E shtune, 27.04.2024, 08:47 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Tregime nga Podguri (III)

E enjte, 30.09.2010, 09:58 PM


TREGIME NGA PODGURI III

 

Nga Selim Hasanaj

 

MU KA MERDHI GJUHA

 

Stevë Zhivkoviqi ishte nji serb kolon dhe kur vien në Lubozhdë si kolonist nda rrethi i Leskovcit në Serbi ai menjiherë fillon të sillet si harambash dhe ti banë zullume popullit shqiptarë. Kishte ba karier zullumqari sa shqiptaret e mbajnë në mend si nji serb katil. Mirpo kungulli askujt nuk i shkon mbi ujë. Vie koha e okupimit fashist italian dhe tash shqiptaret marrin paksa të drejta dhe liri dhe me këtë rast Trimi i njiftun i Mivades, Ahmet Nuhi nga Shushica vjen në Lubozhdë enkas per ta ndeshkue Stevë Zhivkoviqin per zullumet që ju kishte ba shqiptarve.

Posa vjen në Lubozhdë Ahmet Nuhi shkon te Sali Bajramt e Shales dhe pasi merr me veti nji mashkull të kësaj shtëpie ai i shkon Stevë Zhivkoviqit te dera. E thrret, dhe Steva del tan tue ju dridh trupi. E dinte se Ahmet Nuhi do e ndeshkon e besa mos e vraft krejtë. Ahmeti e shikjon dhe i thotë, mos u tut o shka, unë nuk vras stervina si ti, por duhet me e krye nji punë, menjiherë me dalë e me e thirr katunin shpi per shpi nga nji mashkull të të gjitha kombeve me u bashkue në oden e Sali Bajramve se aty unë do ju mbajë nji konferencë, dhe kur ti thirrish të gjithë me ardhë e me më tregue se edhe ti duhet me ardhë në atë mbledhje. Steva u shlirue pak, por edhe ofshani thellë, dikur kishte kjen vojvodë e tash shqiptari po e banë patragjel katuni. Medet, o vakt si po ndryshojkan punet, thue se foli vetë me veten dhe menjiherë ashtu pa i mbathë opingat si duhet ai iku per ti lajmrue burrat e katunit se i thrret Ahmet Nuhi. Kur kreu punen ai erdh në oden e Sali Bajramve dhe raporton Ahmetin se ja ka krye porosinë dhe donë me ik, por Ahmet Nuhi i pisket; ndal shka ku po shkon, unë nuk të thash me ik. Ti e dinë se unë jamë nga Shushica dhe atje asht tokë mivadë, derisa erdha këtu me atë baltë të kuqe të mivades më janë ba qizmet e saftjanit pis, merri e lajmi. Steva desh u çmend, jo zotni Ahmet unë jamë burr dhe nuk muj laj qizme, mos per hir të zotit mos më poshterso aq fortë. Ahmeti pa nji pa dy nxjerr revolen dhe ja rras në grop të fytit çetnikut Stevë Zhivkoviqit. Sa njeriun e urtë e të ndershem e ke nençmue ti pergjatë karieres tande si çetnik bandit o Stevë, e tash po të vika rand nençmimi a, mirë nuk do mi lajsh qizmet , por ti ato do i lëpish me gjuhë derisa atyne tu hiqet balta e kuqe e Mivades, dhe e shtyni ashper sa e hodhi në gjunë. Ja afrojë kamben dhe e urdhnojë me ja lëpi qizmet. Nga balta dhe guralecat e vogel neper te, Stevës fillojë ti del gjak nga gjuha dhe pshtynte gjak panderpre. Pasi e kreu punën me qizme Ahmeti e la Steven me ik, por ja perkujtojë se duhet me ardhë në mbramje në konferencë se per ndryshe vajë halli per te.

Mblidhen burrat e gjithë fshatit dhe edhe Steva kishte ardhë. Ec e mos hajde. Ai ishte struk si qen i lagun nga shiu mas deres së odes dhe mezi merrte frymë. Patrioti Ahmet Nuhi pasi ju foli fshatarve per situaten aktuale politike ai pau se si Steva ishte struk mas dere dhe posa donë ti thotë diçka ate e nderpret Sali Bajrami dhe i drejtohet Steves me këto fjalë: hajde kumara Stevo folna edhe ti diçka. Steva i trembun kapercatet dhe ja dredh, po besa more kumar pata me folë po nuk po muj se mu ka merdhi gjuha.

 

NXEJE BABUSH NXEJE

 

Vesel Ramushi nga Lubozhda ishte nji mahiqar i madhë, ai pelqente me provokue pleqet apo edhe gratë e familjes dhe pastaj nga provokimet që ai bante dhe situata që krijohej ai bante hajgare dhe me te qeshnin të gjithë. Veselit i kshte vdek nana kur ky kishte kjen i ri dhe ishte rrit në shpi të madhe sikur i thoshin atë kohë familjeve që kanë bashkjetue me nga disa kunor së bashku. Baba i Veselit Ramush Sadria martohet per të dyten herë me nji grue nga Masbjeshka dhe ajo ishte shumë ma e re se Ramushi. Ramushi ishte bari i njoftun i bjeshkeve të thata dhe ate e donin, nderoni dhe çmonin krejt rrethi i Podgurit. Nji mbramje dimni ishin në odë të gjithë burrat e kësaj familje dhe në mes ode ishte nji kaftorr i mushun me dru qarri të cilit ju kishin skuq edhe qyngat deri te oxhaku nga prushi i druve. Të gjith ishin shtri dhe kishin zdesh xhampera e xhamadana sepse ishte nxehtë, ndersa Ramushi i veshun me gzof të ogiqit ishte afrue pran kaftorrit dhe kishte hap kambet dhe duert thue se po don me e perqafue kaftorrin dhe nxehej. Faqet ju kishin skuq po si qyngat e kaftorrit. Veseli si Veseli nuk durohet pa e ngacmue. A po merdhin o babush? Jo babë jo mirë ashtë, po nxehna pak. Nxeje , nxeje se ka kush ta ftofë ty, ke dasht grue ma të re dhe ate të masbjeshkes bile, qebesa mos ja qofsh të nxehtë në shtratë të qet prej qileri. Plecet gazi dhe si zakonisht Veseli qeshet jo tash me ate që vetë e kishte provokue, por me të tjeret që qeshnin dhe i perqeshte ata per me qetsue situaten që nxitke vetë.

 

LESHI I DORES SË VESEL RAMUSHIT

 

Vesel ramushi nga Lubozhda punonte në Prizren dhe familjaret e ti në fshat e konsideronin si ma të ngritun dhe ma të civilizuem. Ai vinte në fshat pothuej per çdo vikend dhe kur ai ishte aty gazi e mahija ndegjohej gjithandej. Nji ditë baba i ti Ramush Sadria e vetë se a po muj banë idare atje në sheher, si po ja del me shpenzime të perditshme. Veseli e dinte ku donte me i dalë i ati andaj e nderpret dhe i thotë, mos ki gajle o babush, kamë pas nji kredit sepse kamë pas ble disa mobilje per banesen, tash edhe nji muej e e paguej dhe gjysen e rroges kamë me ta dhanë tye e ma nuk ke nevojë me shkue në Oshlak me dele. Derisa folke kishte pervjel mangen e këmishes dhe me doren tjeter ferkonte leshin e dores. Xhemajli, djali i axhes së Veselit qeshke, dhe kur të tjeret e panë ate tue qesh e kuptuen se babushi do merr lesh ogiqi e jo para të rroges së Veselit. Plas gazi , qeshet edhe babushi i cili ishte mësue me dreqnit e Veselit.

 

Selim Mustafë Hasanaj

Sarpsborg

Norvegji

29.09.2010



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora