E hene, 29.04.2024, 01:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Besim Muhadri: Vezir Ademaj luftëtar i paepur i lirisë së atdheut

E enjte, 29.07.2010, 10:00 PM


Kujtesë

 

Në 12-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Vezir Ademaj

 

Vezir Ademaj luftëtar i paepur i lirisë së atdheut

 

Vezir Ademaj pas përfundimit të luftës është shpallur dëshmor i kombit, duke hyrë përjetësisht në botën e të pavdekshmëve. Jeta dhe vepra e tij, janë frymëzim për brezat që do të rriten në Kosovën e lirë. Ai ra që në këtë tokë të jetohet e të vdiset dinjitetshëm. Për Vezir Ademajn është shkruar e kënduar. Në shkrimet dhe në këngët e kënduara për të është përjetësuar portreti i luftëtarit të paepur të lirisë. Mirëpo shkrimet dhe këngët për dëshmorët e kombit kurrë nuk janë të mjaftueshme. Ata e meritojnë më shumë.

 

Shkruan Besim Muhadri

 

Më 25 korrik të vitit 1998, dymbëdhjetë vite më parë Vezir Ademaj ra në altarin e lirisë së Kosovës. Ai ra ashtu siç bien burrat, atje në fushë të nderit në përballje me forcat serbe, në një luftë të pabarabartë. Ishte një ditë vere me plot vapë dielli e krismash armësh. Tani kur po shkruajmë këta rreshta përkujtimi për dëshmorin dhe luftëtarin e lirisë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Kosova, për të cilën u flijua Veziri më shokë, tashmë është e pavarur dhe po ecën në drejtim të integrimeve evro-atlantike. Vetëm pak ditë para se dëshmori të mbushte dymbëdhjetëvjetorin e pavdekësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dha mendim pozitiv për pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, që ishte një akt që tronditi politikën qindvjeçare hegjemoniste serbe të zhvilluar ndaj popullit shqiptar. Ishte një akt që legjitimoi aktin e pavarësisë. Dhe kjo nuk kishte dilemë, sepse dilemat ishin hequr jo vetëm atë ditë kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, por edhe atë ditë kur kishin filluar krismat e luftës për liri dhe pavarësi. Dilemat se Kosova do të jetë e pavarur ishin hequr edhe ataherë kur kjo tokë u skuq me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të vendit, që ranë heroikisht duke luftuar me pushkë në dorë dhe duke kënduar hymnin e lirisë. Në këtë akt kishte marrë pjesë edhe Veziri me të gjithë shokët e tij që dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për këtë ditë dhe për ditët e tjera që do të vijnë.

 

Kush ishte Vezir Ademaj

 

Vezir Ademaj ishte djali i Hysen Ademajt nga fshati Sheremetaj i komunës së Gjakovës. U lind më 15 mars të vitit 1971 në një familje me tradita të shquara atdhetarie. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme regjistron studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Shkencave Natyrore-drejtimi i fizikës, mirëpo detyrohet t’i ndërpejë pasi që në shtator të vitit 1989 e marrin në shërbimin ushtarak të Armatës së atëhershme famëkeqe jugosllave, nga e cila në atë kohë shumë shqiptarë vriteshin në mënyrën më misterioze dhe iu ktheheshin familjeve në arkivole. Në atë kohë në Kosovë kishin shpërthyer dhe vazhdonin demonstratat gjithpopullore në kërkim të lirisë dhe demokracisë, në krye të të cilave në shumë raste ishte edhe Veziri. Prandaj, duke qenë shqiptar por edhe një njeri që kishte marrë pjesë dhe kishte organizuar demonstratat në të cilët kërkohej haptas shpërbërja e federatës artificiale të shtetit fantom jugosllav, Vezir Ademaj shikohet me sy të keq nga ana e eprorëve ushtarakë të ish-APJ-së, veçanërisht të oficerëve të sigurimit të asaj armate të atij shteti fantom. Shërbente në Tivar, në qytetin ku rreh 50 vjet më parë ishin dërguar dhe më pas edhe pushkatuar me mijëra shqiptarë.

 

Dëshmori i kombit, Vezir Ademaj

 

 Maltretimi nga oficerët e armatës jugosllave, në njërën anë dhe kujtimi për masakrën e kobshme të vitit 1945 të Tivarit, në anën tjetër, ishin dy momente që atij i ngjallnin trishtim dhe ia shtonin urrejtjen ndaj pushtuesve që kishin ngulfatur lirinë e popullit dhe vendit të tij. Dhe përderisa mundohej t’iu shpëtonte pa burgosje keqtrajtimeve dhe përcjelljeve e bisedave të vazhdueshme informative të oficerëvë të sigurimit të ushtrisë jugosllave, duke ëndërruar gjithmomë ditën e përfundimit të kësaj avanture, i vjen një urdhëresë, në të cilën thuhej se i zgjatej shërbimi ushtarak edhe për tre muaj. Kjo vinte si rezultat i situatës shumë të tendosur në shtetin e atëhershëm jugosllav, ku përveç në Kosovë, edhe në republikat e tjera kishin nisur të zhvilloheshin ngjarje që çonin drejt shpërbërjes së Federatës artificiale jugosllave. Mirëpo në këto momente Veziri vendos ta braktisë atë ushtri të urryer që gllabëronte jetën dhe shpirtin e tij prej luftëtari. Akti i arratisjes ndodh vetëm dy ditë pas urdhëresës për vazhdim të afatit. Dhe vjen në Kosovë, në familjen e tij në Sheremetaj, ku do ta ketë vështirë qëndrimin, sepse bastisjet nga ana e policisë në kërkim të tij ishin të shpeshta. Atë vit ai në Gjakovë regjistron studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, mirëpo detyrohet t’i ndërprejë për shkak të rrethanave të krijuara. Pas ndërprerjes së studimeve, ai vendos të emigrojë në Zvicër. Lëshimi i atdheut, largimi nga familja në një moshë shumë të re dhe shkuarja rrugëve të botës, ishte një moment i dhimbshëm, por i detyrueshëm. Nuk kishte rrugë tjetër. Këtë rrugë para Vezirit ishin detyruar ta merrnin edhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilët me vite të terë treteshsin rrugëve të mërgimit me mallin e atdheut në shpirt e në zemër. Shumë prej tyre edhe kishin vdekur e harruar me këtë mallë. Tash për Vezirin do të fillonte një periudhë e re e jetës së tij. Do të jenë sprova e sfida me të cilat do të përballet gjatë viteve në vijim.

 

Kampion zviceran në kik-boks – kërkon që të mbrojë ngjyrat e flamurit shqiptar

 

Arritja e tij në Zvicër do të jetë një tjetër kaptinë e jetës së tij. Përveç organizimeve që bëheshin nga ana e shqiptarëve për të ndihmuar vendlindjen e në të cilat aktivitete Veziri kishte hisen e vet, ai vendos që të merret edhe me aktivitete sportive, ku do të afirmonte veten dhe vlerat mbarëkombëtare. Sporti i tij i preferuar do të jetë kik-boksi ku kishte talent. Shumë shpejt ai do të shquhet në këtë disiplinë sportive me përmasa të mëdha të afirmimit. Në vitin 1994 shpallet kampion në ligën e kik-boksit zviceran. Pas suksesit në ligën e Zvicres, ai mësyn arenat evropiane të këtij sporti. Vetëm pas një viti arrin të shpallet kampion evropian, duke u bërë kështu një emër shumë i dashur dhe i adhuruar jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë. Nga shokët thirrej Alfred, që ishte një psudonim sportiv. Por pas këtyre sukseseve zemra i thoshte diçka tjetër. Që të luante nën flamurin kuq e zi. Kosova, vendi ku kishte lindur dhe ishte ritur tashmë ishte në robëri të thellë, prandaj nuk mund t’i mbronte ngjyrat e vendit të tij. E vetmja mundësi ishte që të bënte kërkesë që të mbronte ngjyrat e flamurit  të Republikës së Shqipërisë. I bën një kërkesë Federatës Zvizerane të Kik-boksit që të plotësonte këtë dëshirë. “Unë jam shqiptar dhe dua që të përfaqësohem nën ngjyrat e flamurit tim kuq e zi. Dua që ky flamur të mbulojë supet e mia pas fitoreve”, kishte shkeruar ai në kërkesën e tij, e cila nuk iu realizua dhe e cila siç duket u bë shkak për ndërprerjen e aktivitetit të mëtejmë në këtë sport.

Mirëpo Vezir Ademaj nuk do të ndërpresë aktivitetin e tij në ndihmë çështjes kombëtare. Ëndrra e tij, ashtu sikurse e shumë e shumë brezave ishte që të zgjidhej çështja kombëtare shqiptare, përkatësisht çështja e Kosovës, e cila që nga viti 1990 kishte rënë në një robëri të thellë, ku ishin shuar të gjitha institucionet. Në Kosovë bëhej një apartheid i hapur. Të gjithë shqiptarët ishin larguar nga puna. Po ashtu eshte shkollat ishin mbyllur, ndërsa për çdo ditë maltretoheshin e vriteshin shqiptarë. Të gjendur përballë një trysnie dhe të një shtypje të egër, që e bënte regjimi serb i instaluar në Kosovë, mijëra të rinj e të reja detyroheshin të lëshonin vendin dhe të shkonin nëpër vendet e Evropës e të botës në përgjithësi. Kosova po zbrazej nga njerëzit e saj. Po i ikte rinia, arterja kryesore e saj dhe po tretej rrugëve të botës. Si pjesë e kësaj dhimbjeje, Veziri së bashku me shumë veprimtarë të tjerë që punonin e jetonin në perëndim, bënin plane se si të ndihmonin çështjen kombëtare. Si të ndalnin këtë derdhje të dhimbshme që shkonte në favor të armikut tonë shekullor.

 

Fillimi i luftës në Kosovë – Veziri kthehet si luftëtar lirie

 

Mirëpo reprezaljet, torturat, vrasjet dhe aparthejdi në Kosovë nuk kishte të ndalur. Kishte arritur kulmi dhe populli kishte humbur durimin. Nuk kishte më kohë për të pritur. Pas rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jasharit, më 5 mars të vitit 1998, në Kosovë shpërtheu lufta. Në mbarë vendin, i madh e i vogël, iu bashkua thirrjes së solidarizimit me familjen Jashari, e cila u flijua për lirinë e Kosovës. Kjo thirrje dhe ky solidarizim do të thotë inkuadrim në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ngjeshje armës për lirinë e Atdheut. Në një kohë shumë të shkurtër, me një shpejtësi marramendëse shtoheshin radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të gjitha viset e Kosovës formohen Shtabet e kësaj ushtrie, e cila shumë shpejt do të bëhet sinionim i mbrojtjes së popullit të cilit i kanosej rreziku për shfarosje. Shumë shpejt do të fillojnë luftimet kundër forcave serbe në çdo pjesë të vendit. Më 24 mars të atij viti (1998) do të krisë pushka edhe në Gllogjan, ku kemi edhe dëshmorët e parë. Pas Gllogjanit do të krijohen edhe vatra të tjera të luftës dhe të sinonimeve të rezistencës, siç janë Smolica, Juniku, Drenovci i Zatriqit, në ndërkohë që Dreninca ishte përfshirë në luftime të rrepta. Do të thotë lufta po merrte përmasat e një lufte të mirëfilltë çlirimtare. Thirrjes së UÇK-së po i përgjigjeshin të rinj e të reja, nga të gjitha viset e Kosovës, por edhe të trojeve të tjera shqiptare dhe diasporës. Me qindra djem do të të lënë perëndimin e do të kthehen në atdhe për të luftuar. Në mesin a atyre burrave që po ktheheshin në pas kushtrimit që kishte lëshuar atdheu, sepse nuk kishte më çka të pritej, ishte edhe Vezir Ademaj. Ai djaloshi që pak vite më parë kishte kërkuar nga fedreta e zvicerane e kik-boskit që të luftonte në ringje nën ngjyrat e flamurit shqiptar, tani po realizonte ëndrrën e tij. Po kthehej në atdhe me ëndrrën e madhe të lirisë që të luftonte krah për krah burrave e çikave të Kosovës që kishin rrokur armët për të shporrur armikun shekullor. Po kthehej në vendlindjen e tij të dashur, ku zjarri i lirisë nuk ishte shuar asnjëherë, por tani ai po me merrte përmasat e një zjarri të madh që do të flakte prangat e robërisë.

Vezir Ademaj, që ende s’i kishte mbushur 27 pranvera, në një natë marsi të atij viti (1998) do të udhëtojë nga Zvicra, në të cilin vend për disa vite kishte derdhur djersën dhe mundin, ku kishte qeshur e qarë njëkohësisht nga malli për Nënën, për tokën e tij, u shfaq në derën e kullës së të parëve atje në Sheremetaj. Ishin bërë shumë vite që nuk kishe shkellur në pragun e kullës, në të cilën kishte mësuar ABC-në e trimërisë e të atdhetarisë, prandaj në një moment do të pushtohej nga një ndjenjë e përzier, malli e krenarie. Ishte krenar, sepse ishte kthyer si luftëtar që do të çonte në vend amanetin e të parëve, që të jepte kontributin e tij në luftë për çlirimin e tokës së tij. Prandaj që të nesërmën ai merr kontaktet me veprimtarët të cilët ishin kyçuar në aktivitete për themelimin e celulave të UÇK-së në regjionin e Rekës së Keqe e të Lugut të Çarragojës, të cilit rajon i takonte edhe Veziri. Ai do të kontaktojë edhe me Ramush Haradinajn, me të cilin do të koordinojë veprimet luftarake. Në Sheremetaj ai do të stërvitë shumë të rinj e të reja, të cilët iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pjesë e të cilëve më vonë do të bëhen luftëtarë të shquar, por edhe do të bien në altarin e lirisë.

 

Duke qenë i përgatitur fizikisht dhe moralisht, por edhe duke qenë një djalosh që kishte hyrë në luftë me të vetmin çëllim-që të jepte gjithçka kishte nga vetja, vetëm e vetëm që lufta për liri të shkonte përpara, Vezir Ademaj shumë shpejt do të bëhet i njohur për guxim dhe trimëri. Do të bëhet i dashur për shokët dhe eprorët ushtarakë që udhëhiqnin me njësitet dhe strukturat e tjera ushtarakë në atë kohë në rajonin e Rekës së Keqe, si në Smolicë, Junik e gjetiu, ku tashmë lufta kishte marrë përmasa të mëdha. Duke parë vendosmërinë, por edhe zgjuarsinë dhe trimërinë e Vezirit, emërohet komandant i njësive “Komando” për rajonin e Rekës së Keqe. Duke qenë një djalosh sypatrembur, ai merr pjesë në beteja që në atë kohë u zhvilluan në Junik, Smolicë, Rahovec, Gllogjan etj.  

 

Rënia për liri

 

Në korrik të vitit 1998 lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të një lufte të ashpër. Luftonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër një ushtrie fantomë, shumë më të përgatitur, shumë më të organizuar. Kundër një ushtrie e cila kishte një armatim të sofistikuar e cila mund t’i bënte ballë edhe ushtrive më të fuqishme të botës. Mirëpo megjithëkëtë, djemtë dhe vajzat e UÇK-së nëse me vete nuk kishin armatimin e duhur, ata kishin moralin, kishin guximin dhe kishin të drejtën për të luftuar për lirinë e vendit të tyre. Duke qenë se lufta në atë kohë kishte marrë përmasa të mëdha, ndërsa opinioni ndërkombëtar kishte shfaqur interesim të jashtëzakokonshëm për zhvillimet në Kosovë, herë pas here në Kosovë, madje dhe në vijat e frontit dërgohen emisarë që të vëzhhgojnë zhvillimet dhe përparimin e vendosmërinë e UÇK-së.  Duke qenë një ushtri që luftonte për liri dhe çlirim të vendit, UÇK-ka kishte fituar simpatinë e një pjese të madhe të vendeve të botës demokratike, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila më 24 qershor 1998 dërgoi në Junik ambasadorin Richard Hollbruk. Dërgimi i tij ishte një testim për UÇK-në, se sa ajo do të ishte në gjendje të vazhdonte luftën deri në çlirimin defintiv të vendit. Atyre ditëve  makinera serbe vazhdonte ofansivat e saj kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një nga betejat më të ashpra që do të zhvillohen është beteja e Kallavajit, në të cilën do të luftohet edhe dhëmbë për dhëmbë më forct serbe. Në atë beteje do të vriten e plagosen shumë ushtarë të UÇK-së, por nuk do të kalojë lehtë as armiku, të cilit përveç në ushtarë, don t’i shkaktohen humbje edhe në armatim.

25 korriku  i vitit 1998 do të jetë një ditë e kobshme. Në betejën e Kallavajit plagosen eprori ushtarak Naim Maloku, Niman Tofaj, Gani Shehu, etj. Plagë të rënda vdekjeprurëse merr edhe Hysen Malë Arifi nga fshati Pacaj. Hyseni ishte arsimtar shumëvjeçar në shkollën e fshatit Sheremetaj dhe shok i Vezir Ademajt. Edhe Hyseni ishte një luftëtar i paepur. Plagët e tij të rënda do t’ia shuajnë jetën në gusht të atij viti. Hyseni kishte mbetur i plagosur në fushëbetejë dhe kishte rrezik që të kapej nga forcat serbe. Duke qenë një djalosh trim, njeri i besës dhe i fjalës, Veziri nuk mund t’ia lejonte vetes që ta linte shokun e plagosur në duart e armikut. Por përpjekja e tij për ta tërhequr shokun ishte fatale, sepse do të qëllohet pabesisht nga një snajperisht serb. Goditja ishte fatale që do t’i shkaktojë vdekjen. Ai bie në fushë të nderit, ashtu siç bien luftëtarët e lirisë në fushëbeteja. Po binte pas të gjitha atyre përpjekjeve, pas të gjitha atyre luftimeve nëpër fushëbeteja. Rënia në altarin e lirisë e Vezir Ademajt ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse nga radhët e saj po shuhej një nga luftëtarët më të shquar, më të guximshëm dhe më të vendosur, i cili edhe pse shumë i ri, pjesën më të madhe të jetës së tij e kishte kaluar duke punuar për lirinë e vendit të tij. Ishte humbje e madhe për familjen, për shokët që i deshi dhe e deshën dhe e respektuan aq shumë.

Vdekja e tij ngushtoi shumë shokët e luftës dhe të idealit. U varros me nderime të larta pasditen e 25 korrikut. Trupi i tij u mbulua me flamurin kombëtar, me të cilin vite më parë kishte kërkuar që të mbështillej pas betejave në kik-boks në arenat evropiane e botërore. Gjatë ceremonisë varrimit të shokut, një tjetër luftëtar trim, i cili në atë kohë ishte bërë sininom i trimërisë dhe tmerr për forcat serbe, hasjani Shaban Golaj, betohet se do t’ia merr gjakun dhe se forcat serbe do ta paguajnë shumëfish. Të nesërmen, më 26 korrik ai vendos që të zbatojë betimin e dhënë. Merr aksion që të sulmojë forcat serbe. Arma e tij shkatrron një tanks serb dhe merr hak për shokun dhe të gjithë të tjerët. Por edhe Shaban Golaj do të mbetet në fushëbetejë vetëm një ditë pas rënies së Vezirit, duke mbetur i pavdekshëm përherë në kujtesën e popullit dhe të historisë.

Vezir Ademaj pas përfundimit të luftës është shpallur dëshmor i kombit, duke hyrë përjetësisht në botën e të pavdekshmëve. Jeta dhe vepra e tij, janë frymëzim për brezat që do të rriten në Kosovën e lirë. Ai ra që në këtë tokë të jetohet e të vdiset dinjitetshëm. Për Vezir Ademajn është shkruar e kënduar. Në shkrimet dhe në këngët e kënduara për të është përjetësuar portreti i luftëtarit të paepur të lirisë. Mirëpo shkrimet dhe këngët për dëshmorët e kombit kurrë nuk janë të mjaftueshme. Ata e meritojnë më shumë. Me emrin e tyre duhet të emërtohen institucionet, sheshet, rrugët etj., etj. , sepse kjo do të ishte në nderin e institucioneve tona, veçanërisht atyre shkollore, shumë prej të cilave edhe sot pas dymbëdhjetë vjet të përfundimit të luftës vazhdojnë të mbajnë emra të vjetër, të personaliteteve të diskutueshëm. Në mesin a tyre shkollave që sot e kësaj dite që vazhdon të mbajë një emër që përfundon me –viq, është edhe shkolla e fshatit të dëshmorit Vezir Ademaj, në oborrin e të cilës shkollë dymbëdhjetë vite më parë ai kishte përgatitur opër beteja të rinj e të reja jo vetëm të fshatit, por edhe më gjerë. Vetëm kështu ne nderojmë gjakun e atyre që e derdhën për këtë tokë.

Vezir Ademaj duke stërvitur të rinjt dhe të rejat në oborin e shkollës në Sheremetaj
Vezir Ademaj duke stërvitur të rinjt dhe të rejat në oborin e shkollës në Sheremetaj



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora