Faleminderit
Beqir Ajazi, ky kalorës fisnik
E marte, 20.07.2010, 09:22 PM
Nga Flori SLATINA
Dhjetë vjet më parë, në prag të moshës 80-vjeçare, Beqir Ajazi, një nga gazetarët e paktë, në mos i vetëm, të mbetur që nga koha e Luftës së Dytë botërore, një erudit i kohës sonë, hodhi të treg librin me kujtime “Nga shkaba me kurorë, te drapri me çekan”. Kishin rrjedhur vite, koha kishte bërë të sajën, por si gjendja fizike, ashtu edhe ajo intelektuale e z.Ajazi ishin për mrekulli.
Botimi i parë i librit, edhe pse u bë në kushte jo të mira, falë kursimeve të vetë z. Beqir, ngjalli mjaft interes. Ata që e njohin dhe nuk ishin të paktë, u entuziazmuan nga dalja e kujtimeve, të tjerët që e kishin dëgjuar emrin e tij në shtyp, kryesisht në faqet e gazetës “55”, në të cilën kishte disa muaj që shkruante, e përpinë librin nga kurioziteti. Dhe vërtetë, z.Ajazi nuk i zhgënjeu aspak. Libri njohu sukses dhe pas shtatë vjetësh, ai u botua nga shtëpia botuese prestigjioze “”55”. Sot ky kalorës fisnik feston 90-vjetorin e lindjes, një ngjarje që jo të gjithë e kanë fatin ta festojnë!
Beqiri, prezaku nga dera e madhe e Ajazëve
Të shumtë janë ata që e njohin zotin Beqir. Në një jetë të gjatë për t’u patur zili, janë me mijëra e mijëra ata që kanë pasur fatin ta kenë shok, mik, koleg, apo edhe qoftë bashkëbisedues edhe për një çast të vetëm. Siç thashë, z. Beqir është një njeri i veçantë që të bën për vete që në fjalët e para. Vërtet një zotni në kuptimin e parë të kësaj fjale, një fisnik që rrallë e takon në jetë. Beqir Ajazi është nga fshati Prezë i Tiranës, ndërsa ka lindur si sot, më 20 korrik 1920, në Dibër të madhe, në qytetin ku ndodhej atë vit familja e tij. Kalaja e Prezës ka qenë pranë rrënojave të kalasë madhështore që priti krushqit e Skënderbeut. Sot kanë ngelur rreth e qark saj vetëm ca mure, por në mendjen dhe kujtesën e z.Beqir ato ngihen më madhështore se vetë kalaja pranë saj. Ai është i biri i Sures, “një kreshniku të kohës sonë”, siç thotë për të në një botim biografik z. Beqir. Të gjithë i adhurojnë prindërit, por z. Beqir gjeti tek i ati modelin e një njeriu të ndershëm, një njeriu bujar, të aftë dhe që i doli zot vetes që në moshë të njomë. Ai e la shumë shpejt por tek babai pa tek trimin, pa zemërgjerësinë, pa guximin dhe ndershmërinë e një njeri, virtyte që z. Beqir i trashëgoi me fanatizëm. “Rrjedh nga fisi Ajaz i Bubqit, fshat i vendosur në kurriz të vargut kodrinor të Kërçokës, i cili zë fill nga shkalla e Marqinetit për të përfunduar në Kepin e Rodonit”, thotë diku në librin e tij Ajazi.
Nxënësi i Liceut të Korçës, njohja dhe “shoqëria” me diktatorin
Z. Beqir Ajazi ishte nga të paktën fëmijë që u shkolluan në ato vite ndryshimesh. Pasi u shkollua në vendlindje ai ishte nga nxënësit e parë të Liceut të Korçës, kësaj vatre të madhe të kulturës dhe emancipimit. Si nxënës i Liceut Ajazi fitoi një kulturë të gjerë, fitoi një gjuhë më shumë, frëngjishten, që u bë si gjuha e dytë, një dashuri me shikim të parë. Gjatë viteve të Liceut u njoh edhe me diktatorin. Shpesh herë në shkrime, intervista në medien televizive, z. Ajazi ka nënvizuar veset dhe karakterin e këtij njeriu që dominion thuajse gjysmën e dytë të shekullit XX në Shqipëri.
Duke shfletuar librin “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan” apo “Kush ishte Enver Hoxha?”, një vend të veçantë zë diktatori Enver Hoxha, si e ka njohur ai dhe të tjerët atë, rrethanat e ardhjes së tij në pushtet, anët e panjohura të këtij përbindësh që shkatërroi një shtet të tërë. Në gjithë faqet dhe dëshmitë interesante Beqir Ajazi arrin në një konkluzion sa të vërtetë aq edhe tragjik, “Enver Hoxha nuk dallohej as për gjenialitet, as për komunist. Kolegët e Enver Hoxhës, me të cilët kam pas miqësi dhe njohje, si jashtë ashtu dhe në burg, si Foto Bala, prof. historie dhe filozofie, Isuf Hysenbegasi, mjek otorinolog, dhe Adem Beli agronom, të gjithë të diplomuar në Francë, thonë me këmbëngulje se gjithë këtë burg të gjatë dhe të rëndë, ata po e bënin vetëm e vetëm nga shkaku se, kur ishin në Francë dhe Enveri e humbi bursën, për shkak të ligjit të Mirash Ivanajt, ata nuk kishin pranuar ta strehonin Enverin nëpër dhomat e tyre, nga shkaku se ai, duke e pas bërë veten “mish me erë”, ata kishin patur frikë se mos u ngjitej dhe atyre ndonjë akuzë morale, nga ato që kishte Enveri me thes dhe nga të tëra... Enver Hoxha, ngulmonin ata, kishte qenë regjistruar në universitet, po leksionet nuk i ndiqte fare, dhe për dy vjet rresht, ai nuk kishte dhënë as edhe një provim të vetëm, që të mund të justifikonte sadopak ardhjen e tij që nga aq larg. Kështu, vazhdonin ata, i përngjante asaj mizës fluturake, që, sado që t’i vësh pjatën e mjaltit pranë, nuk rri dot pa vajtur e pa rënë në ato vende të fëlliqura, ku është mësuar etj”
Gazetari i Luftës
Asnjëherë nuk i ka fshehur bindjet e tij monarkiste. Ndër legalistët e fundit kongresit të Herrit të mbetur gjallë. Në një statistikë të shpejtë del se zoti Beqir Ajazi është penëshkruesi i më vjetër në shtypin shqiptar që vazhdon akoma të shkruajë. Në këtë pikëpamje gazeta “55” mund të mburret se ka bashkëpunëtorin e saj më të veçantë, i cili nuk e ka ndërprerë publicistikën e tij për asnjë moment gjatë viteve të tranzicionit si bashkëpunëtor i shtypit shqiptar apo si autor librash të ndryshëm. Në tetor 1943 ka filluar punë në Ministrinë e Kulturës Popullore si redaktor i ATSH-së dhe që prej majit 1944 redaktor në “Bashkimi i Kombit”. E rimori edhe një herë këtë profesion në vitet 90-të dhe e vijon edhe sot. Ka shkruar në gazetat “Atdheu”, “55” etj.
“Liria” e gjeti në burgun e Tiranës
I ashtuquajturi “çlirim” (lexo pushtimi) i vendit e gjeti z. Beqir në burg. Ai është ndër të parët që u arrestuan nga regjimi komunist para se të ikte gjermani i fundit. Beqir Ajazi u arrestua dy muaj para se të vendosej regjim komunist në Shqipëri. Gazeta “55” ka botuar një shkrim të gjatë për burimin e tij, nga i cili po shkëpusim pasazhin e mëposhtëm:
“Në atë kohë gjyqet bëheshin me shumicë. Dënohej një grup të dënuarish, pastaj vinte radha e të tjerëve. Mund të qëllonte që brenda ditës të dënoheshin disa grupe njerëzish për hiçgjë, për një kafe të dikurshme, për një fjalë goje apo për një interpretim akuze, etj. Në të shumtën e rasteve, në Tiranë këto gjyqe zhvilloheshin në kinema “Tomori” (në vendin ku sot ndodhet Partia Socialiste).Gjykata ushtarake e krahinës ushtarake e Korpusit I më 26 prill 1946 ka marrë në shqyrtim aktakuzën e prokurorisë së kësaj gjykate kundër Beqir Ajazit nga Preza banues në Tiranë me akuzën se kishte bërë pjesë në organizatat e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, si element aktiv kundër tyre. Po ashtu Ajazi akuzohej si propagandist edhe për cilësitë e tij si sekretar i tretë i Ministrisë së Kulturës Popullore, redaktor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe reaktor në gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Gjykatat përbëhej nga kryetari nënkolonel Bilbil Klosi dhe kapiten Ismail Çaushi dhe Argjir Lipivani. Prokuror i çështjes major Gjon Banushi. Avokat i Ajazit, Vasil Xhaj.Në pyetjet e para të gjyqit, Beqir Ajazi pohoi se ka hyrë në Ballin Kombëtar në 3-mujorin e fundit të vitit 1943. Anëtarësimi ishte bërë nëpërmjet Halim Begesë. Si anëtarë të rinisë balliste ishin veç Ajazit edhe Seit Kazazi, Nexhat Peshkëpia, etj.
Dëshmitarët e akuzës e kanë quajtur “agjitator të fortë” dhe “propagandist të fortë të lëvizjes dhe pjesëmarrjes së gruas në luftë”. Vetëm këto dy akuza kanë mjaftuar për të dhënë dënimin me 15 vjet burg.
Të gjithë burgun z. Ajazi e ka përshkruar në librin me kujtime “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan” i cili mbyllet me lirimin e tij nga burgu: “Po më e gëzuar dhe e ngazëllyer ishte nëna, e cila me të drejtë lirimin tim shëndoshë e mirë dhe pa cene e konsideronte si një fitore të saj ekskluzive. Prandaj, vend e pa vend dhe rast e pa rast, ajo më prezantonte duke thënë: “Ky është djali im i vetëm që u lirua sot nga burgu”. Më pas një tjetër libër kujtimesh “Nuk m’u nda burgu i Burrelit” përshkruan peripecitë e tij.
Nga “liria” me kusht në demokraci
Për mëse 30 vjet z. Beqir Ajazi jetoi me ankthin e së nesërmes. Si gjatë burgut por edhe pas tij ai s’do ta kishte çuar kurrë në mend se mund të festonte 90-vjetorin e lindjes. Jetonte me shpresë por zoti është shumë i madh. Jetoi me ndershmëri, punoi pa i rënë kujt në qafë, përkundrazi të tjetër i ranë. Krijoi familje, lindi, rriti dhe edukoi dy djem që vijuan në udhën e prindërve, me ndershmëri e talent. I brumosur me ndjenja fisnikërie, ai qëndroi i papërkulur, i ndershëm dhe i pastër derisa u përmbys komunizmi, me rënien e Murit të Berlinit, ai doli i papërlyer. E prit me entuziazëm demokracinë dhe e përkrahu atë me mish e me shpirt. Nuk ishte i ri, por ndihej si atëherë kur ishte 20 vjeç. Shkroi në gazeta, foli hapur, u bashkua me mendimin dhe lëvizjen intelektuale. Nuk u step para vështirësive dhe shpresoi se e nesërmja do të ishte shumë shpejt më e mirë se e tij. Krahas angazhimit të tij intelektual iu përvesh punës që si dëshmitari i gjallë të sillte historinë, të kaluarën ashtu siç ishte. Nisi të shkruajë kujtimet, të cilat zgjuan mjaft interes dhe sollën një tjetër këndvështrim për individë e ngjarje të cilat kishin qenë deri dje të glorifikuara apo të veshura me mister. Në librat e tij sjell fakte e dëshmi interesante të panjohura për historinë tonë të shekullit XX, e dyta është një model i publicistikës, që dëshmon për një penë të aftë, një penë që e ka nisur rrugën e të shkruarit që në vitet 40 dhe që pashë aktive edhe sot. Beqir Ajazi përbën një pasuri intelektuale.
Librat, si dëshmi dhe provë e qëndresës
Ka shkruar disa libra me kujtime, mes të cilëve “Shkaba me kurorë te Drapri me çekan” (2000) dhe (2007), “Nuk m’u nda burgu i Burrelit” (2002), “Sure Ajazi, ky kreshnik i kohës sonë” (2005), “Kush ishte Enver Hoxha” (2007) etj. Ka përkthyer gjithashtu një sërë librash si “Tristani dhe Izolta”, “Spastrimi etnik”, “Henrieta”, “Lufta e pashenjtë” etj.
Eshtë autor i disa librave, si dhe përkthyes nga gjuha franceze, italiane e angleze të cilat dëshmojnë jo vetëm për peshën intelektuale, por edhe për talentin dhe sfidën që i bën moshës, për optimizmin dhe dëshirën për jetën!
“Duke mos pasur tjetër mënyrë për të përballuar diktaturën unë kam përkthyer shumë letërsi të zgjedhur nga gjuha frënge. Në fakt me këtë gjuhë kam një lidhje të hershme, që në kohën e liceut, kur sapo nisi dashuria ime me këtë gjuhë. E që atëherë unë kam përkthyer poezi dhe prozë nga më të përzgjedhurat e kësaj letërsie. Sidoqoftë kjo nuk ka qenë vetëm meritë e imja”,- ka thënë z.Ajazi, duke theksuar se një ndihmë e një shtysë e madhe për të kanë qenë profesorët e liceut të Korçës, të cilët ushqenin shpirtrat tanë me atë letërsi.
Franca e dekoron me “Kalorës të Urdhrit të Meritës”
Franca e dekoroi në dhjetor të vitit 2002 me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Meritës”. Këtë dekoratë e meriton jo vetëm se është nxënës i Liceut të Korçës, përkthyes i letërsisë franceze, dashamirës i Francës. Lidhja e Beqir Ajazit me gjuhën frënge i ka rrënjët që në kohën kur babai i tij, Sure Ajazi ishte oficer në ushtrinë franceze. Pas kësaj Beqiri fitoi të drejtën për të hyrë në liceun francez të Korçës ku dhe krijoi lidhje shumë të mira me profesorët. Vetë ambasadori francez atëherë theksoi në këtë mbrëmje se Ajazi ishte i pari që njohu lexuesin shqiptar me letërsinë franceze.
Beqir Ajazi, mik i “55”
Prej mëse 12 vjetësh z. Ajazi është mik i veçantë i gazetës dhe shtëpisë botuese “55” dhe Institutit të Studimeve Politike “Alcide De Gasperi”. Si gazetari më i vjetër në karrierë në Shqipëri, ka qenë aktiv gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, nëpërmjet komenteve të ndryshme analitike, kritike, gjithnjë të nisura nga pozitat e intelektualit tradicional konservator të djathtë. Antikomunist i përjetshëm, properëndimor e proamerikan i flaktë, ai pa me kënaqësi rënien e regjimit komunist dhe fillimin e ndërtimit të një regjimi ndryshe, siç e pati ëndërruar në rininë e tij.
Gazeta “55” ka qenë një oaz, një vatër e ngrohtë dhje miqësore për këtë njeri të veçantë që është kënaqësi e nder ta kesh mik, bashkëpunëtor! Në këtë përvjetor i urojmë thellësisht nga zemra jetë të gjatë e lumturi në familje!
1- Kurt Ajazi i Malit të Bardhë.
Sure Ajazi, jetën shumë të tronditur të të cilit po nis ta shkruaj ndër këto shkrime, ka qenë një nga pinjollët e shumtë të fisit Ajazi, i cili ka zbritur në fshatin Bubq këtu e treqind vjet më parë dhe vazhdon të jetojë po aty në kurriz të kodrave të Kërkokës, që nisin që nga Sharra e Marqinetit dhe mbarojnë tek Kepi i Rodonit, në breg të detit, si dhe në fushën e begatshme kundrejt Krujës.
Sipas gjithë gjasave, fisi i Ajazit nuk ka qenë vendas aty denbabaden, por ka ardhur aty nga Mali i Bardhë i Kurbinit, si rezultat i një tragjedie shumë të përgjakshme dhe po aq të fëlliqur. Për shkak pra, të kësaj tragjedie, dy vëllezërit Ajazi nga Mali i Bardhë kanë ardhur e kanë hyrë nën mbrojtjen e Allaman Agës së atyshëm, të cilin babai i tyre e kish pasur mik me kokë.
Të parët Ajaz që kanë ardhur në Bubq, me këtë rast, kanë qenë dy djemtë e Kurt Ajazit, Sala dhe Haxhiu.
Procesi gjyqësor ndaj publicistit të njohur Beqir Ajazi në vitin 1945
Ajazi, 15 vjet burg pse urrente Bashkimin Sovjetik
Dënimi politik i Beqir Ajazit
Më 14 janar 1945 komisioni hetimor i përbërë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakubini ka thirrur dhe ka marrë në pyetje Beqir Ajazin, i padënuar më parë, student në Universitetin e Drejtësisë në Padova të Italisë, sekretar III në Ministrinë e Kulturës Popullore.
Në pyetjet përgatesë kuptohet se Ajazi ka mbaruar maturën në vitin 1943. Është rekrutuar në Balin Kombëtar më 14 qershor 1943 dhe e quante veten të tërhequr nga kjo organizatë më 4 janar 1944. Në tetor 1943 ka filluar punë në Ministrinë e Kulturës Popullore si redaktor i ATSH-së dhe që prej majit 1944 redaktor në “Bashkimi i Kombit”. Në Legalitet Beqir Ajazin e ka futur Gaqo Goga i cili e ka takuar në mesin e majit 1944 para godinës së bashkisë në Tiranë. Për këtë qëllim ka marrë pjesë në një konferencë legaliste me 150 vetë në një shtëpi në Lagjen e Pishës. Më pas jep shpjegime për luftën e Tujanit, takimet me Abaz Kupin, drekën me nënkolonel Maclein, majorin Smiley në Bubq.
Dëshmitarët e akuzës
Kanë qenë dy dëshmitarë që ka sjellë akuza kundër Beqir Ajazit.
-Nazif Batalli, 27 vjeç nga Vlora me shërbim në shkollën e oficerëve ka dëshmuar kundër Beqir Ajazit duke e quajtur “agjitator të fortë”.
-Selfixhe Ciu, 27 vjeç nga Gjirokastra, banuese në Tiranë, dëshmoi kundër duke e quajtur “propagandist të fortë të lëvizjes dhe pjesëmarrjes së gruas në luftë”, pasi merrej për bazë Bashkimi Sovjetik ku nuk ekzistonte familja. Këto gjëra dëshmitarja i kishte dëgjuar nga motra e saj. Nisur nga kjo Beqir Ajazi nuk ka pranuar duke thënë se nuk e njihte fare. Vetëm këto dy akuza kanë mjaftuar për të dhënë dënimin me 15 vjet burg.
Dëshmitarët e mbrojtjes
Mbrojtja ka sjellë
-Mustafa Dapi nga Kamza, 70 vjeç ka sjellë dëshmi mbrojtëse për Beqir Ajazin.
-Refik Bezhani, 25 vjeç nga Kurveleshi, banues në Tiranë ka sjellë dëshmi të tjera ndihmëse për rolin që kishte pasur Beqiri në luftë.
-Mexhit Hanku, 30 vjeç nga Zerqani, banues Tiranë, punonjës në Ministrinë e Punëve Botore.
-Bajram Preza, 21 vjeç nga Preza ka sjellë të tjera dëshmi mbrojtëse.
Këtu ka ndërhyrë prokurori i çështjes i cili ka përsëritur akuzat e tij, duke u mbështetur në akuzat e Selvixhe Ciut, duke kërkuar për këtë 30 vjet burg. Pas kësaj u lexuar mbrojtja e avokatit Vasil Xhaj.
Me të marrë fjalën Beqir Ajazi tha se bashkohej me mbrojtjen e avokatit, duke ankimuar kërkesën e prokurorit, përcjellë me fjalët se kurrë nuk kishte qenë kundër interesave të Shqipërisë.
Këtu mbyllet gjyqi i datës 26 prill 1945. dy ditë më pas vendoset dënimi i Beqir Ajazit me 15 vjet burg.
Dëshmia e Beqir Ajazit në librin e tij:
Duke i sjellë ndërmend këto çaste të largëta që i ka mbuluar tashmë pluhuri i historisë dhe i harresës, them me bindje të plotë se, po të mos qe dëshmia e Selfixhe Ciut, që më bluajti edhe kockat, unë do ta kisha hedhur hendekun me një dënim shumë më të lehtë e ndofta dhe me një dënim me kusht.
Dëshmia e rreme dhe provokuese e Selfixhe Ciut, i dha shkas prokurorit Gjon Banushi, këtij fashisto-komunisti, shërbëtor të dy zotërinjve, që të çohej peshë kundër meje, duke i thënë trupit gjykues:
-Shikoni shoku kryetar se me çfarë propagandisti dhe armiku keni të bëni! Ky kërkon të pengoje Luftën Nacionalçlirimtare nga gjysma e popullit, që është gruaja. Për më tepër, ky armik guxon dhe të tallet e të vërë në lojë mustaqet e shokut Stalin, që është korifeu i fitores.
Pasi e çfryu mirë e mirë inatin e tij ndaj meje që kisha përqeshur mustaqet e Stalinit, Gjon Banushi, i cili e kishte kapotën të zezë dhe me astar të kuq nga brenda dhe e vishte këtë herë mbas here mbrasht sipas erës që frynte, kërkoi plot 30 vjet burg të rëndë kundër meje.
Dhe Gjykata e Korpusit duke e pas peshuar në kandar të floririt, kërkesën e Gjon Banushit, ma ktheu dënimin me 15 vjet burg.
(Nga libri me kujtime i Beqir Ajazit “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, botuar së fundi nga SHB “55”).