E marte, 07.05.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Faleminderit

Vrasja e Ahmet Krasniqit, I vëllai: Lidhi FARK e UÇK

E enjte, 23.09.2010, 09:58 PM


Nga Gazeta Shqiptare

 

Dhjetëra ish-oficerë të lartë të FARK (Formacioni i Armatosur i Republikës së Kosovës) të kohës së luftës në Kosovë, bashkëluftëtarë, banorë të Kosovës dhe familjarë, kanë përkujtuar dje 12-vjetorin e vrasjes së ish-ministrit të Luftës së qeverisë në ekzil të kryeministrit Bujar Bukoshi. Ceremonia e thjeshtë në varrezat e Sharrës ku prehen eshtrat e heroit kosovar, ngjante më tepër me një ceremoni familjare, e harruar ndoshta nga politikanët e dy shteteve shqiptare. Flamuri i Kosovës, dhe disa buqeta me lule mbulonin varrin e njeriut që ka drejtuar ministrinë e Mbrojtjes dhe shtatmadhorinë e Forcave të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës deri më 21 shtator të vitit 1998, kur u vra pabesisht në një atentat në Tiranë. Sot, më tepër se vrasja dhe zhvillimet politiko-ushtarake që pasuan në Kosovë, familjarët dhe bashkëluftë-tarët e Krasniqit i mundon misteri apo siç thonë vetë “mungesa e dë-shirës” për të zbardhur këtë ngjarje nga autoritet shqiptare dhe ato kosovare. Të pranishmit në ceremoninë e varrimit, ku binin në sy edhe studentë kosovarë të universiteve shqiptare, kishin përgatitur një kërkesë-peticion për Kryeprokuroren Ina Rama dhe kryeparla-mentaren Jozefina Topalli, për të hapur dhe hetuar do-sjen e krimit të rëndë. Bexhet Krasniqi, vëllai i të ndjerit ka rrëfyer për Gazetën fjalët e fundit që ka dëgjuar në telefon prej tij si dhe ka bërë apel për institucionet e hetimit dhe gjurmimit në Shqipëri për të rihapur dosjen dhe gjetur autorët e krimit barbar.

 

Si mund të na përshkruani ju, Ahmet Krasniqin?

 

Unë si vëlla dhe familjar i Ahmet Krasniqit them se ai ka qenë një qenie e mrekullueshme, një punëtor i zellshëm i përkushtueshëm edhe në punën rreth familjes dhe në punën për çlirimin e Kosovës, dhe në kohën e fundit ka lënë anash familjen, ka lënë anash çdo gjithçka për t’ju për-kushtuar lirisë së Kosovës dhe atë punë e ka bërë me zell me përkushtim të madh dhe pa hile.

 

Kur keni komunikuar herën e fundit me të, dhe çfarë mbani mend nga kjo bisedë?

 

Kam komunikuar 7 ditë para vrasjes me të. Nga të gjitha bisedat që kemi bërë e kemi prekur edhe rastin e bisedës dhe këshillimit në Astllok, të cilin e ka bërë bashkë me liderin e asaj kohe Adem Demaçi, ku janë marrë vesh me i bashkue përpjekjet dhe me i shtri të gjitha fraksionet e UÇK-së dhe ministrisë së Mbrojtjes për të bashkërenditur punën për lirinë e Kosovës. Ai ka qenë shumë i lumtur dhe ka thënë “tash edhe dy Serbija nuk mund të na ndalin, na do fitojmë”. Ishte shumë i lumtur.

 

A mendoni se vepra e tij i ka vlejtur për këtë Kosovë që kemi sot?

 

Jo, vepra gjithmonë..., nuk duhet të pyesim për sakrifica për Kosovën e Shqipërinë dhe trojet e shqiptare, por kujtoj që nuk është bërë boll as për njerëz si Ahmeti dhe as për Ahmetin, edhe nuk është ba mjaft as për Kosovën. Punë të mëdha presin Kosovën, punë të mëdha presin popullin shqiptar gjithandej.

Pse thoni që nuk është bërë boll as për Ahmetin?

Na po bëjmë përpjekje edhe një herë për me hap dosjen, po i bëjmë presion, po i lutna, premtime ka fjalë ka, besoj se pas fjalëve të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës do të qëndrojë edhe koha.

 

Ahmet Krasniqi, SHIK-u i bastisi shtëpinë pak ditë para vrasjes

 

Vetëm pak ditë para vrasjes, SHIK-u dhe policia do e çarmatosnin ministrin e mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi. Ata kryen kontrolle në banesën ku ai qëndronte në Tiranë, të cilën që në mars të vitit 1998 e kishte kthyer në bazë të koordinimit të veprimeve luftarake që zhvilloheshin në Kosovë. Pasditen e 21 shtatorit të po atij viti, teksa Krasniqi afrohej për te makina e tij në një rrugicë që lidhte Medresenë me Shkollën e Kuqe në Tiranë, një person i mat pistoletën në kokë, dhe pasi pyet mirë nëse personi që i i kishte drejtuar armën ishte Ahmet Krasniqi, e qëllon atë për vdekje. Nga makina tjetër ku presupozohet të ishin rojet e Krasniqit, askush nuk lëvizi, sikurse të dorëzoheshin në një betejë ku vritet gjenerali. Ngjarja bëri bujë, pasi ishte kulmi i ekspansionit serb në Kosovë, dhe veprimet ushtarake të formacioneve të FARK, koordinoheshin pikërisht prej Krasniqit. Policia nisi hetimet për ngjarjen, por pa dalë asnjëherë në një konkluzion qoftë edhe paraprak. Fillimisht pati akuza që implikonin shërbimin informativ shtetëror, në organizimin e vrasjes së pabesë, por që asnjë prej pretendimeve nuk u provua ndonjëherë. Përplasja e rrymave brenda aktorëve të luftës në Kosovë për fondet e armatimeve të “frymëzuara” edhe nga shërbimet sekrete serbe, mbetet pista më e përfolur për krimin. Ndërkaq policia dhe prokuroria e Tiranës vetëm sa kanë luajtur “ping-pong” me dosjen duke ia pasuar dhe thyer njëra-tjetrës pa i dhënë përgjigje mistereve të krimit.

 

Shoku i luftës: Ahmeti armatosi Kosovën

 

Shpresojmë që vizita jonë të jetë dhe një mesazh për autoritet dhe pushtetin shqiptar që së paku tash pas 12-vjetëve të bëj të pamundshmen që aktorët dhe vrasësit barbarë t’i qesë para drejtësisë dhe kështu që një dhembje të qindra mijërave shqiptarë dhe një pritje 12-vjeçare ta zbardhë dhe të tregojë se këtu në shtetin amë mbizotëron drejtësia” - kështu është shprehur për Gazetën koloneli Ismet Ibishi, shok lufte me ministrin e vrarë kosovar Ahmet Krasniqi. Ibishi shpreson që autoritet shqiptare të sqarojnë se pse u vra në kryeqytetin Tiranë, njeriu i parë që duhej të udhëhiqte luftën e Kosovës. Ibishi, ka qenë oficer artilerie i ushtrisë së ish-Jugosllavisë, dhe deri në vitin 1991 ka shërbyer në Slloveni, më pas u angazhua me forcat çlirimtare në FARK, dhe pas disa vjetësh pedagog në Akademinë e Kosovës së pas Luftës, është kolonel në lirim.

 

Juve keni ardhur sot në Shqipëri për të nderuar një bashkëluftëtar tuajin që u vra për shkak të angazhimeve për çlirimin e Kosovës, çfarë mbani mend prej tij?

 

Sot përkujtojmë 12-vjetorin e rënies së të madhit kolonel Ahmet Krasniqi, Ministri i Parë i Luftës dhe i Paqes i Republikës së Kosovës. Ne si në ish-armatën e Jugosllavisë kemi qenë koleg bashkëpunëtorë dhe me vite jemi përgatitur për misionin që na prite në vitin 1998. Koloneli ishte një drejtues, një strateg i rrallë që kanë pas trojet tona në Kosovë dhe një njeri që ka ushtruar autoritet jashtëzakonisht të madh te kolegët dhe bashkëluftëtarët e tij.

 

Si jeni njohur me kolonelin e ndjerë?

 

Ne të dy kemi qenë nga grupi i oficerëve të paktë shqiptarë që mundën të shkolloheshin në akademinë ushtarake të ish- Jugosllavisë. Në vitet ’90 unë isha oficer i artilerisë në Slloveni, ndërsa Krasniqi ndodhej në Kroaci. Aty na gjeti edhe lufta e parë në Slloveni, ku unë u tërhoqa, sikurse bëri edhe Krasniqi nga ushtria. Prej vitit 1991, ne jemi angazhuar në përgatitjet për luftën që do të vinte në vitin 1998.

 

Ku jeni takuar me Krasniqin?

 

Në Dallnik të Kroacisë jemi takuar. Krasniqi ishte oficer këmbësorie, kishte shumë përvojë dhe u caktua të ishte kryekoordinator. Nëpërmjet shoqatave ne kishim mundësonim futjen në shkollat paraushtarake të atyre që më pas do të bëheshin baza e ushtrisë tonë për çlirimin e Kosovës.

 

Pse u vendos Krasniqi në Tiranë?

 

Deri në vitin 1994, gjithçka që kishim bërë ishin vetëm në letër. Prej kësaj kohe ishim hedhur në veprim për t’u përgatitur. Në mars të vitit 1998, kryeministri Bujar Bukoshi, vendosi që Ahmet Krasniqi të sistemohej në Tiranë. Prej këtu do të drejtonte veprimet për armatosjen e ushtrisë, si dhe takime apo dalje edhe në terren, duke përdorur kufirin tokësor nga Bajram Curri. Krasniqi u vendos në një bazë në Laprakë. Gjatë kësaj kohe u mobilizuan dhe tre brigada të FARK, që ishin formacionet më të mëdha luftuese në terren me ushtrinë serbe.

 

Si realizohej armatosja e ushtrisë?

 

Fondet vinin nga diaspora dhe kishin prej vitit 1991 që mblidheshin. Kishim marrëveshje të ndryshme, madje edhe për ndërtimin e një fabrike armatimi në Tropojë, ku kishim gjetur dhe ambientin.

 

Po për ngjarjen e rëndë të vrasjes së tij, çfarë mund të na thoni?

 

Shpresojmë që vizita jonë të jetë dhe një mesazh për autoritet dhe pushtetit shqiptar që së paku tash pas 12 vjetëve të bëj të pamundshmen që aktorët dhe vrasësit barbarë t’i qesë para drejtësisë dhe kështu që një dhembje të qindra mijërave shqiptarë dhe një pritje 12-vjeçare ta zbardhë dhe të tregojë se këtu në shtetin amë mbizotëron drejtësia. Shpresojmë që ky vit të jetë viti i zbardhjes së realitetit dhe asaj ngjarje të jete e rëndë për momentin. Kur Kosova ishte në luftë u vra ministri njeriu i parë që duhej ta udhëhiqte atë luftë.

 

A mendoni që ishte thjesht një vrasje, apo kishte ndonjë prapavijë?

 

Për kohën që ndodhi, ishte momenti kur një koordinues e person që gëzonte autoritet të plotë si Krasniqi, i duhej më shumë luftës dhe Kosovës. Situata nuk ishte fort e qetë edhe brenda formacioneve luftarake dhe fraksioneve brenda. Pas vrasjes së kolonel Krasniqit, shumë gjëra ndryshuan për FARK, duke e zbehur pak e nga pak.

 

Pse thoni që nuk ishte situatë e qetë?

 

Nëse në terren bëhej luftë për mbijetesën e Kosovës, jashtë saj “lufta” bëhej për armatimin dhe autoritetin. Në zonën e Tropojës, kishim edhe incidente të rënda, për të na marrë armatimin, ngjarje që nuk besoj se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjet që pasuan në Tiranë.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora