E premte, 02.05.2025, 06:25 AM (GMT+1)

Faleminderit

Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët e kombit Fahri Bici dhe Bedri Dudi

E hene, 05.07.2010, 09:59 PM


NË 11 VJETORIN E RËNIES

 

PËRKUJTOHEN DËSHMORËT E KOMBIT: FAHRI BICI DHE BEDRI DUDI

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në 11 vjetorin e rënies  përkujtohen dëshmorët e kombit Fahri Bici dhe Bedri Dudi që kanë rënë më 2 korrik të vitit 1999. Asokohe ata ishin pjesëtarë të Gardës Kombëtare. Dëshmorët Bici e Dudi ishin pjesëmarrës të shumë betejave të zhvilluara në ZOLL të UÇK-së ku treguan guxim dhe heroizëm të pashoq. Ranë për të mos vdekur kurrë pak ditë pasi në Kosovë erdhi liria për të cilën ata dhanë një kontribut të çmueshëm. Për jetën dhe veprimtarin e dëshmorëve në këtë përvjetor  u evokuan kujtime nga të afërmit dhe nga shokët e luftës. Në kujtim për këta dëshmorë të rënë tragjikisht nga trupat e NATO-s, u  bënë  homazhe dhe u vendosen kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies afër Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhe pranë varrezave të tyre në  Kodërz (ish Godishnjak), te varri i Fahri Bicit dhe në Llaushë te varri i Bedri Dudit.

 

 

FAHRI NAZMI BICI

( 06.07.1979 – 02.07.199)

 

Në fshatin Kodërz (ish Godishnjak) të Besianës më 6 korrik 1979 u lind Fahri Nazmi Bici. Shkollën fillore e kreu në Lluzhan në shkollën "Afrimi e Fahriu". Shkollën e mesme ekonomike e regjistroi në Besianë por e ndërpreu për tu bashkangjitur radhëve të UÇK-së.

 

Fahriu ishte një fëmijë inteligjent dhe qysh në fëmijëri vërehej se kishte kurajë dhe vullnet të hekurt për të kryer punët që i niste. Në shkollën fillore të Lluzhanit ishte ndër nxënësit shembullor e që me të drejtë si familja ashtu dhe mësimdhënësit pritnin shumë nga ai. Me atë elan të punës dhe suksese shembullore nisi edhe shkollimin e mesëm që e la një ditë për ta zëvendësuar librin me pushkën e lirisë.

 

Veprimtaria e tij për çështjen kombëtare merr hov që nga demonstratat e 1 tetorit 1997 që edhe Fahriu ishte pjesëmarrës aktiv.

 

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtoi edhe më shumë entuziazmin revolucionar të Fahriut. Ai pa u hamendur shumë kishte rrokur pushkën e lirisë dhe në qershor të vitit 1998 ishte radhitur në radhët e UÇK-së.

 

Kontaktet e para me UÇK-së i pati në fshatin Bajgorë ku edhe i kreu një pjesë të ushtrime ushtarake. Pastaj Fahriu sistemohet në fshatin Buricë në njësitin “Ujku” ku edhe kryen pjesën tjetër të ushtrimeve . Pjesëatr aktiv i UÇK-së Fahriu është bërë me 3 gusht 1998.

 

Përpos angazhimit të Fahriut në radhët UÇK-së familja e tij e ka ndihmuar UÇK-së edhe në forma tjera duke i dhënë edhe disa armë të cilat i përdorën luftëtarët trima në betejat kundër armikut.

 

Pas strukturimit të Zonës Operative të Llapit është caktuar komandant i njësisë kundërajrore në togun “Ulpiana-42”, Batalioni i Parë i Brigadës 151 “ Zahir Pajaziti ” të ZOLL - it.

 

Në strukturimet e më vonshme të ZOLL - it, Fahriu si ushtarak i dalluar në luftime është zgjedhur në njësitin elitë të Batalionit të Pestë gardist si ndihmës komandant i togut.

 

Me armën e tij “ Gulinov ” të cilën e donte më shumë se çdo gjë, ai në çdo aksion luftarak u kishte shkaktuar dëme të mëdha forcave të armikut.

 

Bashkëluftëtarët e Fahriut ishin të shumtë në numër por më së shumti shoqërohej me Avni Dudin me të cilin nuk u ndanë deri në rënien e tyre bashkërisht. Ndër ata që shoqërohej më shumë ishin edhe Bahri Selimi, Fitim Islami, Fitim Zullufi, Safet Përvetiica, Ilir Latifi etj.

 

Ka marr pjesë në shumë beteja në Llap të zhvilluara kundër okupatorit serbo sllav. Ishte pjesëmarrës edhe i betejës së parë të ZOLL – it e njohur si Beteja e Kaqanollit. Hordhitë serbe më 15 shtator 1998 ia mësyn që të depërtojnë në Shalë të Bajgores nëpërmes të fshatit Gegaj (ish Dobratin) mirëpo pjesëtarët e UÇK-së ishin në Rrafshnaltën mbi Gegaj apo siç e quajnë shumë në Qafën e Kaqnollit. Aty i prisnin forcat e okupatorit për ti zmbrapsur për tri ditë me radhë që të mos depërtojnë në ato male. Në mesin e këtyre luftëtarëve të lirisë ishte edhe Fahri Bici. Ndonëse ushtar i ri ai nuk dinte të zmbrapsej por sa mundte shfrynte mllefin mbi forcat e okupatorit. Forca të mëdha serbe për tri ditë me radhë me 15, 16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në Qafën e Kaqanollit aty ku bashkohet Llapi me Shalë. Beteja e Kaçanollit me të cilën do të krenohemi gjithmonë është një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak por edhe atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë. Këtu u sprovuan shumë luftëtar të lirisë për të cilët ishte beteja e parë e hapur ballë për ballë me armikun shekullor. Fahriu qysh në këtë betejë tregoi trimëri dhe shembull se si duhet të luftohet për lirinë e atdheut. Ai këtu sprovoi veten për të dhënë kontribut edhe më të madh në betejat e tjera në vazhdim që u zhvilluan në ZOLL-it.

 

Fahriu ishte pjesëmarrës edhe në betejat tjera të lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it që u zhvilluan në Llapashticë që njihen si betejat e Tabeve të Llapashticës . Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së , ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe që mësyn pozicionet e UÇK-së. Në Betejën e 24 dhjetorit të vitit 1998, që është ndër betejat më të njohura në këto anë ku ishte pjesëmarrës edhe Fahri Bici u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica .

 

Pos këtyre dy betejave të njohura Fahri Bici, mori pjesë edhe në dhjetëra beteja tjera të zhvilluara anekënd Llapit. Mori pjesë në betejat e njëpasnjëshme që u zhvilluan në periudhën janar - mars 1999, në Llapashticë, Katunishtë, Bradsh e fshatra tjera të Llapit. Fahriu mori pjesë edhe në shumë aksione guerile që i ka organizuar Batalioni i Pestë Gardist.

 

Është vrarë pas luftës aksidentalisht nga prestarët e KFOR-it bashkë me shokun e pandarë , Avni Dudi. Ata ranë prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë më 2 korrik 1999 derisa ishin në kryerjen e një detyre të dhënë nga shtabi madhor.

 

Në kohën e rënies ka qenë ndihmës komandant i togut me gradën toger, ndërsa më vonë Shtabi i Batalionit të Pestë Gardist ka propozuar që të gradohet me gradën major.

 

Më 11 korrik 1999 në fshatin e lindjes në Godishnjak të Besianës është bërë varrimi i Fahri Bicit me ceremoni madhështore.

 

Nga familja e gjerë e Fahriut në luftën e fundit dëshmor ka rënë edhe kushëriri i tij Esat Berisha.

 

Fahriu në pikëpamje fizike ishte një sportist i vërtetë. Kishte moral të lartë për luftë kundër armikut. Këtë e kultivonte edhe tek shokët e luftës dhe gjithherë për shoqëri ishte i disponuar.

 

Në shenjë përkujtimi i është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

 

Fahriu nuk ka qen i martuar ndërsa pas vetes ka lënë nënë Xheziden,vëllezërit: Shabanin, Bajramin, Naserin, Beratin, Besnikun, Nysretin dhe motrat Bastrien e Shyhreten . Për jetën dhe veprën e Fahriut janë botuar shkrime dhe janë shfaqur dokumentar televiziv në mediumet e shkruara dhe elektronike të vendit.

 

Kishte shumë pasione por më së shumti merrej me lexim dhe sport ku shumë preferonte lojën e futbollit.

 

Të gjitha pajisjet luftarake përpos armës janë të ruajtura të cilat janë në posedim të më të dashurve të tij.

 

Përpos propozimit për gradën major është dekoruar me dekorata dhe mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD dhe institucione tjera.

 

 

AVNI LIMON DUDI

(15.06.1975 – 2.07.1999)

 

Familja Dudi nga Llausha e Besianës njihet si familje atdhetare e cila ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për çështjen kombëtare. Në të gjitha luftërat që u zhvilluan në këto anë pjesëtar të kësaj familje ishin pjesëmarrës dhe çdo herë kishin synim çlirimin e vendit. Kështu në luftën e Dytë Botërore u vranë dy nga kjo familje si dhe u plagosën disa të tjerë. Luftëtar i njohur ishte edhe Ajet Dudi, gjyshi i dëshmorit, Avni Dudi. Edhe babai i dëshmorit, Limoni ka qenë pjesëmarrës i protestave dhe demonstrative të organizuara kundër okupatorit. Ai ishte pjesëmarrës i demonstrative të vitit 1968, 1981 dhe i të gjitha protestave të organizuar deri në daljen në skenë të UÇK-së. Limoni për pjesëmarrje në demonstrate ishte burgosur më 1981. Pastaj në vitin 1985 qe burgosur dy herë dhe ka vuajtur nga dy muaj dënim. Në vitin 1993 ishte i përndjekur nga policia serbe ku edhe është keqtrajtuar fizikisht bashkë me Avniun dhe djemtë tjerë. Tradita familjare dhe vuajtjet që pësoi kjo familje nga policia e okupatorit ishin edhe shtytëse që Avniu të angazhohet edhe më shumë për çështjen kombëtare.

 

Kjo familje liridashëse dhe atdhetare sa herë që ka qenë nevoja i ka dal zot atdheut . Kushtet e rënda ekonomike që kishte kjo familje bujare dhe atdhetare që qëndronte me nderë përball të gjitha stuhive dhe asnjëherë nuk u gjunjëzua. Limoni u detyrua që për disa vite të marr rrugën e mërgimit për të siguruar kafshatën për familje . Por një ditë edhe kurbetit i erdhi fundi. Limoni nuk mundi tu përballoi kushteve të rënda të punës pasi që edhe shëndetin nuk e kishte mirë dhe në vitin 1974 u kthye në vendlindjen e tij. Pasi kthehet nga atje ai nuk rrinë duarkryq por u bashkohet atdhetarëve të cilët punonin për çështjen kombëtare.

 

Një vit pasi kthehet Limoni nga mërgimi,në familjen Dudi në fshatin Llaushë të Besianës jo shumë larg kufirit me Serbinë. Në Llaushën legjendare të shumë dëshmorëve të lirisë të brezave të ndryshëm. Në Llaushën e vëllezërve dëshmor të kombit Fahri dhe Bahri Fazliu, në familjen Dudi më 15 qershor 1975 u lind dëshmori i kombit Avni Limon Dudi. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit, ndërsa të mesmen në Besianë. Avniu përpos që ishte nxënës shumë i mirë ishte i shkathët dhe dallohej ndër shokë për shkathtësitë dhe gjindëshmërin që kishte. Edhe përkundër dëshirës së tij të madhe që të vazhdoi shkollimin, për shkak të rrethanave të asaj kohe mbeti pa u regjistruar në ndonjërin fakultet të Universitetit të Prishtinës.

 

Limon Dudi ishte i martuar me Zylfie Ejupin nga Sekiraça, të cilëve u lindën pesë djem e një vajzë ( Bedriu, Nexhmiu, Hava, Avniu, Remziu dhe Ajeti ).

 

Veprimtaria e tij atdhetare kishte filluar qysh herët ngase kishte inspirimet nga babi i tij i cili ishte edhe i ndjekur për shkak të veprimtarisë ardhetare. Avniu ishte pjesëmarrës i të gjitha protestave dhe demonstrative që organizoheshin në Llap kundër okupatorit serbo sllav . Ishte shumë aktiv në protestat që u organizuan në vitet 1990 / 91 për ta kurorëzuar me pjesëmarrjen e tij në demonstratën studentore të 1 tetorit të vitit 1997.

 

Edhe Avniu bashkë ma babin e tij Limonin ishin të ndjekur dhe kërkoheshin nga policia serbe në atë kohë për armëmbajtje pa leje . Me këtë pretekst kërkoheshin shumë shqiptar që ishin në shënjestër të regjimit serbo sllav .

 

Dalja në skenë e UÇK-së Avniun e gëzoi pa masë. Menjëherë posa filluan ushtrimet ushtarake një grup i të rinjve llapjan në Shalën e Bajgorës, Avniu pati kontaktet e para me UÇK-së. Ai mësyu Shalën e Bajgorës ku prestarët e UÇK-së të ZOL-it përgatiteshin për luftë kundër okupatorit serb. Ishte kjo koha para Betejës së njohur të 15 shtatorit 1998 , ” Beteja e Kaçanollit ” .

 

Mirëpo pas kësaj beteje Avniu i fillon ushtrimet ushtarake në Llapashticë bashkë me shumë të rijnë të cilët i ushtronte Afrim Kadriu. Pasi i kreu ushtrimet, Avniu me 8 nëntor 1998 sistemohen në njësitin e komandant Bedri Ahmetit ( tash dëshmor i kombit ). Ai me vete kishte edhe armën personale të cilën e kishte marr nga shtëpia.

 

Përpos Avniut në radhët e UÇK-së ishte edhe babi i tij Limoni i cili mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në fshatrat e Llapit. Ai mori pjesë në betejat e zhvilluara në Gegaj (ish Dobratin), Revuçë, Bradash, Buzëllap (ish Dobërdol), Llaushë etj. Në këto beteja ishte me bashkëluftëtarët Sheqir Osmanin, Ibush Salihu, Bajram Gashi, Osman Gashi, Idriz S.Gashi, Zahir e Faik Fetahu etj. Por kohë pas kohe takohej edhe në beteja me djalin Avniun për të cilin thot se përveç që e kishte djal e kishte edhe shok të mirë dhe bashkëluftëtar.

 

Pas strukturimit të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Avniu caktohet zëvendës komandant i njësisë kundërajrore në Togun “Ulpiana 42”, Batalioni i Parë i Brigadës 151 “Zahir Pajaziti”. Edhe më vonë kur ZOLL ka bërë strukturime tjera ku Avniu si ushtar i dalluar nëpër beteja është caktuar në njësitin elit të Batalionit të Pestë Gardist si ndihmës komandant i togut.

 

Nga bashkëluftëtarët Avniu kohën më të madhe e kaloi me Fahri Bicin me të cilin edhe u vranë bashkë. Bashkëluftëtarë të tjerë të tij ishin edhe Zeqir Sadiku, Safet Përvetica, Fitim Zullufi, Nusret Mehmeti, Ilir Latifi si dhe babi i tij Limon Dudi.

 

Avniu ishte pjesëmarrës në shumë beteja që UÇK-së zhvilloi në Zonën Operative të Llapit. Avniu ishte pjesëmarrës edhe i betejave të lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it që u zhvilluan në Llapashticë që njihen si betejat e Tabeve të Llapashticës . Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së , ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe , që mësyn pozicionet e UÇK-së. Në Betejën e 24 dhjetorit të vitit 1998, që është ndër betejat më të njohura në këto anë ku ishte pjesëmarrës edhe Anvi Dudi. Në këtë betejë u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica .

 

Përpos betejës së 24 dhjetorit 1998 ai mori pjesë edhe në betejat që u zhvilluan në periudhën janar-mars 1999 në Llapashticë, Kastrat, Bradash etj. Po ashtu Avniu mori pjesë në shumë aksione guerile të ndërmarra nga Batalioni i Pestë Gardist.

 

Pas përfundimit të luftës më 2 korrik 1999 Avniu bashkë me shokun e pandarë Fahri Bici vriten aksidentalisht nga pjesëtarët e KFOR-it, prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Derisa qytetarët kremtonin këtë ditë Avniu dhe Fahriu ishin në një kryerjen e detyrës së dhënë nga shtabi madhor.

 

Në kohën e rënies ai ka qenë ndihmës komandant i togut me gradën toger. Ndërsa pas rënies Shtabi I Batalionit të Pestë Gardist për dëshmorin ka propozuar gradën major.

 

Me nderime të larta është varrosur në vendlindjen e tij në Llaushë të Besianës më 11 korrik 1999.

 

Gjatë luftës është vrarë edhe kushëriri i Avniut Avdullah Dudi.

 

Avniu ka qenë I martuar dhe ka lënë një djalë, Ilirin, që në atë kohë i kishte gjashtë muaj..

 

Avniu fizikisht ishte shumë I përgatitur dhe kishte tipare të sportistit. Shpirtërisht shquhej për butësi me shokë,ndërsa dëshmonte të kundërtën në luftë ndaj armikut.

 

Në shenjë kujtimi I është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

 

Deri më tani për Avniun janë bërë disa shkrime në gazeta dhe revista si dhe në dy libra ku shkruhet për biografi të dëshmorëve të kombit.

 

Avniu ka qenë gjithherë i disponuar për humor. Ndërsa pasion i tij ka qenë leximi, futbolli dhe shëtitja.

 

Të gjitha pajisjet personale që i ka bartur gjatë luftës përpos armës i ruan familja në shenjë kujtimi për Avniun. Për kontributin e tij në luftën çlirimtare është dekoruar me dekorata dhe mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL, SHFD etj.

 

 

RANË KUR BËNË HAPAT E PARË NË LIRI

 

(Fahri Bicit dhe Avni Dudit)

 

Aq shumë e deshën

Dhe për të luftuan

Por shumë pak

Në liri jetuan.

 

Kur rrezet e lirisë

Ngrohën çdo anë

Në rrugët e Prishtinës

Dolën që të festojnë.

 

Ishte 2 korriku

Ditë e shënuar në histori

Aksidentalisht ranë

Këta dy djem të ri.

 

Shokët e Gardës

Edhe sot i kujtojnë

Për trimëritë e tyre

Gjatë ata tregojnë.

 

Do të kujtohen

Çdo herë ndër brezni

Këta trima të UÇK – së

Që luftuan për liri.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx