Faleminderit
Bilall Maliqi: Prend Buzhala, shkrimtar dhe studiues i njohur i letrave shqipe
E premte, 24.09.2010, 08:58 PM
PORTRET
VLERA TË AVANCUARA LETRARE -ARTISTIKE
PREND BUZHALA SHKRIMTAR DHE STUDIUES I NJOHUR I LETRAVE SHQIPE
Nga Bilall Maliqi
Në mesin e shumë shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur shqiptarë që me veprat e tyre u renditën në faqet më të ndritura të letrave shqipe, e që shkrimet e tyre dëshmojnë se kemi të bëjmë me shkrimtarë me vlera të begatshme artistiko-letrare është shkrimtari, publicisti dhe kritiku i njohur letrar Prend Buzhala.
Emri i shkrimtarit, studiuesit dhe kritikut Buzhala gjendet në shumë punime, revista të ndryshme dhe libra të shumtë që ka marrë për trajtim, studim dhe vështrim …
Biografia
Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951 në Çabiq të Klinës. Filloren e kreu në Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit.
Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media. Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturës në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit e themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukagjinit “ (vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.
Dhjetëra herë i arrestuar
Siç mësohet nga biografia e shkrimtarit shohim se gjatë shekullit që shkoi ishte i përndjekur, keqtrajtuar dhe i arrestuar dhjetra herë nga politika serbe, siç e kishin fatin edhe shumë krijues të tjerë shqiptarë të Kosovës e pjesëve të tjera të shkëputura shqiptare. Pra në shënjestër të policisë dhe politikës së tyre ishin pikërisht pena të njohura të letërsisë shqipe të cilët me anë të shkrimeve të tyre dhanë mesazh të qartë se janë kundër dhunës, kundër spastrimit etnik dhe kundër gllabërimit të tokave të tyre, pra këtë fat e pati edhe shkrimtari, studiuesi dhe kritiku letrar Prend Buzhala…
Krijimtaria
Nëse e marrim në shqyrtim krijimtarinë letrare të shkrimtarit Prend Buzhala, shohim se kemi të bëjmë me një letrar që i rrah gati të gjitha gjinitë letrare dhe shkrimet e tij kanë vlera të avancuara letraro-artistike, kështuqë e bëjnë këtë shkrimtar dhe studiues të njohur, të lexuar dhe të dashur si për lexuesit por edhe për syrin e kritikës letrare në përgjithësi…
Veprat në poezi:
-O Amë, o Amë, 1995.
-Për kë bie këmbanë e re, 1998.
-Shtatë seanca pranë Apokalipsit, 1998.
Kritika, studime monografike, vështrime:
-Prend Buzhala ne promovimin e vepres se Anton Nik Berishes, Prishtine 2008
-Kritika, studime monografike, vështrime:
-Metafora e vendlindjes, 1999.
-Përqasje estetike, 2000.
-Ex libris - I, 2003.
-Odeoni i fjalës, 2003.
-Shkrimtari pranë buzëqeshjes. Studim mono-grafik për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës, 2005.
-Muza e zemrës, 2006.
-Temë dhe tekst,- Shkup, 2006.
-Muza e Kujtesës, 2007.
-Aty ku krizat i besohen engjëllit, (Ndërko-munikime estetike: arti - literatura – lufta), 2008.
-Res Publica e shkrimtarit, (Ese, trajtesa), 2008.
-Kode poetike të mbijetesës shpirtërore/ Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës, Argeta LMG, Tiranë, 2009.
-Gjenitivi i lirikës - poezia e Mirko Gashit, 2009.
Roman:
-Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë, 2003.
Publicistikë:
-Lartësimi i lirisë. Monografi për mësuesin dëshmor Ismet Rrahmani, 2002.
Përgartiti për shtyp:
-Testament letrar, Mendimi kritik për veprën e Ramadan Mehmetit, me komente, Prishtinë 2008.
-Të kuvendosh nën shenjën e Euterpës, Intervista të Akil Mark Kocit dhënë mediave 1976-2008, Prishtinë 2009.
Prend Buzhala shkrimtar produktiv, në saje të suksesit të arritur në shkrimet e tij u stolis edhe me çmime të ndryshme të cilat i ka arritur falë punës dhe përkushtimit të tij për t’i dhënë letërsisë shqiptare vepra të ndryshme dhe cilësore…
Disa nga çmimet letrare e publicistike:
-Çmimi i gazetës “Rilindja” për gazetarin më të mirë të decenies gjatë viteve ’90, 12 shkurt 1999,
-Çmimi “Agim Ramadani”, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2008, për poezinë më të mirë, me titull “Nga ligjërimet e Nji Plake Ditën e Shën Premtes”,
-Çmimi ”Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mirë, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, shtator 2009, Klinë,
-Çmimi “Fondi Akil Mark Koci”, për kontribut në kulturë e në krijimatrinë artistike, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2009.
Përpos gjithë këtij bagazhi krijues të zhanreve të lloj-llojshme shkrimtari dhe kritiku letrar Prend Buzhala ka redaktuar dhe recenzuar shumë libra të autorëve të ndryshëm të cilat libra janë të mbështjellura me vlerë dhe me kriter të botueshëm.
Presim edhe në të ardhmen vepra të shumta me një kolorit zhanresh letrare nga kjo penë e njohur e letërsisë shqiptare…