Faleminderit
Muharrem Qafleshi: Studenti opojar që përjetoi tmerret e kazamateve serbe
E shtune, 25.09.2010, 02:35 PM
Si u mbyten atdhetarët opojarë nga regjimi serbo-çetnik (5)
Studenti opojar që përjetoi tmerret e kazamateve serbe
Nga Mr.sci. Muharrem Qafleshi
Isam Abdullahu, pas 23 muajsh të kaluara në qelitë e CZ-së famëkeqe të Beogradit , që i ngjasojnë nëntë rrathëve të “Ferrit “ të Dantes, më 7 mars të vitit 2001 shkel prapë trollin, tashmë të Kosovës së lirë. Megjithatë, të gjitha vuajtjet e tij dhe të familjes Abdullahu, e cila gjatë tërë kësaj kohe jetoi në pritje e ankth të paparë, nuk do të fashiten kurrë në kujtesën e tyre…
Është mjaft prekës rrëfimi i opojarit Isam Abdullahut, i lindur në fshatin Kuklibeg të Dragashit, i cili pas njëzet pranverave të kaluara në bukuritë përrallore të bjeshkëve të Sharrit, nga dëshira e madhe për t’u bërë veterinar, shkon në
Arrestimi i papritur
Posa filluan bombardimet e NATO-s ai iku nga konvikti i studentëve dhe pasi ishte i pamundshëm largimi nga qyteti, vendoset në banesën e një kushëriri. “Ishte 2 maji i vitit 1999, kur nga një student goran dëgjova se është burgosur një grup studentësh shqiptarë. Isha mjaft i interesuar që të kuptoja sa më parë identitetin dhe shkakun e një arrestimi të tillë të papritur. Kam tentuar mjaft që me anë të telefonit të kuptojë diç, por pa sukses…”
Në këtë mënyrë e fillon rrëfimin e dhëmbshëm Isami, i cili tani është i punësuar në shërbimin doganor në Qafë të Morinës. Gjatë rrëfimit, sytë e tij ishin të ngujuar në një pikë. Shokët e miqtë e tij pohojnë se atij nuk i pëlqen të flasë për tmerret e përjetuara në kazamatet serbe. Në vazhdim të rrëfimit ai përkujton se deri më 4 maj nuk ka kontakuar me askënd, duke mos dalur fare nga banesa e kushëririt. Ndërkaq në mëngjezin e 5 majit, papritmas, në derën e banesës dëgjohen krisma të forta. Në banesë ishte edhe gruaja e kushëririt me dy fëmijë.” Pasi e hapën derën, me shpejtësi në banesë hynë pesë agjentë të sigurimit të UDB-së, kurse në korridor kishte dyfish më shumë, të cilët ishin të pajisur me trasta të mbushura, pa e ditur ne se ç’kishin në to.Me shpejtësi u shpërndanë në tërë banesën, duke na ngujuar neve në një qoshe, për të mos guxuar të lëviznim fare, ndërsa ata as që u prezantuan se kush ishin…” Pas një gjysmë ore i fusin në banesë dy banorë të ndërtesës, mbase si dëshmitarë. Dukej qartë se i kishin sjellë me dhunë. Kur njërit prej tyre i urdhërojnë që të ulet, ai refuzon me këto fjalë: “ Jam i paftuar dhe nuk jam këtu mysafir. Më keni prurë pa vullnetin tim.” Më pas kanë tentuar që të nxjerrin diç nga trastat dhe të mshefin në banesë, mirëpo, mbase e kanë parë se do t’i rrezikojnë fëmijët.po qe se vendosin armë e eksploziv, prapë nuk kanë vendosur asgjë në banesë. Më pas e marrin me vete Isamin, i cili posa del nga ndërtesa sheh se ajo ishte e rrethuar nga shumë agjentë të sigurimit, të cilët ishin të armatosur. “ Më futën në automjetin e tyre ku filluan përnjëherë të më rrahin. Më pas më kanë dërguar në një stacion të policisë. Aty më futën në një zyrë ku ishin 5-6 persona. Posa hyra i pyeta se pse më kishin arrestuar.
Ndërkohë ia treguan një fishekë të kalibrit të armës dhe i thanë: ky është për ty. Isami nuk reagoi fare. As që mundte të bënte një gjë të tillë. Pastaj e kapën për të dyja këmbët, e nxorrën nga dritarja e katit të gjashtë, duke e mbajtur kështu të vjerrur. Ndërkohë e kërcënuan se do ta hedhin poshtë. E tëra kjo ndodhi në ditën e parë të arrestimit. Njëri nga inspektorët i tha se e njeh mirë, sepse e ka takuar shpesh në konvikt të studentëve. Ai u prezantua si boshnjak i Malit të Zi. “Edhe njëherë mora guximin dhe e pyeta: Pse jam arrestuar”? Do të njoftohesh më vonë, ma ktheu.
Fantazia e UDB-së serbe
“Pas disa ditësh më çuan diku tjetër. Gjatë tërë kohës isha me thes në kokë. Në një korridor të gjatë pashë shumë inspektorë të sigurimit, të cilët nuk i kisha parë më parë. Isha krejt i rraskapitur, andaj nuk mund të qëndroja në këmbë. Pastaj më futën në një dhomë. Më urdhëruan që të qëndroja në majë të gishtave të këmbës. Më vonë në dhomë hynë dy persona , për mua të panjohur. Më përplasën për dysheme dhe më lidhën në qafë me gajtan të rrymës elektrike”. Pastaj filluan ta shkelin në të gjitha organet, edhe në ato gjenitale, duke i thënë se është shumë kokëfortë dhe nuk pranon asgjë. Dhe kur ky i pyet se çka duhët të pranojë, ata ia dhanë një letër të madhe dhe një laps dhe filluan t’i diktojnë se si gjoja ka ekzistuar kjo organizatë studentore, anëtarë i të cilës isha edhe Isami, se si kishin tubuar para nga punëtorët dhe biznesmenët shqiptarë në Beograd, me të cilat kishin blerë armë, të cilat gjoja i kishin dërguar në Kosovë, se si para bombardimeve i kishin vizatuar skicat, me caqet ushtarako- policore në Beograd dhe se si kishin vëzhguar lëvizjet e tyre. “Më bëhej se po lexoja një roman fantastik. Ironia bëhet edhe më e madhe kur më thanë të shkruaj se kishim planifikuar helmimin e ujësjellësit të Beogradit, vënien e eksplozivit në strehimoret për mbrojtje atomike, në Kuvendin federativ, në konvikte, menza studentore, dhe në rrjetin elektrik në shumë pika të qytetit. Më këtë rast u binda se të gjitha këto mund t’i montojë vetëm fantazia e shfrenuar e UDB-së serbo- sllave. Pastaj i thanë që të shkruajë se armët dhe eksplozivin këta i kishin ruajtur në banesat e studentëve të arrestuar si dhe në dyqanin e Zef Palucës, argjentar shqiptar që punonte në Beograd. Të tëra këto, Isami i hudhi poshtë duke u thënë troq se ishin vetëm montime. Mirëpo ata i thanë se ai të gjitha këto duhët t’i pranojë patjetër nëse dëshiron të jetojë. Më vonë e detyruan që t’i nënshkruajë. Vetëm atëherë u prezantuan, duke i treguar se me kë ka të bëjë. “Kuptova se ishin anëtarë të njësitit special antiterrorist të UDB-së. Tani plotësisht e kisha të qartë se akuzohesha për terrorizëm”. Fill pas kësaj e dërguan në CZ ( Burgu Qendror), ndërsa torturat nuk kishin të ndalur.
Një ditë e nxorrën nga burgu dhe e dërguan në një pjesë të qytetit , e futën në një stacion të policisë së trafikut dhe i thanë: - Ky është momenti i fundit për ty. Më pas e futën në një dhomë të madhe me plotë reflektorë dhe kamera televizive dhe i thanë : -Nëse do ta thuash para kamerave atë që e kërkojmë ne, do të mund ta vazhdosh jetën. Isami prapë refuzoi kategorikisht. Atëherë filluan sërish torturat. Mandej e tërhoqën zvarrë deri te makina e tyre. Gjatë rrugës për në burg katër agjentë vazhduan ta rrahin egërsisht. Po të ishte burgu pak më larg sigurisht se do ta pësonte me jetë.
Seancat gjyqësore, ku gjykoheshin pesë studentë shqiptarë nga Kosova dhe një argjentar, zgjati, me ndërprerje, rreth gjashtë muaj. Dëshmi e vetme kundër tyre ishte armatimi dhe eksplozivi, të cilin, gjatë arrestimit të tyre, e kishin vendosur në banesat e tyre agjentët serbë. Me këtë rast u prezantuan edhe shumë harta e skica, të cilat i kishin përgatitur vetë inspektorët e UDB-së famëkeqe. Si dëshmi tjetër u paraqit edhe një fletore me emrat e mbiemrat e tyre për të vërtetuar anëtarësinë e tyre në këtë organizatë “terroriste”. Të gjitha këto ishin të përgatitura me një skenar, të cilit do t’ia kishte lakmi edhe vetë Hiçkoku i famshëm. Në atë fletore ishte edhe një regjistër i armëve të cilat gjoja këta i posedonim.
Kështu, Isami u dënua me gjashtë vjet e gjysmë, Petrit Berisha nga Peja, i cili akuzohej si udhëheqës i grupit “terrorist”, dënohet me 12 vjet, vëllau i tij Dritoni, 6 vjet, Driton Meqa, nga Gjakova, me 7 vjet, Shkodran Dërguti, nga Prishtina, gjithashtu 7 vjet (të gjithë studentë që studionin në Beograd), ndërsa argjentari Zef Paluca, i cili ishte larguar më parë nga Beogradi, ishte gjykuar në mungesë, duke u dënuar me 8 vjet.