E premte, 02.05.2025, 03:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Skënder R. Hoxha: Poeti që u kacafyt me tri kohë

E diele, 26.09.2010, 10:00 PM


POETI QË U KACAFYT ME TRI KOHË

(Aspekte të krijimtarisë letrare të Esad Mekulit (1916 - 1993)

 

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

 

Esad Mekuli u lind në Plavë më 1916, aty buzë kaltërive të Liqenit të Plavës, e në mesin e malësorëve të Nokshiqit, ku edhe gjeti frymëzimet e para për jetën e pamjet e njerëzve dhe të natyrës së kësaj ane. Gjimnazin e kreu në Pejë e Fakultetin e Veterinës në Beograd, ku edhe doktoroi. Sipas të dhënave bibliografike dhe të tjera që na janë prezentuar deri më tash nëpër letrat tona, Sat Nokshiqi, Sat Hoxha apo Esad Mekuli, vjershat e para në serbokroatishte filloi t’i botojë qysh kur ishte gjimnazist, e pastaj si student, në të përkohshmet e nxënësve e të studentëve dhe në revista e gazeta të tjera të rinisë përparimtare të asaj kohe, si: “Venac” (Kurora) – Beograd, “Mladost” (Rinia) – Zagreb, “Novi behar” (Behari i ri) – Sarajevë, “Granit” – Podgoricë etj. Ndërkaq, vjershën e parë e botoi më 1931 në gazetën “Podmladak Jadranske Strazhe” (Juniorët e rojës së Adriatikut) të Splitit – 1931, e për të botuar nëpër gazetat dhe revistat e përmendura më lart gjer më fillimin e luftës.

    Na thotë mendja se janë të paktë ata kosovarë, që e kanë mësuar shkrimtarin, e mos ta kenë lexuar emrin e këtij pionieri të vargëzimit letrar këtu ndër ne, apo të këtij doajeni të letërsisë sonë, siç është bërë zakon ta quajmë ne Esad Mekulin, qoftë nëpër libra shkollore, qoftë në përmbledhjen aq të popullarizuar “PËR TY”, që do ta quaja abetare të poezisë shqipe, e cila ishte, siç do të thoshte Rexhep Qosja “tribuna e parë dhe, deri më sot më e rëndësishme, e prirjeve krujuese të shqiptarëve të këtyre trojeve”, qoftë edhe në përkthimet e shumta të shkrimtarëve botërorë e jugosllavë.

    Përmbledhjen e parë të vjershave, në serbokroatishte, me titull “Shqiptari këndon, oj Metohi”, Esad Mekuli e kishte përgatitur për botim, por siç na bën me dije kritiku ynë letrar dhe njohësi i mirë i jetës dhe vepërs së Esadit, Vehap Shita, ajo së bashku me një tufë vjershash të shkruara në kohën e okupacionit fashist, kishin humbur diku gjatë luftës, fat ky që nuk e gjeti vetëm këtë krujues tonin të madh.

    Opusi poetik i Esad Mekulit, i cili jo fort i gjerë, por shumë i thukët për kah vlera letrare, aspekti tematik e motivor, në rrafshin kohor dhe hapësinor, karakterizohet me njeriun tonë të paraluftës, të luftës dhe të pasluftës. Pra, është poeti që u kacafyt me tri kohë, ësht poeti i shqetësimeve dhe i gëzimeve të popullit të vet. Lirika e tij plot mllef e pezm kundër robëruesit, plot hov e besim në ngadhënjimin e aspiratave dhe të përpjekjeve të popullit, vë themelet e theksuara të poezisë patriotike e sociale tek ne. Ai gjithmonë “këndoi një këngë: këngën e dhembshme apo të gëzueshme të shqiptarëve të shtypur e të privuar të drejtash para Revolucionit dhe të shqiptarëve të lirë pas Revolucionit”, në të cilën ngërthehen dhe “derdhen të gjitha frymëzimet dhe motivet e tjera të lirikës së tij: dashurinë ndaj Kosovës dhe kosovarëve”. Ndaj, siç do të thoshte më tej Rexhep Qosja: “Esad Mekuli është poeti i parë shqiptar që këto troje i ka futur në orbitën e frymëzimeve poetike shqipe, me të gjitha problemet e tyre kryesore historike, shoqërore, sociale dhe kulturore”.

Esad Mekuli është poet ndjenjash të holla e shprehjesh të kultivuara. Si i tillë, është shkrimtar i angazhuar. Të angazhuar, mund të quhen të gjithë shkrimtarët, por Esadi është shkrimtar i një angazhimi të ndjenjës dhe shpirtit të popullit të vet dhe përfaqësuesi më i spikatur i poezisë sonë sociale e patriotike. Duke qenë ngusht i lidhur me popullin, ai ia kushton përmbledhjen e vjershave “Për ty”. Vjersha “Popullit tim”, që i prin kësaj përmbledhjeje, në relacione të kritikës letrare, thuhet se është “postament mbi të cilin është vënë monumenti që ka ngrehur Esad Mekuli me poezinë e tij” – (V. Shita). Ai për popullin e vet këndoi edhe “kur i ishte ndalue”. Poeti, lirinë e popullit të vet e sheh në vet popullin, duke pasur si pikë frymëzuaese edhe aforizmën e Maksim Gorkit, mesuesit dhe frymëzuesit të tij të madh, ku “s’ka fuqi që mundet me e lirue popullin, përveç fuqisë së vetë popullit”.

    Në disa krijime të hershme, poetin e gjejmë edhe të shqetësuar, ai, atëherë bie edhe në rezignacion, e ndjen veten të: “vetëm – pa motër e pa vëlla”, fëmijë të këputur “n’horizonte të tymosura ra, ku shkrepin rrëfetë dhe n’humnerë të fërfëllojnë”.

   Mirëpo, pas kësaj ndjenjeje patetike, kur poeti e sheh popullin e vet të fërfëlluar e të nëpërkëmbur, te poeti fillon ajo “një grimë shpresë”, e cila sa vjen e shtohet në vjershën: “Flamujt e shpaluem”, gjë që ishte paralajmëruar edhe në vjershat “Tempora mutantur”, “Të përsekutuem”, “Rrugës” e “Përshëndetje”, jo vetëm që paraqesin gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër dhe përpjekjet e aspiratat e tyre, por tregojnë edhe rrugën e tyre të vetme të drejtë që mund t’i çojë kah realizimi i qëllimeve dhe aspiratave të tyre shekullore.

   Parandjenjën për ditën e re që po vinte, poeti më së miri e artikulon në vjershën “Dita e re” (1936), ku thotë: “N’shpresa t’bardha rritet, gjumin tonë të gjatë prej syve me na tretë”, si dhe: “po vjen ngadhënjyese mbi Dhe”!   

   Ndërkaq, pas lirisë së fituar, poeti gëzohet ngase: “po zgjohem, po ngrihem, po rritem” dhe se në atdheun e lirë duhet të thuret jeta kolektive e lumtur, sepse ai tash është: “Kështjellë bashkësije të popujve të lirë…” (vjersha “Atdheu”), vjershë kjo në të cilën sublimohen edhe dimenzionet e lirisë me thellësinë e kuptimit e përjetimit të saj.

    Psikologjinë e njerëzve tanë, botëkuptimet e tyre, ndjenjat e krenarisë dhe inferioritetin që i ka munguar gjithmonë, pastaj pasiguria e mosbesimi, nga i cili nuk kanë mundur të shkëputen lehtë, pikërisht për shkak të jetës së gjatë në robëri e shtypje të çdo lloji, poeti i sintetizon në vjershat: “Edhe na njerëz jemi” dhe “Shqiptari këndon”, ku thotë: “Zbuloje shpirtin, zbuloje, zemës hapja dritarën – brohorit në këtë ditë të lume”, sepse “dora e ngrohtë e dikujt e preku ballin tonë – perdën e zezë na gjduku nga sytë – përgjithmonë…” (vjersha “Edhe na njerëz jemi”). Ose: “Qe, edhe shqiptari rob deri dje, marshon në ngadhnjim dhe me duert e tij të vyeshme ardhmërinë e ndërton! Dhe s’ka fuqi që hovin më t’na ndali, t’harrohet emni, që mbeti me shekuj – si kala! Pse lirinë e fituem me gjak – kurrkush s’na e fali, tue luftue errsinën, u bamë të vetëdijshëm edhe na!” (vjersha “Shqiptari këndon”).

    Duke krijuar një poezi që gjithmonë ishte mbrojtëse e vlerave universale njerëzore, siç janë: liria, dashuria ndaj truallit të lindjes, dinjiteti kombëtar, dashuria dhe barazia ndaj njerëzve, nuk dëshironte t’i dëgjojë: emrat “shiftar” e as “arnaut”, emra këta me të cilët shqiptarët i quanin me qëllim fyes dhe përbuzës, e ku nga kjo ndjenjë kishin shpërthyer vargjet: “I njajti rod me mbarë shqiptari – jemi gjak shqiptari, nën krahët e lirisë e të vllaznimit – sot t’ardhmen tonë ndërtojmë me duer ndërtimtari” (vjersha “Shiftar – mos më thuaj”). Apo edhe: “Mos trokit në portën e vjetër në këtë ditë të pranverës sime – asht e hapun porta ime dhe zemra  ime asht çelë…” (vjersha “Mos me thirr me emën t’huaj”), vargje këto që tingëllojnë si një protestë e drejtpërdrejtë dhe e fuqishme e poetit tonë të madh, tingëllojë si art që e mund  tiraninë.

    Na duket me interes të përmendim se vjershat “Gjykimi” dhe “Pisha në shkëmb” sublimojnë kulminacionin e refleksivitetit poetik të Esad Mekulit. Në këtë kontekst, ai i bën një grishje brezit të ri që të mos hutohet, port ë rrijë gjithnjë në ballë të kolonës, se: “Do të vijnë pas nesh fëmijët tanë, e fëmijët e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne (vj. “Gjykimi”), sepse, sipas poetit, ne na ra barra e krijimit dhe e ndërtimit. Në anën tjetër, për shumë aspekte, duhet të pajtohemi me faktin se Mekuli e përcolli atë që poeti i mjerimit – Migjeni, e pat filluar, pra – zhvillimin historik të shoqërisë dhe popullit, duke e vijëzuar dhe kalitur me vargun e ngjeshur poetik. Nga këto pak vargje dhe vjersha të E. Mekulit që i zumë ngoje, e që sado pak u përpoqëm t’i shkoqisim në rrafshin semantik, universit, mesazhit dhe të mëvetësisë poetike që ato ngërthejnë në vetvete, duhet kuptuar se në këtë punimth është rrokur vetëm një rrisk i krijimeve të këtij poeti tonë të madh, sepse, siç thamë edhe në fillim, edhe pse jo shumëvëllimore, vepra e tij është mjaft e thukët, e thellë dhe shumëdimensionale, e qëndrueshme dhe e pavdekshme nëpër mote.     

   (Ky recension është shkruar në vitin 1990 dhe është lexuar në një manifestim letrar të mbajtur në Pejë, po këtë vit, ndërsa është botuar në revistën “Gurra”, Nr. 28 -29, Drelaj, maj 1998, f. 26 – 27.)



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx