si dhe ka një avantazh në krahasim me Nanon, moshën e re. Ilir Meta e quan Nanon shumë më pak të rrezikshëm se Edi Ramën, pasi edhe në rast se Nano rikthehet në krye të PS-së, Meta e sheh të mundshëm një kompromis me të, madje edhe shkrirjen e LSI-së me PS-në, mbi bazën e paktit që Meta të jetë trashëgimtar i Nanos, ndërsa me Edi Ramën një kompromis i tillë nuk është i mundur, pasi Rama është është vetëm pesë vite më i madh se Meta. Ilir Meta sigurisht e di se Edi Rama, që në kohën kur ishte ministër kulture në qeverinë “Meta“, në rrethin e vet të ngushtë e quante Ilir Metën me përbuzje “Mete Aliu”, sipas emrit të atij personazhit të romanit të Kadaresë “Nëntori i një kryeqyteti” dhe të filmit “Radiostacioni”, që ishte një partizan fshatar analfabet që qëlloi me pistoletë aparatin e radios nga ku vinte zëri që shante partizanët.
Ilir Meta do të kënaqej shumë sikur Edi Rama të humbte në zgjedhjet e ardhshme vendore në garën për kryetar bashkie të Tiranës, çka do të sillte largimin e tij nga posti i kryetarit të PS-së (në djall të shkojë PS derisa kryetar nuk është Ilir Meta, por Edi Rama).
Që të ndodhte kjo gjë me siguri matematike, duhej që LSI të dilte e vetme në zgjedhjet vendore, ashtu si vitin e kaluar. Kjo gjë sigurisht që i interesonte dhe Berishës, i cili e nxiste Ilir Metën që ta nxirrte partinë e vet të vetme në zgjedhje, duke i premtuar që të realizonin një “mega-dushk“ PD-LSI, duke e ftuar në PD elektoratin e vet në bashkitë dhe komunat ku PD nuk shpresonte të fitonte vendin e kryetarit (pra në votimin mazhoritar), të votonte për LSI-në.
Por Meta e kuptonte se kjo lojë do ta zhvlerësonte përfundimisht para elektoratit të majtë, dhe se do të ishte më mirë që të hynte në koalicionin qeverisës, se të bënte këtë. Por Berisha nuk ishte ende i gatshëm që ta pranonte Metën në koalicionin qeverisës se i duhej ende për të luajtur në opozitë. Kështu që Metës nuk i mbetej veçse të kërkonte bashkëpunim me PS. Meta e donte bashkëpunimin me PS, por donte ta shiste veten shtrenjtë, duke marrë premtimin për postin e kryeministrit. Edhe për një kohë Meta luajti me idenë e bashkëpunimit me Berishën, por këtë e bënte vetëm që të siguronte lëshime sa më të mëdha nga Edi Rama. Për disa kohë Meta deklaroi se posti i Presidentit të Republikës i takonte këtë herë LSI-së, pasi ajo u dëmtua nga «mega-Dushku». Por, më pas hoqi dorë nga ky pretendim, si duket ngase e dinte se President i Republikës nuk bëhet dot se në vitin 2007 ai do të ishte 38 vjeç, ndërsa Kushtetuta kërkon që personi që do të zgjidhet President të ketë mbushur moshën 40 vjeç. Vetëm në një vend si Shqipëria mund të kishte një paradoks të tillë, që një person i cili kishte qenë dy herë kryeministër dhe dy herë zëvendëskryeministër, pesë vite pasi kishte qenë kryeministër nuk kishte mbushur moshën dyzet vjeç, por ishte vetëm 38! A nuk ishte kjo një nga ato shenja që tregojnë se politika shqiptare kishte dalë nga shinat e seriozitetit? E keqja tjetër e madhe ishte se njerëzit që ngrihen në këtë mënyrë fillojnë të mendojnë se ata nuk mund të pranojnë asgjë më pak se postet më të larta, gjë që i bën ata krejt jofleksibël në politikë dhe në fund të fundit i nxjerr praktikisht jashtë politikës.
Që kur Edi Rama u bë kryetar i PS, disa liderë socialistë tradicionalë, këshillat e të cilëve Rama i dëgjonte, i tërhoqën vëmendjen për rrezikun që paraqiste skema Ilir Meta-Ramiz Alia dhe ia bënë të qartë se problemi më i madh që kishte kjo parti ishte rrjedhja e votave të nostalgjikëve ndrejt LSI për shkak të evokimit të simboleve komuniste nga ana e Ilir Metës, sipas këshillave të Alisë. Ata i sugjeruan Ramës që të takohej me Alinë për t’ i kërkuar që mos të jepte këshilla në dëm të PS, si dhe për ta përdorur si ndërmjetës me Ilir Metën, pasi ky i fundit e dëgjonte Alinë. Atëhere ishte koha kur Edi Rama po kërkonte bashkëpunim me Ilir Metën, duke e tërhequr LSI-në drejt aleancës me PS-në, kur marrëdhëniet e dy partive ishin praktikisht të ndërprera dhe Ilir Meta e akuzonte Ramën se moton “Një anëtar-një votë” e ktheu në “Një pallat-një votë”.
Edi Rama u takua me Ramiz Alinë dhe në fillim i kërkoi një këshillë se ç’ duhej të bënte me një anëtar të vjetër e të nderuar PS, i cili i jepte këshilla një partie rivale se si kjo të tërhiqte elektoratin e PS. Ramiz Alia e kuptoi se ky njeri ishte ai vetë dhe aluzioni ishte për këshillat që i kishte dhënë ai Ilir Metës. Ramiz Alia i tha Edi Ramës: Po pse ti more i biri Kristaqit nuk bën atë që bën Ilir Meta dhe ta “skuqësh” pak partinë, apo ke frikë nga reaksioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar? E çfarë i bëri Reaksioni Ilir Metës? Provoje dhe ti një herë ta “skuqësh” pak Partinë Socialiste, por filloje duke nxitur të rinjtë që ta bëjnë.
Rama i tha Ramiz Alisë, dhe i tha që të ndërhynte tek Ilir Meta, që të vendosej bashkëpunimi PS-LSI, në mënyrë që e majta të vinte në pushtet. Ramiz Alia i tha se edhe Ilir Meta me sa dinte ai e donte bashkëpunimin, por kishte frikë se mos ia punonin duke bërë marrëveshje pas krahëve të tij me Berishën. Prandaj, Ramiz Alia, sugjeroi që për të qenë të dy palët të sigurta, të bëhej një marrëveshje me shkrim se e majta do ta përdorte zgjedhjen e Presidentit një vit më pas për të shkaktuar zgjedhje të reja parlamentare, duke mos e dhënë konsensusin. Pastaj Ramiz Alia e këshilloi Ilir Metën që aleancën me Ramën ta bënte, por mos ta shiste veten lirë dhe të kërkonte si shpërblim që Rama të njihte efektivisht dypolaritetin e së majtës PS-LSI, duke i fiktivizuar partitë e tjera aleate dhe në perspektivë duke i nxjerrë jashtë me anë të rritjes së pragut elektoral. Dhe kështu u arrit bashkëpunimi PS-LSI, i formalizuar me marrëveshjen me shkrim të 24 majit 2006 se partitë e opozitës së majtë nuk do ta jepnin konsensusin për zgjedhjen e Presidentit, duke shkaktuar me këtë rast zgjedhje të reja. Kështu u vunë bazat e bashkëpunimit PS-LSI në zgjedhjet vendore. E ashtuquajtura federatë apo konfederatë e së majtës që u promovua me shumë bujë nga krerët e partive të majta. Ironikisht, kur dy partitë e majta u bënë aleate, mes tyre u bë më e ashpër gara për nderimin e simboleve komuniste.
Ilir Meta u mburr në daljen para mediave në krah të Ramës se do të rrëzojë qeverinë e Sali Gazidedes, duke e bërë të nënqeshë Sali Berishën, se në rast se do të vazhdohej kjo lojë fjalësh me emrin e Ilir Metës, atëhere do të dilte emri i bukur: SALIR GAZIMETA. Meta dhe Rama, pavarësisht se u betuan në 24 maj 2006 se me rastin e zgjedhjes së Presidentit do ta futin vendin në zgjedhje të reja (madje «Zëri i Popullit» të nesërmen u hap me titullin kryesor count-doën se «qeveria Berisha ka edhe 390 ditë jetë», duke aluduar për kohën që mbetet deri në ditën e zgjedhjes së Presidentit të ri), përsëri nuk e duna krizën parlamentare me rastin e zgjedhjes së Presidentit dhe zgjedhjet e reja që shkakton ajo, pasi kështu u prishet skema e tyre për t’ u bërë liderë të së majtës së bashkuar dhe ç’ është më e rëndësishmja të spastruar. Meta tentoi që ta eliminojë këtë komplikim duke kërkuar që të marrë kryesinë e një koalicioni të partive të së majtës, të një lloj federate të së majtës, sipas modelit italian. Me këtë synim Meta pranoi që të hyjë në 2006, në një aleancë të partive të majta, që në perspektivë parashikohej që të shndrrohej në një federatë të së majtës, gjithmonë sipas modelit të së majtës italiane.
Por, modeli italian nuk e favorizonte Metën, pasi atje Prodi u zgjodh për t’ u vënë në krye të koalicionit të së majtës, për shkak se qe një intelektual i spikatur dhe që qendronte mbi konfliktet brenda së majtës, dy cilësi këto të cilat Meta nuk i kishte. Meta kishte treguar se kur vinte në pushtet, shfaqte anët brutale të natyrës së malësorit shqiptar, duke mos treguar fare fleksibilitet, por duke kërkuar që të fitojë pushtet absolut, duke i përjashtuar krejt ata që nuk i nënshtrohen atij. Në këto rrethana e shumta që mund të arrinte Meta është ajo që i dha Fatos Nano në 2002, kur e bëri zëvendëskryeministër dhe ministër të jashtëm. Dhe kjo me kusht që LSI të mbetej një parti parlamentare që do të ruajë së paku madhësinë e vitit 2005. Në këtë pikë dilema e Ilir Metës ishte se, derisa ai kishte nevojë për një LSI në rritje elektorale që të rriste staturën e vet tek e majta, kjo rritje mund të ndodhte vetëm nëse kjo parti ruan një pozicion oponent ndaj PS-së, së cilës tekefundit do t’ ia marrë votuesit. Në këtë sens, dëshira e madhe e lidershipit të PS-së për ta afruar LSI-në, mund të ishte edhe një llogari diabolike për të paralizuar oponencën e kësaj partie dhe rrjedhjen e votave të majta në drejtim të saj. Këtu mund të ketë qenë një tjetër këshillë të gabuar, ose djallëzore të Ramiz Alisë për Ilir Metën, pasi Ramiz Alia ishte ai që e këshilloi Ilir Metën për afrimin me Edi Ramën.
Për të anashkaluar dilemën dhe për të fituar lidershipin e së majtës së bashkuar, Ilir Meta kërkonte të ringjallte mitin e «dorës së fortë», që e kultivoi kur qe kryeministër. Kësaj i shërbente sjellja e tij në parlament në 28 korrik 2006, kur kërceu mbi tryezën e qeverisë, pikërisht në vendin ku rri kryeministri, që atë ditë qe bosh se Berisha mungonte dhe vrapoi drejt podiumit të kryesisë së Kuvendit. Kur Ilir Meta në 28 korrik 2006 kapërceu tryezën e qeverisë në Kuvend, duke shkelur mbi vendin bosh të kryeministrit, dhe msyu podiumin e kryetares së Kuvendit, ai në fakt qe msyu fronin e kreut të së majtës shqiptare, një ambicje kjo nga e cila ai nuk heq dot dorë. Kjo sjellje e Ilir Metës ishte një humbje e llogaritur e vetëkontrollit, për të rritur profilin e vet politik në rrethet e gjëra radikale të së majtës. Prandaj Ilir Meta u sul si një «dem» i tërbuar, për t’ u ndalur vetëm kur u kap për «brirësh» nga rojet e Kuvendit, para se ta kapte për flokësh Jozefina Topallin, çfarë do të bënte po t’ i referohem asaj që tha Dritëro Agolli atëherë. Por Jozefina ka dhe një version tjetër. Kur në 2009 u bë koalicioni PD-LSI dhe Ilir shkoi të takonte Berishën dhe Jozefina Topallin për të arritur marrëveshjen, kjo e fundit, me humor shkodran i tha:
“A këtë deshe të më thuash atë ditë që u turre drejt meje në parlament Ilir, po pse mor burrë nuk fole, por u kacafyte me rojet që kushedi se ç’ menduan se doje të bëje”.
Në rast se Meta mendonte se me gjeste të tilla e bënin atë popullor në vulgun e së majtës, gjithmonë duke konsideruar se sjellja e Metës qe racionale dhe ai e kishte vetkontrollin në ato momente, ai tregohej naiv kur nuk konsideronte që një sjellje e tillë ishte vetëvrasëse për një ish-shtetar të lartë, që kishte ambicje që të bëhej përsëri shtetar dhe që kërkonte ta shiste veten si një politikan me përmasa rajonale, duke qenë se kishte paguar që të bëhej anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, një OJF ndërkombëtare me emër të madh por fiktive, si dhe që kërkonte ta shiste veten si një intelektual i botës akademike, duke qenë se për disa kohë kishte dhënë mësim në Fakultetin Ekonomik. Meta duhet ta dinte se në disa raste ka vlerë dhe e kundërta e asaj shprehjes: «Quod licet Jovi, non licet bovi» (Çka i lejohet Jupiterit nuk i lejohet buallit), që në të kundërt bëhet: «Çka i lejohet buallit, nuk i lejohet Jupiterit». Ndre Legisit mund t’ i lejohej që të vraponte mbi tavolinat e parlamentit, por jo Ilir Metës, së paku jo atij Ilir Mete që kërkonte ai vetë të shiste si imazh, më së shumti tek të huajt. Nëse kjo sjellje ishte shenjë e mospërballimit nga Ilir Meta të stresit që i vinte nga dilema e vet politike, për të ulur ambicjet e veta, apo për të bërë Sizifin politik të së majtës, kjo ishte një gjë që do ta tregonte koha.
Vijon