E premte, 02.05.2025, 09:40 AM (GMT+1)

Faleminderit

Vilhelme Vranari Haxhiraj: Kujtesë nderimi dhe mirënjohjeje për Prof. Odhise Grillo!

E diele, 03.10.2010, 07:59 PM


Kujtesë nderimi dhe mirënjohjeje për Prof. Odhise Grillo!

 

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

I nderuar dhe i respektuar lexues!

 

    Në kujtim të punës krijuese të Prof .Odhise Grillos, në emër të palodhshmërisë dhe papërtesës për t’i kënaqur e ndihmuar të gjithë dashamirësit e librit, krijuesit, si autor i 120 veprave letrare për fëmijë, si mik i mirë i të gjithëve, dhe redaktor i 1500 titujve, po botoj këtë skicë me rastin e 7 (shtatë) vjetorit të largimit të tij fizik nga kjo botë.

   Shpirtërisht ai jeton në çdo familje, shkollë, bibliotekë dhe bisedon përditë me kushedi sa fëmijë e të rritur në botë. Ndaj ai jeton në mendjet e secilit dhe fjala e tij prek mendjen dhe  çdo zemër vogëlushi. I paharruar qoftë kujtimi i këtij njeriu të mirë!

 Faleminderit Prof. Odhise! Të ndriftë shpirti për jetë!

“Mjeshtri i Madh”, autori i mbi 120 titujve, Odhise Grillo ka lindur në Vuno të Himarës, në vitin 1933. Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa ciklin e lartë të shkollës shtatëvjeçare e vazhdoi në Tiranë. Po në kryeqytet mbaroi shkollën e mesme, në gjimnazin "Qemal Stafa", dhe studimet e larta për Gjuhë - Letërsi dhe për gazetari në Fakultetin Histori-Filologji dhe në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike. Me mbarimin e studimeve punoi për disa vjet në revistën "Hosteni" dhe më pas në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri", në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku punoi gjersa doli në pension. Së fundi punoi në Shtëpinë Botuese "Toena", si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj. Grillo është redaktor i mbi 1500 librave të autorëve të ndryshëm. Përveç letërsisë është marrë edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: "Drita", "Nëntori", "Ylli", "Zëri i Rinisë", "Pionieri", "Fatosi", "Yllkat", "Bota e fëmijëve" etj. Ai drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar, pastaj për disa vjet kryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar pedagog i jashtëm, i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe në Shkup e Tetovë. Odhise Grillo mban titullin "Profesor" dhe Mjeshtër i madh". Është Laureat i disa Çmimeve të Republikës, si dhe fitues i dhjetëra çmimeve të të gjitha niveleve në konkurset e ndryshme letrare që janë organizuar. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, ndërsa librin e parë “Shtatë ngjyrat”, në vitin 1954. Në jetën e gjatë krijuese ai numëron qindra tituj për fëmijë, mes të cilëve, të paharrueshëm për fëmijë janë “Gabimet e Veshkaushit”, “Aventurat e maçokut”, “Pesëqind grosh”, “Një njeri bëhet majmun”, “Qau e qeshi Pallaveshi”, “Kur njerëzit kishin bisht”, “Një zog këndon e qan”, “ Vuuu gënjeshtra, gërrr paratë”, “Tradhti në sarajet Topiase”, “Hajduti me çizme”, “Dy gomarë këngëtarë”, “Mollët magjike”, etj. Një numër i madh titujsh të tij është botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.

 

DORA E NGROHTË E NJË MIKU

 

Skicë letrare

 

Eh, sa shumë peshon fjala “mik.” Është e vërtetë që rëndon dhe ka vlerë sa një pasuri. “Miku i mirë në kohë të keqe”-thotë një fjalë e urtë. Ndaj ia vlen, kur e ke mik për kokë. Kurrë nuk mund të jetë mik, ai që kërkon të të shohë trokë. Mikun e mirë e kërkon çdo njeri, por jo atë që të do për mish e raki. Mos i beso atij që të thotë se të kam mik, kur tek ti nxit mllefet dhe ligësitë. Ktheji shpinën atij që në belà të fut dhe për hakmarrje të nxit e të kall në çdo labirint, ku nuk shikon kurrë dritë.

     Mbaje pranë atë që të gjëndet në çdo të keqe dhe në çdo hall, se e ke mik të madh. Miku provohet në fjalë, nëse e mban apo, e ruan në xhepat e shpirtit të shet në pazar. Njeriut, që i  ka thënë vetes mik i vërtetë, dua t’i përkushtoj dy fjalë për mirënjohje. Ndaj po ju tregoj si lindi e u rrit një miqësi.

     Gjithmonë kujtojmë dhe besojmë se njerëzit lidhen me njeri-tjetrin qysh kur lindin e rriten së bashku. Me kohë ata zënë shoqëri, miqësi dhe kur mes tyre ekziston një urë e vërtetë lidhjeje, nga e cila askush nuk mund të rrëzohet për shkakun e as njërit prej të dyve, atëhere secili shprehet se ka gjetur një mik të madh.

     Por ka raste edhe atëherë, kur dikush i ka humbur shpresat për të parë në sy të vërtetën reale, papritur rrugën ia ndriçon një dritë jeshile. Kur është bindur se ia kanë mohuar vlerën, mirësinë, duke i shtuar etjen, urinë, të cilat jetojnë të përgjumura brenda qenies së tij,  papritur dëgjon një zë të panjohur që e fton të hajë në sofrën e mohuar. Kur fati e ka fshikulluar mizorisht, pamëshirë, duke e lënë vite e vite të rrëzuar, që hiqet zvarrë, papritur një dorë e ngrohtë zgjatet drejt tij, e nxjerrë nga errësira dhe e ngre në dritë. E sheh veten me dyshim dhe pyet: “Jam a nuk jam unë? Ku shkoi errësira që më kishte mbyllur sytë?! Si u ringrita vallë? Po rrugën si e gjeta? ” Shikon përreth dhe ndesh një shikim të qeshur që i ngjall besimin në vetëvete duke i thënë: “Atë që ke dashur ta bësh në jetë, bëje!”     

     Këto fjalë e bënë të mendohej gjatë.

     Gjithçka që kishte dëgjuar, parë, jetuar apo dëshiruar në vitet e errësirës, i hodhi në letër. Me dorëshkrimin në dorë shkoi në shtëpinë botuese. Kishin kaluar vetëm njëzetë e katër orë. Përmes një telefonate, ndjen një zë të ngrohtë, të butë si kadife, i cili ishte aq i afërt për të, sa iu duk sikur e kishte njohur qysh kur nisi të njohë botën, ngjyrat dhe tingujt e saj.

  “Po unë këtë zë të ëmbël, e njoh. E kam dëgjuar dhe më parë. Po i kujt është? Përse nuk më bije ndërmend fytyra e njeriut me këtë zë?”- pyeste veten. Mundohej ta sillte ndërmend. Si në vegim iu shfaq ngrohtësia e dorës së tij.

Përmes receptorit zëri vazhdonte dhe ai paraqitej. Sa i tha emrin, menjëherë e parafytyroi ashtu, njeri të madh, si vepra e tij.

     -Jam i lumtur që pas kaq dhjetëra vitesh më ka rënë një letërsi e tillë në dorë. Të uroj me gjithë shpirt!

     -Më falni, profesor, por unë jam një e moshuar.

     - Kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur. Veprat e mira s’maten nga mosha, por përmbajtja. Mos harro se veprat madhore janë shkruar në këtë moshë. Po të kujtoj Balzakun e madh apo Servantesin, të cilët në moshën gjashtëdhjetëvjeçare kanë nxjerrë kryeveprat  e tyre me famë botërore që janë aktuale edhe sot. Madje do të ngelen të tilla.

   Fjalët e tij e prekën aq shumë, sa nisi të derdhte lot. Priste në ankth çastin, kur do të takohej me të. Ndërsa mendonte takimin, vetja i dukej si një mizë para tij. Nuk e njihte fizikisht. Vetëm përmes veprave të tij, e imagjinonte një kolos të vërtetë.  Ngjarja ishte diçka e madhe, e pa imagjinueshme për të, sepse ky njeri i madh, kishte hyrë në botën e fëmijëve, në ëndrrat dhe imagjinatën e tyre. Ndaj prej shpirtit të tij buronte mirësi. Ishte e druajtur dhe në ankth kur po priste çastin që do të takohej me profesorin, i cili mes qindra titujve , kishte redaktuar edhe librin e saj modest. Papritur para saj qëndroi një zotëri i veshur me shumë sqimë. Ishte i paktë nga trupi, por me me shpirt të madh. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Ai ishte miku i të vegjëlve që u plotësonte tekat dhe ëndrrat fëmijënore. Ky njeri bujar kurrë nuk e kurseu dorën e tij të ngrohtë, letrarve të rinj në krijimatri dhe të çdo moshe.

    I matur, i ngadaltë, me kulturë, me shumë dashamirësi, rrezatonte bujarinë e tij dhe përmes këshillave të vyera, ai i shërbeu si busull në rrugën e krijimtarisë së saj.

   Ky ishte Odhise Grillo, biri i Vunoit, i bregut të praruar të Himarës. Ashtu si rrezet e diellit i falin ngrohtësi Rivierës Joniane, ashtu edhe profesori ka dhuruar bujarinë dhe mirësinë e tij, të cilat ia ka falur me të tepërt kjo krahinë që është vetëm blu. Sa e sa raste ka pasur për ata që do të hynin në jetë me ëndrrat dhe talentin e tyre dhe ai, profesori bujar u zgjati dorën e ngrohtë të një miku të çmuar, duke thënë: “Në se jeta të mori zvarrë, të nëpërkëmbi, eja dhe ringrihu! I lumtur është ai, që duke u rrëzuar, mëson të ringrihet përsëri në këmbë. Mos nguro, por eja…Eja, ngjiti shkallët e jetës ngadalë. Unë do të të tregoj se si, në ç’mënyrë. Por ti, dhe vetëm ti, duke mos harruar rrugën e vështirë që ke përshkruar deri sot, duhet të ecësh i sigurt, duke parë drejt së nesërmes. Mos kujto se as e sotmja dhe as djeshmja nuk janë pa mjegull. Nuk duhet të harrosh se çdo kohë ka katarakte, pragje dhe hone që duhen kapërcyer me kurajo dhe pa u rrëzuar. Jeta ka shumë maja që duhen kapur. Me hapa të matur, ngjitu drejt një maje, se jo të gjitha kapen nga një individ.”

   Ishte dora e ngrohtë e Odhise Grillos që iu zgjat në ato çaste të vështira. Ishte shpirti bujar, jo i profesorit, por i njeriut të mirë, që i fali sigurinë , kur asaj shpresat ia  kishin vrarë dhe ëndrrat i ishin shuar në honin e dhembjes.

Njeriu me shpirt të madh u shpreh: “Ti e vrave kohën dhe dole mbi të. Si kirurg i mirë i  bëre autopsinë të djeshmes dhe të sotmes. Ndaj ec përpara, mos e kthe më kokën pas se të trishton e të ligështon. Kjo natyrë bujare është pronë e shkrimtarit dhe artistit, e cila s’ka nevojë për tapi. Nuk të akuzon kush, nëse shpalos me penë bukurinë, të mirat, gëzimet, ankesat dhe hidhërimet e kësaj bote. “

Çdokush që pati përkrahjen e këtij artisti, vazhdon rrugën që i tregoi ai dhe me mirënjohje kujton dhe falenderon dorën e ngrohtë të një miku dhe shpirtin e madh të njeriut bujar,  Profesor Odhise Grillos.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx