E diele, 19.01.2025, 01:28 AM (GMT)

Faleminderit

Petraq Kote: Frederik Rreshpja, i dënuar në dy burgje, i lirë në lirikë! (1940 – 2006)

E premte, 24.09.2010, 09:00 PM


FREDERIK RREPJA, i dënuar në dy burgje, i lirë në lirikë!

(1940 – 2006)

 

Nga Petraq KOTE

 

Të shkruarit është jetë qeni, por e vetmja jetë që vlen të jetohet.

Gustave Flaubert

 

Dikur Rreshpja kishte evoluar mbi këtë urtësi të hidhur të bërësit të Madame Bovary (1857)  : Unë nuk shkruaj,  përshkruaj… më sakt poetoj.

 

Frederik RRESHPJA ishte i dënuar të jetonte në dy burgje njëherëshi. Në burgun e madh Shqipëri dhe në  më të tmerrëshmin e vogël, atë të Spaçit a kush e di se me ç’emër tjetër! Ky i vogli e kishte bërë dhe s’e kishte bërë të “ egër “ Frederikun, por burgu i madh, supertmerri Shqipëria ( e rrethuar me tela me gjëmba për rreth trurit të sajë e këta tela me gjëmba, me rrymë elektrike. Të mos hynin e të mos dilnin mend ) e kishte daltuar  të “ hidhur “,  “ vetmitar “… “ fatthënës “ si Dodana e Tomorrit. Ai kurrë nuk u zemërua me pasojën, urreu shkakun, shkaktarët  dhe  nuk e shau kurrë Atmëmëdheun siç e shau Fishta, Konica etj.. Ai e dinte… asnjëherë ndonjë poet nuk u bë  më i madh se Atdheu i tij!... dinte thënien e Sokratit " Poetët janë vetëm interpretë të Zotit ". Këto pasqyrime  e kozmogoni haluçinante në shoqërim,  ndikuan imazhinisht mbi ‘të, mbi  jetën që natyra i kishte rezervuar para e pas burgjeve, duke e transformuar  edhe më madhërisht  drejt gjeniut të lirikës e larguar përfundimisht nga letërsia e zakonshme ( oridinere ). Por më e sert ndaj tij u tregua harresa, u tregua  mospërfillja shoqërore. Gjat këtij “ apokalipsi “ dhimbje - mishërimi, shpirti i tij shkroi në faqet e veta  në katër opuse perlat e lirikës së vërtetë moderne bashkëkohore shqiptare. Nuk ka muzikë më të bukur poetike se ajo e krijuar nga Rreshpja. Një vers mban brenda vetes një koncert  të tërë.

17 vjetët  e burgut ose 17 vdekjet + 1,  Rreshpja i mbylli në varrin e madh,  vete,  e bashkë me ‘to edhe hakmarrjen ndaj burgfutësve. Është varr shumëfish ai i Rreshpjes në  “ Rrëmaj “ ku shkruhet fatkeqësisht vetëm një emër… Frederik Rreshpja

Rreshpja radhitet i pari në letërsinë artistike Shkodrane, që dikur kishte emrin Letësia Shqiptare.

Herë, herë kjo letërsi gjen veten dhe riemërohet përsëri Letërsi Shqiptare. Ka ca poetë si Primo Shllaku atje që po ndërtojnë një Rozafë të Re poetike, pa baladën e ç’besës.

 

Frederik Rreshpja  është   poeti  më i formësuar etikisht,  estetikisht...

 

Shumica e poetëve perpiqen të frymëzojnë atë që ndjejnë, por shpesh nga thellësia e shpirtit gjithçka del e transformuar, një pjesë nga leksiku i pa përputhur me ndjenjën dhe një pjesë nga shndërrimet e    pavetëdijshme.

Lirika realizohet e plot ose siç i themi mistifikohet, gjithëshprehet  kur, frymëzimi, ndjenja, leksiku, ligjërimi, ecin në të njëjtë kohë, në të njëjtën sens, në të njëjtën  hapësirë shperthimesh.

Poezia e tij ka formën dhe përmbajtjen më të lartë etike, estetike e për arsye komunikimi shoqërore realizohet në stadin sipëror  dhe ripërtëritës me një pastërti stereo,  të paktën deri tani. Filozofia 

e zhvillimit brenda një poezie rreshpjane, ka tjetër orë, tjetër jetë, tjetër vdekje. Ka dukuri të tjera natyra e saj, ka të tjera përmasime e  ripërmasime.

Edhe zhargonet e gjuhës shqipe në poezinë e Rreshpjes tingëllojnë ndryshe. Nuk shqetsojnë, nuk  shkaktojnë dhimbje, zbrazëti, përçmime. Çdo poezi e këtij poeti ka një antologji të tërë figurash, filozofish, përmbajtesh, misteresh…  ndaj dhe mund të quhet poezi abys.

Shfaqja e Rreshpjes si poet  përputhet me ardhjen në letërsinë e kuqe shqipe të një talenti të fuqishëm, ndoshta më të fuqishmit të shekullit të xx-të ( Rreshpja ka ende poezi të pa njohura).     Kjo gjasë shënonte njëkohësisht triumfin e parë drejt çkyçjes ( që s’ndodhi ) dhe modernizimit të poezísë shqipe soc - realiste. Poezia e Rreshpjes “ u derdh “  natyrshëm përkëtej shekulli të XXI dhe me qetësi olimpike kulmoi  poezinë e sotme lirike bashkohore shqiptare ( Rreshpja vdiq më 17 shkurt 2006 ) duke e rilartësuar atë dhe njohur nëpër botë si art letrar tronditës... sot në letërsine shqiptare ( pas '90 ), poetë të njëjtit klan ngatërrojnë fytyrat poetike me njëri tjetrin…     Kjo kishte ndodhur më parë me Migjenin ( 1966 ), kur u përkthye në Paris…

Ishte Rreshpja ai që ngriti shtëpinë e parë të UNIT të poezisë lirike, duke e nxjerrë atë nga bujtinat e ndyra kolektive dhe akomoduar aty, veçmas.  Edhe Lasgushi të njëjtën gjë kishte bërë matan vitit 1944.

… është një zog që vajton dit’e natë

Fshehur tek shtëpia e gjetheve.

Si na erdhi kjo stinë me emrin harrim!

Si na erdhi kjo stinë me emrin dimër!... habit, për të mos e besuar gjëmën  Rreshpja, tek “ Është një zog “.

Por ja, që ka ndodhur  përfundimisht, gjëma e ardhjes së dimrit të shpirtit, ndër bashkëkombas.

 

Ndonjëherë Rreshpja më kujton Trifon Xhagjikën.                                  

 

Formacioni stilistik i Rreshpjes

 

Duhet ta theksoj që në fillim të mendimit tim se

Formacioni stilistik i Rreshpjes është  gjigant, ambig dhe tejet monolit.

Ai është tjetër formacion stilistik… Si kostum ende pa prerë për të tjerë.

Reshpja i takon të së shkuarës soc - realiste si materie fizike dhe të tashmes – së ardhme  si formacion stilistik e më gjërë.

Ky kontrapunkt e radhiti atë pa hezitim në rreshtat e parë të lirikës  bashkohore estetike, ballkanike duke i dhënë jetë edhe një herë ( fat! ) lirikës soc - realiste.

Lirikë pas lirike stili i tij demon na përqas e na lidh në komunikim brilant fal një kodi mbretëror gjithëshprehës siç është e tëra gjuha shqipe.

 

Zemra ime

 

Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi

Isha mësuar me kokën në duart e tua.

E ke ditur që kam diçka nga deti;

Breg më breg dhe gjumi nuk më zë.

 

Dua të shtrihem dhe të vdes,

Por ti vjen dhe nga balta më ngre.

… i tregon zemrës së vetë më në fund trishtimin Rreshpja. Mos është vall nëna e Rreshpjes zemra e Rreshpjes?

 

… ç’është kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

Dhe duart që më mbanin mua, tani janë rënduar

Por s’ka gjë. Nga shpirti i saj

Zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

( Nëna )

 

Lirika  e Rreshpjes

 

 Është e çuditëshme! E gjithë lirika e tij poetike është e mbushur me dashuri,  dhe pse  me situata absurdi, me lirizëm tragjik, ku detajet  peizazhore, piktoreske të çmendura e të dhimbëshme e nostalgjike ( Nëna ) gëlojnë gjurmë pas gjurme në tokën e premtuar , ku ai lindi, shkeli e udhëtoi i helmuar.

Rreshpja  përzgjedh nga kujtesa e tij skena pikante nga teatri absurd i jetës së vetë. Kujtime të ndyra i ringjallen atij gjatë gjithë odsisesë së uritur e të rreckosur deri në  legjendë. Asnjëherë poetika e tij e hijëshme nuk u bashkua dhe të flinte me historinë dhe burrat e Shqipërisë që “ asnjëherë nuk qenë gjallë “. Ajo ndalonte për pak, derdhte një vështrim dhe një lot mbi të e ikte. Personazhi poetik i kësaj skene lymore është vet, ai. Të tjerë, nuk ka…

„…Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im…Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë…Kohën e kaloj në dhomën time ( … në universin tim ), i vetmuar…“. Do të deklaronte dikur.

Poezia e tij lirike i kishte besuar vetëm natyrës shqiptare. Ai, i kishte të pakët shokët, miqtë. Për të mos thënë fare! Të tillë ka edhe lirikën, pa shoqe e mikesha…

… ngjitet malli nëpër  rrënjë dhe bëhet lule.

O druri i qershisë që të mbolli nëna ime,

Unë jam vëllai yt!

( Dhembje )

 

Liria e lirikës  së Rreshpjes

 

Rreshpja nuk e njihte robërinë, edhe në burg. Madje për ‘të ka  edhe anekdoda. Kur i deklaruan arrestimin dhe po i vinin prangat, ai u tha me qetësi arrestonjësve:  Mos u nxitoni së shtërnguari! Kohë, ju keni  pambarim se keni edhe kohën që ma morët mua, tashmë, ndërsa  liria e prangave është deri te kocka ime. Ndaj lirika e tij, lindi e lirë.

… Në fushë ecin ciganët dhe mbi supe

Daullet u varen si kufoma

Ku shpirtërat e shkretëtirës

S’kanë për tu zgjuar kurrë.

 

Nga çerdhja e shiut fluturoi

Kënga e reve tërë gjëmë…

 

( Lermë të vij me ty )

 

Uniteti me kohën

 

Qysh herët në rini, ai,  Rreshpja e kishte kuptuar se shqiptarët jetonin vetëm një stinë në jetë, atë të dimrit. Por edhe dimrin shteti jua merrte sa herë donte.

Ndaj Rreshpja nuk ishte në unitet me kohën Shqiptare, me motin që jetonte. Ai kishte dekada që e kishte lënë jetësisht dhe poetikisht, atë. Vetëm me vendin ( Shqipërinë ) ku zhvillohej lirika e tij, kishte unitet Rreshpja.

Është  diskursi  deskriptiv ai që e lidh dhe njëheri e shkëput lirikun Rreshpja nga prania vizive e kohës, jetës dhe të sotmes. Për lidhjen e poezisë tij me të shkuarën nuk bëhet demarsh, fare. Tek tuk në kohë ai takonte reminishencat e  De Radës, Lasgushit, Mjedës, Ali Asllanit, Serembes dhe i respektonte. Tek asnjë poet tjetër ai s’ndalte.

… Rreshpja ishte tejet i lëmuar për këtë natyrë të këtij shekulli, për këtë njerëzi, po kështu edhe peizazhi  me lirë i tij.  Ai nuk rimerrte motive, melodi prej rrethanave, verse, ato ishin brenda, në pararreshpje. Vetëm i nxirrte prej andej  në mënyrë mjeshtërore .

… pashë fëmijët në rrugë. Të qeshur,

Të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,

Ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

 

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,

Që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

 

( Ushtari i vjetër )

 

 Rreshpja la katër vepra ose katër  hapsira të pa ana, mbushur me kuaj të pa mësuar ( të egër ).

Çdo kush mund të shkoj në ato fusha, të zërë e të zbutë kuaj.

“ Rapsodi shqiptare “ - 1967

“ Erdhi koha të vdes pësëri “ - 1994

“ Lirika të zgjedhura “ - 1996

“ Në vetmi “ - 2004

Dikush para meje shkroi një ese për Rreshpjen.  “ Në  muzgun e një poeti lirik! “

Bukur!

 

Dhe si përfundim: Rreshpja ishte vetëm një përmbledhje e asaj që s’mendoj dhe vetëm një bocet i asaj që s’jetoi.

Është gjëja më e keqe kur të bukurat shoqërore të shpirtit tënd i mban vetëm për vete. Pjesa më e madhe e së tones, u përket të tjerëve. Rreshpja jo vetëm të bukurën e brendëshme jua dha të tjerëve por edhe jetën… pa u komplikuar.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora