Faleminderit
Ylli Polovina: Një albanolog që nuk e njihni
E diele, 12.09.2010, 11:07 AM
NJË ALBANOLOG QË NUK E NJIHNI
Nga Ylli Polovina
Në mbrëmjen e njërës prej ditëve më të fundit të gushtit ndodhi takimi tjetër me të. Pati mbërritur në Tiranë prej Romës, ku jeton që prej vitit 1987. Pas dyzetë e tetë orësh mori rrugën për në Prishtinë, në një kuvend studiuesish të identitetit shqiptar, veprimtari përvjetore e universiteteve shtetërore të dy vendeve. Pastaj një të shtunë u rikthye në Tiranë për të ikur drejt kryeqytetit italian në një orë të herët të së hënës. Biseda jonë u krye në mbrëmjen e kësaj të shtune. Kur u ndamë qe ora njëzetë e një dhe bashkëkombësi studiues tha se do të shkonte në një nga dyqanet me punime artistike për të blerë diçka. Gjetëm një kioskë në qendër. E pyeti shitësen se çfarë kishte më karakteristike, sepse do t’i bënte dhuratë një miku të huaj. Ajo nisi t’i tregojë menynë e objekteve të shumta që kishte. Në fillim tha se tek ajo gjendeshin punime artistike të shumta të shqiponjës. Ai shqiptoi një “Bukur!”, veç shtoi “
Bashkëkombësi për të cilin e kemi fjalën quhet Edmond Çali. Duke qenë se ai është natyrë shumë e heshtur dhe si të gjithë studiuesit që mbyllen brenda mjediseve shkencore nuk i interesojnë fort teknikat apo manovrat e publicitetit, po informojmë se deri dy vite më parë qe për më shumë se një dekadë folës i emisionit shqip të radios publike italiane “Rai”. Shtojmë: ishte edhe formuluesi e përzgjedhësi i lajmeve të atij seksioni. Ai është edhe përkthyesi zyrtar i qeverisë italiane në të gjitha rastet e takimeve të saj me delegacione të kabineteve tona qeveritare dhe të Kosovës. Edmond Çali është edhe lektor, pra pedagog, në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin Oriental në Napolit, një nga pararojat e albanologjisë jo vetëm në Itali, por edhe në botë. Ka drejtues një arbëresh të madh, një dijetar të palodhur dhe me zemër të madhe e të ndjeshme, Italo Fortino. Edmond Çali është edhe përkthyes i dy librave për Kosovën. Të parin e bashkëpërktheu në italisht me një kolege kur lufta çlirimtare dhe ndërhyrja e NATO-s qenë në kulmim. Punonin paralelisht për kapituj të ndryshëm ajo në Tiranë dhe ai në Romë, duke bërë që botimi të dilte në kohë rekord dhe kështu të ndikonte pozitivisht në opinionin vendas. Librin e dytë për Kosovën Edmond Çali e ka përkthyer prej gjuhës italiane në shqip. Ka autor ish-kryeministrin italian në periudhën e ndërhyrjes ndërkombëtare kundër Sllobodan Millosheviçit, Masimo D’Alemën.
Ai është po ashtu krijues poezish, madje edhe ka fituar përtej detit dy çmime. Një përmbledhje të vargjeve të tij më të mira këtë fund verë i publikoi në dy gjuhë. Shtëpia botuese është italiane. Edmond Çali po ashtu është autor i mjaft studimeve, veçanërisht në fushën e letërsisë. Doktoraturën e mbrojti me një punim mbi treqind e pesëdhjetë faqe për krijimtarinë e Ismail Kadaresë, Kasëm Trebeshinës dhe Zef Pllumit. Kjo analizë është një befasi. Të tre këta autorë të cilët janë shumë të ndryshëm në përmasat e individualitetit dhe të forcës artistike, të jetës profesionale dhe fateve private, si edhe mjaft të larmishëm në shkallën e njohjes brenda dhe jashtë vendit, pra këta tre që për mjaft e mjaft arsye duken se rrinë lart, por mjaft larg njëri-tjetrit, ai i ka “bashkuar”. Kur i thamë se si ia pati dalë që të “pajtonte” Kasëm Trebeshinën me Kadarenë, një polemikë që herë pas here lëndohet prej ndonjë vrull ndeshjeje, sidomos nëpërmjet të tretëve, u përgjigj fare qetë: “Ata i ka pajtuar letërsia, jo unë”. Doemos nuk e kishte fjalën për një proces të pajtimit mes dy personave. Kjo le të mos ndodhë kurrë, nuk ka fare rëndësi. Studiuesi donte të thoshte se letërsia është një hapësirë shumë e madhe, pa asnjë kufi, gati kozmike. Në të nuk ka dikush që të jetë zot apo padron. Prej asaj përmase që nuk ka një horizont ku të perëndosh, asnjë nuk mund të përjashtohet, as të shkelet me këmbë, as të fyhet, as të linçohet, as të harrohet. Në këtë të fundit asnjë nuk ka mbifuqi, sikur edhe një milion diktatorë të mblidhen bashkë.
Prandaj Edmond Çali ka kryer me një inteligjencë dhe profesionalizëm të rrallë një sipërmarrje bashkimi të tyre: frymën e mospajtimit me diktaturën, me pak fjalë me të keqen. Studimi shkencor i tij e ka vëzhguar trevëllimëshin memorialistik monumental të Zef Pllumit si kundërshtim i totalitarizmit i kryer prej një katoliku të bindur dhe të vendosur, krijimtarinë e gjerë ende të njohur jo plotësisht të Kasëm Trebeshinës si veprimtari politikisht e mirëfilli disidente, atë gjeniale, të ndërlikuar, plot kompromise dhe braktisje të tërthorta e të hapëta të metodës së realizmit socialist, të Ismail Kadaresë, si një harmoni, si një trinitet, si një bashkësi.
Edmond Çali një të hënë iku drejt vendit ku jeton e punon i inkurajuar vetëm nga shpirti i tij i lirë dhe i palidhur në Tiranë dhe Romë prej asnjë konjukture dite, tepër fin dhe delikat për të fryrë bulçitë e një patrioti klubi as këtu dhe as atje, albanolog i pazhurmshëm, madje deri në pazë, por megjithatë ngulëkëmbës për të dhënë diçka me vlerë në plotësimin e tablosë studimore vende-vende ende me arna të identitetit kombëtar. Imazhi i tij me bustin e madh të Skënderbeut që me mundim e mbajti në krahë në Tiranë dhe që pas një dite bashkë me të mori rrugën e qiellit drejt Gadishullit Apenin për të shkuar te një diplomat italian, mik i tij dhe i Shqipërisë, e bëri mundonjëse një ide të fillimit që ky shkrim të mos bëhej. Sipas rregullit klasik, këto radhë janë thjesht një “portret”. Ne këtej e dimë që vëmendjen kryesore të lexuesve e rrëmbejnë, sipas një mjeshtërie të vjetër, tema të tjera. Për një zakon po aq të vjetër të opinionit publik janë përherë mjaft të lakmuara përplasjet, sherret, mospajtimet, të qëndruarit sa më larg njëri-tjetrit, mosmarrëveshja, pamarrëveshja, hiçmarrëveshja.
Kurse ai ka magjinë t’i bëjë njerëzit dhe dukuritë kombëtare që studion të rrinë afër. Secilin në të drejtën e vet, në hapësirën e vet jetike, por afër.