Faleminderit
Agron Tufa: Jamarbër Marko ose vetmia në katror
E hene, 20.09.2010, 08:32 PM
Jamarbër Marko ose vetmia në katror
Nga Agron TUFA
Më 4 shtator 2010 u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare poeti Jamarbër Marko, i biri i shkrimtarit të njohur Petro Marko. Vitet e fundit të jetës së tij, përpos sëmundjes, kanë qenë vitet e një izolimi të plotë shoqëror. Jo se më parë ai kishte qenë një artist, që ndiqte rrjedhën e zhvillimeve artistike, apo akoma më pak, rrjedhën e zhvillimeve social-politike. Jamarbëri i kishte kthyer shpinën prej kohësh çdo lloji të organizimit njerëzor nën diell. Thonë se pinte, se s'kishte pikë dëshire të takohej me miq, ish-bashkëvuajtës, apo të njohur të tjerë, përfshij këtu edhe kureshtarët, thjesht lexues e adhurues të poezive të tij. I druhej çdo forme të publikimit dhe të vëmendjes mbi të. Edhe ato dy vëllime poetike që botoi janë shkëputur thuajse me pahir, në sajë të këmbënguljes së miqve më të afërt që e donin dhe e çmonin, një ndër të cilët, që ka luajtur rolin kryesor në njohjen, ndonëse të ngushtë të poezisë së tij, ka qenë Fatos Lubonja - mik i rinisë dhe bashkëvuajtës me të në burgun e Spaçit. Jeta e Jamarbër Markos ka qenë, siç dihet një kalvar mundimesh, përpjekjesh për mbijetesë e dinjitet njerëzor. Nga viti 1975, që përkon me mbarimin e studimeve të tij në Fakultetit të Gazetarisë, Jamarbëri u arrestua dhe u dënua si një armik i rrezikshëm për mendimet që shfaqte kundër diktaturës së shtetit komunist. Diktatura nuk e kurseu, duke patur një arsye më shumë, që siç ndodhte rëndom, shlyente llogari të vjetra, duke u nisur nga i ati. Në këtë rast, shpagimi ndaj të atit, Petros, i rëndoi të birit. Një cinizëm klasik në mënyrën e të sjellurit, që e kemi parë me dhjetëra herë në dënimin e bijve të kundërshtarëve të hapur e të tërhequr. Vetë Petro Marko i kujton me dhimbje në librin me kujtime "Retë dhe gurët" endjet e tij me trasta në krah pas të birit, nëpër kamp-burgjet e ndryshme të Shqipërisë.
Ndryshe nga shumë bashkëvuajtës të tjerë, të cilët pas rënies së komunizmit u promovuan, ndonjëherë dhe bujshëm si krijues dhe veprimtarë shoqërorë apo politikë, Jamarbër Marko qëndroi indiferent, i mbyllur me 'shtatë dryna' në vetminë e vet. Sigurisht, nuk vetëm Jamarbëri që zgjodhi mënjanimin dhe oshënarinë, por rasti i tij është i një refuzimi nga jeta shoqërore dhe nga angazhimet qytetare apo artistikë, të cilat me talentin dhe kulturën e tij mund t'i sillnin, ndoshta, edhe shoqërisë, edhe atij vetë një dobi të madhe. Rasti i Jamarbërit flet për një neveritje dhe alergji të thellë nga jeta e rrugëve, shesheve dhe auditorëve. Duke qenë një poet me një hiperndjeshmëri të veçantë ndaj intimitetit njerëzor, ai mbeti në rrethin e vet të ferrit, të një ferri të imponuar që në moshë të re. Jamarbër Marko është mbase viktima më e dhimbshme e represionit komunist, i cili nuk deshi kurrë ta shihnin si viktimë dhe nuk e luajti kurrë të viktimizuarin. Qëndresa më e madhe e tij ka qenë poezia, me të cilën ndërtoi një komunikim të pastruar nga të gjitha simptomat rënduese e egoiste: ai ishte një poet pa egon e sëmurë që i shoqëron rëndom artistët tanë. Faktin e thyerjes së tij, duket se ai e mbajti vetëdijshëm nën kontroll, dukë prodhuar art të një cilësie të rrallë, ngase shkrimi i poezive u shndërrua për të një mënyrë për të shëruar plagët traumatike. Shkarkimi dhe verbalizimi i imazheve të ferrit, duhet t'i ketë shërbyer jo pak Jamarbërit për t'ua hequr atyre vegimeve ithtësinë dhe energjinë negative. Për poetin shkrimi shërben si një qark vetëshërues. Kur lexon poezitë e tij të vijnë ndërmend emra poetësh të mëdhenj, të cilët i kanë rënë pashë më pashë përvojës së hadit diktatorial, si Primo Levi apo Paul Celani.
Jamarbër Marko ngriti rreth vetes mure indiference, me mospraninë dhe heshtjen e tij. Ai i kaloi vitet e paskomunizmit në ambientin shtëpiak mes të ëmës, piktores Safo Marko, dhe motrës së tij të dhembshur, të cilat u kujdesën për të. Ishte kjo familja e shkrimtarit dhe njeriut të madh shqiptar, Petro Markos, trashëgimia e tij që la pas vdekjes, kjo familje artistësh me të cilën krenohemi ne, por si për të na rënduar gjithmonë në ndërgjegje, nuk arritëm ta ndihmonim në ditët më të vështira të saj. Para disa muajsh mediat tona dhanë sinjalin e rrezikut për këtë familje të nderuar, duke i bërë thirrje strukturave shtetërore për ta ndihmuar në gjendjen e varfërisë. Dihet se shteti është ai përbindëshi i pandjerë, balena Leviatan e Hobsit, e pandjeshme ndaj vështirësive njerëzore. Dhe në mosreagimin e vet, shteti ynë e tregoi veten kampionin e varfërisë. Në pikëpamje të vlerave njerëzore, sigurisht.
Tani që Jamarbëri nuk është më, poezitë e tij janë i vetmi përfaqësim i sigurt për një kohë tjetër, që nuk matet me jetë njeriu. E kam të vështirë të flas me folje të kohës së shkuar, veçanërisht për poetët, e më përveçmas për Jamarbër Markon. Nuk hyj tek njerëzit që e kanë njohur personalisht. Nuk e kam patur këtë fat. Kam lexuar nga mesi i viteve nëntëdhjetë poezitë e tij, krejt të pangjashme me askënd tjetër. Poezi të krijuara nga gjaku i vetmisë dhe koncentrimi i dialogut me vetminë. Jamarbëri edhe sa ishte gjallë mbeti i ngulitur në vetminë e vet. Poezitë, besoj fort, se i ka shkruar si formë autoterapie për të mbijetuar mes fantazmave të tmerreve të diktaturës po aq sa edhe alergjisë nga përditshmëria jonë shkurajuese. Fati i tij si duket ia mveshi këtë botvështrim: poezitë e tij mund t'i përkufizoja, në përshtat me jetën e tij, ku vetmia është njeriu në katror. Nuk ka lakmuar as lavdi, as vend në poezinë shqipe. Prandaj dhe mbeti fare pak i njohur, sikundër edhe shkalla karakteristike e indiferencës së kritikës sonë letrare jofunksionale. Mbetet një autor jashtëreferencial, i papërsëritshëm në zërin e vet dhe i pakrahasueshëm. Nuk gjej ndonjë ngjashmëri as me poetët, me të cilët e përafronte fati, si fjala vjen, me Visar Zhitin. Kam patur përshtypjen se atij nuk i kishte mbetur gjë të mësonte tek letërsia, pasi përvoja dhe traumat e thyrjes e tejkalonin burim letraresk. Nuk gjej, vërtet, asnjë poet të ngjashëm në frymë me të. Jamarbëri i rrëshqet, në këtë rast, çdo lloj kuadratimi.
Janë dy libra të Jamarbër Markos "Rastësisht me dashje" dhe "Pro Nobis", që vazhdojnë njëri-tjetrin, pa ndonjë impostim apo thyerje. Vargu i tij i lirë është më shumë një zgjedhje intuitive e intonacionit të zërit vetiak, se sa evolucion apo eksperiment libresk. Të dy librat përvijojnë një individualitet me relif të gdhendur poetik, por krejt atipik në poezinë që u shkrua pas nëntëdhjetës. Në vargun e lirë të tij, me rima të papritura spontane, duket se kemi një efekt të tillë risie, sikundër kanë patur në fund të viteve tridhjetë Migjeni dhe Gaspër Pali. Një ndjesi të tillë krahasimi më ngjall lloji i poezisë së Jamarbërit. Nëse mund të veçoja ndonjë tipar që bie demonstrativisht në sy në poezinë e Markos së ri, atëherë diferencën e bën drama e qetë meditative, puna e tendosur e mendimit, metafora asketike. E përsëris në formë tjetër: ai është një shpend krejt i pangjashëm në peizazhin e poezisë shqipe.
Tek Markoja i ri, si njeri dhe poet, në një masë më të madhe se i ati (i cili, gjithsesi, na ka lënë një katedrale të dhimbjes dhe zhgënjimit epokal me librin e tij autobiografik "Intervistë me vetveten"), tek i biri gjen formën më të lartë të alergjisë: shpërfilljen. Ndryshe është puna me dialogun e tij të tendosur e të pandërprerë me fatin, individual, në radhë të parë. Ajo intimë që mbush poezitë e tij i ka rrënjët përtej natyrës socio-ideologjike. Nga diktatura ai doli në trajtën e plagëve: plagët e burgjeve thjesht janë, nuk është nevoja të bërtasin. Poezia e tij e kundronte botën, pa bërtitur, përmes këtyre plagëve. Prandaj Jamarbëri është para së gjithash një poet etik; i një etike që rrjedh nga estetika e plagëve. Edhe koncentrimi i tij është i qendërzuar tek vetvetja, sado që projeksioni i vetvetes mund të mbulojë gjithkënd të ngjashëm në fate dhe në ndjeshmëri. Më kanë mbetur në mendje vargjet - një fragment i një poezie të tij - dhe tashmë që autori i tyre, poeti Jamarbër Marko, nuk është më, këto vargje dolën menjëherë në sipërfaqe të kujtesës:
...Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë.
Mendoj se maja e prushtë, ajo e vërteta, rron në poezitë e tij... tashmë që kjo "cigare" metaforike e jetës së tij ka mbushur me shtjella tymi pamjet mes tij dhe shëmbëlltyrave tokësore. Me fjalë të tjera, gjithkënd që e rrethoi dhe e bashkëshoqëroi. Maja e mprehtë është shuma e alter egos së tij, njeriu i vërtetë, ideali i jetës dhe i shkrimit të tij. Sepse humbja e tij, përtej pikëllimit të natyrshëm të familjes Marko, na ngulet edhe ne. Si thikë qortimi apo si thikë harrimi. Dhimbja të cilën Jamarbër Marko e mbajti vetëm për vete, tashmë është çliruar prej tij. Nuk është trupi i poetit që vdes: është trupi i brishtë i ADN-së sonë shpirtërore që flijohet shpërfillshëm përmes turpit, që e hamë përditë me sllogane.