Faleminderit
Sonila Merolli: Përjetimet shpirtërore të mësueses nga New Yorku
E premte, 10.09.2010, 08:58 PM
Përjetimet shpirtërore të mësueses nga New Yorku
Nga Sonila Merolli
Pas vitit të errët 97 e deri më tani ajo është ndër shqiptaret që ia ka dalë mbanë. Historia e saj përngjan me shumë të tjera që kemi dëgjuar përreth. Ka zhgënjime pastaj largimi nga Shqipëria drejt ShBA-ve. Një vend i ri, njerëz të rinj, por mbi të gjitha mundësi të reja. Më në fund gjeti vendin ku ëndrrat bëheshin realitet.
Ndryshe nga personazhet e tjerë që ia dalin në hapat e parë, Këze Kozeta Zylo i realizoi rreth të dyzetave. Shkroi poezi, botoi libra, u aktivizua në kauzat e rëndësishme mes shqiptarëve të diasporës, derisa në vitin 2008 erdhi shpërblimi. Atë vit Kozetës iu akordua edhe çmimi: “Gruaja e vitit”.
Teksa afrohet që së largu ashtu e thjeshtë me një buzëqeshje që i rrëzëllen fytyrën dhe ia thekson sytë e gjelbër, Keze Kozeta Zylo reflekton simpati dhe respekt në plotësinë e figurës së saj.
Nuk është e lehtë të takohesh me të, aq më tepër në një ditë kur miqtë, familjarët dhe dashamirësit kërkojnë medoemos t’i përvjedhin disa çaste për të shuar kërshërinë e tyre.
Por mbi të gjitha ata këmbëngulin që t’i shpalosin gruas me portret të qeshur, mbresat, emocionet dhe shijet që u kanë lënë dy librat e saj të sapobotuar. I pari ndjek vëllimet e mëparshme me poezi i titulluar, “Një fjongo dielli nga New Yorku”, ndërsa libri i dytë “Refleksione shpirtërore” shpërfaq përsiatjet, kritikat e mësueses, poetes, aktivistes që prej vitesh jeton në New York.
Qysh në vogëli, Kozetës i ishte bërë zakon që poshtë jastëkut të mbante një libër, qoftë ky i fundit poezi apo roman. Lidhjen me letërsinë e kishte aq të fortë sa që kur kritikohej nga prindërit se mund të binte nga mësimet, nuk i braktiste kurrsesi librat.
Andaj edhe rrugëtimi i saj do të lidhej në mënyrë të pashmangshme me lëmin e letrave. Megjithëse në ambientet tona letrare emri i saj nuk lakohet dhe aq shpesh, në diasporë ndodh krejt e kundërta. Aty Kezen (sic e thërrasin me përkëdheli, por që është një nga emrat e trashëguar nga gjyshja e saj) e njohin si grua energjike, që qëndron gjithnjë në radhë të parë para shqetësimeve të njerëzve, por edhe kauzave që kërkojnë mbështetje. Kur botoi poezinë e parë ishte në klasë të pestë. Mandej vajzën tepelenase e frymëzuan poezitë me motive erotike, sic ishte poezia “Puthja”. E teksa e sjell ndërmend përhumbet brenda koracës së saj, si per t’i fshehur të vërtetat e pathëna në skutat më të thella qenies së saj, aty ku ndihet e sigurt. Por kjo zgjat për pak çaste, pasi përpos romantizmit dhe tematikave të ngjashme, pasioni i vajzës tepelenase iu desh “të flinte” për vite me radhë. Në vitet e arta të jetës ndjeu sëmbimin e parë kur iu refuzua botimi i shkrimeve dhe poezive të saj. E megjithatë Kozeta nuk u dëshpërua, por zgjodhi të bëhej mësuese letërsie për t’i ruajtur brenda vetes, ato çka nuk mund t’i shkruante me penën e saj.
Për 20 vite Kozeta Zylo dha mësim në gjimnazet e kryeqytetit, një experiencë që i mbushte zbrazëtitë e saj. Derisa erdhi dita e shumëpritur, kur mund të përdorte penën lirisht, megjithëse atmosfera që e rrethonte nuk ishte dhe aq e favorshme. Ishte viti 97 ndaj së bashku me familjen Kozeta Zylo kërkoi azil në SHBA.
Asokohe shkroi librin e saj të parë që e titulloi “Monumenti i Lotit”, ngase ngjarjet që po ndodhnin e tronditën, edhe pse jetonte mijëra kilometra larg. Që nga ajo kohë Keze Kozeta Zylo ngacmohet më së shumti nga tema të këtij lloji, të cilat më pas i hedh në kompjuterin e saj personal. Këtë fundjave e cilëson si një nga ditët më të bukura të jetës së saj.
Fundja nuk mund të ndodhte ndryshe kur brenda një dite, “Zonja e vitit 2008”, arriti të promovojë dy libra në një ditë. Ndaj dhe kthimi në Tiranë e ka emocionuar pa masë, saqë gëzimi i lexohet qartazi në fytyrë.
Në këtë plan e konsiderova veten me fat. Por mbi të gjitha thekson se nuk do të kishte arritur deri këtu pa familjen e saj, bashkëshortin Qemalin dhe dy vajzat Valbonën dhe Klodianën.