Faleminderit
AKTORI QIRJAKO IRAKLI SAVA
E merkure, 25.08.2010, 08:21 PM
AKTORI QIRJAKO IRAKLI
Një nga shokët e mi më të mirë
Nga Luan Çipi
Në “ditarin” tim të viteve të fëmijërisë është shkruar:
Në shtatorin e vitit 1946 nisa klasën e parë të “Unikes” në Shkollën
e Mesme Tregtare të Vlorës së bashku me Qirjako Savën... Atje u aktivizuam në
jetën kulturore dhe sportive të qytetit…Në teatër na përzgjodhën të luajmë role
po me Qirjako Savën. U caktuam te “Ora Gazmore” e qytetit, unë në bisedë në
dialektin çam, Qirjako Sava, si gegë. Programi jepej me megafon, mbi Bankë te
Sheshi Flamurit, sipas teksteve me humor për të rejat e ditës, që formulonte
kryesisht poeti Perlat Hasani...
Po në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit e qytetit të Vlorës
dhe pa u ndarë nga Qirjako Sava, u përfshimë në veprimtaritë e shumta të sajë,
duke qenë pjesëmarrës aktiv të teatrit dhe korit të Shtëpisë së Pionierit dhe të
rretheve sportive. Atëherë, organizuam disa shfaqje artistike, si në qytetin e
Vlorës dhe në shumë fshatra të Himarës, Topalltisë, Myzeqesë, Kullësit,
Selenicës e deri jashtë rrethit.
Me Qirjako Savën
Kjo veprimtari artistike e kulturore për ne kish vlera të
jashtëzakonshme, se veç zgjerimit të njohurive për muzikën, artin dramatik dhe
sportin, me të cilin u morëm shpesh më pas, na mësoi dhe edukoi me një jetë
kolektive, duke na hequr nga veset e këqija dhe duke na njohur shokë dhe miq të
shumtë dhe cilësor. Aty në grupet e Shtëpisë së Pionierit u miqësuam më shumë
me Qirjako Savën dhe Agron Çuçin, Niko Vangjelin, Reshat Kripën, Sadedin Gjokën
dhe Duro Mustafain, shokë që ngelën, deri në fund ashtu siç ishim fëmijë, shumë
të dashur, të talentuar, të virtytshëm dhe të pa vdekshëm. Atje u njohëm dhe me
mësuesin e muzikës, të pa harruarin Tish Daija, shkodran- vlonjatin e madh, që
më pas shkëlqeu me gjeninë e tij si muzikant, dirigjent dhe kompozitor, artist i
popullit, deputet dhe akademik.
Ndërkohë, vitet kalonin dhe ne po e kapërcenim fëmijërinë dhe po
hynim në vështirësitë, bukuritë dhe peripecitë e adoleshencës.
Si shpjegohet prezenca kaq shpesh e Qirjako Savës, te “ditari” im i
fëmijërisë? Kjo tregon sa i afërt ka qenë ai me mua, tregon ndikimin e madh
reciprok për njeri tjetrin. Dhe kjo u ruajt për gjithë jetën. Bashkë e nisëm
edhe Gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës, më pas shkëputemi ca, për tu takuar në te
njëjtin grup sportiv, në vitin 1954, unë mundës dhe Qirjakua boksier dhe po
bashkërisht stërvitemi pranë liqenit të Pogradecit, e më pas, marrim pjesë në
ndeshjet dhe takimet sportive në Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1956 jemi sërish në
Vlorë dhe debutojmë në të njëjtin grup diletant teatror, pranë Shtëpisë së
Kulturës, me regjisor Nazmi Bunjakun, ku midis të tjerave, vumë në skenë
komedinë “Fejesë e Ngatërresë”, të Minush Jeros.
Për të ardhur deri këtu Qirjako Sava kaloi në procesin e gjatë të formimit dhe
edukimit artistik. Ai, u aktivizua me sukses në grupin teatror të Shtëpisë se
Kulturës Vlorë qysh ngavitin 1949, kur regjisori Shefqet Resuli, vë në skenë
dramën e Konstandin Simomonovit ‘’Gështenjat e Pragës’’, me aktorët e rinj
Panajot Papingji, Petro Pema, Myqerem Ferra, Foto Shamo, Dhori Strati, Fatushe
Kripa, Ervehe Gorishti, etj.
Këtu shkëlqen talenti i tij prej artisti të vërtetë dhe Qirjako Sava, në vitin
1951, në një Olimpiadë Teatrore Amatore në Tiranë me regjisor Kadri Roshin,
merr diplomë nderi, së bashku me Evgjeni Shtrepin dhe Stefan Pemën, për të
ardhur në vitin 1953, në qytetin e Durrësit, kur u vu në skenë drama ‘’Po
fillojmëme jetën’’ e Makarenkos dhe Teatri i Shtëpisë së Kulturës së Vlorës,
me pjesëmarrjen e Qirjako Savës, Bedri Mersinit dhe të një trupe krejt me të
rinj të talentuar, mori çmimin e dytë.
Qirjako Sava u përfshi në grupet profesioniste të Teatrit dhe Estradës së
qytetit të Vlorës, në vitin 1959, duke ardhur natyrshëm atje nga lëvizja
teatrale amatore, i përzgjedhur dhe i përfshirë, së bashku me një grup të rinjsh
të talentuar, që patën të përbashkët talentin dhe vullnetin e tyre të spikatur.
Ai, u fut në këto trupa së bashku me Kristo Shkurtin, Bedrie Mersinin, Meliha
Dodën, Vasil Beqarin dhe iu shtua artistëve më të vjetër të brezit të parë e në
vijim: Gaqi Vishi, Leka Kruta, Pirro Sava, Liza Skrame, Vangjel Panozaqi,
Minella Mita, Evgjeni Shtrepi, Myqerem dhe Meliha Fera, Mishel Lako, Mojze
Negrini, Liu Mone, Reshat Osmani, Kostandin Thana, Astrit Hasho, ku më pas, dora
dorës, u plotësuan me aktorë të ardhura nga shkolla e aktrimit, si Albert
Veria, Ali Roshi, Aleksandër Pogaçe, Vasillaq Godo, Adem Gjyzeli, Thabit Beqiri,
Bujar Asqeriu, Kristaq Skrame, Resmije Ruci, etj.
Midis këtij brezi të talentuar artistësh, ku më vonë, shkëlqyen dhe “Parodistët
e Vlorës”, dhe ku Qirjako Sava, zuri vend të rëndësishëm, grupet teatrale dhe
të estradës së Vlorës, sipas regjisë së Nazmi Bunjakut, Shefqet Resulit,
Minella Mitës, Myqerem Ferrës, Pirro Savës, Pëllumb Kullës, Kadri Roshit, Drita
Pelingut, etj., dhanë mijëra shfaqje të bukura për spektatorët vlonjatë dhe në
turne në mbarë Shqipërinë, duke marrë shpesh herë, vende nderi në shkallë
kombëtare.
Që në fillim Qirjako Sava, tërheq vëmendjen e spektatorëve dhe bëhet i dashur
për ta me atë pamje rinore, energjike, ekspresive dhe gazmore, si recitues,
aktor me spektër të gjerë komik e dramatik për të mbajtur shpejt mbi supe role
më të rëndësishme e deri kryesore.
Premiera e parë, si trupë drame profesioniste, Vlora e vuri në skenë në vitin
1962, me pjesën teatrale “Fundosja e Skuadronit” të Kornejcukut, me regjisor të
paharruarin Kujtim Spahivogli. Për këtë figurë të shquar të dramaturgjisë
shqiptare, duhet thënë se, përpara se të vlerësohet si artist, nga kolegët
vlonjatë çmohet si njeri dhe personalitet. Është e rëndësishme të theksohet se
për interpretimin brilant në këtë shfaqje, Qirjako Sava merr duartrokitje të
pareshtura nga spektatorët, si dhe përgëzime nga vetë Sulejman Pitarka e Naim
Frashëri.
Ajo që e evidentoi dhe ia rriti më shumë vlerat si aktor, ishte një takim i
estradave profesioniste në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1963. Shfaqja atje
lidhej me numrat e saj përmes konferencierit dhe këtë rol e bëri Qirjakua. Duket
e realizoi shumë mirë, sepse në përfundim të takimit, specialistët organizatorë
kërkuan që ai të bënte edhe konferencierin e shfaqjes përfundimtare, me numrat
më të mirë të të gjitha estradave të vendit.
Në vitin 1969 Qirjako Sava u kompletua dhe me arsimin e lartë si aktor dhe
regjisor, duke vënë në skenë, nën regjin e tij, 25 premiera, gjatë karrierës
aktive si profesionist dhe tre të tjera, mjaftë të suksesshme, në vitet e
fundit, si pensionist.
Ai e kujton me nostalgji premierën e parë të estradës si regjisor që u quajt
“Zgjidh e merr” dhe që u vu në skenë në vitin 1972. Ajo u shfaq 46 herë, me
sallën plot. Dhe më tej rolet dhe sukseset nuk kanë të sosur. Kështu vijnë
shfaqjet “ Familja e gëzuar”, “U takuam në udhëtim”, “Dy shokët”, “Çan anija
shqiptare”, “Banorët e pallatit tim. Duhet t’u kujtojmë lexuesve se në atë
kohë, për sukseset e bujshme të trupës së estradës së Vlorës, punonin penat e
mprehta gjurmëlënëse të Vangjel Picit dhe Flamur Laros. Më jetëgjatë si regjisor
ishte i talentuari Myqerem Ferra, që u dallua sidomos për organizimin e
spektakleve me një bosht, model që u ndoq me sukses edhe nga regjisori pasionant
Nazmi Bunjaku.
Sipas Qirjako Savës modest, po me veprimtari, si rrallë kush, shumë të gjatë
artistike, te çelësi i sekretit të sukseseve të tij gjendet puna këmbëngulëse me
dashuri e pasion – “ kemi punuar, pa u lodhur gjatë fizikisht dhe
shpirtërisht, kemi ngritur në art dukuritë negative përmes humorit që mbarte me
vete gëzimin edhe edukimin. Çelësi i suksesit tonë të vazhdueshëm, përsërit me
vendosmëri Qirjakua, ka qenë shpirti i kolektivit, puna me pasion dhe
dashamirësia, respekti, ndihma reciproke dhe harmonia në grup. Nuk kemi qenë
vulgarë dhe nuk zgërdhiheshim për ti bërë spektatorët të qeshnin”, po kjo vinte
natyrshëm nëpërmjet skenarëve të zgjedhur me kujdes dhe interpretimit me
dinjitet, deklaron aktori i shquar, duke qenë krenar për karrierën e tij mbi 50
vjeçare prej aktori profesionist.
Myqerem Ferra, Qirjako Sava dhe Leka Kruta
Tani, Qirjako Sava edhe pse në moshën e tretë, po me freski e gjallëri, është
gjithnjë aktiv, sa në drejtim të biznesit të tij privat, në vazhdim të traditës
së hershme familjare, me kontribut të pakursyer e të vazhdueshme në jetën
artistike të qytetit të Vlorës, si dhe në ndihmë e në përkrahje të grupit të
shquar të “Parodistëve të Vlorës”, me Agron Hamon, Afrim Agalliun dhe Muhamet
Likën, të cilët e duan dhe mbajnë përherë pranë.
Vlorë, 25.09.2010