E shtune, 27.04.2024, 10:30 PM (GMT+1)

Faleminderit

Policia e Shtetit "harron"kolonel Arben Zylyftarin

E marte, 03.08.2010, 07:43 PM


Nga Dino Kaja

 

BERAT - Dhjetë vjet pas rënies në krye të detyrës, dëshmori Arben Zylyftari u "rikthye" përjetësisht në qytetin e tij të lindjes. Busti i tij i derdhur i tëri në bronz, u vendos dje në qendër të qytetit historik të Beratit. Në ceremoninë e organizuar nga bashkia e këtij qyteti, ishin të pranishëm pjesëtarë të familjes së kolonelit, që do të mbahet mend për devotshmërinë e tij; kolegë; shokë; qytetarë; përfaqësues të shoqatës së dëshmorëve të atdheut dhe asaj të veteranëve; krerë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, si dhe drejtues të pushtetit vendor. Por, në përvjetorin e vrasjes së Arben Zylyftarit nuk morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, madje as nga Akademia e Rendit, e cila mban emrin e tij. Pavarësisht "harresës" së njerëzve të lartë të zyrave, kolonel Arben Zylyftari ngjan i qetë në shtatoren e punuar me mjeshtëri nga skulptori Maksim Bushi. Me një radio policie në duar, duket se ai është nisur në aksion kundër shkelësve të ligjit.

CEREMONIA

Aktiviteti në përkujtim të dëshmorit Arben Zylyftari filloi rreth orës 09:30, me homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, për të vazhduar me zbulimin e bustit që është vendosur në qendër të qytetit. "Në përvjetorin e tij të rënies, Arbeni vjen tashmë i kthyer në imazh. Ai do të qëndrojë para syve të njerëzve të tij të dashur ashtu i qeshur, i dashur, i përjetësuar në memorial", - u shpreh gjatë fjalës së tij kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi. Nëna e dëshmorit, Refija e shoqëruar nga bashkëshortja e të birit të vrarë, Elsa e dy fëmijët (Emi dhe Franci) si dhe djemtë, ka falënderuar drejtuesit lokalë. Ndërsa, vajza e kolonelit, Emi Zylyftari deklaroi se më parë kishte antipati për qytetin ku iu vra i ati, por ishin vetë shkodranët që e bënë të ndërronte mendim. "Kisha njëfarë antipatie për qytetin e Shkodrës. Por, para pak vitesh shkova në një ekskursion me shkollën në këtë qytet. Ishim në një lokal në qendër të qytetit, kur pedagogia më thirri: 'Zylyftari, eja këtu'. Në çast m'u afrua pronari i lokalit dhe më tha: 'Mos më thuaj se je vajza e Arben Zylyftarit'. Ai mu hodh në qafë e më përqafoi. Më pas u afruan dhe qytetarë të tjerë që flisnin me respekt për babain tim. Ndonëse e tronditur, ndjeva respekt për njerëzit e qytetit ku dha shpirt babai im", - tha Emi. Më pas, në Qendrën Kulturore të qytetit "Margarita Tutulani", u organizua një takim solemn ku u shfaqën pjesë filmike nga jeta dhe veprimtaria e ish-kuadrit të lartë të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari. Gjithashtu, dje u përuruan edhe dy libra kushtuar dëshmorit Arben Zylyftari.

VRASJA

Dhjetë vjet më parë, bataretë e armëve në lagjen "Guerile" të Shkodrës tronditën banorët e këtij qyteti, i cili akoma nuk e kishte marrë veten nga trazirat e '97-ës. Më 2 gusht të vitit 2000 Policia e Shkodrës nisi një operacion për bllokimin e makinave të vjedhura. Gjatë aksionit, blutë vunë re në rrugë Bahri Tafilin, i cili kërkohej për vrasje. Tafili mundi të futet në banesën e tij, ku rezistoi me armë së bashku me të birin, Gencin. Në përpjekje për të kapur të kërkuarin mbeti i vrarë, kreu i policisë, Arben Zylyftari. Po gjatë shkëmbimit të zjarrit u vra dhe vetë autori, Bahri Tafili.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora