Faleminderit
Bedri Tahiri: Azem Galica meriton më shumë
E hene, 19.07.2010, 10:00 PM
AZEM GALICA MERITON MË SHUMË
(Fjalë përshëndetëse me rastin e vënies së gurthemelit të Kullës së Azem Galicës, më 15 korrik 2010)
Të respektuar të pranishëm!
Sot gjendeni në truallin ku, para 86 vjetësh, pra më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël. Ardhja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse:
Azem Galica bashkë me Nusen e Maleve, Shotë Galicën, dhe me bashkëluftëtarët e tij besnikë, për 12 vjet rresht nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të kohës. Më 1923 krijohet Zona e Lirë e Drenicës e njohur si ARBËRIA E VOGËL, e cila fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së Prekazit e më vonë vetëm Galicën, Lubovecin e Mikushnicën. Kjo bërthamë e parë shtetërore, pati jehonë të madhe, kombëtare e ndërkombëtare, saqë shpejt u detyrua ta njoh edhe mbretëria serbosllave. Më 11 tetor 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, u tha në
Thënia e Nolit se çdo heroi në histori i duhet të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësmit, më shumë së për të tjerët, vlen për Azem Galicën. Ai, për çudi, edhe ditët e sotme, po përballet me sfida të tilla.
Sidoqoftë, ai mbetet frymëzuesi më i madh i brezave liridashës. Edhe luftëtarët e UÇK-së shumicën e betejave i fituan nën thirrjen: O prite, prite Azem Galicën!
Jubileun e sotëm po e shënojmë me vënien e gurthemelit te Kullës së kryekomandantit të të gjitha çetave çlirimtare shqiptare, e cila është simboli më i qëlluar i rezistencës për liri. Roje e saj do të jetë vetë kapedani, eshtrat e të cilit, më 1971, i nxori nga shpella atdhetari i madh Abdyl Krasniqi. Ama, atij po i mungon bshkëshortja dhe bashkëluftëtarja, Shotë Galica. Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!
Falënderim i veçantë u takon atyre që bënë hapin e parë në mbështetjen e Projektit, PTK-së, me drejtuesin e suksesshëm dr. Shyqyri Haxhën dhe KK të Vushtrrisë, udhëhequr nga Bajram Mulaku. Shpresojmë shumë së kjo nismë e mbarë do të përkrahet edhe nga Qeveria, edhe nga Ministria e Kulturës, edhe nga donatorë të tjerë, sepse vetëm ashtu lajmë një borxh të vockël ndaj atyre që sollën Ditën e Bardhë- LIRINË!
Edhe njëherë, në emër të Galicës dhe te Arbërisë së Vogël, u falënderojmë të gjithë Juve, që me pjesëmarrjen Tuaj nderuat Azem e Shotë Galicën, nderuat gjakun e atyre që sollën lirinë, nderuat historinë, nderuat kombin!
U lumshin këmbët e qofshi faqebardhë!
Ju mirëpresim vitin e ardhshëm në përurimin e Kullës-MUZE!