Faleminderit
Halit Bogaj: Fan Stilian Noli (1882-1965)
E diele, 12.09.2010, 04:59 PM
FAN STILIAN NOLI/1882-1965/
Me rastin e 45 vjetorit të vdekjes
Nga Halit Bogaj
Siç dihet Fan Noli u lind në fshatin Ibrik Tepe të Turqisë/Jo shumë larg qytetit Edrene/. Qyteza e rrethuar edhe me disa fshatra të tjera , e kishte ruajtur historinë dhe traditën shqiptare.Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në greqisht dhe qysh herët fillon të merret me përkthime.Pasiqë në Athinë nuk i shkoi puna mbarë me një shoqëri endacake teatrore, ai shkoi në Egjipt dhe u njoh me bashkëatdhetarët Thanas Tashko dhe Thimi Mitko.Atje në greqisht e përktheu librin e Sami Frashërit’’Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’’dhe punonte si mësues i kësaj gjuhe.
Në kontakt me patriotët e shquar shqiptarë nga Egjipti dhe sipas rekomandimit të tyre, Noli shkon në Amerikë për t’i ndihmuar shqiptarët e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të SHBA-ve.Nga nga viti 1908-1912 kryen studimet e larta në Universirtetin e Harvardit..Emri i tij ishte bërë sinonim i një Uniteti të madh ndërshqiptar.Së shpejti bëhet edhe peshkop për ta ndarë Kishën autoqefale shqiptare nga ajo greke, e cila kishte rëndësi të madhe politike për të qenë e pavarur.Ndërkohë bashkëpunonte me gazeta dhe revista të ndryshme dhe mbante ligjerata të shumta para shoqërive shqiptare të cilat në vitin 1912 u shkrinë në Federatën ‘’Vatra’’.Pas vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1913 dhe përkrahjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, Noli bëhet kryetar i Shoqërisë ‘’Vatra’’.
Të kësaj periudhe janë vjershat dhe shqipërimet e tij të para. Në vitn 1921 botoi veprën e tij madhështore’’Historia e Skënderbeut’’. Noli shkoi sërish në Shqipëri në vitin 192o dhe u bë deputet i Këshillit kombëtar që kryesohej nga Ahmet Zogu..Në vitin 1924 bëhet Kryeministër i Shqipërisë gjatë Revolucionit të njohur demokratik të qershorit, i cili nuk pati sukses ngase Noli tregoi butësi të madhe ndaj forcave reaksionare brenda dhe jashtë Shqipërisë.Pas këtyre ngjarjeve tragjike Noli shkoi, sëpari në Austri dhe Gjermani , kurse në vitin 1930 u vendos përgjithmonë në SHBA, për të mos u kthyer më kurrë në Shqipëri ku ishte dënuar në mungesë nga regjimi i Ahmet Zogut.
Sa ishte në Gjermani e shkroi poezinë e tij më të fuqishme ‘’Anës së lumenjve’’e cila është margaritari kryesor i krijimtarisësë tij poetike, ngase ai na i la vetëm 18 vjersha të shkruara, të cilat ndahen në 4 grupe.
Në grupin e Parë hyjnë poezitë që ishin në vazhdën e Rilindjes sonë kombëtare, në të Dytin ato që janë të lidhura me Revolucionin e qershorit, në të Tretin’’Rent or marathonomak’’dhe ‘’Anës së lumenjve’’/të cilat i përkasin pjekurisë së tij/, kurse në grupin e Katërt’’Plak ashik dhe topall’’dhe’’Sofokliu’’.
Nga Grupi i Parë duhet t’i dallojmë poezitë patriotike në krye me ‘’Hymnin e Flamurit’’dhe’’Jepni për nënën’’/nga e cila kanë dalur vargjet e famshme/Nëno moj mos ke frikë/se ke djemtë në Amerikë/, të cilat u bënë shumë herë realitet , e sidomos me rastin e Luftës çlirimtare të Kosovës.
Disa nga poezitë e Grupit të Dytë janë me tematikë nga Bibla, me Krishtin si kryepersonazh, i cili simbolizon vetë poetin që u tregua shumë i butë me kundërshtarët e tij gjatë Revolucionit, me ç’rast viktimat e para të Zogut ishin dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nolit/Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi/ të cilëve ua kushtoi dy elegji të pavdekshme. Syrgjyn vdekur’’ i kushtohet Gurakuqit, kurse ‘’Shpellë e Dragobis’’ Bajram Currit, të cilat janë të veçanta në mbarë letërsinë shqiptare dhe kulme të vërteta të poezisë sonë të dhembshme, duke u quajtur me të drejtë edhe ‘’elegji binjake’’.Ato janë të shkruara me një dashuri të jashtëzakonshme dhe me një përkushtim shumë të madh, prandaj kush mund t’i harrojë vargjet’’Ky vigan liberator’’/Gurakuqi/dhe’’Dif dragoi i Dragobisë’’/Bajram Curri/?!
Është shumë e fuqishme edhe poezia’’Moisiu në mal’’me vargjet :’’Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni/Tokën e shenjtë kurrë s’do ta shkelni/ Skllevë, bij skllevësh s’e meritoni/ Se liri s’doni/, të cilat u drejtohen, kujt tjetër përveç shqiptarëve/ të cilët për fat të keq, as sot nuk tregojnë unitet të duhur kudo që janë/!.Me vargjet e sipërpërmendura u dëshmua se Noli vërtet kurrë më nuk shkoi në atdhe, por mbeti i vetmuar dhe i trishtuar, me pyetjen drejtuar Zotit’’Pse kaq gjatë, Zot m’arratise/ Pse më përplase më përpëlise/ Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve/ Dhe sot ma preve/.?
Për vjershën’’Anës së lumenjve’’është thënë se shënon kulmin e pjekurisë së tij poetike, ngase në asnjë tjetër nuk i ka shprehur idetë e tij popullore si në të.Për ta mposhtur një regjim dhe një pushtet antipopullor , Noli thërret me vargjet: : /Dhe një zë më vjen nga lumi/ Më buçet më zgjon nga gjumi/ Se mileti po gatitet/ Se tirani lebetitet/ Se pëlcet kërcet furtuna/Dridhet Vjosa derdhet Buna/ Skuqet Semani dhe Drini/Dridhet beu dhe zengjini/.Mëtej ai bën thirrje: ‘’Ngrehuni dhe bjeruni/ Korrini dhe shtypni/Katundarë e punëtorë/Që nga Shkodra gjer në Vlorë/ dhe duke shpresuar se diçka kishte lëvizur andej nga Shqipëria, ai shprehet:’’Ky ilaç e ky kushtrim/ Më bën djalë e më bën trim/Më jep forcë e më jep shpresë/ Anës Elbë-s, anës Spree-së./,
Mes tjerash Fan Noli i dha ndihmesë të madhe letërsisë edhe me përkthimet e tij të shumta, të cilat nuk ishin zgjedhur rastësisht për t’u përkthyer por kishin lidhje me realietin dhe aktualitetin shqiptar.Pjesa më e madhe e veprave të përkthyera ishin kryevepra botërore të cilat i shqipëroi me delikatesë të madhe.
Ai qysh në vitin 1910 filloi të përkthente nga letërsia botërore, siç ishin disa tregime norvegjeze, komedia e Molierit’’Martesa me pahir’’dhe novela e Stendalit ’’Vanina Vanini’’të cilat i botonte në gazetën ‘’Dielli’’.
Në vitin 1915 përktheu tragjedinë e famshme ‘’Orthello’’, kurse një vit më vonë poemthin epik’’Skënderbeu’’nga poeti Henri Langfellou dhe në vitin 1918 poezitë e paharruara’’Korbi’’dhe’’Anabel Li’’ nga Edgar Allan Po.Në vitin 1921 përktheu romanin e Bllasko Ibanjezit’’Kasolla’’, më 1924 ‘’Rubairat’’e poetit persian Omar Khajam, më 1926 veprat’’Armiku i popullit’’dhe ’’Zonja Ingra e Ostrotit’’, nga shkrimtari norvegjez Henrik Ibzen dhe tragjeditë e Shekspirit’’Hamleti’’,’’Makbethi’’dhe’’Jul Qesari’’.Në vitet 1932-1933 përktheu romanin’’Don Kishoti’’nga Miguel De Servantesi, i cili konsiderohet si njëra ndër kryeveprat më monumentale të letërsisë botërore.
Për ‘’Rubairat’’ishte shprehur në superlativ edhe albanologu i shquar Norbert Jokël/i cili kishte origjinë ebreite/e që kishte thënë se pas Ficxheraldit nuk di se kush i ka përkthyr më mirë ‘’Rubairat’’ e Omar Khajamit se Fan Noli..
Kryeveprat që i përktheu Noli, i shoqëroi edhe me nga një introduktë/parathënie/ të cilat dëshmonin se autori i përkthimeve i njihte për mrekulli veprat dhe gjuhët nga të cilat ose në të cilat përkthente.
Përveç atyre që u theksuan më lart, ai i shqipëroi edhe disa poezi nga letërsia frenge, sidomos nga Bodleri dhe Viktor Hygo.Nga ky i fundit na ka mbetur në kujtesë të përhershme, sidomos poezia ’’Nesër n’agim’’, në të cilët përshkruan dhembjen ndaj bijës së mbytur në lumin Sena në moshën 18 vjeçare , bashkë me të fejuarin, së cilës për çdo ditë i çon lule të freskëta mbi varrin e saj.