E shtune, 27.04.2024, 07:07 AM (GMT+1)

Faleminderit

Salë Markja dhe nipi i tij, Demir Markja

E diele, 22.08.2010, 07:09 PM


 

 

 

Salë Markja dhe nipi i tij, Demir Markja

Tregime për Salë Marken
Ka qenë një atdhetar i mençur, i qetë, i matur dhe i gojës, (orator), siç thuhet e flitet në trevën e Dibrës së Madhe.
Lindi rreth vitit 1789, në Zogje. Ishte brez i tetë, që kur i pari i tyre, Nikollë Zoku (Zogu) u vendos në Zogje.

Për 30 vjet 1839-1869, do të bëhej figura qëndrore e Lëvizjes kombëtare kundër pushtimit osman në Dibër. Sipas të dhënave që ofron historiani-Moisi Murra, ai që e bëri të njohur Salë Marken në Stamboll qe Hajredin Pasha, i cili në grykën e Radikës e në Gjuricë, në betejën me luftëtarët trima dibranë humbi mbi dymbëdhjetë mijë ushtarë.
Ne s’do të përmendim gjerësisht biografinë e këtij plaku të
zgjuar e mendjemprehtë, por, për bashkëkombasit tanë në Diasporë, të cilët, përmes Postës elektronike dhe listave në Intrenet janë kurreshtar që të mësojnë diç edhe nga mendimet filozofike të njerëzve të mençur -por të paarsimuar; ndaj, në vazhdime kemi veçuar disa tregime, që janë me interes:
E pyetën njëherë Salë Marken:
-Cilat janë tri të mirat në këtë botë?
-Durimi,-u përgjigj Sala.
-Po e dyta?
-Durimi,-përsëriti Sala.
-Po e treta?
-Durimi,-e ngriti zërin pak më lartë se dy herët e para.
Mandej, një tjetër i pranishëm, e pyetën:
-Përse, kur rrëzohesh prej gomari vritesh më shumë se kur rrëzohesh prej kalit?
-Sepse, gomari edhe kur nuk je lënduar pllet sikur ke vdekur.
======================
Në një odë burrash e pyesin Salë Marken:
-Ç’është njeriu?
-Njeriu është pesë zogj, pesëmbëdhjetë shqerra, tridhjetë desh, dyzetë qe,50 mendje, shtatëdhjetë tahma, tetëdhjetë shkopinj dhe nëtdhjetë vezë. O Salë Aga, na e sqaro pak se nuk jemi duke e kuptuar se çka thua., - i tha tjetri.
-Po,-iu përgjigj Sala,-deri në moshën pesë vjeçe, njeriu është si ato zogjtë që hapin gojën vetëm për të ngrënë. Nga pesë deri në 15 pesëmbëdhjetë vjeç është si ata shqerrat që nuk ngopen duke bredhë nëpër livadhe. Në moshën 30 vjeç njeriu kërkon të zgjedh çdo gjë me forcë, siç bëjnë dy desh që kur zihen njëri me tjetrin, marrin hov, mbyllin sytë dhe përplasen kokë më kokë. Në moshën dyzet vjeç është si ato qetë që thyejnë dhe kularin në zgjedhë. Në moshën 50 pesëdhjetë vjeç njeriu e ka mendjen më të shëndoshë se në çdo moshë tjetër. Mosha 70 shtatëdhjetë vjeçe është mosha që njeriu edhe pse e ndjen pleqërinë, i hip një tahma për punë. Mosha 80 tetëdhjetë vjeçe e kërkon një shkop në dorë për t’u mbajtur. Në moshën 90 nëntëdhjetë vjeçe njeriu nuk duron ta prekish as me gishtin e vogël, eshtë si veza që pak ta prekish-thyhet!
=======================
Mbi derën e kullës në Bohmovë, fshat që gjëndet 3 -
4 km. afër qytetit të Dibrës, Salë Markja kish gdhendur një gjarpër.
-Përse e ke gdhendur atë gjarpër? -e kishin pyetur.
Kur dalë nga kulla të kujtohem se shkoj tek gjarpinjtë (turqit), kur kthehem të kujtohem se vij nga gjarpinjtë !
=======================
Një qeveritar turk në Dibër të Madhe e pyet me dredhi Salë Marken:
-Kush është më i fortë, Turqia apo malësorët e Grykës së Vogël ?
-Malësorët,-iu përgjegj Sala.
-Përse ?-pyeti përsëri qeveritari turk.
-Sepse, Turqia ka 400 vjet që përpiqet e nuk mun t’i shkeli e pushtojë ata kurrë.
-Po në qoftë se i shkeli unë ?
-Atëherë do të çojnë në Stamboll, në krah, katër malësorë,
-ia kthej përgjigjen Sala, duke lënë të kuptonte se do ta çonin të vdekur në arqivol.
=========================
Salë Markja e ka pirë duhanin me çubuk të gjatë. Në takimin
me Hysni Pashën, ndezi çubukun dhe sa herë e shkundte,shtynte take
tuken në drejtim të pashës. Pasha tërihqej pas. Kur u kthye e pyetën:
-Si t’u duk pasha?
-Frikacak-u përgjigj Sala,-trembej nga çubuku im !
=========================
Një bimbash (major) turk i thotë Salë Markes:
-A nuk është më mirë që malësorët t’i dorëzojnë armët?
-Po,-i përgjigjet Sala.
-Po përse nuk i dorëzojnë?
-Do t’i dorëzojnë, do t’i dorëzojnë - përgjigjet Sala duke luajtur kokën.
-Po kur?
-Kur të mbarohen fishekët !
======================
-Cila është gjëja më e rëndë për njeriun, -e pyetën njëherë Salë Markën.
-Kur njeriu flet e nuk të dëgjojnë.
-Po gjëja më e mirë?
-Kur nuk i mbesish borxh askujt.
==========================
Një herë, Salë Markës i ra rruga të kalonte pranë një fshatari, i cili lëronte tokën me një penë qe. Fshatri i tha:
-Zbrit nga kali ta ndezim nga një cigare, o Salë Aga!
Sala zbret nga kali, kurse fshatari zgjati qesen e duhanit, që ishte gjithë pluhur. Sala, pasi e thurri me veshtirësi cigaren-e ndezi.
-Si po të duket duhani, o aga?-e pyeti fshatari.
-Shumë i ëmbël,-iu përgjigj Sala.
-Kur u larguan shoqëruesit e pyetën:
-Ku e kishte ëmbëlsirën ai pluhuri i duhanit, o aga?
-Tek hatikati (respekti) i atij fshatari,-u përgjigj Sala.
===========================
Paria e qytetit të Dibrës së Madhe, paguan dhe nxitën një qytetar të ofendonte Salë Markën në mes të pazarit (tregut). Sala nuk bëri asnjë gjst të shëmtuar, por përkundrazi, kur u kthye në Bohmovë, u tha djemve që t’i çonin një thes me miell gruri, sheqer, oriz, kafe, sapun etj. Ai e dinte se qytetari i varfër e kish berë atë gjest për të marrë diçka nga Paria ambicioze për të shuar urinë e fëmijëve.
Të nesërmen qytetari shkon në Bohmovë dhe i kërkon falje për gabimin e bërë-Salë Markes.
-Jo,-i tha Sala, ti nuk ke bërë asnjë gabim. Gabime bëjmë ne të pasurit që nuk kujdesemi për ju të varfërit, ndaj, sa herë që të kesh nevojë na shaj që të kujtohemi !

Mesazhet (porositë) e Salë Markes
-Mos shtini pushkë në vllazni !
-Mos zini nusen në gjak !
-Mos bëni shpenzime të tepruara !
-Mos jepni para me interes !
-Mos ia zëni tjetrit udhën kot !
-Kur të hyni në valle, hyni me mend e e dilni me vesh !
-Nëse e nxen kundërshtarin gjatë bisedës, je fitimtar !
-Miku kënaqet më shumë me një bisedë të mirë se sa me i dhënë një ka (tarrak) apo dash.

-Mos e rëndo tjetrin në valle burrash !
-Gruaj, fëmia dhe qeni zënë gjithnjë fesatin (grindjen).
-Mikun mos e lusni shumë që të rrinë, sepse e fusni borxh !
-Gratë i shihni në mëngjes, i dëgjoni në drekë dhe, jepuni të drejtë në darkë (mbrëmje) !
-Mos i vëni në be jetimët !
-Djalin e gruas së ve, mos e vëni përpora !
-Gruan e ve dëgjoheni një herë në vjet !
-Në qoftë se ai që të dëgjon e mban dorën tek veshi, fjalët nuk të kanë shkuar kot !
-Mos çoni krushq ata që mbajnë kësulat (plisat) me një anë !
-Lësho zë një herë, dy herë, tri herë dhe, poqe se nuk të përgjigjet askush, atëherë, bërtitu qenëve !
-Mos e pini kafen shpejt se u shkon xherime !
-Mos i rrini kalit me një anë, sepse, do t’ju thyhet qafa duke shikuar shtremët !
Fjalë të mençura të Salë Markes
-Hasmin çmoje më shumë kur thotë se është i dobët.
-I varfëri nuk ngopet me bukë, kurse i pasuri me flori.
-Qyqja këndon në list ë thatë e çukon në list ë njomë.
-Kali flen ë këmbë, kurse dembeli në byth.
-Oxhaku i asaj shtëpie që qet tym shumë, nuk ka nuse brenda.
-Bujku i mirë duket në vjeshtë, gruaja e keqe në krua.
-Nuk ka të hecme në shtëpi poqe se njerëzit nuk kanë arna në raçe (tesha).
-Njeriu lind si zog, rritet si qëngj, i zgjidh punët si dash,punon si ka (tarrak),rron si lepur dhe vdes si peshk.
-Hasmin e ke vrarë 100 herë në ditë kur nuk e zë në gojë asnjëherë.
=============
-Fëmia, kur është i vogël thotë:-babai im!
-Kur bëhet 10 vjeç mburret: - Babi im ka bërë këtë e ka bërë atë!
-Kur bëhet 20 vjeç, mburret: -Edhe babai im e dijë këtë punë!
-Tridhjetë vjeç: - Pyetni njëherë mos e dijë babai im këtë punë!
-Tridhjetë e pesë vjeç: - Mos ia vëni veshin babait tim, sepse dhe ju do të plakeni si ai !
-Dyzetvjeç: - Babai im i ka ngjarë gjyshit, ndaj do të rrojë shumë !
Nga biseda e zhvilluar me nipin e Salë Markes-Xha Demirin             
Në fillim i njohtoj lexuesit e nderuar se, mixha Demir ishte bashkëshorti i Tezes Zare, pra, i motrës së Nënës sime të ndjerë,
-Hamides dhe kishte tipare të ngjajshme të trashëguara sipas gjenetikës së gjyshit të tij-Salë Markes.
Siç më kujtohet, ishte muaji gusht i vitit 1967. Në shtator e kisha provimin e fundit para diplomimit. U gjenda në dyqan të babait tim - Arifit dhe, si zakonisht gjitmonë e e merrja me vedi literaturën për të lexuar.
Një ditë erdhi Xha Demiri në dyqan dhe, pas përshëndetjes, më vërejti mua me vemendje, m’u drejtua e më pyeti:
-Djali i Arifit,, siç e shoh, Ti je duke lexuar shumë libra, ndaj dhe dua të të pyes diçka, Demir Markja-nipi i Salës që ndofta e ke lexuar diku ?!
-Urdhëro mixha Demir, nëqoftë se e dij do t’ju përgjigjem!
-Cila mende eshtë më e hollë, mendja mashkull apo men dja femër ?
-Unë, rreth kësaj pyetje dija si të përgjigjem, duke qenë se e pata dëgjuar edhe më parë nga Nuni im mentar-Jonuz Majtara dhe, drejtpësëdrejti iu përgjigja:
- Mendja femër mixha Demir, mendja femër !
-Ai, në atë kohë ishte i moshës 78-80 vjeçe, ashtu siç ishte i ulur në stol, me çubuk në gojë, duke u mbështetur në kërlukun (shkopin) e tij - ia brofi në këmbë, m’u drejtua e tha:
- Mos vallë këtë përgjgjijge e ke lexuar diku në librat e tu ?
- Jo, mixha Demir, por për këtë pyetje më ka bërë me dije Nuni im-Jonuz Majtara.
-I mençur është Nuzi, i mençur !
-Po mir atëherë, më trego për ç’arsye mendja femër është më e hollë se mendja mashkull ?
-Po mixha Demir të tregoj:
-Së pari edhe meshkujt edhe femrat, pa marrë parasysh gjininë, por që janë të mençur-të arsimuar e që mendja e tyre u pjellë e kanë mendjen femër. Të gjithë shkencëtarët e kanë këtë mendje, sepse kjo mende vepron dhe shpikën diçka mixha Demir. Dhe Ti e ke menden femër, sepse i përngjasish gjyshit tënd - Salë Markes !
Ti Brahim do të thuash se :- ”Peni i përngjet gëzofit” dhe unë ngjaj me gjyshin tim-Salën.
-Po xha Demiri, ashtu është !
Xha Demiri:
-Të falëminderit o Brahim për këto fjalë që m’i thua dhe Zoti i bekoftë të gjithë njerëzit e dtur e me shkollë! Dhe Kurani e thotë se, njerëzimit i duhet shkollimi,njerëzit pa shkollë janë si xhoja (shtaza).
===============
Unë me nënën time të ndjerë, të dashur dhe të zgjuar, shkonim shpesh herë në vizitë tek tezja Zare në Bohmovë, fshat i bukur e pitoresk, që shrihet buzë Drinit të Zi, në kufi me shtetin amë.
Tezja Zare, një plakë e dashur, e mençur dhe tepër komike, na mbante gjallë me shaka dhe, shpesh herë xha Demirit i drejtohej duke i thënë:
O njeri, nëse Ti je nipi i Salë Markes, unë dhe motra ime Hamidja jemi bijat e humanistit të vegjelisë-Xheladin Strazimirit. Në qoftë se na kanë rënë vathët-veshët i kemi, që do të thotë se dhe ne jemi soj, pra, të familjes së mirë. - Kurse xha Demiri qeshte dhe vetëm qeshte me të madhe.
Anekdotë e vërtetë humoristike:
Rreth viteve të 60-ta shkuam së bashku me Cankon, i cili kishte farefisin e vet në Bohmovë dhe, porsa arritëm tek oborri i shtëpisë së tezes Zare, u ndalëm dhe në ato çaste, ai, pra Cankoja, i cili fliste me pengesa dhe nën hundë dhe, duke e vërejtë lumin Dri, që rrëpishëm kalon rreth këtij fshati, i drejtohet tezes Zare dhe e pyeti:
Oj tezja Zare, të lutem më trego, kah shkon ky lumi Dri, termaj (përpjetë) apo teposht ?!
Ajo, duke u qeshur iu përgjigj:
-Termaj (përpjetë) Canko- termaj (përpjetë) !
-U qeshëm sa s’deshëm me tezen Zare !

Diber e Madhe, gusht 2010           Zgjodhi per botim, I. Egriu

 

 






(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora