Faleminderit
Milazim Kadriu: Halil Patrona – Projektues dhe realizues i një projekti moral dhe social në gjysmën e parë të shekullit 18
E marte, 28.09.2010, 10:00 PM
NË 280-VJETORIN E KRYENGRITJES SË STAMBOLLIT, AKADEMI PËRKUJTIMORE KUSHTUAR KRYENGRITËSIT SHQIPTAR , HALIL PATRONA
HALIL PATRONA – PROJEKTUES DHE REALIZUES I NJË PROJEKTI MORAL DHE SOCIAL NË GJYSMËN E PARË TË SHEKULLIT 18
Nga Milazim KADRIU
Organizuar nga Radio-Kosova e Lirë, sot në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë u mbajt Akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së kryengritësit të madh shqiptar, Halil Patrona, në 280-vjetorin e kryengritjes së Stambollit. Me këtë rast u përurua edhe romani i Ahmet Qeriqit “Koha e jeniçerëve”, ku trajtohet një segment i jehonës së kryengritjes së Halil Patronës edhe në Kosovë e më gjerë.
Në fjalën e tij, profesor Ahmet Qeriqi ka veçuar se kjo akademi kushtuar këtij personaliteti të kombit tonë, nuk i del dot borxhit, që kemi për këtë figurë madhështore të historisë sonë kombëtare. Megjithatë, sot në 280-vjetorin e kryengritjes së Halil Patronës, këtu në këtë ambient, në Prishtinë, dhe jo në vendlindjen e tij në Hurpisht, që është rrafshuar për tokë dhe nuk figuron më në gjeografinë aktuale, po përkujtojmë një pjesë ende të pandriçuar sa duhet të së kaluarës sonë, me një porosi të qartë për institucionet. Të futet sa më parë në tekstet e historisë, jeta dhe vepra e Halil Patronës, derisa ajo është një jetë dhe një vepër shumë e dinjitetshme dhe si e tillë është futur në të gjitha enciklopeditë botërore.
Profesor, doktor, Feti Mehdiu në fjalën e tij, ndër të tjera saktësoi se Halil Patrona – një shqiptar nga rrethina e Manastirit – është një personazh historik, i cili me shpirtbardhësinë e tij i tregoi botës, plot gjysmë shekulli para revolucionit francez, se masat popullore në qendër të Perandorisë Osmane e përkrahën, pikërisht për faktin se ky artikuloi si askush tjetër më parë kërkesat për të përmirësuar gjendjen morale dhe sociale të shoqërisë, qoftë edhe nëse ato kërkesa paguhen me jetë. Historisë shqiptare i mbetet që Halil Patronës – projektues dhe realizues i një projekti moral dhe social në gjysmën e parë të shekullit 18, t’ i gjejë vendin e merituar në gjirin e vet.
Profesor, doktor Zenun Gjoci duke folur për romanin e Ahmet Qeriqit, “Koha e Jeniçerëve” i cila u përurua sot ka veçuar se kjo vepër është shtjellim artistik, bazuar në një periudhë të errët historike shqiptare. Ajo ngërthen dhe i tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbysur ligjet e ngurta të saj. Kur ta marrim mend se letërsia riprodhon të kaluarën, për ta shprehur të tanishmen e të ardhmen, na bie në mend se “historia është ngjarje që ka ndodhur dje, ndërsa letërsia është histori që do të ndodh sot ose nesër”, vepra e A. Qeriqit e reflekton tragjikën e shqiptarit dhe peripecitë e tij, prej të cilave del mesazhi specifik: dy duar për një krye, shumë koka për një ditë më të mirë. Pos tjerash, romani “Koha e jeniçerëve” trajton shpërnguljen e filluar në qershor 1690, datë kjo e “shenjtëruar” falso dhe e tëhuajësuar nga historiografia sllave për Ballkanin, gjoja si ikje e serbëve nga invazioni i perandorisë osmane, në të vërtetë ikje e popullatës krishtere ballkanike, andaj edhe e shqiptarëve, përkundër pseudo historiografisë serbe, prej së cilës deri vonë qe verbuar edhe historiografia perëndimore, në mungesë të historiografisë së mirëfilltë shqiptare.
Në Akademi u prezantuan edhe gjashtë tablo artistike për Halil Patronën dhe kryengritjen e tij, të piktorëve të njohur botërorë: Zhan Baptiste Vanmur dhe Kornelis Kalkoen, ndërsa para të pranishmëve u lexua edhe telegrami përshëndetës i magjistër Kadri Rexhës, drejtuar stafit të Radios-Kosova e lirë.