Faleminderit
Ferit Ramadani: Jusuf Gërvalla - Poliedri i mirësisë
E diele, 03.10.2010, 07:58 PM
3.Jusuf GERVALLA: Poliedri i mirësisë
Nga Ferit RAMADANI
Duke vënë në spikamë të studimit te “ Rruga jetësore e Jusuf Gërvallës “ Kadri Rexha, nuk mbeti pa përmbldhur shumë krijime , që i kishte mbuluar harresa e qëllimshme , ose, ashtu si ishte vetë realiteti i kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve jetësore , nëpër të cilën kalonte edhe krijuesi, poashtu , vuante dhe populli i robëruar i Kosovës, që ia kishin vënë gjithë jetën në pranga, për të brohoritur kunder lirisë së vet, saherë që i shtohej kërbaçi e dhuna, e sa herë që derdhte djersën e gjakun, që të mëkëmbeshin padronët. Por, këtë realitet të hidhur, nuk e heshtëte poliedri i mirësisë , Jusuf Gërvalla! Ai kishte vulosur qëndrimet e tij nëper shumë intervista të kohës, por edhe më 1975, në “Zëri i Rinisë” do të jehojë :
“Ajri është përplot klithje, që shprehia na i ka bërë memece. E di një dhembje, di shumë dhembje, që nuk do t’i dija po të mos distancohesha pak prej tyre; e di gëzimin e jetës, që nuk do ta dija, po të mos e shikoja pak me syrin e atij që nuk e ka bukë të përditshme. Po kështu, duke u përpjekur që në momente t’i bëjë pak të huajat edhe bardhësitë, edhe pezmin e jetës, në mënyrë që më vonë të më kthehen të sheshuara, të ndara – ëmbëlsia nga e amshta – me kohë kanë zënë të më bëhen më të qarta konturet e njeriut me etje për sende të imta dhe për gjakime të shumta, po edhe të njeriut me një shpresë të patundshme të varur për ndërgjegjen e vet e të sojit të vet.”
Eshtë jehona e poliedrit të mirësisë që bën ekuilibrin e gjendjes së popullit, karshi gjithë aparatit të një sistemi kriminal, që dita ditës, kishte ngritur ndasinë, për të shpronësuar përmasat e gjëra të popullit të varfër e të shtypur. Prandaj, nëpër këto rrezatime shtypëse, ai edhe kur jep intervistë, vlon nga mëllefi për të krijuar mundësinë përmbytëse të atij pirgu mizor, që kishte ngulfatur mundësitë e shfrytëzimit të lirë edhe të ajërit , i cili, ishte stërmbushur me memecllëkun e klithmave !
Kush
Do të ishte shumë e gjymtë të përmbyllej veprimtaria e një krijuesi si Jusufi , nëse nuk përmendeshin bëmat e tij prej përkthyesi, prej skenaristi, prej njeriu që mbante ditarin dhe për të cilin përkujdesej të krijojë rrethana të duhura, se mirëqenia e popullit , i ndjente në shpirt kthetrat gjakatare, por, nuk arrinte t’i shprehë ato. Ndaj, duhet theksuar veçmas veprimtarinë e Jusufit, si njeri organizues i cili u paraprinte dhe ishte bërë frymëzuesi i një përmase të madhe të të rinjve, që ndiqnin me elegancë përditëshmërinë që kanalizonte përmbytjen e idesë liridashëse dhe ndjenjën e pavarësisë.
Kjo veti e tillë, për arsye të rrethanave të asaj kohe, akoma nuk e ka hap arenën e veprimtarisë të flasë për pjesëmarrjen e Jusufit si organizues me grupet e të rinjve studentë nga Peja, Lipjani, Ferizaji, Podujeva dhe Mitrovica. As me ata që përsëpari herë u lidhën në ide dhe veprim nga gjithë trojet shqiptare, dhe përfaqësuan Strugën , Ohërin, Dibrën , Kërçovën, Tetovën. Të gjithë flisnin për një qëllim. Dhe ai, dita ditës, projektohej në krijimin e Platformës gjithshqiptare, për të qenë në rrjedha se si do të bëhej 100 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, e pastaj, se si do të niste vargani i gjatë i kolonave liridashëse.
Kjo ishte njëra anë e veprimit për të cilën , shumë pak njerëz mund të takoje që flisnin me dashamirësi, dhe kishin përgjegjesi për rrjedhën e zhvillimit të gjithmbarshëm , për të krijuar mundësi veprimi. Aso kohe, arrita të njoh veprimtarët e Pejes, nga Kelmendet, dhe Muriqët, që e konsideronin Jusufin - njeri shenjt. Krahas tyre , me të njëjtin mendim edhe grupe të të rinjve nga shumë qytete të banuara me shqiptarë. Të gjithë, me një kërkim dinjitoz se si të arrihej te qëllimi ! E për të, me një stil të veçantë, përkushtoheshin Ismet Gusia, Ukshin Hoti, Avdi Kelmendi, Zeqir Gërvalla, Ismet Begolli e shokë të tjerë. Ashtu si Mehmet Gega, Shaban Xheladini, Shaqir Sadiku, Abidin Hyseni e Naser Hani që kishin krijuar strukturat dhe ato i koordinonin me të gjithë, për të vënë linjat e veprimit në përputhje me tërësinë e krijuar të pjesëmarrësve .Por, kjo veprimtari, nuk mundi të dalë në përballje të hapur, sepse, në çdo skaj kishte sy përndjekës që për një alarm , të përpinte nata.
E tillë shfaqej edhe krijimtaria që publikohej, dhe censorokuqët e instaluar në zyrat speciale të Rilindjes, të Fjalës, të Zerit të rinisë, në Flaka e Jehona, e ku jo, vetëm përgjonin. Pastaj, duke zgudulluar sytë mbi shkrime, tentonin të ngulfasin mendimin e lirë, që të mos krijojë atak me pushtetin e Sfinksit, për të cilin, një turmë e madhe e shkarravitësve, kishin krijuar përkushtime.
Përderisa shkarravitesit e tillë bënin shkrime me porosi, dhe merrnin honoraret e majme, për të përmbytur zërin e lirisë, me zërin që i këndonte robëruesit, Jusufi, projektonte idenë e dramës “ Procesi” . Por, kjo dramë kishte nis herët të jetë prezente , dhe shumë aktorë të saj, kishin marrë rolet nëpër zëndanet teatrore të Gradishkës, Goli Otokut dhe Idrizovës, pa qenë të pandehur, u behej akuza dhe dhuroheshin me kërbaç dhe burgim shumëvjeçar, nuk pati mundësi të bëhej publike . Prandaj, Jusufi, si shume krijues te tjerë, krahas frymëzimit dhe linjave krijuese që pati, priti ditë të tjera ku do të ulej të hartojë ndodhitë e kobit dhe sjelljen kriminale të personave të një pushteti okupues. Ai i kishte personazhet e saj, por, pritja e krijimtit të rrethanave, atij i solli mundësinë e spikatjes së karaktereve të personazheve, ndërsa, durimi i tyre , fliste edhe per nje dhunti, se Jusufit edhe Perendia qyshkur ia kishte krijuar talentin për të shperthyer në krijim. Këtë veçori të jusufit, e vë në shënjester për ta përkufizuar edhe Ismail Kadare, i cili me plot bindje flet se :
“Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.”
Ky rrumbullaksim i bërë për Jusufin, nga gjeniu i krijimtarisë letrare shqipe, shkrimtari Ismail Kadare, padyshim është vulë e vërtetë , se shpirti kriminal i pushtetit të asaj kohe i ngritur nga demonë e shtriga, ndërpreu veprimtarinë e njeriut me force poliedrike krijuese dhe mirësie.
Për ta rrumbullaksuar shkrimin, sërish do të nderlidh shkrimin përmbylles të Kadri Rexhes, që u bë itinerarë në horizontin e këtyre tre shkrimeve, që kishin për qëllim në 65 vjetorin e lindjes së Jusuf Gërvallës, të shkundin pluhurin e harresës, nga Kolosi, që as vdekja se mposhti, as anatemat se heshtën! Sado që të shkruhet për të, ka se çka të shkruhet, sepse ka shumë gjera të pabotuara e të panjohura për lexuesin , të cilat i thekson edhe studiuesi Kadri Rexha:
“Ndër studimet e pabotuara të Jusuf Gërvallës vlejnë të përmenden Poetika e romanit “Lumi i vdekur” i shkrimtarit Jakov Xoxa, punim diplome, të cilin e mbrojti para komisionit në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës si dhe tezën e magjistraturës Poetika e poezisë së Nolit, punim i papërfunduar dhe i pambrojtur për shkaqe tashmë të njohura. Në revistën “Fjala” Jusuf Gërvalla botoi të panënshkruar edhe një recension për romanin Klepsidra të Danilo Kishit, me rastin e botimit shqip të kësaj vepre.
Me vlerë të theksuar janë edhe shkrimet kritike të Jusuf Gërvallës lidhur me filmat artistikë, dramat televizive si dhe me emisionet dokumentare të shfaqura nga Televizioni i Prishtinës. Këtu po i cekim vetëm këto shkrime të kësaj natyre: vështrimet mbi serialin e filmit televiziv Era e Lisi të Besim Sahatçiut, të atij Rrënjët, si dhe vështrimet lidhur me emisionet dokumentare për Arbëreshët e Italisë dhe ato për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë kuadër mund të inkuadrohen edhe disa biseda të Jusuf Gërvallës lidhur me disa ngjarje të shënuara kulturore në Kosovë, të cilat i realizoi në Programin Dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet këtu biseda impresive e Jusuf Gërvallës me rastin e hapjes së ekspozitës artistike Rilindja Kombëtare Shqiptare në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në vitin 1978. Është me interes të veçantë të përmendet edhe një bisedë e Jusuf Gërvallës e zhvilluar dhe e shfaqur nga Televizioni i Prishtinës me rastin e Tetë Marsit – Ditës ndërkombëtare të Gruas, në vitin
Kjo përmbyllje e këtillë , jam i bindur se do të hapë kaptinën e re, për studime e krijime të reja për Jusufin mërgimtar dhe veprimtar në diasporë për Bashkim dhe pavarësi të torojeve shqiptare .Ashtu siç do të hapë kaptinën krijuese, për Jusufin hero, që bëri dekadë jete në varr duke pritur të prehet në tokën e Atdheut, e cila, për arsye të realitetit okupues, e përkujtoj në këngë, por e anatemoj në sistem...!